
– Nominimi i ambasadorit amerikan është lajm i mirë dhe mundësi për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nominimi i ambasadorit të ri amerikan në Kosovë nga presidenti Donald Trump është padyshim një zhvillim pozitiv për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve mike dhe aleate. Prania e një ambasadori të konfirmuar nga Senati amerikan e ngrit përfaqësimin diplomatik në nivelin e duhur dhe krijon mundësi më të mëdha për komunikim të drejtpërdrejtë me administratën amerikane.
Mungesa e ambasadorit amerikan në Prishtinë për gati dy vjet, pas përfundimit të mandatit të Jeff Hovenierit në dhjetor 2024, nuk ka qenë zhvillim i dëshirueshëm. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Amerika e ka zvogëluar rëndësinë strategjike të Kosovës.
E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane, znj. Anu Prattipati, pavarësisht përpjekjeve dhe rezultateve pozitive gjatë shërbimit të saj, ka pasur edhe disa qëndrime të diskutueshme. Në veçanti, kritikat ndaj qeverisë Kurti lidhur me projektin e gazit amerikan, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, dhe pezullimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, më 12 shtator 2025, kanë shkaktuar shqetësime të arsyeshme.
Personalisht, konsideroj se arsyetimet për këtë pezullim nuk kanë qenë bindëse dhe se vendimi nuk u ka shërbyer interesave afatgjata të asnjërës palë.
Në një pjesë të komunitetit shqiptaro-amerikan ekzistojnë dyshime se në këto qëndrime mund të ketë pasur ndikim edhe ish-diplomati amerikan Richard Grenell. Ndonëse nuk kam dëshmi për ndërhyrje të drejtpërdrejtë, qëndrimet e tij të vazhdueshme kundër kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së Kosovës kanë qenë publike dhe në përputhje me interesat politike të Beogradit.
Nga ana tjetër, gjatë mandatit të dytë të presidentit Trump kanë ndodhur edhe zhvillime të rëndësishme pozitive për Kosovën.
Një ndër më të rëndësishmet është miratimi nga Kongresi Amerikan dhe nënshkrimi nga presidenti Trump i Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026, ku përfshihen dispozita në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë mbi bazën e njohjes reciproke.
Po ashtu, më 22 janar 2026, Republika e Kosovës, e përfaqësuar nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani, nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes, me ftesë të presidentit Trump, si një ndër shtetet themeluese. Pavarësisht zhvillimeve të ardhshme të kësaj iniciative, pjesëmarrja e Kosovës përbën një afirmim të rëndësishëm ndërkombëtar.
Edhe deklaratat e përsëritura të presidentit Trump për parandalimin e një konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë rëndësinë e tyre. Qarqe të caktuara nacionaliste serbe kishin shpresuar se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të krijonte rrethana më të favorshme për ambiciet e Beogradit ndaj Kosovës. Deri më tani, këto pritshmëri nuk janë realizuar.
Nominimi i Dr. Mikhail (Michael E.) Bogachek për ambasador në Kosovë është sinjal pozitiv se Uashingtoni dëshiron ta plotësojë përfaqësimin e tij diplomatik në vendin tonë.
Emërimi i tij duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. Duke pasur parasysh kohën e kufizuar dhe zhvillimet politike në Uashington, mbetet e paqartë nëse procedura do të përfundojë brenda këtij viti.
Nëse konfirmohet, besoj se ardhja e tij përbën një mundësi të mirë për Kosovën. Megjithëse nuk ka një karrierë tradicionale diplomatike dhe nuk njihet për përvojë të drejtpërdrejtë me çështjet e Ballkanit, ai ka përvojë në udhëheqje dhe administrim institucional.
Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen seriozisht që ta njohin ambasadorin e ri me historinë, realitetin politik, sfidat e sigurisë dhe interesat strategjike të shtetit tonë.
Ambasadori i ri duhet ta njohë të vërtetën historike për Kosovën, të mbështetur në fakte dhe argumente të pakontestueshme.
Ai duhet të informohet për represionin, masakrat dhe krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës, për vrasjen e tre shtetasve amerikanë, vëllezërve Bytyqi, pas përfundimit të luftës, si dhe për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra polici hero Afrim Bunjaku. Veçanërisht duhet të theksohet mungesa e drejtësisë për shumë prej këtyre krimeve dhe fakti se persona të dyshuar ose përgjegjës vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi.
Pavarësisht se kush do ta përfaqësojë Amerikën në Prishtinë, diplomatët amerikanë dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë një realitet të pandryshueshëm: populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk do ta pranojnë kurrë rikthimin e sundimit serb, në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë.
Nga Kosova nuk duhet të kërkohen kompromise që cenojnë sovranitetin, rendin kushtetues apo integritetin territorial të shtetit. Miqësia dhe partneriteti strategjik kërkojnë mirëkuptim të ndërsjellë, respekt dhe trajtim të drejtë.
Interesimi i diplomatëve ndërkombëtarë për të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht të komunitetit serb, është plotësisht legjitim. Por ky interesim duhet të mbështetet në realitetin dhe standardet demokratike, jo në propagandën e strukturave ekstremiste të dirigjuara nga Beogradi.
Mjafton të krahasohen të drejtat kushtetuese, politike, gjuhësore dhe institucionale që gëzon komuniteti serb në Kosovë me gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak për të kuptuar më objektivisht realitetin.
Serbia vazhdon të mbajë lidhje të ngushta politike dhe strategjike me Rusinë, ndërsa Kosova është përcaktuar qartë dhe në mënyrë të pakthyeshme për orientimin euroatlantik, demokracinë dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara.
Interesat strategjike të Kosovës dhe Amerikës janë të përbashkëta. Forcimi i shtetit të Kosovës, siguria e tij, integrimi në NATO dhe konsolidimi i paqes në Ballkan janë në interes të të dy vendeve.
Miqësia ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit amerikan është e sinqertë, historike dhe e qëndrueshme. Ajo është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, sakrifica dhe përkushtim për liri, demokraci dhe drejtësi.
Prandaj, pres që ambasadori i ri amerikan, nëse konfirmohet, të kontribuojë në forcimin e kësaj miqësie, në rifillimin e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA dhe në avancimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy shteteve.
Ambasada Amerikane në Prishtinë është simbol i miqësisë sonë të përhershme, burim sigurie për popullin e Kosovës dhe krenari për shtetin tonë.
Agim Aliçkaj
New York, 14 nëntor 2026