
Skerdilajd Zaimi/
Bota do të ketë fatin e Amerikës. Është një ndjesi që nuk lidhet me ndonjë njohje apo shqyrtim të thellë të historisë, por me faktin kryesor të kohës ku jetojmë, se rendi jonë është rendi i ideuar, themeluar dhe organizuar mbi parime të gjithëpranuara, por nën aureolën e fuqisë amerikane. Dhe të modelit amerikan.
Ai rend sot po shpërbëhet, shembet, minohet dhe çmontohet nga vetë autorët e tij – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga filozofia trampiste që ka bërë zëvendësimin paradigmatik të kredos amerikane: nga ajo e “qytetit mbi kodër” tek “Amerika e para”. Një kredo nacionalizmi që vepron në ndërgjegjen amerikane “të veçanësisë”, të kombit të domosdoshëm (të paktën deri dje), apo të një force të së mirës në botë.
Si erdhëm deri këtu? Cilat forca, cila psikologji, cilat shkaqe, emotive dhe objektive, sollën kompromentimin e “ëndrrës amerikane”, e zgjuan botën dhe SHBA në truallin e njohur të realizmit dhe gjeopolitikës, të konflikteve periodike dhe tensioneve permanente? Është një pyetje që do të dojë kohën e vet për t’iu përgjigjur, në mos nuk do të marrë përgjigje kurrë, sikurse nuk ka një përgjigje as fundi i Romës. Por një hap i domosdoshëm është njohja e Amerikës, e indit të saj historik, e debateve të brendshme, krizave dhe rikthimeve.
Libri i ri i Dr. Ernest Nasto ofron një mundësi të rrallë për lexuesin shqip që të rrokë më me lehtësi origjinalitetin amerikan, pikënisjet ideore, ideologjitë, ndasitë, e më në fund edhe aktualitetin që po dikton ndryshime radikale në mbarë botën.
Dr. Nasto paraqitet me këtë libër pas botimit të punimit të tij shumë të veçantë e me rëndësi “Një komb nën Zotin: besimi fetar dhe politika në Shtetet e Bashkuara”, një lloj historie fetare e superfuqisë botërore, që mbetet deri më sot i vetmi në këtë fushë në gjuhën shqipe.
Në dallim nga libri i parë, ky i tanishmi është një përmbledhje artikujsh dhe intervistash që nisin si kohë para mandatit të parë të Donald Trump e deri më sot, që mund të cilësohen si një lloj ditari politik i autorit. Të rimarra në një renditje tematike që përkon me debatin e sotshëm, ato ofrojnë një panoramë të qartë dhe mundësi depërtimi në arsyet e trazimit të SHBA.
Një libër mund të lexohet dhe përjetohet në mënyra të ndryshme, shënimet e një autori mund të befasojnë apo ndikojnë lexues të ndryshëm për arsye apo aspekte të larmishme. Por ajo që është e jashtëzakonshme në këtë përmbledhje është se historia amerikane përshfaqet në galerinë e popujve dhe shteteve si aspiratë e një kombi të themeluar mbi gërshetimin e disa ideve për botën dhe jetën, me një ndërgjegje fetare të implantuar në një tokë të re. Besimi fetar kristian dhe një vështrim manikeist i botës, krahas projektit kushtetues të etërve deistë të Shteteve të Bashkuara, përurojnë një traditë që dallon thellë nga çdo entitet tjetër të prezantuar në historinë e popujve.
Nuk ishte ekonomia, as siguria në vetvete që përcaktoi atë që Dr. Nasto e quan një ndër eksperimentet më të mëdha të njerëzimit, por edhe një meditim i thellë mbi natyrën e njeriut, mbi pushtetin, kontrollin e tij, përherë në funksion të lirisë dhe lumturisë.
