• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqyrtimet dhe aprovimet për shtetësinë amerikane

October 26, 2026 by s p

Metuku Law PC/

Zyra Ligjore Metuku Law PC ka monitoruar nga afër rënien drastike të shqyrtimeve dhe aprovimeve për shtetësinë amerikane (N-400), një situatë që po prek drejtpërdrejt komunitetin tonë në New York dhe New Jersey dhe me gjere. Një analizë e fundit e të dhënave zyrtare nga Newsweek tregon se në shkallë kombëtare, aprovimet e natyralizimit ranë në rreth 57,700 gjatë tremujorit të tretë të Vitit Fiskal 2026, krahasuar me mbi 200,000 aprovime në të njëjtat periudha të viteve 2024 dhe 2025. Ndërkohë, numri i çështjeve në pritje ka tejkaluar shifrën prej 742,000.

Ky ngadalësim po godet jashtëzakonisht rëndë zyrat lokale të emigracionit në zonën e metropolit te Nju Jorkut, duke pasqyruar saktësisht vonesat e gjata prej më shumë se një viti për intervistat e natyralizimit që po përjetojnë shumë nga klientët tanë.

Zyra Lokale e USCIS Aprovimet FY2025 Q3 FY2026 Q3 Rënia në %

Queens, NY 6,985 827 -88.2%

Newark, NJ 6,172 1,092 -82.3%

New York, NY (Manhattan) 8,382 2,329 -72.2%

Pretendimet e ngritura nga aktiviste dhe organizata qe mbrojne te drejtat e emigranteve se vonesat jane shkaktuar nga administrata Trump per te penguar emigrantet qe behen shtetas te rinj Amerikan per te votuar ne zgjedhjet e Nentorit per Senat dhe Kongres jane hedhur poshte si te pabaza nga zyrtaret e Sherbimit te Emigracionit duke thene se vonesat kane te bejne vetem me verifikimin dhe kontrollin strikt administrativ te procesit per fitimin e shtetesise.

Faktorët Kryesorë pas Grumbullimit të Çështjeve dhe Vonesave:

• Ndryshimet e Politikave: Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka konfirmuar një largim të rreptë nga standardet e mëparshme të procesimit, duke i zhvendosur prioritetet drejt masave të shtuara të kontrollit dhe verifikimit.

• Verifikimi i Intensifikuar: Zgjatja e afateve të procesimit po nxitet nga rikthimi i kritereve të testit të qytetarisë të vitit 2020, rishikimet më të rrepta të njohurive të gjuhës angleze dhe kontrolli i detyrueshëm i rrjeteve sociale.

• Ndikimi në Pjesëmarrjen Qytetare: Këto vonesa të zgjatura bllokojnë efektivisht mbajtësit e rregullt të kartës jeshile (green card) që plotësojnë kushtet, duke mos i lejuar ata të zyrtarizojnë shtetësinë e tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Si të Përgatiteni për Kontrollet e Rrepta të USCIS

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka konfirmuar se zgjatja e kohës së procesimit vjen si rezultat i zbatimit të procedurave më të rrepta të verifikimit dhe kontrollit. Për të shmangur vonesat shtesë apo refuzimet e mundshme, aplikantët duhet të fokusohen në këto pika kritike:

• Kontrolli i Rrjeteve Sociale: Sigurohuni që profilet tuaja publike në rrjetet sociale të jenë në rregull dhe të mos cenojnë kriterin e “karakterit të mirë moral”, pasi USCIS ka rritur monitorimin e platformave online.

• Përgatitja për Testin e Emigracionit: Jini të përgatitur për aplikimin e mundshëm të formatit më rigoroz të testit të qytetarisë (viti 2020) dhe kërkesave më të larta për nivelin e gjuhës angleze gjatë intervistës.

• Dokumentacion i Përditësuar dhe pa Gabime: Për shkak të pritjes më shumë se njëvjeçare në rradhë, sillni në intervistë prova të përditësuara për të mbuluar këtë periudhë (si transkriptet e fundit të taksave nga IRS, historikun e udhëtimeve dhe vërtetimet e punësimit).

