
Mësuese Majlinda Lipi: “Një nga format më të bukura të patriotizmit: të duash gjuhën duke e përdorur, të njohësh kulturën duke e mësuar dhe të respektosh origjinën”.
Intervistoi: Sokol Paja
1. E nderuar mësuese Majlinda, si është organizuar dhe zhvilluar kursi i gjuhës shqipe në Katerini?
Kursi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, funksionon prej 8- të vjetësh. Në vitet e fundit, është zhvilluar gradualisht dhe ka marrë një rëndësi gjithnjë e më të madhe për familjet shqiptare. Në fillim, sfida kryesore ishte t’i afronim fëmijët me gjuhën shqipe dhe t’i bindnim se shqipja nuk është vetëm një gjuhë që flitet në familje, por është edhe një gjuhë që duhet të mësohet, të shkruhet dhe të ruhet.
Sot kemi fëmijë me nivele të ndryshme të njohjes së shqipes. Disa e flasin mirë në familje, ndërsa të tjerë e kuptojnë, por kanë vështirësi në të folur, në lexim ose në shkrim. Për këtë arsye, puna jonë nuk kufizohet vetëm te gramatika dhe leximi. Përpiqemi që gjuha të lidhet me kulturën, historinë, traditat, këngët, letërsinë dhe përvojën e vetë fëmijëve.
Një ndryshim i rëndësishëm në zhvillimin e kursit është edhe mënyra se si zhvillohet mësimi. Kursi ynë zhvillohet online, gjë që na ka nxitur të përdorim metoda dhe materiale më bashkëkohore, të përshtatura me nevojat e fëmijëve të diasporës. Përdorim materiale vizuale, aktivitete krijuese, projekte, prezantime, punë individuale dhe në grup, duke u përpjekur që edhe përmes ekranit fëmijët të jenë aktivë dhe të përfshirë në procesin mësimor.
Çdo orë mësimi online është një mundësi për të folur, për të bashkëpunuar, për të krijuar dhe për ta përjetuar shqipen. Në këtë mënyrë, teknologjia nuk bëhet pengesë, por një mjet që na ndihmon ta afrojmë gjuhën shqipe te fëmijët tanë.
2. Çfarë mbështetjeje kërkoni nga prindërit, institucionet shqiptare dhe shoqatat patriotike në Greqi?
Kursi i gjuhës shqipe “Sevasti Qiriazi” në Katerini është pjesë e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe ka mbështetjen e plotë të saj. Kjo mbështetje është shumë e rëndësishme për ne, sepse na jep mundësinë të punojmë të organizuar, të kemi bashkëpunim me mësues të tjerë të gjuhës shqipe dhe të jemi pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës e kulturës shqiptare në diasporë.
Ajo që do të dëshironim të forconim edhe më shumë është bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin. Prindërit kanë një rol të pazëvendësueshëm, sepse ajo që mësohet në kurs duhet të vazhdojë edhe në shtëpi. Sa më shumë të flitet shqip në familje, të lexohen libra shqip dhe të nxiten fëmijët të komunikojnë në shqip me prindërit dhe gjyshërit, aq më e fortë bëhet puna që zhvillohet në kurs.
3. Cili është ndikimi i kursit të shqipes në rritjen e patriotizmit te fëmijët?
Unë mendoj se ndikimi i kursit është i dukshëm sidomos në mënyrën se si fëmijët fillojnë ta shohin gjuhën shqipe. Në fillim, për disa prej tyre shqipja mund të jetë thjesht gjuha që flasin prindërit ose gjyshërit. Me kalimin e kohës, ajo fillon të bëhet pjesë e identitetit të tyre.
Kur një fëmijë mëson të lexojë një tekst shqip, të shkruajë një poezi, të tregojë një histori nga familja, të mësojë për një figurë shqiptare apo të prezantojë një traditë, ai nuk po mëson vetëm fjalë të reja. Ai po zbulon një pjesë të historisë dhe kulturës së vet.
Për mua, ky është edhe një nga format më të bukura të patriotizmit: të duash gjuhën duke e përdorur, të njohësh kulturën duke e mësuar dhe të respektosh origjinën. Në këtë kuptim, kursi i shqipes bëhet një urë midis brezave. Fëmija mund të komunikojë më mirë me gjyshërit, të kuptojë historinë e familjes dhe të ndihet më i lidhur me origjinën e tij.
