• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARTIZANATI I STOLISJES ILIRO-ARBËRORE NË EMISIONIN FILATELIK “EUROPA 2025”

October 13, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Çdo vit, Postat Europiane (PostEurop) përzgjedhin një tematikë të përbashkët për emisionet filatelike të të gjitha shteteve anëtare, me qëllim promovimin e kulturës, historisë dhe trashëgimisë së përbashkët kontinentale. Për vitin 2025, tema e caktuar ishte “Zbulimet Arkeologjike”. Posta Shqiptare, më datë 05.10.2026, hodhi në qarkullim emisionin e saj përkatës, duke përfaqësuar denjësisht trojet shqiptare përmes artizanatit të argjendarisë dhe stolisjes personale antike e mesjetare.

Ky emisioni filatelik sjell në vëmendje dy nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të vendit tonë. Se pari varrezat e Mesjetës së Hershme dhe të Mesme në zonën e Përmetit (Luginën e Vjosës) te cilat përbëjnë një dëshmi tejet të pasur të vazhdimësisë iliro-arbërore. Materialet e zbuluara atje, veçanërisht punimet e bronzit dhe argjendit, tregojnë një zhvillim të lartë lokal të artizanatit të metalit. Vathët mesjetarë të Përmetit përshkruajnë simbole natyrore e gjeometrike (si vila e rrushit apo forma hënore) që pasqyrojnë besimet, estetikën dhe jetën e përditshme arbërore.Se dyti Nekropoli Orikumit (Orikos), i themeluar si qendër e rëndësishme portuale në Gjirin e Vlorës që nga periudha arkaike dhe helenistike, e cila ishte një urë lidhëse tregtare mes Botës Mesdhetare dhe Ilirisë së Jugut. Nekropoli i tij ka nxjerrë në dritë bizhuteri luksoze prej ari, të cilat dëshmojnë për nivelin e lartë ekonomik, estetikën e rafinuar dhe kulturën e qytetëruar të banorëve të antikitetit.

Ne strukture emisioni perbehet nga katër pullat te cilat së bashku me bllokun filatelik paraqesin në mënyrë analitike objektet e zbuluara. Pulla pare – Vathi në trajtë vile rrushi (Përmet), qe paraqet simbolikën e bollëkut dhe lidhjes me tokën e kultivimin e hardhisë në luginën e Vjosës. Forma e vilës së rrushit është një motiv i njohur filigrani dhe derdhjeje në metal gjatë Mesjetës së Hershme Arbërore. Pulla e dyte – Vathi me tri rruaza vezake në hark (Përmet), e cila eshte tipologji tipike e bizhuterisë arbërore. Konstruksioni i harkut të bronztë me tri rruaza të simetrikuara tregon përpikmëri teknike në punimin e metaleve nga mjeshtrit vendorë. Pulla e trete – Vathi me varëse globulare (Përmet), eshte një model elegant me varëse sfera stolisëse, i cili reflekton ndikimet bizantine të ndërthurura me traditën vendase të stolisjes në rajonin e Shqipërisë së Jugut. Pulla e katert – Vathi në trajtë gjysmëhëne me dekorim gjeometrik në reliev (Përmet), tregon qe përdorimi i motiveve me hënëz (lunula) dhe prerjeve gjeometrike në reliev është dëshmi e qartë e simboleve mbrojtëse e dekorative mesjetare. Se fundit pulla e Bllokut – Vathi prej Ari nga Orikumi, e cila si kurorë e emisionit, përfaqëson kulmin e elegancës antike, duke dëshmuar për tregtinë e rafinuar dhe elitën qytetare të bregdetit ilir.

Shfaqja e objekteve arkeologjike në pullat postare shqiptare nuk është thjesht një dukuri e izoluar apo një veprim rutinor administrativ, por një traditë e vazhdueshme dhe e mirëmenduar e filatelisë sonë kombëtare. Sot, kur bota po shkon drejt një homogenizimi të shpejtë kulturor, integrimi i trashëgimisë arkeologjike në filateli merr një dyfishtësi me rëndësi kritike. Nga brenda: Ai ndihmon në ndërgjegjësimin e brezit të ri për pasurinë historike dhe vazhdimësinë e panderprerë iliro-arbërore në këto troje. Nga jashtë: Ai shërben si diplomaci kulturore pasive por e fuqishme. Çdo letër, kartolinë apo dërgesë që udhëton nëpër skajet e botës mbart me vete një fragment të vizatuar të një historie mijëravjeçare. Në këtë mënyrë, e vogla pullë postare shndërrohet në një “miniamfiteatër” të trashëgimisë sonë kombëtare, duke dëshmuar se Shqipëria, përmes kulturës dhe arkeologjisë së saj, ka qenë dhe mbetet një pjesë përbërëse e pandashme e mozaikut historik europian.