Nëse aplikimi juaj për natyralizim po vonohet ose keni nevojë për përgatitje te sakte aplikimi apo keshille të specializuar ligjore ne perputhje me këto rregulla të reja, na kontaktoni:

Metuku Law P.C.

📍 New York, New York

📞 +1 212-480-4242

✉️ Email: Hhm@etukulaw.com

🌐www.metukulaw.com

Filed Under: Sociale

Një shtet e një shoqëri pa rini është mallkim…

October 18, 2026 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Një shtet e një shoqëri pa rini është mallkim, një shtet e një shoqëri me rini të gjallë, aktive, të aftë dhe të mençur është pasuri dhe bekim.

Kaq e thjeshtë është: në çdo skenar të mundshëm, – në një përballje midis rinisë & studentëve që kërkojnë antikorrupsion, demokraci funksionale e shtet të drejtë dhe qeverisë që kërkon të shtyj mandatin me trupa komando, do ishte antihistorike nëse qeveria e akuzuar mbijeton. Me mbijetesën ajo thjesht do zgjaste agoninë, por mbi të gjitha do të amnistonte të gjitha akuzat që i janë bërë, si dhe korrupsioni/klientelizmi/oligarkia/arroganca dhe brutaliteti do të legjitimohen si normalitet. Për më tepër, gjenerata e re nuk mund të humbë një betejë morale dhe qytetare të nisur katër muaj më parë përballë një gjenerate dhe modeli politik që mban peng vendin dhe demokracinë prej disa dekadash.

Aktet e dhunës janë të gabuara, prona private është e shenjtë në demokraci, të drejtat qytetare nuk mund të negociohen, institucionet janë të shtetit, ashtu siç edhe policia, ushtria, shërbimi sekret dhe administrata duhet të jenë në shërbim të publikut. Jo të kryeministrit. Jo të një individi apo partie.

Koha për debat e zgjidhje politike të krizës. Mjaft me politikanë në dy anët e Lanës që nxisin urrejtje dhe kërkojnë që përmes saj të mbijetojnë duke vijuar sundimin e tyre, mjaft me zyrtarë që shpallin armik fëmijët, kritikët, ata që mendojnë kundër dhe protestojnë kundër korrupsionit, përjashtimi, refuzimit, bullizmit dhe trajtimit si emigrantë ilegalë në vendin e tyre!

Koha për politikë që prodhon ide dhe ofron zgjidhje, koha për shtetarë e politikanë që arrijnë të shohin përtej kolltukut/vilës dhe partisë së tyre, koha për mendje të urta, për reflektim, për tërheqje dhe respektim të kërkesave të gjeneratës së re. Ndryshim dhe jo riciklim, reformim të thellë dhe jo plagjiaturë të pazareve të radhës apo paktit deformues të prillit 2008.

Dhe ndërkombëtarët… – janë këtu për popullin shqiptar, për shtetin shqiptar, për shoqërinë shqiptare, për Shqipërinë, për raportet ndërshtetërore, jo për të mbrojtur apo lobuar mbijetesa dhe interesa të individë të korruptuar, të cilët në mënyrë të ricikluar dhe konsensusit të heshtur, përmes aleancës fitimprurëse të kullave, gradaçelave dhe oligarkëve mbajnë peng shtetin, partitë, shoqërinë e për pasojë, edhe nevojën e ndryshimit.

Shqipëria ka pasur 68 qeveri dhe 33 kryeministra, do të ketë edhe shumë të tjera në të ardhmen. Qeveritë, kryeministrat, ministrat, deputetët e drejtorët e policisë vijnë e shkojnë, por vendi, shoqëria, shteti dhe Shqipëria mbeten. Diçka që pushtetarët e radhës e kanë harruar.

