
Saimir Kadiu/
Padyshim nje nga krenarite e katolicizmit shqiptar.
Lindi në Shkodër 125 vjet me pare, me 25 shtator 1901, në një qytet ku historia, besimi, kultura dhe fjala e lirë kishin krijuar një traditë të veçantë shqiptare. U bë jezuit, meshtar, mësues dhe intelektual, por mbi të gjitha mbeti një njeri që nuk pranoi ta shkëmbente ndërgjegjen me sigurinë.
Meshkalla i përkiste asaj Shqipërie të vjetër shkodrane ku shkolla dhe kultura nuk ishin luks, por mënyra për ta ndërtuar njeriun. Ai shërbeu si mësues dhe edukator dhe u lidh ngushtë me traditën e Kolegjit Saverian, një prej institucioneve më të rëndësishme arsimore të Shkodrës.
Pastaj erdhi komunizmi.
Dhe për Meshkallën filloi ajo që do të ishte sprova e vërtetë e jetës.
Ai u arrestua në 1946 dhe u dënua nga regjimi komunist. Burgjet shqiptare nuk ishin thjesht vende ku mbylleshin njerëzit; ishin vende ku regjimi përpiqej të thyente karakterin, besimin dhe dinjitetin.
Por Meshkalla nuk u thye.
Ai kaloi vite në burgje dhe kampe internimi. U përball me hetuesinë, izolimin, urinë dhe poshtërimin. Megjithatë, edhe në kushtet ku njeriu mund të humbiste gjithçka, ai ruajti atë që për të ishte më e rëndësishmja: lirinë e ndërgjegjes.
Një nga tiparet më të fuqishme të figurës së tij ishte pikërisht kjo: ai nuk ishte njeri i zhurmës.
Nuk kishte nevojë të bërtiste për të qenë kundërshtar. Nuk kishte nevojë të mbante armë për të qenë i fortë. Arma e tij ishte fjala, ndërsa mburoja ishte besimi.
Në vitet e errëta të diktaturës, kur institucionet fetare u mbyllën dhe Shqipëria u shpall zyrtarisht shtet ateist, Meshkalla mbeti një nga figurat që mishëruan rezistencën shpirtërore të klerit katolik shqiptar.
Por historia e tij nuk duhet parë vetëm si histori e një jezuiti që vuajti për fenë.
Meshkalla ishte edhe mësues.
Dhe ndoshta këtu qëndron një nga dimensionet më të bukura të jetës së tij. Mësuesi nuk edukon vetëm me librat që hap para nxënësve. Edukon edhe me mënyrën se si sillet kur libri i mbyllet, kur dera e burgut mbyllet pas tij dhe kur pushteti i thotë: përkulu.
Meshkalla nuk u përkul.
Në kujtesën shqiptare ai mbeti një figurë e një lloj fisnikërie morale që regjimi nuk mundi ta konfiskonte.
Në burg, trupi mund të burgosej. Por jo ndërgjegjja.
Kjo ishte beteja e vërtetë.
Pjetër Meshkalla vdiq në vitin 1988, pa e parë rënien e komunizmit, nuk pa hapjen e kishave, nuk pa njerëzit që do të mblidheshin përsëri në sheshe dhe tempuj, nuk pa flamurin e lirisë mbi një Shqipëri që po ndryshonte.
Sot, kur shohim Shkodrën, shkollat, kishat, librat dhe kujtesën e atyre viteve, është e lehtë të harrojmë çmimin që paguan njerëzit për të ruajtur diçka kaq të thjeshtë sa e drejta për të menduar dhe besuar ndryshe.
Pjetër Meshkalla na kujton se diktaturat mund të kontrollojnë institucionet, të mbyllin shkollat, të konfiskojnë librat dhe të burgosin njerëzit.
Por ekziston një territor ku pushteti e ka shumë më të vështirë të hyjë: ndërgjegjja e njeriut.
Dhe ndoshta pikërisht aty, në atë hapësirë të padukshme ku njeriu mbetet vetëm përballë vetes, Pjetër Meshkalla e fitoi betejën e tij më të madhe.
Ai nuk e mundi diktaturën me forcë. E mundi duke mos u bërë pjesë e saj.
Dhe kur një njeri arrin të dalë nga historia pa humbur fytyrën, kujtesa e tij bëhet më e gjatë se jeta.
Pjetër Meshkalla është një nga ata njerëz.
I shkolluar në Linz (Austri), Goricë (Slloveni) dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli (Itali).
U “dekorua” me 15 vjet burg ne vitin 1947, perseri me nje “dekorate” speciale prej 10 vitesh ne vitin 1967 dhe per ta mbyllur me nje internim ne fshatrat e Vlores ne vitin 1978.
Po postoj ne kujtim te pervjetorit # 125 te lindjes se tij letren e guximshme qe i ka shkruar Mehmet Shehut ne kohen e prishjes se kulteve fetare ne vitin 1967…
——————————————————————————–
Kryetarit të Këshillit të Ministrave – Mehmet Shehu Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3IV1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli!
Mendova të drejtohem me kët letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e Autorit, në mos i dorzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj personi o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qëndrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhen, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë!
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kem frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm at efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vjetin 1945, në
Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët:
“Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqsore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit. Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Krytarit të Këshillit të Ministrave – Mehmet Shehu – në Kryeministri –
Tiranë 5 Prill, 1967. Me nderime Pjetër Meshkalla!”