Filed Under: Sociale

PROF. DR. ARQILE BËRXHOLI DHE AKTIVITETI I TIJ NË FORMIMIN UNIVERSITAR DHE PASUNIVERSITAR TË SHKOLLËS SHQIPTARE DHE TRANSFERIMIN E DIJEVE SHKENCORE

October 7, 2026 by s p

Prof. dr. Roland Gjini

Universiteti “A. Xhuvani”, Elbasan/

Përvoja akademike dhe universitare ka treguar se shkencëtar i kompletuar është ai që dijet dhe hulumtimet e tij jo vetëm i publikon në shtyp, por edhe i transmeton te brezat e rinj nëpërmjet mësimdhënies. Një shëmbull të tillë përfaqëson prof. Arqile Bërxholi, i cili dalloi jo vetëm si një studiues, por edhe si një pedagog i zoti. Prandaj ne, ndër potencialet e rëndësishme që zotëronte e manifestonte prof. Arqile Bërxholi theksojmë qartë aftësitë e tij si mësues e pedagog i gjeografisë. Këto aftësi u krijuan te Ai jo vetëm nga fakti i talentit e pasionit të tij, por edhe sepse ai pati mundësinë të krijojë një përvojë pedagogjike të vyer duke shërbyer, fillimisht si mësues në të gjitha hallkat e arsimit parauniversitar, pra në shkollat 8-vjecare e të mesme, dhe, më pas edhe në disa universitete të vendit.

Karrierën e tij pedagogjike e filloi si mësues në shkollat, në atë kohë 8-vjecare, të Gjirokastrës, që në fillim të viteve ’60-të, më pas, pas mbarimit të studimeve të larta ushtroi edhe detyrën e drejtuesit të shkollës, po në Gjirokastër. Përvoja e tij si mësimdhënës do të arrijë në një nivel të ri në fund të viteve ’60-të, kur ai emërohet pedagog i gjeografisë në Universitetin e Tiranës. Përgjatë aktivitetit të tij si pedagog i gjeografisë së Shqipërisë, e më pas si gjeograf apo drejtues i Qendrës së Studimeve Gjeografike, ai nuk la pas dore kontributin shkencor e pedagogjik për arsimin parauniversitar. Kështu, në vitet ’80-‘90-të mori pjesë aktive në grupet e punës ngritur nga Ministria e Arsimit për përmirësimin e kurrikulave të gjeografisë në shkollë, botoi tekste mësimore e atlase për klasat e shkollave 8-vjeçare e të mesme si dhe tekste me material ndihmës për nxënësit dhe mësuesit e gjeografisë.

Në Universitetin e Elbasanit ai erdhi si pedagog me kohë të plotë në një moment sa të rëndësishëm aq edhe të vështirë për departamentin e histori – gjeografisë, sidomos për këto dy arsye:

Së pari, sapo ishtë larguar për jashtë vendit specialistja e Gjeografisë rajonale të botës dhe departamenti kishte shqetësim të madh se cili pedagog do ta zhvillonte këtë lëndë,

Dhe, së dyti, kët vit përfundonte cikli trevjecar, bachelor, sipas Marrëveshjes së Bolonjës, dhe se duheshin përgatitur kurrikalat e reja për ciklin e dytë, Master, apo Diplome e Nivelit të Dytë. Me t’u emëruar në Universitetin e Elbasanit, Prof. Arqilea ishte më aktivi në grupin e punës për përgatitjen e këtyre kurrikulave. Falë përvojës së tij, të krijuar që në vitet ’80- në Universitetin e Tiranës, gjatë përgatitjes së planeve e programeve të shkollës pasuniversitare, ai kontribuoi si për kurrikulën e Master Profesional në Mësuesi ashtu edhe për hartimin e planeve e programeve për Master i Shkencave në Studime gjeografike.

Kontribut i drejtpërdrejtë i punës së tij janë programet e lëndëve të Masterit Shkencor si: Gjeografi e sektorit terciar ne Shqipëri, Lëvizjet e popullsisë dhe burimet njerëzore, Monumentet natyrore në Shqipëri, Zhvillimet demografike, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, Migrimi dhe zhvillimet social-ekonomike, Seminar në gjeografinë regjionale të Shqipërisë, etj. Megjithëse i specializuar dhe i orientuar për gjeografinë e Shqipërisë dhe demografinë, profesor Arqilea pranoi të marrë përsipër lëndën e Gjeografisë rajonale të botës. Menjëherë iu vu punës, përmirësoi programin, si në strukturë ashtu ashtu edhe në përmbatje. Sapo filloi mësimi pajisi studentët me materialian bazë mësimor, Brenda një viti, leksionet e përgatitura i përpunoi dhe botoi si tekst universitar: Gjeografia rajonale e botës 1,dhe më pas përgatiti dhe botoi edhe tekstin Gjeografia rajonale e botës 2. Këto fakte treguan se prof. Bërxholi, krahas formimit të tij si specialist i gjeografisë së Shqipërisë, kishte thelluar dijet dhe formimin e tij si një njohës e studiues i zellshëm i gjeografisë në tërësi. Nisur nga nevojat e departamentit ai zhvilloi me cilësi dhe nivel shkencor edhe lëndën Gjeografi e trojeve shqiptare.