Filed Under: Sociale

MOTRAT “QIRIAZI” ORGANIZUAN NJË MBRËMJE NË NEW YORK KUNDËR KANCERIT TË GJIRIT – NJË FESTË E JETËS DHE E GUXIMIT

October 17, 2026 by s p

Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset e Vista Ballroom, ku Hëna blu në qiell dukej sikur rezononte me ndërtesat madhështore që shkëlqenin nga miliona dritëza njujorkeze përmes dritareve të qelqta, Motrat Qiriazi sollën një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve, pasi preku shpirtin, zgjoi emocionet dhe na kujtoi se sa e çmuar është jeta. E tillë ishte mbrëmja e organizuar nga AAWO “MOTRAT QIRIAZI”, nën drejtimin plot mirësi dhe kulturë të presidentes Eva Burnazi dhe ekipit të saj, kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, forcës së gruas dhe mesazhit të fuqishëm se asnjë grua nuk duhet të ndihet e vetme në këtë betejë.

Nga kontributi i madh i ish-presidentes, avokates Beti Beno e cila është themeluese e Beti Beno Law Group, PC. te angazhimi i ri i Eva Burnazit, të dyja kanë dhënë kontributin e tyre në vazhdimësinë e vlerave, të kulturës dhe të përkushtimit që e bëjnë këtë organizatë një emër të respektuar në shërbim të komunitetit shqiptar.

Organizata e mirënjohur “Motrat Qiriazi” është një emër që mbart histori, kulturë dhe identitet kombëtar. Një emër i madh që kërkon punë, përgjegjësi dhe përkushtim për ta çuar përpara misionin e saj fisnik.

Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte përshëndetja e grave të mbijetuara nga kanceri i gjirit. Fjalët e tyre, të mbushura me emocion, forcë dhe mirënjohje për jetën, përcollën një mesazh që shkoi drejt e në zemrat e të pranishmëve. Pas çdo buzëqeshjeje qëndron një histori, pas çdo historie një betejë dhe pas çdo beteje një forcë e jashtëzakonshme për të jetuar, për të besuar dhe për të mos u dorëzuar kurrë. Ato janë dëshmi të gjalla se shpresa mund të triumfojë dhe se dashuria, mbështetja dhe diagnostikimi i hershëm kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Për to, duartrokitjet ishin më shumë se një përshëndetje: ishin një përqafim i madh njerëzor.

Me një përshëndetje të ngrohtë dhe plot ndjenjë, presidentja Eva Burnazi iu drejtua të pranishmëve, duke përcjellë mesazhin e misionit, përgjegjësisë dhe përkushtimit të shoqatës “Motrat Qiriazi”. Fjalët e saj shprehën jo vetëm rëndësinë e kësaj kauze, por edhe vlerat që e mbajnë gjallë organizatën: dashurinë për gruan shqiptare, solidaritetin, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shërbimin ndaj komunitetit.

“Motrat Qiriazi” nuk janë thjesht një emër, por një trashëgimi, një simbol dhe një përgjegjësi e madhe. Të frymëzuara nga emri i motrave të shquara që i shërbyen arsimit dhe çështjes kombëtare shqiptare, kjo organizatë ka ndërtuar identitetin e saj mbi përkushtimin, seriozitetin dhe veprimtarinë në shërbim të kombit. Një emër i madh kërkon punë të madhe, dinjitet dhe vazhdimësi, vlera që shoqata synon t’i përfaqësojë përmes çdo veprimtarie dhe nisme të saj.

Mirënjohje e veçantë për filantropisten simpatike dhe fisnike, general sponsor znj. Fotini Allteni Kokeri, për shpirtin human, bujarinë dhe mbështetjen që e bëjnë filantropinë një akt të bukur dashurie dhe solidariteti. Njerëzit që japin nga zemra lënë gjurmë që nuk maten me fjalë, por me shpresën që mbjellin te të tjerët.

Të ftuarat speciale ishin Dr. Amantia Kennedy, MD, shkrimtarja Mira Kazhani dhe mjekja okuliste Mirela Krasniqi, të cilat e pasuruan veprimtarinë me praninë dhe mesazhet e tyre. Një moment i veçantë ishte edhe firmosja personale e librave nga Mira Kazhani, e mbijetuar nga kanceri i gjirit. Ky ishte një gjest i bukur që u la pjesëmarrësve kujtime të çmuara.

