
Nga Rafael Floqi/
Alfabeti si çështje e kulturës dhe e kombit
Historia e alfabetit shqiptar nuk është vetëm kronikë shkronjash. Ajo shënon njëkohësisht përplasjen e traditave fetare, përpjekjen për të krijuar shkollë e shtyp në gjuhën amtare dhe lindjen e një hapësire publike kombëtare. Nga Meshari i Gjon Buzukut deri te Kongresi i Manastirit, sfida nuk ishte mungesa e gjuhës, por mungesa e një marrëveshjeje të përbashkët për ta shkruar dhe për ta përhapur atë. Redi Halimi e shpjegon këtë përmes rrjeteve të shqiptaristëve; ndërsa unë e shoh përkthimin biblik si një rrugë të rëndësishme të alfabetizimit. Këto dy perspektiva plotësohen nga kërkimet e reja të gjuhësisë historike dhe nga dokumentet e Shoqërisë Biblike.
1. Një traditë e shkruar përpara alfabetit të njësuar
Me kalimin e viteve, çështja e alfabetit që duhej përdorur për të shkruar shqipen u bë gjithnjë e më e ndërlikuar. Në mungesë të një tradite letrare, nuk ekzistonte ndonjë tekst që të mund të merrej si model. Gjatë shekujve ishin përdorur alfabete të ndryshme. Tradita katolike e veriut e shkruante shqipen me shkronja latine. Me këtë alfabet ishin shtypur libra me karakter fetar që nga shekulli XVI
Alfabeti latin u përdor edhe nga arbëreshët e parë, por pamë se Kamarda përdorte shkronjat greke, sepse, sipas tij, ishin më të përshtatshme për transkriptimin. Shkronja greke kishte përdorur edhe Meksi në përkthimin e Ungjijve; po kështu, Kristoforidhi përdori alfabetin grek në variantin tosk të përkthimeve të Biblës, ndërsa në variantet gegërisht përdori alfabetin latin. Shqipja shkruhej edhe me shkronja arabe: myslimanët, si rregull, përdornin pikërisht këtë alfabet. Ekziston një traditë letrare e shekujve XVII–XVIII me vepra shqipe të shkruara me shkronja arabe. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën letërsi të bejtexhinjve.
Hahni kishte përfshirë në veprën e tij Albanesische Studien një alfabet që ai e konsideronte pellazgjik. Problemi kryesor ishte se asnjëri prej këtyre alfabeteve nuk ishte ideal për shqipen, për shkak të tingujve të veçantë të kësaj gjuhe. Ishte e nevojshme që ato të plotësoheshin me shkronja të posaçme, shenja diakritike ose thekse të ndryshme.
Mimoza Kore thekson se tradita shkrimore e shqipes i parapriu përcaktimit të alfabetit në Manastir. Prandaj viti 1908 duhet kuptuar si një etapë e standardizimit të shkrimit, jo si lindja e tij. Studimet krahasuese të Victor A. Friedman dhe Brian D.
2. Naum Veqilharxhi dhe synimi i një shkrimi të pavarur
Përpjekja e Naum Veqilharxhit për të krijuar një alfabet të veçantë, me abetaret e viteve 1844 dhe 1845, e vendosi shkrimin e shqipes në qendër të programit kulturor të Rilindjes. Projekti i tij synonte t’i jepte gjuhës një mjet të pavarur nga traditat grafike të fqinjëve. Vështirësitë e shtypshkrimit dhe përhapjes treguan, megjithatë, se një alfabet duhej të ishte jo vetëm simbol identitar, por edhe instrument i përdorshëm në shkolla e shtypshkronja. Dokumenti i vitit 1845, i ribotuar në përmbledhjen “Discourses of Collective Identity”, e lidh qartë edukimin gjuhësor me vetëdijen kombëtare.
