


Salla e mbushur plot në Boylston Hall, ku dokumentari i Valmir Tertinit u prit me duartrokitje dhe u nderua nga Kongresi amerikan
Cambridge, MA, 15 nëntor 2026. Të dielën, Boylston Hall, në zemër të Harvard Yard, u mbush plot për premierën e parë amerikane të dokumentarit “Pinocchio’s Harvard”, filmit të regjisorit Valmir Tertini. Ngjarja u organizua nga Harvard Albanian Students Association, në bashkëpunim me vivFilms. Salla tërhoqi figura të njohura nga bota e filmit dhe e politikës, të ftuar special, adhurues të artit filmik dhe të Pinocchio’s, studentë, miq e shumë të tjerë. Mbrëmja u prezantua nga Nicole Lee, prezantuese dhe pjesë e kastit të filmit, e cila e udhëhoqi programin dhe ua dha fjalën të ftuarve.
Kjo ishte shfaqja e parë e dokumentarit në Shtetet e Bashkuara, pasi filmi doli fitues me kater cmime në Corte Vittorio Veneto, në edicionin e 83-të të Festivalit të Filmit në Venecia.
Një nga momentet kryesore ishte vlerësimi që regjisori Tertini mori nga Kongresmenia Ayanna Pressley, përfaqësuese e Distriktit të 7-të të Massachusetts-it. Në emër të saj, Mateo Roll Garza i dorëzoi regjisorit Certificate of Recognition. Në të vlerësohen kontributet e tij të shquara në filmin e pavarur dhe në jetën kulturore të Bostonit, si dhe angazhimi për ta përdorur kinemanë si mjet shkëmbimi kulturor. Salla e përshëndeti vlerësimin me duartrokitje.
Kritikja e filmit e NBC10, Sarah G. Vincent, bëri një analizë të dokumentarit dhe vlerësoi lart qasjen regjisoriale cinéma vérité të Tertinit. Më pas fjalën e mori Adam DiCenso, subjekti kryesor i filmit, i cili e falënderoi regjisorin për dokumentarin dhe ndau me publikun edhe prapaskena të këndshme nga gjatë xhirimeve. Line Producer, Emiliano Biraku, foli për rolin e tij në Festivalin e Venecias dhe për çmimet që morën dokumentari dhe regjisori. Nicole Lee ndau gjithashtu përvojën e saj në film, ndërsa regjisori Valmir Tertini falënderoi të pranishmit dhe ekipin që e bëri të mundur këtë projekt.
Pas projektimit, të ftuarit shijuan pica nga Pinocchio’s, vendi që frymëzoi dokumentarin.
Noli Tv