Ndërsa lënda të cilën ai e mori me shume dëshirë e pasion për ta zhvilluar ishte Demografia, fushë ku ai kishte përqëndruar studimet e tij vitet e fundit. Për të dyja këto lëndë ai përgatiti jo vetëm materilet bazë teorike për studentët por edhe tekstet përkatëse universitare. Leksionet e zhvilluara në auditor nga Prof. Bërxholi ishin sa me nivel shkencor, aq edhe interesante në aspektin didaktik e komunikativ. Ishte kjo arsyeja, që këto leksione, ndiqeshin me dëshirë nga studentët dhe auditori gjendej përherë i mbushur plot. Një përvojë të mirë solli në organizimin dhe zhvillimin e laboratoreve, në disiplinat e gjeografisë rajonale të botës, sidomos në punën me hartat dhe ndërthurjen natyrshëm të aspekteve fizike me ato ekonomike e sociale. Megjithëse normën mësimore vjetore si professor e plotësonte dhe e tejkalonte vetëm me seancat e leksioneve, nisur nga meraku i tij për zhvillimin cilësor të laboratorëve, ai i mbulonte vetë orët e tyre.

Ishte pjesëmarrës mjaft aktiv në mbledhjet e departamentit. Me diskutimet dhe sugjerimet e tij ndihmoi dukshëm në vendimmarrjet departamentit, në mënyrë që ato të ishin sa më efikase e objektive, gjallëroi jetën shkencore me anë të informacioneve të reja nga fusha e gjeografisë, jepte mendime të vyera për përmirësimin e planeve dhe programeve të degëve që mbulonte departamenti në të tria ciklet e studimit, këshillonte e ndihmonte pedagogët e tjerë në përmirësimin e leksioneve. Falë autoritetit të tij shkencor dhe dashamirësisë që përcillte, kolegët e dëgjonin me respekt dhe vlerësonin ndihmën dhe konsulencën e tij.

Profesor Arqile Bërxholi solli në department një përvojë të re në zhvillimin e ekspeditave mësimore në terren me studentët. Para zhvillimit të ekspeditave hartonte një program të detajuar jo thjesht me itenerarin por edhe me përmbajtjen e asaj që do të informoheshin studentët. Falë njohurive e pasionit të tij për gjeografinë e Shipërisë, e në vecanti për Jugun, si pedagog i ekspeditës, rrallë herë e gjeje pa ligjëruar e informuar, qoftë në autobuz gjatë udhëtimit, qoftë në ndalesat e planifikuara, aq shumë fliste profesori sa që shpesh merrte edhe nga koha e planifikuar për pedagogun e historisë. Kudo që udhëtonte, ai bënte fotografi të zonës përkatëse,madje në këtë drejtim ai nxiti edhe studentët të bëjnë të njëjtën gjë. Pas përfundimit ne ekspeditës, në fakultet, organizonte ekspozita me fotografitë e bëra. Jo vetëm kaq. Ai ndër vite kishte ruajtur me kujdes foto të mëparshme dhe në këto ekspozita me anë të fotografive bëhej dallimi i peisazheve të veçanta nga koha në kohë, ku evidentoheshin ndryshimet e bëra jo vetëm nga arsye natyrore, por sidomos nga dora e njerut. Tek ndryshimet e peisazhit natyror nga dora e njeriut, së bashku me studentët ai arrinte edhe të konstatonte se këto ndryshime ishin bërë në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, të studiuara apo të pastudiuara.

Në mënyrë të vecantë prof. Arqilea kujdesej për pedagogët e rinj. Po në vitin 2008, kur ai erdhi si pedagog në departamentin e histori-gjeografisë në Elbasan, u rekrutuan si pedagogë definitivë edhe dy të rinj, po në fushën e gjeografisë. Të ardhur rishtas në këtë detyrë, ata patën kurdoherë pranë profesorin e tyre të universitetit, me këshillat e ndihmën e tij. Në mënyrë të veçantë profesori udhëhoqi në aspektin shkencor e didaktik asistentin e tij, madje me një qëllim strategjik, për ta përgatitur si pasardhësin e tij në kohët e mëpastajme. E ftonte asistentin e tij në leksionet që zhvillonte, merrte pjesë edhe vet në seancat e seminareve dhe laboratorëve të asistentit.

Në vitin 2014 shëndeti i profesorit rëndohet, dhe kërkon nga departamneti që të mos i planifikohet ngarkesa e plotë për vitin mësimor 2014-2015, pasi do të dilte në pension. Megjithatë, pranoi, që për këtë vit, të vijë si pedagog i ftuar, me kohë të pjësëshme. Merakun tonë për cilësine e lëndëve që mbulonte si lektor na e hoqi, duke dhënë sigurinë se asistenti i tij, i përgatitur për 6 vite rresht, tashmë është plotësisht i zoti t’i mbulojë këto lëndë edhe si lektor, edhe për një arsye tjetër, tashmë ai edhe është doktoruar. Dhe në fakt kështu rezultoi.