3. Kur Bibla u bë abetare: misionet dhe Kristoforidhi
Në gjysmën e dytë të viteve 1860, çështja e një alfabeti të vetëm, të pranuar nga të gjithë, u shtrua nga disa drejtime: dalja e librave të Shoqërisë Biblike (Bible Society), projektet për arsimin fillor, çështjet e administratës dhe të shtypit provincial të Perandorisë Osmane. Reformat e ndërmarra nga administrata osmane gjatë njëzetvjeçarit 1856–1876 ndikuan, ndonëse tërthorazi, në lindjen e shqiptarizmit; njëkohësisht, veprimtaria e misionarëve protestantë pati rëndësi për shndërrimin e shqipes në gjuhë të shkruar. Riorganizimi i administratave provinciale solli krijimin e vilajeteve të reja. Shtypi zyrtar osman në provinca filloi të merrej me përfshirjen e shqiptarëve në strukturat shtetërore osmane. U hartuan projekte gazetash zyrtare me artikuj në shqip, me synimin për ta edukuar popullsinë që të pranonte rendin perandorak dhe të braktiste ligjet tradicionale dhe kanunin.
Çështja e arsimimit të qytetarëve myslimanë ishte një shqetësim i madh për elitat qeverisëse.
Në shkrimin “Kur Bibla u bë Abetare…” (Dielli, 29 janar 2026), e vendos punën e misioneve protestante në një marrëdhënie më të gjerë midis besimit dhe kulturës së leximit. Sipas interpretimit të tij, nevoja për t’ua dhënë besimtarëve Shkrimin e Shenjtë në gjuhën e kuptueshme nxiti një zinxhir veprimtarish: përkthim, përshtatje të alfabetit, përgatitje tekstesh, shtypje librash dhe mësim të leximit.
Kristoforidhi përbën nyjën ku këto dy rrëfime takohen. Halimi thekson rolin e botimeve biblike në krijimin e shqipes së shkruar, kurse për mua përkthimi është si provë të aftësisë së shqipes për të shprehur ide të ndërlikuara në tekst të qëndrueshëm.
Në fillim të shekullit XIX, botimet e Vangjel Meksit, të rishikuara nga Grigor Gjirokastriti, hapën një rrugë të rëndësishme të përkthimit. Më pas Kostandin Kristoforidhi punoi me gegërishten dhe toskërishten dhe me sisteme të ndryshme shkronjash.
4. Stambolli: nga debatet te alfabeti i vitit 1879
Pikërisht në këtë kontekst u zhvilluan mbledhje mes veprimtarëve të shqiptarizmit në Stamboll. U diskutua zgjedhja e një alfabeti të vetëm për gjuhën shqipe. Nuk dihet me saktësi kur filluan këto mbledhje, as nga erdhi nisma e parë: nga shqiptaristët, nga autoritetet osmane apo nga përfaqësuesit e Shoqërisë Biblike. Një varg takimesh u mbajtën në shtëpinë e Rustem pashë Leskovikut dhe, më pas, në atë të Hasan Tahsinit.
Morën pjesë shqiptarë nga provinca dhe fe të ndryshme. Myslimanët, që përbënin shumicën, përfaqësoheshin nga Mustafa pashë Pojani, Rustem pasha, Sulejman pashë Tirana, Said bej Toptani, Hasan Tahsini dhe Ismail Qemal Vlora. Nga pala e krishterë morën pjesë Kristoforidhi dhe Pashko Vasa. Në mbledhjet e fundit morën pjesë edhe Jani Vreto dhe Sami Frashëri.
Katër ishin mundësitë që merreshin në shqyrtim për alfabetin shqip: shkronjat arabe, latine, greke ose shkronja të posaçme. Myslimanët anonin nga alfabeti arab, gjë që pëlqehej nga autoritetet osmane. Në të njëjtat vite, në Stamboll u botua një abetare shqipe me shkronja arabe, e përgatitur nga Daut Boriçi, mësues në shkollën e Shkodrës. Tahsini, figura më e shquar e këtyre takimeve, parapëlqente një alfabet të posaçëm, të krijuar enkas.
Pashko Vasa parapëlqente alfabetin latin. Katolik nga Shkodra, ai kishte studiuar në Venecia dhe në Romë. Njihte shumë gjuhë dhe ishte një nga të paktët të krishterë që mbanin poste të larta në administratën osmane. Argumentet e tij mbështeteshin në faktin se alfabeti latin ishte alfabeti i evropianëve “të qytetëruar” dhe se ekzistonin libra shqip të shtypur me atë alfabet.
