
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/
Mjeshtër i Madh
Pjesa 1
Luftëtari mësues që çeli shkolla shqipe në Çamëri
(Rexhep Demi, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, luftëtar i çështjes shqiptare dhe një nga përhapësit e palodhur të arsimit në gjuhën shqipe në Çamëri). Ai lindi në Filat të Çamërisë në vitin 1855. Që në moshë të re u edukua me ndjenjën e dashurisë për gjuhën dhe atdheun, duke marrë mësimet e para nga atdhetari i shquar Hasan Tahsini, në shkollën e tij medrese. Ky formim ndikoi në krijimin e personalitetit të tij dhe në përkushtimin e mëvonshëm ndaj çështjes kombëtare. Rëndësinë e veprimtarisë së tij e dëshmon edhe një bisedë e zhvilluar ndërmjet Babë Dudë Karbunarës dhe Hasan Tahsinit në Berat. Kur u diskutua për përhapjen e arsimit shqip dhe propagandën patriotike në Çamëri, Hasan Tahsini iu përgjigj: “Për propagandën patriotike, për të fituar të drejtën kombëtare dhe për përhapjen e arsimit shqip në Çamëri, kemi lënë djaloshin energjik e të guximshëm Rexhep Demi”.
Gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Rexhep Demi u bë një nga veprimtarët e degës së Janinës. Në shkurt të vitit 1879 mori pjesë në takimet e Prevezës, ku u lidh me atdhetarët më të njohur të kohës dhe u përfshi në përpjekjet për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Për shumë vite me radhë, me abetaren në gji dhe librin shqip si armë të dijes, udhëtoi nëpër viset e Çamërisë, Delvinës dhe Shqipërisë së Jugut, duke përhapur mësimin e gjuhës amtare. Shpërndante libra, abetare dhe gazeta shqipe, të cilat i siguronte nëpërmjet kolonive shqiptare të Bukureshtit dhe Egjiptit. Në një kohë kur arsimi në gjuhën shqipe pengohej dhe veprimtarët kombëtarë ndiqeshin nga autoritetet osmane, puna e tij merrte vlerën e një misioni të mirëfilltë atdhetar. Një nxitje të veçantë në veprimtarinë e tij arsimore e kombëtare patën takimet me atdhetarin Sabri Preveza në Filat, gjatë viteve 1893-1894. Duke kujtuar ndikimin e tij, Rexhep Demi shprehej: “Atdhetari Sabri Preveza më futi në gjak dashurinë për të përhapurit e gjuhës shqipe në Çamëri”.
Për veprimtarinë e tij patriotike, në vitin 1900, xhandarmëria osmane i bastisi shtëpinë dhe e arrestoi, duke e dërguar në burgun e Janinës, ku qëndroi për dy vjet. Por burgu nuk e mposhti dhe as nuk ia zbehu bindjet. Pas lirimit, ai iu rikthye me të njëjtin përkushtim përhapjes së gjuhës shqipe dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Një ish-nxënës i tij kujtonte fjalët që Rexhepi u përsëriste nxënësve: “Gjuha shqipe është shpirti i shqiptarëve. Çdo shqiptar e ka për detyrë të mësojë gjuhën e tij, sepse me anë të gjuhës mund të shpëtojmë vendin e kombin tonë nga armiqtë tanë, që duan të na zhdukin”. Këto fjalë shprehnin qartë bindjen e tij se ruajtja e gjuhës amtare ishte kusht themelor për mbijetesën dhe përparimin e kombit.
Klubi “Vllazëria” dhe shkolla shqipe e Filatit. Viti 1908 shënoi një etapë të rëndësishme në veprimtarinë e Rexhep Demit. Pas shpalljes së Kushtetutës osmane, ai punoi pa ndërprerje me atdhetarët e Çamërisë për organizimin e lëvizjes kombëtare dhe çeljen e klubit patriotik “Vllazëria”, në Filat, ku u zgjodh kryetar. Klubi “Vllazëria” dhe shkolla shqipe e Filatit e zhvilluan veprimtarinë në mjediset e shtëpisë së familjes Demi. Kjo shtëpi u kthye në një vatër të rëndësishme të arsimit, kulturës dhe veprimtarisë patriotike shqiptare në Çamëri. Aty mblidheshin atdhetarë, mësues, të rinj dhe njerëz të interesuar për përhapjen e gjuhës shqipe.
