
Çerçiz Topulli lindi më 20 shtator 1880 në Gjirokastër. Ai ishte atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit dhe Hero i Popullit.
Rol të rëndësishëm në formimin e tij luajti vëllai i tij më i madh, Bajo Topulli. Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë”, drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë”, Çerçiz Topulli kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e pavarur.
Në 1907, ai komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, veçanërisht në krahinat e Gjirokastrës dhe Korçës.
Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë, në fillim të marsit 1908, në Gjirokastër, komandantin turk të xhandarmërisë.
Çerçiz Topulli drejtoi Luftën e Mashkullorës në 1908, si dhe punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për hapjen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ai u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, për sprapsjen e forcave greke nga tokat e pushtuara në Jug pas Konferencës së Londrës, si dhe kundër rebelimit të Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme.
Në shtator të vitit 1914, Çerçiz Topulli, së bashku me Muço Qullin, ndodhej në Shkodër, ku mendohet se kishte shkuar për t’iu bashkuar mbrojtësve të trojeve shqiptare nga pushtimi serbo-malazez.
U vra më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtoit, në Shkodër, nga forcat pushtuese malazeze.
Në vitin 1937, eshtrat e Çerçiz Topullit u sollën në Gjirokastër.