Nuk u arrit në një vendim, por argumentet e personaliteteve të pranishme tregojnë se sa ndikim ushtronte prejardhja kulturore dhe fetare e secilit. Çështja e alfabetit do të mbetej e pazgjidhur për disa dhjetëvjeçarë.
Këto mbledhje të hershme nuk duhen ngatërruar me etapën e mëvonshme të organizimit të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll, më 1879. Hulumtimi i Frances Trix mbi alfabetin e Shemseddin Sami Beut (Sami Frashërit) tregon se alfabeti i Stambollit, i mbështetur kryesisht në bazën latine, u përdor në botime dhe u përhap përmes shtypshkronjave të Bukureshtit e Sofjes.
5. Rrjetet e shqiptaristëve: nga Dora d’Istria te shkolla shqipe
Mbledhjet e Stambollit sollën në kontakt veprimtarë të ndryshëm të shqiptarizmit nga krahina të ndryshme: lindja e një rrjeti shqiptaristësh mund të vendoset në vitet 1860–1870. U shtuan shkëmbimet e letrave dhe u hartuan projekte për krijimin e shoqërive kulturore ose për botimin e gazetave, librave dhe fjalorëve në shqip.
“Pelasgos” ishte tribuna e parë që vuri në lidhje disa shqiptaristë: në faqet e saj u botuan artikuj nga Byku, Tassos Neroutsos dhe Thimi Mitko.
Një faktor tjetër që ndihmoi në krijimin e një rrjeti të dendur marrëdhëniesh mes shqiptaristëve ishte veprimtaria e Shoqërisë Biblike. Misionarët protestantë nuk ishin në kontakt vetëm me Kristoforidhin. Për një periudhë, përfaqësuesi i tyre në Athinë ishte Anastas Kullurioti, një arvanit që kishte studiuar në Shtetet e Bashkuara. Më 1879 ai themeloi të përjavshmen “I Foni tis Alvanias” [Zëri i Shqipërisë], gazetë që merrej me çështjen shqiptare. Edhe Dorsa dhe Kamarda ishin kontaktuar nga Shoqëria Biblike për një përkthim të Ungjijve në arbërisht. Figura më e rëndësishme e këtij rrjeti të parë shqiptaristësh ishte Dora d’Istria.
Një tjetër lidhje që del nga shkrimi i Floqit është vijimësia ndërmjet botimit të teksteve fetare dhe krijimit të një infrastrukture arsimore shqipe. Ai veçon veprimtarinë e familjes Qiriazi, veçanërisht të Gjerasimit, Sevastisë dhe Parashqevisë, për të treguar se mjediset protestante shërbyen edhe si hapësira ku gjuha shqipe u lidh me shkollimin dhe edukimin e vajzave.
Ajo krijoi një rrjet shqiptaristësh dhe u kujdes t’i mbante të informuar për studimet e kryera nga albanologët perëndimorë. Artikujt e Dora d’Istrias, më shumë popullarizues sesa shkencorë, patën qarkullim të mirë dhe u përkthyen në greqisht, italisht dhe shqip. Vepra e saj më e njohur, La nationalité albanaise d’après les chants populaires, u botua në “Revue des Deux Mondes” më 1866.
Pothuajse të gjithë shqiptaristët e parë ishin të krishterë ortodoksë ose — në rastin e arbëreshëve — katolikë të ritit bizantin; vinin nga shtresa shoqërore të kamura dhe kishin ndjekur shkolla të larta. Brenda Perandorisë Osmane, krahinat e Janinës dhe Korçës ishin vendet kryesore prej nga vinin patriotët. Gjimnazi Zosimea i Janinës pati rol të rëndësishëm në formimin e shumë shqiptaristëve: aty studiuan Kristoforidhi, Byku dhe Jani Vreto.
Lidhja midis shoqërive kulturore, korrespondencës, librave dhe shkollave është vendimtare: një alfabet fiton jetë vetëm kur mbështetet nga mësuesit, botuesit, lexuesit dhe institucionet. Prandaj nuk mund të ndahet historia e alfabetit nga historia e qarkullimit të librit.