Duke dëgjuar dëshmitë e tyre kaq kurajoze dhe plot mesazhe, m’u kujtua aktorja e famshme amerikane Shannen Doherty, e cila e përjetoi vetë këtë betejë dhe shprehej: “Përpiqem t’i vlerësoj të gjitha ato momente të vogla që shumë njerëz nuk i vënë re ose i marrin si të mirëqena. Brenda nesh ekziston një burim i pashtershëm force për të përballuar vështirësitë dhe për të parë bukurinë e jetës.” Dr. Zana Nikolla ndërgjegjësoi gjithashtu të pranishmit për rëndësinë e kryerjes së kontrolleve mjekësore periodike. Ajo është mjeke gastroenterologe e certifikuar nga bordi përkatës profesional në SHBA, me mbi dy dekada përvojë klinike, akademike dhe drejtuese në fushën e gastroenterologjisë.

Kjo mbrëmje dëshmoi se “Motrat Qiriazi” dinë të bashkojnë humanizmin me kulturën, ndërgjegjësimin me artin dhe traditën kombëtare me përgjegjësinë qytetare. I takova me radhë, me shumë respekt, zonjat simpatike të humanizmit dhe me kontribute të vyera në Bord: Agathia Luka, Albana Konci, Vjollca Pepi, Ariana Elezaj, Loreta Stamo, Ana Marky Walsh, Jul Ymeraj, Nila Amg dhe shumë të tjera qe iu kerkoj ndjese qe s’mund t’I permend te gjitha. “Motrat Qiriazi” janë një organizatë serioze, me një emër të madh dhe me një mision që shkon përtej një veprimtarie të vetme: t’i shërbejë gruas, komunitetit dhe kombit shqiptar, duke ruajtur me dinjitet trashëgiminë që mbart emri i saj.

Dhe pastaj erdhi muzika dhe salla u ndez nga emocionet!

Kur në skenë dolën artistet e dashura, yjet e shndritshëm të kombit, si Vaskë Curri, Deshira Ahmeti Kerliu dhe Merita Halili, nën interpretimin e shkëlqyer të yllit të klarinetës, Igli Tuga dhe organistit te talentuar Dritan Papa, tingujt u ngritën si një urë mes zemrave, duke i dhënë mbrëmjes një bukuri të veçantë.

Ishte ajo magji që vetëm muzika di të krijojë: të prekë shpirtin, të zgjojë mallin, të bashkojë njerëzit dhe ta kthejë një mbrëmje në një kujtim të paharrueshëm.

Atmosfera mori një tjetër ngjyrë. Zërat e tyre, këngët që zgjojnë kujtime dhe tingujt që prekin shpirtin e publikut e shndërruan mbrëmjen në një festë të vërtetë të kulturës dhe muzikës shqiptare.

Duartrokitjet u bënë më të forta, buzëqeshjet më të ndritshme dhe zemrat rrahën në një ritëm të vetëm. Salla u mbush me energji, emocion dhe krenari shqiptare. Për disa çaste, muzika i bashkoi të gjithë: gratë që kanë luftuar, familjet që i kanë mbështetur, miqtë, artistët dhe të gjithë ata që besojnë te forca e jetës.

Në emër të shoqatës AAWO “Motrat Qiriazi” dhe presidentes Eva Burnazi, një falënderim i përzemërt shkoi për gratë e mbijetuara që ndanë historitë dhe forcën e tyre, për filantropisten Foti Kokeri, për artistet e shquar Kerliu, Halili, Curri, muzikantin e famshëm Igli Tuga, të ftuarat speciale dhe për çdo pjesëmarrës që u bë pjesë e kësaj mbrëmjeje plot ndjenjë dhe kuptim.

