
Nga Marilyn Anderson/
Në hapësirën e gjerë të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kultura, arti dhe dashuria për atdheun mbajnë gjallë identitetin kombëtar.
Një ndër zërat më të veçantë dhe më të ndjeshëm të komunitetit tonë është poetja dhe aktivistja çame, Arjana Fetahu Gaba. Vendosur prej dekadash në Nju Xhersi, ajo ka ndërtuar një urë shpirtërore mes mallit për vendlindjen dhe realitetit amerikan.
E lindur në Fier, me origjinë nga Grikohori i Çamërisë, Arjana mbart në gjak trashëgiminë e dhimbshme dhe krenare të komunitetit çam. Fëmijëria dhe rinia e saj u ushqye me dashurinë për librin, bukuritë e natyrës shqiptare, fjalës dhe poezisë së shkruar. Talenti i saj nuk vonoi të shfaqet që në rininë e hershme, si një rrugëtim premtues i saj në letërsi.
Arjana u vlerësua me Çmime Ndërkombëtare, si ai i vitit 1993 nga Bashkia e Brindizit në Itali, duke vijuar me Çmime të tjera. Që nga viti 2024 gëzon Titullin Ambasadore e Paqes. Në Shqipëri përfundoi studimet e larta si dhe Shkollën e Bukurisë/ Estetikës.
Në vitin 1996, Arjana u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një hap që ajo vetë e ka përshkruar shpesh si një ndryshim rrënjësor, një sfidë ku u desh të përballej me të panjohurën dhe mallin për atdheun. Por, largësia gjeografike nuk e zbehu lidhjen me rrënjët dhe poezinë. Amerika, që ndonëse e ftohtë në fillim për një emigrant, u shndërrua në hapësirën ku ajo vijoi stilin e saj poetik, duke shkrirë bashkë dhimbjen e largimit me bukurinë e jetës së re.
Poezia e Arjana Fetahu Gaba është dëshmi e shpirtit të saj të papërkulur. Ndër librat e saj më të njohur poetikë janë, “Më zgjo në shpirtin tim një flutur” 2019, “Sa do të doja” 2021, “Sytë e gruas” 2025, “Pranverat që humbëm” 2025, ku ka fituar edhe shumë çmime të tjera për krijimtarinë e saj poetike.
Emrin e Arjana Fetahu Gaba e gjejmë edhe tek libri artistik “Këmbanat e zgjimit” me autor, studuesin dhe shkrimtarin Prof. Bardhyl Maliqi dhe Revistën “Pena”. Shumë tekste këngësh kanë për autore emrin e saj si, “Fluturojnë shqipet në Nju Jork”, “Për ty Strugane”, “Të dashuroj”, “Lezeti i shtëpisë” etj.
Krijimtaria e saj shtrihet gjerësisht në tema si dashuria, fatet njerëzore, por mbi të gjitha, në kujtesën historike dhe dhimbjen e padrejtësive që ka kaluar popullsia çame, të cilës ajo i thur vargje me një ndjeshmëri të thellë patriotike dhe njerëzore.
Por madhështia e vërtetë e një gruaje nuk matet vetëm me sukseset publike, por sidomos me dritën që përhap në vatrën e saj familjare. Arjana është, para së gjithash, një nënë shembullore për tre djemtë e saj, të cilët i ka të dalluar në shkollë, familje e shoqëri.
Nën përkushtimin e saj si nënë, djemtë e saj po rriten me vlerat më të larta njerëzore, me dashurinë për gjuhën shqipe, kulturën, traditën dhe historinë, si dhe me ndjenjën e fortë të integritetit. Ajo nuk është thjesht shtylla e shtëpisë, por edhe një frymëzim i përditshëm për ta, duke u dëshmuar se si ruhet respekti, mirësia dhe dashuria për njerëzit në çdo sfidë të jetës.
Arjana është një nga themelueset e para të Shoqatës “Aleanca Shqiptare” që drejton së bashku me bashkëshortin e saj Alban Gaba, në qytetin Garfield New Jersey, si dhe është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë. Ka punuar si moderatore në Radio “Çabrati” dhe ka dhënë intervista në revista, gazeta dhe televizione të ndryshme. Arjana është edhe Redaktore Artistike e Revistës “Asaj”.
Përveçse një poete e talentuar, Arjana është dalluar edhe si një aktiviste e palodhur e çështjes kombëtare dhe e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ajo merr pjesë rregullisht në veprimtari kulturore, promovime librash dhe forume që synojnë ruajtjen e gjuhës, traditës dhe identitetit tonë kombëtar në diasporë. Përkushtimi për të mbajtur gjallë kujtesën historike, veçanërisht lidhur me çështjen çame, tregon se arti i saj është një mision shpirtëror, familjar dhe shoqëror i saj.
Me poshtë kemi shkëputur një poezi për Çamërinë nga krijimtaria letrare e poetes Arjana Fetahu Gaba.
Moj e bukura Çamëri
Moj e bukura Çamëri
Pate gjithë atë dushman,
Stolitë ti patën zili,
Ndaj të prenë, e ndaj të vranë.
Dhe menduan se të morën,
(Tokën s’mund ta mbash në krahë)
Të shpikura harta të nxorrën,
Rrahën kot ujë në hava.
Përpara u del në gjumë
Kthyer gjitha në shqiponjë,
Frika u hipën më shumë,
Çamëria mbet po zonjë.
Dhe ullinjtë nëpër trungje,
S’janë ullinj por janë flori,
A mund të mbash lirinë në burgje,
Sa jetë ka, aq histori.
Besa shkon nip më nip,
E drejta flet me zë të lartë.
Çamëria flet në shqip,
Dhe në zemër dhe në kartë.
Kush s’po mundet ta durojë,
Mbet pa shpirt e mbet pa fe,
Çamëria do të rrojë.
Eshtë i gjyshit tim Atdhe.