6. Manastiri 1908: një kompromis që krijoi rrugën e njësimit
Kongresi i Manastirit, i mbajtur më 14–22 nëntor 1908, u përball me sisteme konkurruese shkrimi dhe me tradita botuese tashmë të konsoliduara. Raporti i Gjergj Qiriazit për Shoqërinë Biblike përshkruan diskutimet mbi tingujt e shqipes dhe vendimin për të pranuar alfabetin e Stambollit krahas një alfabeti tërësisht latin. Delegatët synonin një marrëveshje kombëtare, por nuk arritën ta mbyllnin menjëherë çdo dallim ortografik.
Frances Trix e analizon konfliktin e alfabeteve jo thjesht si ndarje dialektore, por si përplasje mjedisesh të ndryshme shkrimore dhe përvojash shoqërore. Ky shpjegim ndihmon të kuptohet pse kompromisi i dy alfabeteve ishte politikisht e kulturorisht i rëndësishëm: ai ruante bashkëpunimin ndërmjet grupeve që kishin zakone të ndryshme leximi e shtypi.
7. Debati historiografik: feja, gjuha dhe identiteti
Ndërtimet e para të një identiteti kombëtar shqiptar mbështeteshin në lashtësinë e origjinës dhe i referoheshin një panteoni ende të kufizuar figurash, ku Skënderbeu ishte figura kryesore. Në çështjen e fesë lindnin paqartësi: duke qenë se pothuajse të gjithë ishin të besimit të krishterë, shqiptaristët e parë ia atribuonin pushtimit turk “fajin” e kalimit në islam. Nënkuptohej se, sapo të çliroheshin nga zgjedha, të gjithë do të mund të hiqnin dorë nga islami dhe të riktheheshin në krishterim. Një identitet kombëtar shumëkonfesional ende nuk dukej i mundur të teorizohej.
Në përgjithësi, shqiptarizmi i hershëm si ideologji lindi dhe u ndërtua në raport me helenizmin, si në kuptimin e afrimit me të, ashtu edhe si reagim ndaj tij.
Më pas, edhe osmanizmi pati rol në ndërtimin e identiteteve të shqiptarëve. Siç ka treguar Nathalie Clayer, projektet reformuese të Portës — të lidhura me krizat politike që u zhvilluan gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX në zona të ndryshme të Perandorisë — ndikuan në zhvillimin e shqiptarizmit.
Shqiptarizmi i myslimanëve kishte tipare të veçanta, sepse ishte i lidhur ngushtë me islamin. Ishte e nevojshme të krijohej një ideologji e aftë të konceptonte një komb evropian mysliman, diçka që deri atëherë nuk kishte ekzistuar. Kjo nuk ishte një pengesë e vogël.
Krizat e shumta politike të fundit të shekullit XIX i shtynë myslimanët drejt shqiptarizmit. Pas Krizës Lindore të viteve 1876–1878 dhe Traktatit të Shën Stefanit, për shumë arsye u bë e qartë se Perandoria Osmane po shkonte drejt shembjes. Për territoret evropiane të Perandorisë parashikohej një ndarje ndërmjet shteteve të reja të krishtera dhe fuqive evropiane të interesuara për të pushtuar atë zonë.
Interpretimi që e sheh alfabetin vetëm si fitore të një kampi fetar ndaj një tjetri është i pamjaftueshëm. Traditat grafike kishin lidhje me bashkësitë fetare, por zgjedhjet e intelektualëve dhe të botuesve u formësuan edhe nga mundësitë e shtypit, qarkullimi i librave, rrjetet e diasporës dhe projekti i shkollës kombëtare.
Nga shenja grafike te institucioni kombëtar
Rruga e alfabetit shqip nuk kaloi nga errësira drejt një shpikjeje të vetme, por nga bashkëjetesa e shumë traditave drejt krijimit të një marrëveshjeje të përdorshme. Librat katolikë të veriut, shkrimet arbëreshe, eksperimentet e Veqilharxhit, përkthimet biblike, alfabeti i Stambollit dhe debatet e Manastirit janë etapa të një procesi të ndërlidhur. Ato nuk kanë pasur të gjitha të njëjtin qëllim; pikërisht kjo shumësi e bën historinë më bindëse. Alfabeti u bë kombëtar kur shkronjat u lidhën me shkollën, shtypin, komunikimin ndërkrahinor dhe aspiratën për një hapësirë publike shqipe.