Rëndimi i mëtejshëm i shëndetit të tij, nga viti 2015, bëri që prof. Arqilea ta ketë të pamundur ardhjen në universitetin tonë qoftë edhe si pedagog i ftuar. Por, 7 vitet e punës së tij në Elbasan, kishin bërë që departamenti jo vetëm të rrisë cilësinë e tij në nivelin shkencor e pedagogjik të lëndëve të gjeografisë, por edhe që në këtë uniuversitet të lihet pas një emër i nderuar. Mbi të gjitha ai la pas respektin dhe mirënjohjen jo vetëm të departamentit të histori – gjeografisë, por edhe të studentëve që ai u dha mësim, të Universitetit të Elbasanit në tërësi.

Filed Under: Sociale

KUR MJEKËT IKIN, KUSH PAGUAN ÇMIMIN?

October 6, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Nga eksodi i mjekëve gjermanë te “Brain Back” shqiptar.

Ka një të vërtetë që shtetet e kuptojnë shpesh vetëm pasi e kanë paguar shtrenjtë: një mjek nuk është thjesht një punonjës i sistemit shëndetësor. Ai është një investim kombëtar. Pas viteve të trazuara të Gjermanisë së viteve 1930, një pjesë e rëndësishme e elitës së saj mjekësore dhe shkencore u largua drejt vendeve të tjera, veçanërisht drejt Shteteve të Bashkuara. Shkaku kryesor ishte përndjekja naziste, veçanërisht ndaj mjekëve hebrenj, por edhe kundërshtarëve politikë të regjimit.

Në vitin 1933, rreth 9,000 mjekë hebrenj përbënin afërsisht 17% të të gjithë mjekëve në Gjermani. Rreth tre të katërtat e tyre arritën të largoheshin nga Rajhu deri në vitin 1939, kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara, Palestinës dhe Britanisë së Madhe.

Ishte një tragjedi njerëzore për Gjermaninë. Por ishte edhe një transferim i jashtëzakonshëm i kapitalit intelektual. Amerika e kuptoi më shpejt se çfarë po merrte. Amerika fitoi atë që Gjermania humbi Në laboratorët dhe universitetet amerikane mbërritën mjekë, biologë, biokimistë, neurologë, patologë e profesorë që kishin formuar veten në traditën e fuqishme universitare gjermane.

Një studim historik tregon se rreth 5,056 mjekë hebrenj emigruan në Amerikë gjatë periudhës së nazizmit. Shumë prej tyre, megjithëse u përballën me pengesa gjuhësore, licencimi dhe integrimi profesional, arritën të ndërtonin karriera të rëndësishme në SHBA.

Disa prej këtyre njerëzve ndryshuan vetë historinë e mjekësisë.

Mendoni për Konrad Emil Bloch..I lindur në Gjermani, Bloch emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1936. Në Columbia University vazhdoi studimet dhe kërkimet që më vonë do ta çonin drejt Harvardit. Në vitin 1964, ai mori Nobelin në Fiziologji ose Mjekësi, së bashku me Feodor Lynen, për zbulimet mbi metabolizmin e kolesterolit dhe acideve yndyrore.

Një tjetër emër madhështor ishte Fritz Albert Lipmann. I lindur në Königsberg, ai u largua nga Gjermania, punoi fillimisht në Danimarkë dhe më pas u vendos në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1953 mori Nobelin në Fiziologji ose Mjekësi për zbulimet mbi metabolizmin, veçanërisht për rolin e koenzimës A.

Edhe Otto Meyerhof, Nobelisti gjerman i vitit 1922, u detyrua përfundimisht të largohej nga Gjermania. Pas një udhëtimi dramatik përmes Francës, Pirenejve, Spanjës dhe Portugalisë, ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara dhe punoi në University of Pennsylvania deri në vdekjen e tij në vitin 1951.

Dhe historia e shkencës mori një kthesë të jashtëzakonshme. Shkencëtarët që Gjermania i përzuri, Amerika i shndërroi në profesorë. Profesorët u bënë themelues shkollash. Shkollat krijuan laboratorë. Laboratorët prodhuan zbulime. Dhe zbulimet prodhuan Nobelë. Një vend humbi njerëzit; një tjetër fitoi dijen e tyre. Mësimi ekonomik është edhe më i madh se ai historik. Këtu historia bëhet interesante për një ekonomist të shëndetësisë.

Sepse kur një mjek largohet nga vendi i tij, zakonisht bëhet një llogari shumë e thjeshtë:

“Sa do të kushtonte paga e tij?” Por kjo është vetëm ana e parë e ekuacionit.

Duhet pyetur: Sa ka kushtuar krijimi i tij?

Një mjek nuk lind specialist.

Për të krijuar një mjek duhen gjashtë vite universitet.

Pastaj vijnë vitet e specializimit. Pastaj trajnimet. Pastaj eksperienca klinike. Pastaj puna në ekip.

Pastaj mësimdhënia. Pastaj kërkimi.

Një kirurg me 15 apo 20 vite eksperiencë është një kapital njerëzor i akumuluar për dekada.