Janë në libër një tërësi temash: dallimi mes revolucionit amerikan dhe atij francez, diskutimet për Kushtetutën me një parashtrim shumë interesant të imponimit të Kartës së të Drejtave nga anti-federalistët, mandej shqyrtimi mbi vetëperceptimin e amerikanëve; besimi kristian, dy lëvizjet e mëdha gjallëruese të rolit fetar, ideja e fatit të qartë që ushqeu ekspansionizmin dhe gjeti vend në polemikën për mëkatin dhe providencën, këmbëngulja e aktivistëve të shumtë (si William Tyndale) te besëlidhja e Zotit me hebrejtë si analogji dhe shpjegim për fatin historik të amerikanëve, mandej “ungjillli i pasurisë” me befasitë e mëdha të miliarderëve filantropë, apo progresizmi tradicional si lëvizje shumëngjyrëshe që shndërroi peizazhin politik, të gjitha këto në suazën e një ëndrre dhe aspirate shumë të veçantë që nuk u vu në diskutim as nga një veprimtar i njohur i vonët, Martin Luther King.
Libri i z. Nasto nuk është megjithatë një histori e Shteteve të Bashkuara, që merret me të dhëna (edhe pse ato nuk mungojnë kur është e nevojshme të ilustrohen argumente të caktuara) apo analiza shkaqesh: ai nuk kërkon një dialektikë klasike të ngritjes, shkëlqimit dhe rënies. Kjo është një çështje ekspertësh, nëse do të marrim ndikimin e tyre historik sipas librit që kemi në dorë. Amerika e temave të librit e ushtron gravitetin e vet ende si fuqi e së mirës, para së gjithash si komb i diskutimit dhe mobilizimit të madh kulturor.
Dhe është ky tipar që shpjegon më saktë hyrjen në Luftën e Dytë Botërore, lëvizjet për të drejtat e njeriut, apo edhe kristalizimin si moment reagimi, të së Djathtës Fetare Amerikane, antimoderniste, antikomuniste e në fund edhe pretenduese e një “shumice morale”. Një term ky që mund të duket i panatyrshëm në pamje të parë për një vend kampion të kapitalizmit e të pushtetit të parasë.
Përmbledhja nuk është as thjesht një gjenealogji, pasi autori jep mendimet dhe komentet e veta, ai bën analizë e sugjeron edhe rrugëdalje, gjithnjë me besimin e thellë se Amerika është e pazëvendësueshme, si dikur stereja e kolonëve shpresëmirë të kësaj bote. Dhe e bën këtë me një koherencë dhe intuitë për t’u vlerësuar, sidomos për trampizmin dhe arsyet e fitores së tij.
Sa për një shembull, artikulli “Miliarderi – shpëtimtar i masave punonjëse” komenton librin e JD Vance, “Elegji për katundarinë”, duke kapur debatin delikat rreth “gjendjes së punëtorit të bardhë” e duke parandjerë atë që u konsumua mandej në vitin 2025, kur Vance u bë numri dy i Shtëpisë së Bardhë.
Në fund, meriton vëmendje edhe fakti se libri vjen në shqip si shqyrtim i hollë dhe i vëmendshëm i SHBA, si një analizë që nuk tradhëtohet nga nevoja për të krahasuar zhvillimet e atjeshme me Shqipërinë, apo me përvojën e autorit në Shqipëri. Edhe pse ngjashmëritë nuk mungojnë.
Siç e thamë në nisje, askush nuk e di se ku po shkon Amerika. E rrjedhimisht askush nuk e di as se ku do të shkojë bota. Por për ata që si z. Nasto e duan dhe çmojnë Amerikën për gjithçka ajo solli në botë, duhet shpresuar se sikurse revolucioni amerikan u dallua për gradualitetin e vet dhe jo histerinë e sivëllaut i tij francez, edhe ky eksperiment i jashtëzakonshëm i nisur gati 3 shekuj më parë, do të ketë hapësirë për të akomoduar me mençuri edhe trampizmin e sotshëm, që ka edhe ai arsye objektive se përse u shfaq.
“Pakicat me ngjyrë kanë bërë hapa të jashtëzakonshëm jo duke i përmbysur idetë themeluese të 1776-s, por duke iu drejtuar parimeve më të larta të tyre.”
Te ky pasazh i sjellë nga libri, ndodhet, me gjasë, edhe çelësi i daljes nga një krizë që sot na duket të gjithëve shumë konvulsive.