Dashuri dhe respekt për çdo grua që lufton, për çdo grua që ia doli dhe për çdo familje që shpreson. Për jetën që meriton të festohet çdo ditë! Së bashku për jetën! Së bashku për shpresën!

Së bashku për kombin! Kanceri i gjirit mund të lërë shenja në trup, por nuk mund ta shuajë dritën e shpirtit, forcën e zemrës dhe dëshirën për të jetuar. Mbijetesa ne cdo gje si shqiptare na ka mësuar se çdo ditë është një dhuratë dhe çdo çast dashurie një mrekulli. Sot ju nuk jeni vetëm një grua që e keni kaluar këtë betejë; jeni një zë i shpresës për çdo grua që po lufton. Mos e humbni kurrë besimin, sepse jeta është më e forte dhe e sfidon friken. Kjo mbremje do të ngelet si një festë e jetës dhe e guximit. Faleminderit Motrat “Qiriazi”!

Filed Under: Sociale

Mjerimin nuk e njohin shqiptarët kur hipin n’shalën e kalit

October 16, 2026 by s p

Çun Lajçi/

Ti ndëgjoje plakun; — Zbrit nga kali, e mbathja nga ke ardhë, se boll e shite atdheun! U sos toka e u shterr deti! Të çmendun t’kam quejt Ed, kur e rrenove teatrin, e tash m’dole vrasës i atdheut!

Ik!

Se ne e duem atdheun. E duem edhe kur e djegim, edhe kur flamurin e mbajmë mbi tymin e flakën e atdheut!

Por e dhimbshme qenka me pa flamurin e atdheut, madje edhe ate me shkronjat e UÇK-së, të valojë përkrah tymit e flakës nga dora e shqiptarit.

Por ja që ne luftuem me godinat, me tabelat, me rrugët, me koshat e mbeturinave, që t’na shohi bota; — se si ne përgjakemi e se si ti ngujohesh n’“bunkerin e mendimeve të zeza”, i ruejtun nga rojet!

Po!

N’mungesën tande, ne mbramë luftuem edhe me mullijtë e erës. Pa kuaj, pa mushka, pa gomerë, pa heshta. Luftuem me gurët e sokakut, tue ngritë nalt tre flamuj: atë me shqiponjën, atë me Ismailin e Isën dhe atë të UÇK-së!

Se: — “flamuri duhet të valojë kur t’i dalë flaka atdheut” nga dora jonë. Duhet të tymoset shqiponja në fushën e kuqe, kur t’i digjet zemra Tiranës.

Ne s’e dimë, e ndoshta s’e kemi dijtë kurrë, ku na bie e vërteta e urrejtjes kur dalim në fushën e mejdanit: te njeriu shushunjë që na e piu gjakun tash e trembëdhjetë vjet, apo te pema që i jep hije qytetit, te dyqani prej të cilit hanë bukë fëmijët tanë, te shkollat, bankat, ministritë, trotuaret, semaforët…

Tash mllefin e kemi me gjasende, thuajse ato na e kanë ngulfatë jetën tash e sa vjet, e jo njeriu, ti, që tallesh me jetët tona e me fatin e Shqipnisë!

Nji ditë — e s’e di kur ka me ardhë ajo ditë — kemi me kuptue se, kur s’kemi me kë me luftue, luftojmë me vetveten. Me fajet tona bajmë luftë, por fajet tona s’i nxjerrim kurrë në shesh.

Po, se na pëlqeu ryshfeti për nji votë, na pëlqeu vetura për nji mashtrim, na pëlqeu vila për nji tradhti, na pëlqeu krevati për nji sevda… E kur na u ngatërruen zorrët prej urisë, e kur atdheu u hodh n’pazar, ne dolëm me djegë shtëpinë tonë, jo me i dalë përpara njeriut, ty, që na e shkatërrove jetën e na e shite atdheun.

Mbramë dolëm me shpëtue Shqipninë, por e dogjëm Tiranën, se Ty nuk të gjetëm. E, kur s’patëm çka me djegë ma, u vërsulëm me i djegë edhe policët tanë, ata që s’dinin ma kë me ruejtë: vetveten apo neve që vërsuleshim me djegë atdheun.

