
Pierre Cabanes, historian i antikitetit, albanolog dhe studiues i mirënjohur i fushës së epigrafisë greke, u nda jeta më 13 qershor 2023, në moshën 93-vjeçare.
Ai është një nga personalitetet më të shquara të albanologjisë dhe arkeologjisë klasike, i cili e lidhi emrin e tij ngushtësisht me studimet mbi Epirin dhe Ilirinë e Jugut. Pas doktoraturës mbi historinë e Epirit nga vdekja e Pirros deri në pushtimin romak, ai u bë profesor në Universitetin Clermont-Ferrand dhe më pas në Paris X-Nanterre, duke botuar mbi 20 libra dhe dhjetëra artikuj shkencorë.
Veprat e tij më të njohura përfshijnë: L’Épire de la mort de Pyrrhos à la conquête romaine (1976); Les Illyriens de Bardylis à Genthios (1988) dhe serinë monumentale Corpus des inscriptions grecques de l’Illyrie méridionale et d’Épire (1995–2007), të realizuar në bashkëpunim me studiues shqiptarë.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në botime: në vitin 1992 themeloi misionin arkeologjik francez në Apoloni, duke rifilluar gërmimet e ndërprera që nga Lufta e Dytë Botërore dhe duke sjellë zbulime të reja për qytetërimin antik.
Ai ishte gjithashtu bashkautor i Hartës Arkeologjike të Shqipërisë (2008), projekt i UNESCO-s i realizuar me arkeologët shqiptarë akad. Myzafer Korkuti, akad. Apollon Baçe dhe prof.dr Neritan Ceka. Përmes organizimit të kongreseve ndërkombëtare dhe botimeve të përbashkëta, Cabanes e vendosi Shqipërinë në qendër të vëmendjes akademike europiane.
Marrëdhëniet e tij me Shqipërinë nisën që në vitet ’70, kur vizitoi vendin dhe krijoi kontakte të qëndrueshme me arkeologët shqiptarë edhe në kushtet e izolimit politik. Ai ndihmoi brezin e ri të studiuesve përmes bursave në Francë dhe vazhdoi vizitat e tij pothuajse çdo vit deri në moshën 85-vjeçare. Një gjest i veçantë i tij ishte dhurimi i të gjithë bibliotekës personale Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, duke e lënë si trashëgimi të çmuar për studiuesit shqiptarë.
Për kontributet e mëdha në albanologji, Pierre Cabanes u nderua si Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe u dekorua me Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe më herët me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë. Ai mbetet një urë e fuqishme mes shkencës franceze dhe asaj shqiptare, i cili ka afirmuar rëndësinë e Ilirisë dhe Epirit në historinë e antikitetit, duke lënë një trashëgimi të pasur për arkeologjinë dhe kulturën shqiptare.