
Ambasador Flamur Gashi/
Sa shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në mërgatën shqiptare e njohin sot Kristo Dakon? Dhe sa prej nesh e dimë se ky intelektual, arsimdashës, publicist, veprimtar politik e kombëtar ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës gjuhës shqipe, arsimit dhe mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare? Kristo Dako është një nga ato figura të mëdha për të cilat kujtesa jonë kombëtare ka ende një borxh.
I lindur më 1876, ai u arsimua në Bukuresht dhe kreu studime të larta për matematikë. Por shumë shpejt e vuri dijen e tij në shërbim të një qëllimi më të madh: Kombit shqiptar. U përfshi në shoqëritë patriotike shqiptare dhe në përpjekjet për shkollën, gjuhën dhe të drejtat kombëtare. Si shqiptar që vinte nga tradita e krishterë, Kristo Dako ishte ndër veprimtarët që kërkonin jo vetëm shkolla shqipe, por edhe përdorimin e gjuhës shqipe në jetën kishtare.
Për të, besimi nuk mund të kërkonte mohimin e gjuhës dhe të përkatësisë kombëtare. Ai mbështeti në mënyra të ndryshme përpjekjet kombëtare që lidhen me alfabetin dhe jehonën e Kongresit të Manastirit, atij momenti historik kur shqiptarë të besimeve të ndryshme u bashkuan rreth një prej themeleve të identitetit tonë:
Gjuhës shqipe.
Jeta e çoi më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u përfshi fuqishëm në organizimin e mërgatës shqiptare. U vu në drejtimin e Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe drejtoi gazetën “Dielli”, dy institucione me rol të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e çështjes shqiptare në Amerikë. Dako kërkonte që zëri shqiptar të arrinte edhe atje ku merreshin vendimet e mëdha. Në vitin 1918 i dërgoi Presidentit amerikan Woodrow Wilson materiale për të drejtat, aspiratat dhe integritetin territorial të Shqipërisë.
Më pas u takua dy herë me Presidentin Wilson, duke mbrojtur drejtpërdrejt interesat kombëtare shqiptare. Në një kohë kur vetë ekzistenca dhe kufijtë e Shqipërisë diskutoheshin në kancelaritë ndërkombëtare, Kristo Dako trokiste në dyert më të larta të Amerikës për kombin e tij. Ai u angazhua edhe në përpjekjet shqiptare rreth Konferencës së Paqes në Paris më 1919. Shqipëria e Kristo Dakos nuk përfundonte te kufijtë politikë të shtetit shqiptar.
Ai shkroi për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për të drejtat kombëtare dhe integritetin territorial shqiptar dhe botoi në Boston edhe hartën “Albania and its Unredeemed Territories”.
Në vitin 1921 u bë Ministër i Arsimit në qeverinë e Hasan Prishtinës. Ky fakt ka një simbolikë të jashtëzakonshme: Kristo Dako nga Korça dhe Hasan Prishtina nga Kosova, në të njëjtën qeveri dhe në shërbim të së njëjtës Shqipëri.
Por një nga monumentet më të bukura të veprës së tij mbeti arsimi. Së bashku me bashkëshorten e tij, atdhetaren dhe arsimtaren e shquar Sevasti Qiriazi-Dako, dhe me Parashqevi Qiriazin, punoi për Institutin Femëror “Kyrias”, i cili u vendos më pas në Kamëz.
Në një kohë kur arsimimi i vajzës shqiptare përballej ende me pengesa të mëdha, ata investonin te gruaja e arsimuar shqiptare dhe te brezi i ardhshëm.
Edhe kjo ishte atdhetari.
Dako e kishte kuptuar se:
një komb nuk ndërtohet vetëm duke mbrojtur kufijtë e tij.
Ndërtohet duke arsimuar njerëzit e tij.
Ai shkroi libra, tekste dhe studime.
Shkroi për shqiptarët, historinë, arsimin dhe çështjen kombëtare.
Dako nuk i shërbeu kombit vetëm në një mënyrë.
Kur duhej, përdori shkollën.
Kur duhej, gazetën.
Kur duhej, librin.
Kur duhej, diplomacinë.
Kur duhej, politikën.
Por gjithmonë për të njëjtin qëllim:
Shqiptarinë.
Prandaj Kristo Dako duhet njohur shumë më tepër në Shqipëri, Kosovë, Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në mërgatën shqiptare.
Jeta e tij na kujton edhe diçka që sot kemi shumë nevojë ta rikujtojmë.
Kombi shqiptar nuk u ndërtua nga njerëz të një besimi, një krahine apo një treve.
U ndërtua nga shqiptarë të besimeve dhe viseve të ndryshme, që ditën ta vendosnin gjuhën, arsimin, lirinë dhe interesin kombëtar mbi ndarjet mes tyre.
Kristo Dako vinte nga tradita e krishterë shqiptare dhe dëshmoi me jetën e tij se besimi dhe shqiptaria nuk ishin kundërshtarë.
Në këto kohë kur kaq lehtë përpiqemi ta ndajmë shqiptarin sipas fesë, krahinës, politikës apo kufirit, figura të tilla na rikujtojnë një të vërtetë të thjeshtë:
Ata që ndërtuan kombin nuk pyetën se në cilën anë të kufirit jetonte shqiptari apo në çfarë mënyre i lutej Zotit.
Pyetën se çfarë mund të bënin për gjuhën, shkollën, lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e tij.
Kristo Dako përgjigjen e dha me jetën e vet.
Me dije.
Me punë.
Me arsim.
Me diplomaci.
Me atdhedashuri.
Kristo Dakon nuk kemi nevojë ta ngremë mbi askënd tjetër për t’i dhënë vendin që meriton.
Mjafton ta njohim.
Mjafton ta lexojmë.
Mjafton të mos e harrojmë.
Kristo Dako është një prej atyre shqiptarëve që meriton shumë më tepër vend në kujtesën tonë kombëtare!