Nëse ai largohet, vendi nuk humbet vetëm pagën që nuk i dha. Humbet investimin e bërë ndër vite.

Dhe humbet edhe atë që ai do të krijonte në të ardhmen.

Një kirurg i mirë nuk është vetëm një kirurg.

Ai trajnon kirurgë të rinj. Një profesor nuk është vetëm pedagog. Ai krijon breza. Një onkolog nuk trajton vetëm pacientë. Ai krijon një ekip, protokolle dhe kulturë profesionale.

Një studiues nuk prodhon vetëm artikuj. Ai sjell kërkime, financime dhe lidhje ndërkombëtare.

Prandaj brain drain nuk është thjesht emigrim.

Është humbje e një pjese të kapacitetit prodhues të një kombi.

Shqipëria duhet ta bëjë këtë llogari

Këtu historia gjermane nuk është thjesht histori.

Është paralajmërim.

Shqipëria ka investuar për dekada në formimin e mjekëve të saj.

I ka arsimuar në universitetet shqiptare. I ka specializuar. I ka trajnuar në spitale.

I ka paguar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, gjatë viteve të formimit. Dhe pastaj një pjesë e tyre largohen.

Gjermania. Italia.Franca.Austria.Britania.Shtetet e Bashkuara.

Vendet pritëse marrin një profesionist tashmë të formuar.

Në shumë raste, marrin një mjek që Shqipëria e ka ndihmuar të krijohet.

Kjo nuk është arsye për t’u zemëruar me mjekun.

Përkundrazi.

Mjeku ka të drejtë të kërkojë kushte më të mira për jetën dhe profesionin e tij.

Gabimi nuk është që ai largohet.Gabimi do të ishte që Shqipëria të mos pyeste: Pse po largohet?

Dhe, më e rëndësishmja: Çfarë mund të bëjmë që një ditë të dëshirojë të kthehet?

Brain Back: nga humbja te kthimi

Shqipëria ka nevojë për një politikë serioze Brain Back.

Por Brain Back nuk duhet kuptuar thjesht si:

“Eja në Shqipëri dhe merr një pagë pak më të lartë.”

Kjo nuk mjafton.

Një mjek që punon në një spital të madh europian nuk do të kthehet vetëm për një rritje modeste page.

Ai kërkon diçka më të madhe: dinjitet profesional. Kërkon teknologji. Kërkon autonomi.Kërkon meritokraci. Kërkon mundësi kërkimi.Kërkon karrierë.

Kërkon ekipe profesionale. Kërkon spitale ku të mund të përdorë atë që ka mësuar.

Kërkon një sistem ku eksperienca e fituar jashtë të mos shihet si diçka e huaj, por si një pasuri për vendin.

Prandaj një program shqiptar Brain Back duhet të përfshijë: pagë konkurruese, kontrata afatgjata, pozicione akademike, financim kërkimi, pajisje moderne, mundësi drejtimi, trajnime ndërkombëtare dhe njohje reale të eksperiencës profesionale të fituar jashtë vendit.

Mjeke shqiptare punojne ne Tower Bridge Hospital London, Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCCS, . Charité – Universitätsmedizin Berlin, Mount Sinai New York, NYU Langone etj etj.

Këta janë shembuj qe tregojnë se diaspora shqiptare mjekësore nuk është vetëm një statistikë emigrimi; ajo është e pranishme në institucione universitare dhe spitalore të nivelit shumë të lartë ndërkombëtar.

Por ka edhe një mënyrë tjetër.

Mjeku nuk ka pse të kthehet gjithmonë përgjithmonë.

Një kardiolog shqiptar në Londër mund të vijë disa javë në vit në Tiranë.

Një onkolog në Paris mund të bashkëdrejtojë një program në QSUT.

Një kirurg në Milano mund të operojë bashkë me ekipet shqiptare.

Një profesor në Boston mund të drejtojë një laborator në distancë.

Një specialist kardiolog në “Charite” te Berlinit mund të trajnojë mjekët shqiptarë.

Ky është gjithashtu Brain Back.

Kthimi i dijes, edhe kur nuk kthehet menjëherë njeriu.

Sa kushton të mbash një mjek dhe sa kushton ta humbasësh?

Kjo është pyetja që Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe universitetet shqiptare duhet ta vendosin në qendër të politikës.

Le të marrim vetëm një shembull hipotetik.

Nëse Shqipëria do të investonte mesatarisht 60-80 mijë euro në vit për të rikthyer ose angazhuar 100 specialistë shqiptarë jashtë vendit, do të flisnim për 6-8 milionë euro në vit.

M und të duken shumë?

Por pastaj duhet bërë llogaria tjetër: Sa kushtojnë pacientët që trajtohen jashtë?

Sa kushtojnë ndërhyrjet? Sa kushtojnë udhëtimet?

Sa kushton që një familje shqiptare të shesë pasurinë për një operacion jashtë vendit?

Sa kushton transferimi i dijes? Sa kushton ndërtimi i një ekipi të ri? Sa kushton një dekadë humbjeje?