Në gazetën “Zgjimi i Shqipërisë” vlerësoheshin përpjekjet e mëdha të vëllezërve Rexhep Demi dhe Musa Demi për hapjen e shkollave shqipe edhe në fshatra të tjerë të Çamërisë.
Rexhepi u drejtohej bashkëkrahinorëve me thirrjen domethënëse: “Kush e di se sa vlen shkolla, nuk kursehet me të holla”. Për të, mbështetja financiare e arsimit ishte një detyrim patriotik dhe një investim për të ardhmen e brezave. Me nismën e tij u mblodhën ndihma në Çamëri për Shkollën Normale të Elbasanit, një nga institucionet më të rëndësishme të përgatitjes së mësuesve shqiptarë, si dhe për fëmijët jetimë të Papa Kristo Negovanit. Këto veprime dëshmojnë se veprimtaria e tij nuk kufizohej vetëm në krahinën ku jetonte, por shtrihej në mbështetje të gjithë lëvizjes kombëtare shqiptare. Në ato vite mbante korrespondencë me Dervish Himën, Spiro Ballkamenin, Themistokli Gërmenjin, Namik Delvinën, Kristo Meksin, Fehim Zavalanin, si dhe me klubet patriotike të Manastirit, Vlorës, Gjirokastrës, Korçës e Janinës.
Këto lidhje e bënin atë pjesë të një rrjeti të gjerë atdhetarësh që punonin për gjuhën, shkollën dhe ndërgjegjësimin kombëtar. Të njohura ishin edhe ligjëratat e tij në klubin e Filatit, ku trajtonte zakonet, traditat, historinë dhe vlerat e popullit shqiptar. Ai bashkëpunoi ngushtë me Kadri Gjatën, Klubin Atdhetar të Janinës dhe gazetën “Zgjimi i Shqipërisë”. Përmes fjalës së shkruar dhe asaj të folur, përpiqej t’u transmetonte bashkëkombësve vetëdijen se gjuha, historia dhe traditat ishin pjesë e pandashme e identitetit shqiptar. Në vitin 1910, xhonturqit mbyllën shkollën shqipe të Filatit. Ky veprim ishte një goditje për arsimin kombëtar, por jo për vullnetin e Rexhep Demit. Në vitet 1911–1912 ai u rreshtua në çetën patriotike të Muharrem Rushitit dhe mori pjesë në kryengritjen antiosmane të Shqipërisë së Jugut. Kështu, veprimtaria e tij kaloi nga përhapja e dijes dhe organizimi patriotik në angazhimin e drejtpërdrejtë luftarak.
Nga Kuvendi i Vlorës te mbrojtja e çështjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912, Rexhep Demi u zgjodh delegat i Çamërisë në Kuvendin historik të Vlorës, ku më 28 Nëntor u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Prania e përfaqësuesve të Çamërisë në këtë Kuvend kishte rëndësi të veçantë, sepse dëshmonte se edhe shqiptarët e krahinave të mbetura jashtë kufijve të shtetit të saposhpallur e shihnin pavarësinë si aktin më të rëndësishëm të bashkimit kombëtar. Gazeta “Përlindja e Shqipniës” shkruante se delegatët e Çamërisë u pritën në Kuvendin e Vlorës me kënaqësi të madhe.
Pas Shpalljes së Pavarësisë, Qeveria e Vlorës e ngarkoi me detyrën e organizimit të luftëtarëve shqiptarë për përballimin e rrezikut nga forcat shoviniste greke në frontin e Janinës. Në shtator të vitit 1913, ai ishte ndër organizatorët e një mitingu proteste, ku së bashku me Kristo Meksin dhe M. Libohovën denoncoi barbarizmat e kryera nga forcat greke në jug të vendit. Në vitin 1915, Rexhep Demi u arrestua nga forcat shoviniste greke dhe u burgos në Janinë. Përndjekjet dhe burgosjet ishin bërë pjesë e jetës së tij, por ai nuk hoqi dorë nga bindjet dhe përkushtimi ndaj çështjes shqiptare…vijon.