Mbramë isha dy herë i vramë. Një herë prej zjarreve që shkretnonin qytetin, e së dyti prej Edi ziut, që pranon me u djegë Shqipnia, por jo posti i tij.

Mjerimi asht kafshatë që s’kapërdihet, thoshte ai poeti i mjerimit. Por mjerimin shqiptarët nuk e njohin kur hipin n’shalën e kalit!

Po!

Kam dashtë me ia falë artin tim Tiranës, me e lujtë rolin e Sylejman Vokshit. Por mbramë u dogj edhe dashnia ime për teatrin, e roli mbeti veç nji dëshirë.

Filed Under: Sociale

Shqipëria në rrugë, pushteti pas gazit, shkopinjve të gomës dhe arrestimeve te dhunshme!

October 16, 2026 by s p

Solidaritet me studentët dhe qytetarët që kërkojnë përgjegjësi, dinjitet dhe dorëheqjen e Edi Ramës!

Nga Tirana në qytetet e mëdha të Shqipërisë, rruga po bëhet sërish zëri i një shoqërie që nuk pranon të heshtë përballë problemeve të saj dramatike. Studentët, të rinjtë dhe qytetarët po kërkojnë të dëgjohen, të respektohen dhe të kenë një të ardhme në vendin e tyre, ndërsa përgjigjja që ata denoncojnë nga pushteti është gazi, shkopinjtë e gomës dhe arrestimet.

Si intelektual dhe qytetar, shpreh solidaritetin tim të plotë me studentët dhe me çdo qytetar që proteston paqësisht për të drejtat e veta, për dinjitetin njerëzor dhe për largimin nga pushteti të një kryeministri ndaj të cilit po drejtohet një pakënaqësi e thellë shoqërore. Nuk është thjesht një protestë kundër një vendimi apo një politikani. Është shprehje e një grumbullimi të gjatë zhgënjimesh, padrejtësish dhe mungese besimi, që sot po kërkojnë rrugëdalje në sheshe dhe në rrugët e qyteteve.

Të rinjtë nuk dalin në rrugë sepse u pëlqen përplasja. Ata dalin sepse duan të besojnë se ky vend u përket edhe atyre; sepse nuk mund të pajtohen me mendimin se e ardhmja e tyre duhet të ndërtohet larg Shqipërisë; sepse kërkojnë arsim me dinjitet, mundësi të barabarta, drejtësi që nuk përkulet para pushtetit dhe një shtet që nuk i trajton qytetarët si kundërshtarë. Pas tyre qëndrojnë edhe hallet e familjeve, emigrimi i pandërprerë, pabarazia, korrupsioni i denoncuar, mungesa e besimit te institucionet dhe ndjesia se pushteti po largohet gjithnjë e më shumë nga jeta reale e njerëzve.

Përballë këtyre problemeve, çfarë përgjigjeje duhet të japë një qeveri demokratike? Të dëgjojë, të reflektojë, të japë llogari dhe të pranojë përgjegjësinë politike. Por kur qytetarit që kërkon përgjigje i drejtohet gazi, kur protestuesi përballet me shkopinjtë e gomës dhe kur arrestimi shfaqet si përgjigje ndaj zemërimit qytetar, lind një shqetesim i thelle që nuk mund të shmanget: A po qeveriset Shqipëria me besimin e qytetarëve, apo po mbahet nën kontroll përmes frikës?

Asnjë pushtet nuk mund ta ngatërrojë qetësinë e imponuar me paqen shoqërore, as heshtjen me miratimin dhe as uniformën e policisë me autoritetin moral të shtetit. Policia ka detyrimin të ruajë rendin dhe sigurinë, por ky detyrim nuk mund të përdoret si justifikim për forcë shtypese ndaj protestuesve paqësorë. Çdo veprim i paligjshëm duhet të hetohet, çdo përgjegjësi duhet të përcaktohet dhe çdo qytetar duhet të gëzojë të drejtën e protestës pa frikën e ndëshkimit arbitrar.

Edi Rama duhet ta kuptojë se një kryeministër nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë politike me propagandën, problemet e vendit me imazhin e tij dhe dialogun me forcën. Një qeveri nuk bëhet më e fortë duke i vënë përballë vetes studentët; përkundrazi, pikërisht në mënyrën se si sillet me të rinjtë që e kundërshtojnë, ajo tregon se sa e aftë është të respektojë demokracinë. Prandaj, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit duhet dëgjuar si një kërkesë politike që meriton përgjigje, jo si një zë që duhet mbytur me gaz. Kur pakënaqësia shoqërore bëhet kaq e thelle, përgjegjësia politike nuk mund të fshihet me kurre.

U bëj thirrje intelektualëve, pedagogëve, shkrimtarëve, artistëve, prindërve dhe të gjithë qytetarëve që të mos i lënë studentët vetëm. Solidariteti me ta nuk është një çështje partie, por një detyrim qytetar. Është mbrojtje e së drejtës për të kundërshtuar, për të kërkuar llogari dhe për të mos u pajtuar me një të ardhme që të tjerët duan ta vendosin në vendin tonë. Studentët kanë nevojë për solidaritet, jo për heshtje; për mbështetje, jo për instrumentalizim politik; për një shoqëri që u qëndron pranë, jo për një shoqëri që pret të shohë se kush do të fitojë përpara se të vendosë të flasë.

Unë jam në krah të tyre, në krah të së drejtës për protestë dhe të dinjitetit të çdo qytetari që kërkon një Shqipëri ku pushteti jep llogari, ku ligji është mbi të gjithë dhe ku e ardhmja nuk është privilegj i një pakice.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë gaz në rrugët e saj, por për më shumë drejtësi, përgjegjësi dhe liri. Nuk ka nevojë për një pushtet që u përgjigjet qytetarëve me forcë, por për institucione që dinë t’i dëgjojnë.

Sepse kur studentët dalin në rrugë për të kërkuar të ardhmen e tyre, nuk është vetëm çfarë do të bëjë pushteti me ta. Por çfarë do të bëjë shoqëria shqiptare për të mos i lënë vetëm. Solidaritet me studentët!

Respekt për qytetarët që kërkojnë të drejtat e tyre!

Përgjegjësi politike përballë popullit!

Ndriçim Kulla

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 92
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 114 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
  • FALENDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR PATRIOTEN ERJOLA XHEKO, DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • VLERËSIM HISTORIK I RAPORTIT DIPLOMATIKO-USHTARAK FRANCEZ MBI SITUATËN POLITIKE NË SHQIPËRI PAS PRANIMIT TË 14 KËRKESAVE TË HASAN PRISHTINËS
  • MARIE ALEKSANDRA IVEZAJ – KRENARIA E NJË VAJZE MALËSORE QË NGRITI SHQIPONJËN SHQIPTARE NË SKENËN E BOTËRORE
  • Nga qëndresa te qytetërimi: 28 Nëntori dhe përgjegjësia historike e shqiptarëve
  • Lef Nosi (1877–1946)
  • “Ditë e shenjtë” – Nëntorët e Pavarësisë
  • DEDË GJO’ LULI DHE FLAMURI I SKËNDERBEUT NË DEÇIQ
  • RRUGËTIMI I QYTETËRIMEVE BOTËRORE NË SHEKUJ
  • SOTIR PECI – PATRIOTI E PUBLICISTI, MESUESI E GJUHETARI, POLITIKANI E MINISTRI VIZIONAR
  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Anton Raja, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Artisti Flori Lloga dhuroi 2 mijë dollarë për Darkën e Flamurit Kombëtar
  • THANKSGIVING – NGA RRËNJËT E HISTORISË TE FESTA E MIRËNJOHJES AMERIKANE
  • NËNTORI – MUAJI I FESTAVE DHE KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Pse Ismail Qemali zgjodhi shqiponjën dykrenare heraldike?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT