
Andis Gjoni/
Kërkoja një kostumografe që të bënte realitet vizionin tim për operan “Rozafa” dhe atë e gjeta tek Iliriana Basha. Nuk e dija që ajo ishte bashkëshortja e regjisorit të njohur Altin Basha. Unë kisha vite që i propozoja atij bashkëpunim dhe nuk e kuptoja se përse nuk më afronte, dhe arsyeja ishte e thjeshtë, ai e kishte skenografen dhe kostumografen, ishte gruaja e tij e talentuar. Ajo bëri një punë të jashtëzakonshme dhe të thelluar në studimin e veshjeve tradicionale ilire dhe shqiptare të periudhës të lashtësisë. Katër personazhet kryesore ajo do t’i ndante me dallimet përkatëse të tyre bazuar në karakteret që përfaqësonin dhe kjo do reflektonte edhe në kostumet. Në bisedat tona krijuese e imagjinonim Rozafën me një fustan të bardhë (polyester që i rrinte i derdhur në trup) me rrip dhe jelek mesi të artë dhe me motive ari të qendisura në fustanin e saj që do simbolizonte idealin e gruas së sakrificës, flijimit të nuses së re trime dhe besnike. Por Iliriana e transformoi edhe më bukur simbolikën e murosjes, ajo e bëri fustanin e Rozafës gjysëm mur e gjysëm nuse, një gjetje fantastike. Në aktin e parë unë i kërkova që Rozafa të ishte me fustan të kuq, ajo përfaqësonte flijimin, gjakun që rrjedh, tragjedinë dhe kontraston bukur me sfondin prapa. Ndërsa në Aktin e dytë fustani i bardhë e bën atë epiqendrën e vëmendjes, pafajësisë. Isha shumë i lumtur që kisha angazhuar një artiste në shpirt dhe në profesion për të realizuar kostumet. Ky produksion që do ishte historik, kishte përmbledhur krijuesit më të mnirë të kohës dhe prandaj e arriti rezultatin e dëshiruar. Kostumet e tjera të krijuara nga Iliriana ishin po aq të bukura sa edhe Rozafa.
Edher tre vëllezërit ishin darë me ngjyrat e tyre, Pritani njeriun e fortë e qëndrestar edhe para provave të fatit e veshi me bezhë në nunancë ari me anët e qëndisura. Kostumi i Orakullit ajo e krijoi me një pelerinë të artë ndërsa atë të Taraboshit të interpretuar nga i njëjti këngëtar, me motive floreale me shkopin e kuq si gjaku në dorë, simbol i autoritetit.
Kostumet më interesante të këtij produksioni pas Rozafës do ishin ato të Shtrëngatës, Vetëtimës, Rrufesë, Veriut, Shirokut dhe valëzave të liqenit. Ato Iliriana i krijoi me një frymëzim të madh dhe reflektonin pikërisht personazhet magjikë që përfaqësonin. Veçanërisht Valëzat e Liqenit me kostumet e tyre sikur kishin dalë nga uji ishin shumë goditëse.
Kostumet e korit i trajtoi me gamën e ngjyrave bardhë-gri, populli u shkri me ngjyrat e gurëve të kështjellës, ata u bënë pjesë e kështjellës por edhe pjesë figurative e volumeve skenike, me lëvizjet e tyre krijuan figura skenike që theksuan momentet dramatike të veprës.
(Pjesë nga libri “Historia e operas Rozafa” )
Foto : Marsel Rexhini