4. Si lindi ideja për temën “Shqipja që udhëtoi me ne”?
Tema “Shqipja që udhëtoi me ne” lindi nga realiteti i përditshëm i fëmijëve shqiptarë që jetojnë dhe rriten në diasporë. Shumë prej tyre kanë lindur në Greqi ose kanë ardhur këtu në moshë shumë të vogël. Greqishtja është gjuha që përdorin në shkollë, me shokët, në mjedisin ku jetojnë, ndërsa shqipja është kryesisht gjuha e familjes.
Prandaj mendova se në fillim të vitit shkollor ishte e rëndësishme të mos fillonim menjëherë me rregulla gramatikore apo me detyra.
Doja të fillonim me një pyetje më të madhe: Çfarë vendi ka shqipja në jetën e secilit prej nesh?
Titulli “Shqipja që udhëtoi me ne” lidhet pikërisht me këtë ide. Kur familjet shqiptare u larguan nga Shqipëria dhe shkuan në vende të tjera, nuk morën me vete vetëm valixhet dhe sendet personale. Morën kujtimet, zakonet, këngët, historitë familjare dhe mbi të gjitha gjuhën. Për mua, “udhëtimi” është një metaforë. Shqipja ka udhëtuar nga një vend në tjetrin, nga Shqipëria drejt Greqisë, por edhe nga një brez te tjetri. Ka udhëtuar nga gjyshërit te prindërit dhe nga prindërit te fëmijët.
Ndoshta një fëmijë sot nuk jeton në vendin ku kanë lindur prindërit e tij, por ai mund të dëgjojë ende nga gjyshja: “Eja, bir!”, “Si je?”, “Hajde të hamë!”, “Mirëmëngjes!”. Janë fjalë shumë të thjeshta, por mbartin histori, kujtime dhe marrëdhënie familjare. Prandaj themi se gjuha nuk qëndroi pas kur njerëzit u larguan. Ajo udhëtoi bashkë me ta.
5. Çfarë vështirësish hasin fëmijët shqiptarë që rriten në Greqi?
Fëmijët e diasporës jetojnë në një realitet gjuhësor të ndryshëm nga ai i fëmijëve që rriten në Shqipëri. Ata mund të dëgjojnë shqip në shtëpi, por pjesën më të madhe të ditës komunikojnë në greqisht. Prandaj mund të ndodhë që një fëmijë:
· ta kuptojë mirë shqipen, por të ketë vështirësi në të folur;
· të flasë shqip në familje, por të ketë vështirësi në shkrim;
· të ketë fjalor të kufizuar;
· të ndihet më i sigurt kur flet greqisht;
· të ketë frikë se mos bën gabime në shqip.
Dhe këtu mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm si mësues. Fëmija nuk duhet të ndihet i gjykuar sepse nuk e di një fjalë shqip. Përkundrazi, duhet ta ndihmojmë ta zbulojë atë fjalë.
6. Roli i familjes në mësimin e gjuhës shqipe?
Familja ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, por në shumë raste vetëm komunikimi i përditshëm nuk mjafton për zhvillimin e plotë të gjuhës. Fëmija mund të komunikojë në shqip për gjërat e përditshme, por të ketë nevojë për mbështetje të veçantë për leximin, shkrimin, pasurimin e fjalorit dhe ndërtimin e fjalive. Prandaj kursi i gjuhës shqipe plotëson atë që familja nuk mund ta bëjë gjithmonë vetëm. Familja e mban gjuhën gjallë në jetën e përditshme, ndërsa shkolla e ndihmon fëmijën ta zhvillojë dhe ta pasurojë atë.
7. Çfarë mesazhi do t’u jepnit prindërve dhe nxënësve?
Do t’u thosha prindërve të mos presin që fëmija të mësojë shqipen vetëm në orën e kursit. Një apo dy orë në javë janë të rëndësishme, por nuk janë të mjaftueshme pa mbështetjen e familjes. Edhe nëse prindi nuk ka kohë të bëjë ushtrime me fëmijën, mund të krijojë momente të vogla në shqip.
Një bisedë, një përrallë, një këngë, një telefonatë me gjyshërit, një histori nga fëmijëria e prindërve – të gjitha këto janë pjesë e mësimit. Fëmijëve u them: mos mendoni se shqipja është vetëm një gjuhë që duhet ta mësoni. Mendoni se është një gjuhë që ka bërë një udhëtim të gjatë për të ardhur deri tek ju. Ka ardhur nga prindërit, nga gjyshërit, nga historitë e familjes suaj. Dhe tani ju keni mundësinë ta mësoni, ta flisni, ta pasuroni dhe një ditë t’ua përcillni edhe fëmijëve tuaj. Sepse udhëtimi i shqipes nuk mbaron me ne.