Dhe, mbi të gjitha: sa kushton humbja e besimit të qytetarit te sistemi shëndetësor i vendit të vet?

Eshte vleresuar qe shqiptaret harxhojne 70-80 milion euro ne vit per trajtim mjekesor jashte shtetit.

Atëherë një pagë e lartë për një mjek mund të mos jetë më “shpenzim”.

Mund të jetë mënyra më e lirë për të shmangur një shpenzim shumë më të madh.

Nuk duhet ta luftojmë diasporën. Duhet ta kthejmë në kapital kombëtar.

Mjekët shqiptarë jashtë vendit nuk janë një humbje e pakthyeshme.

Ata janë një univers shqiptar i dijes, i shpërndarë nëpër botë.

Duhet të dimë ku janë. Çfarë specialitetesh kanë.

Në çfarë institucionesh punojnë. Çfarë kërkimesh bëjnë.

Çfarë teknologjish përdorin. Dhe çfarë mund të sjellin në Shqipëri.

Një regjistër kombëtar i diasporës mjekësore do të ishte një nga hapat e parë.

Pastaj duhet një ofertë konkrete: “Nuk po të kërkojmë të braktisësh jetën që ke ndërtuar. Po të kërkojmë të ndërtosh një urë me vendin tënd.”

Kjo është një qasje krejt tjetër ndaj emigracionit.

Jo nostalgji. Jo moralizim.Jo fajësim. Politikë ekonomike.

Sepse në fund, mjeku nuk është një kosto

Kjo është ndoshta fjalia më e rëndësishme.

Në buxhet, paga e mjekut shfaqet si shpenzim.

Në bilancin e një kombi, ajo është investim.

Një mjek i mirë krijon shëndet.Krijon dije.Krijon studentë.Krijon specialistë.Krijon besim.

Krijon kapacitet spitalor.Krijon kërkim shkencor.

Dhe, në fund, kursen para.

Historia e mjekëve që u larguan nga Gjermania dhe ndihmuan në ngritjen e mjekësisë amerikane na kujton se talenti është kapitali më i lëvizshëm që ekziston. Ai shkon atje ku gjen liri, mundësi, respekt dhe kushte për të punuar.

Prandaj shtetet e mençura nuk ndërtojnë mure përpara njerëzve të ditur.

Ndërtojnë arsye për t’u kthyer.

Dhe Shqipëria duhet ta kuptojë këtë tani.

Sepse nëse sot nuk paguajmë sa duhet për të mbajtur mjekun shqiptar, nesër mund të paguajmë shumë më tepër për të blerë jashtë shërbimin, dijen dhe eksperiencën që ai mjek do të mund të kishte prodhuar në vendin e vet.

Brain Drain është humbja e njeriut.

Brain Gain është fitimi i dijes.

Brain Back është pjekuria e një shteti që kupton se diaspora nuk është fundi i një historie, por mund të jetë fillimi i kthimit të saj.

Nese e duam ende Shqiperine duhet te veprojme…

Filed Under: Sociale

JACK SMITH, NGA DËGJIMI NË SENAT, TE PËRGJEGJËSIA PËR HAGËN

October 1, 2026 by s p

Hisen Berisha/

Dëgjimi i Jack Smith në Senatin e Shteteve të Bashkuara duhet të na bëjë të shtrojmë një pyetje shumë të thjeshtë në Kosovë, nëse në Amerikë një ish-prokuror thirret para Senatit për të dhënë llogari për ushtrimin e mandatit të tij, pse në Kosovë përgjegjësia për ushtrimin e një mandati në Dhomat e Specializuara duhet të mbetet vetëm çështje deklaratash politike?

Jack Smith nuk është një emër i rastësishëm në historinë e Hagës. Ai ka shërbyer si Prokuror Special i Dhomave të Specializuara nga viti 2018 deri në vitin 2022, duke mbikëqyrur punën e Prokurorisë së Specializuar dhe procedimet e para të kësaj gjykate. Më pas ai u largua nga kjo detyrë për të marrë postin e Prokurorit të posaçëm në Shtetet e Bashkuara.

Prandaj, dëgjimi i tij në Senatin amerikan nuk është vetëm një zhvillim amerikan që duhet parë nga larg.

Ky veprim i Senatit, është mësim i mësuar që na kujton një parim të thjeshtë të përgjegjësisë institucionale se, nëse një person ka ushtruar një mandat publik, mandati i përfunduar nuk e zhduk nevojën për të dhënë llogari për mënyrën se si është ushtruar ai mandat.

Dhe pikërisht këtu duhet të fillojë veprimin Kuvendi i Kosovës.

Jo me deklarata.

Jo në stilin qosjan, me reagime pas çdo vendimi.

Jo me shprehje shqetësimi përmes deklaratave që harrohen pas disa ditësh.

Por me mekanizmat juridik, politik e kushtetues që një institucion parlamentar i ka në dispozicion.

Jack Smith duhet të thirret në interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

Jo sepse Kuvendi duhet të bëhet gjykatë, as të zëvendësojë gjykatën apo të ndalë punën e sistemit të drejtësisë ndaj zhvillimeve në Hagë. Por sepse Kuvendi ka të drejtë të kërkojë përgjegjësi politike dhe institucionale për një proces që është zhvilluar në emër të një sistemi të krijuar nga Republika e Kosovës dhe që ka prodhuar pasoja të jashtëzakonshme politike e juridike për vendin.

Kjo është pikërisht ajo që mungon në qasjen tonë ndaj Hagës, kalimi nga deklarata politike te përgjegjësia institucionale.

Në Kosovë jemi mësuar që pas çdo zhvillimi në Hagë të kemi deklarata, reagime, konferenca dhe postime. Por deklarata nuk është veprim shtetëror.

Nëse ka dyshime, kundërshtime dhe pikëpyetje serioze për mënyrën se si është zhvilluar një proces, atëherë ato duhet të shndërrohen në pyetje institucionale, në kërkesa për përgjigje dhe në procedura parlamentare.

Senati amerikan po na mëson pikërisht këtë mësim.

Përgjegjësia, nuk përfundon me përfundimin e mandatit.

Dhe në rastin e Kosovës, kjo është edhe më e rëndësishme sepse bëhet fjalë për një proces që prek drejtpërdrejt historinë, luftën, shtetformimin dhe perceptimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Prandaj, në vend që Kuvendi i Kosovës vetëm të miratojë deklarata politike për Hagën, ai duhet të përdorë autoritetin e tij parlamentar.

Jack Smith, duhet të thirret në interpelancë.

Le të japë përgjigje.

Le të shpjegojë mënyrën e ushtrimit të mandatit të tij si Prokuror Special.

Le të ballafaqohet me pyetjet e përfaqësuesve të popullit të Kosovës.

Dhe le të fillojë më në fund ajo që deri tani ka munguar, pra, të avancohet nga deklaratat politike te përgjegjësia dhe veprimi institucional.

Sepse shteti nuk mbrohet vetëm duke folur.

Shteti mbrohet duke përdorur institucionet e tij.

Dhe në këtë rast, institucioni që duhet të fillojë të veprojë është Kuvendi i Kosovës.

Foto: https://thehill.com

Filed Under: Sociale

MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…

September 25, 2026 by s p

Ndodh shpesh që organizmi ynë të shërohet nga sëmundje pa ndonjë shpjegim të qartë mjekësor, madje edhe nga sëmundje të rënda.

Mjeksia moderne është shfaqur jo më parë se 200 vjet, ndërsa qenia njerëzore ka arritur të mbijetojë mijra e mijra vjet…

LIBRAT E VJETËR…

Në bibliotekën time kam disa libra mjeksorë të fillimshekullit të kaluar, trashëguar nga babai im mjek. Traktate mjeksore, monografi… Mes tyre një Farmakope, libër ku përshkruhen qindra “mjekime” për sëmundje të ndryshme. Formula të çuditshme. Përbërës bimorë që farmacistit i duhej t’i kthente në pluhur, peshonte, treste në alkohol, para se tja jepte të sëmurit. Gjykuar në dijet e sotme, këto ‘mjekime’ të çuditshme kanë qenë thjeshtë placebo. Përfitimi i vetëm prej tyre : një përmirësim nga ideja se je duke marrë një ilaç të dobishëm. Në atë kohë, të vetmet ilaçe që jepnin siguri për efektin e tyre ishin vaksina për linë, kinina për malarjen, opiumi apo morfina për të qetësuar dhimbjet. Kaq.

Duke shfletuar librat e vjetër, një mjek shkrua në ditarin e tij : “Në vizitë më erdhi një pacient. Urinonte gjak. Pasi e egzaminova atë dhe urinën e tij, s’munda të përcaktoj diagnozën. Për të fituar kohë, për të menduar, për të lexuar rreth kësaj gjendje i dhashë një mjekim me hekur që përdoret për trajtimin e anemisë ndonëse anemi s’kishte. Ditë më pas pacienti u kthye të më falenderonte, ‘mjekimi’ kish qenë i përsosur. Gjaku ishte zhdukur nga urina! Sipas të gjitha gjasave, pa kuptuar kishte nxjerrë një gur të heshtur nga veshka. Isha i bindur që mjekimi që i dhashë, s’kishe asnjë lidhje me shërimin. Gjithsesi, reputacioni im ishte rritur”…Shumica e mjekëve e kuptonin që s’ishte mjekimi, apo ndonjë “eliksir” që shëronte, megjithatë ata vazhdonin të përshkruanin receta !

“ILAÇI DOKTOR”

Një shekull më parë, mjeku ishte shumë i ditur, me lidhje njerëzore të forta me pacientin, pranë shtratit të tij, ndonëse pak mund të bënte me mjetet e mundësitë e kohës. Roli këshillues dhe ngushëllues i tij, me efektin psikologjik, perbënte atë që quhet “ilaçi doktor” që në shumë raste ishte (dhe është) efikas…Në ditët e sotme, mjeku bën shumë më tepër, ka pafund mjete në dispozicion, barna, teknologji të sofistikuara por lidhja njerëzore me pacientin është gjithnjë e më e ftohtë…

Nëse krahasojmë mjekësinë dje me mjeksinë sot, dallimi është ndërmjet një profesioni dhe një biznesi, ndërmjet një profesioni që u rrit dhe zhvillua i mbështetur në traditën humane dhe atij që u rrit dhe po rritet, në kushte e një kompleksi mediko-industrial që udhëhiqet nga fitimi…

PAK HISTORI

Aftësia vetshëruese e organizmit është vënë në dukje që nga koha e Hipokratit. Një nga parimet e mjekësisë së tij është fuqia shëruese e natyrës (organizmit). Çfarë mjeku mund të bëjë sipas kësaj teorie është vetëm lehtësimi i prirjes natyrore të organizmit për vetshërim. Ky parim u zhvillua më tej nga fiziologu i famshëm francez, Claude Bernard (1813-1878), me teorinë e “Mjedisit të brendshëm” sipas të cilës, lëngjet e organizmit ushqejnë dhe mbajnë në gjendje ekuilibri qelizat e organizmit duke i siguruar në mënyrë të pavarur kushte për jetë të mirë. Më tej shkoi mjeku amerikan Walter Cannon me librin “Urtësia e organizmit” (1930) me homeostazën, persosmerinë e paarritshme të organizmit për të ruajtur parametra jetësorë të qëndrueshëm të temperaturës, ujit, kripës, sheqerit, proteinave, yndyrave, oksigjenit në gjak, e shumë të tjera. Homeostaza është eskluzivitet i organizmit.

NJË ANALOGJI…

Valter D. Longo, biogerontolog në Universitetin e Kalifornisë në librin e tij “Dieta e jetgjatsisë” (2018) shkruan : “Është e pamundur të përmirsosh një simfoni të Moxartit, duke shtuar në orkestër numrin e violonçelave. Duhet të jesh më i zoti se Moxarti për ta bërë këtë. Organizmi ynë, është po aq virtuoz në funksionin e tij, sa Mozarti në muzikë. Të detyrosh forcërisht organizmin për shëndet duke i dhënë nga jashtë disa vitamina, suplemente, apo nëpërmjet kufizimeve drastike në ushqim, apo sforcimeve fizike është e pamundur. Ideja që ne kemi kontroll të vetëdijshëm afatgjatë mbi organizmin, është vetëm një iluzion.

DY THËNIE PA KOMENT !

Michel de Montaigne, (1533-1592) një nga filozofët më të shquar të Rilindjes Franceze : “Mjekët nuk janë as më të shëndetshëm, dhe as nuk jetojnë më gjatë se pacientët e tyre” ! Barbara Ehrenreich, në librin ”Shkaqe Natyrore” (2018) shkruan : “Shumë nga avokatët më të shquar të stilit të shëndetshëm të jetesës, shpesh janë larguar nga jeta më shpejt se të tjerët, pikërisht prej sëmundjeve që stili i tyre i jetës duhej t’i parandalonte. Lucille Roberts, pronare e zinxhirit të qendrave “non-smoking fitness”, vdiq nga kanceri i mushkërive… Jerome Rodale, krijuesi i revistës “Parandalimi”, i përkushtuari ndaj ushqimit organik, pësoi një atak të rëndë në zemër… Madje edhe dieta vegjetariane e të famshmit Steve Jobs nuk e shpëtoi miliarderin nga kanceri i pankreasit.

DUKE E MBYLLUR…

Ajo që ne dimë për organizmin tonë është shumë më pak nga ajo që mendojmë që dimë, për më tepër ne nuk dimë çfarë nuk dimë. Shumë nga sfidat me të cilat ne sot përballemi : ndryshimet klimatike, shkatërrimi i mjedisit, pandemia e fundit, qëndrimi ndaj sëmundjes, vdekjes, kanë një rrënjë të përbashkët : iluzionin që kemi kontroll të plotë mbi natyrën, kur në të vërtetë jemi vetëm pjesë e saj. Ndërsa jemi përqëndruar në prodhimin e kujdesit shëndetësor, ajo për çfarë kemi nevojë është shëndeti. Kujdesi Shëndetësor është vetëm një mjet për të arritur këtë qëllim. Lidhja ndërmjet shëndetit dhe kujdesit mjekësor s’është aq direkte sa besohet. Kujdesi mjekësor ndikon në një numër të kufizuar sëmundjesh. Jetojmë një sistem shëndetsor të shtrenjtë, që i shërben dhe shumë qëllimeve të tjera veç shëndetit. Mjekësia moderne është bërë një kulturë tepër industrializuar. Ka medikalizuar jetën, duke dëmtuar aftësinë e organizmit për vetshërim.

Thënia “Mjeku kuron, natyra shëron” na vjen nga thellësia e shekujve. Është vetë Nëna Natyrë që ka regulluar, vazhdon dhe do vazhdojë të regullojë vazhdimsinë e jetës.

Dr. Shefqet Deliallisi

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT