
Virgjil Kule/
Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës sipas premtimit të Lekë Zaharisë, zot i atij qyteti. Statutet e Shkodrës dhe ndikimi i tyre në këtë aferë politike. Ndryshe nga dokumentet juridike standarte të botës italike, statutet e Shkodrës kishin karakter të theksuar hibrid duke respektuar në mënyrë eksplicite zakonet lokale të fqinjëve dalmatë e shqiptarë dhe institucionet e tyre si psh. institucioni i besës (dmth i sigurise individuale dhe kolektive), i pronës, etj. Kjo bënte që feudalet fqinje ta shikonin Shkodren si një “safe haven” për veten dhe familjet e tyre në rast konfliktesh me njeri tjetrin ose me osmanët. Me fjalë të tjera, Statutet kishin krijuar kushtet juridike për pushtime paqësore nëpërmjet të ashtuquajturit absorbimit kontraktor ose përthithjes kontraktore.
Një episod domethënës që lidh historikisht Statutet e Shkodrës me një rast absorbimi ose përthithjeje të një principate shqiptare është episodi i vrasjes (krim pasioni) nga Nikollë Dukagjini i Lekë Zaharisë, zot i qytetit të Danjës. Vdekja e këtij të fundit krijoji konfliktin e parë midis Skënderbeut dhe Venedikut. Në Kuvendin e Lezhës, Lek Zaharia ia pati premtuar Danjën Skënderbeut dhe Lidhjes së Lezhës, por Venediku nxitoi ta merrte atë në zotërim duke joshur të ëmën e Lekës, Bosën, trashëgimtare e pronave të Zaharisë. Asaj iu ofrua një jetë e qetë dhe komode në qytetin e Shkodrës mbi bazën e klauzolës së Statuteve te Shkodrës që bënte fjalë për “liritë e të huajve për të ardhur e për t’u vendosur në atë qytet”mbi bazen e nje kontrate përthithëse ose sic thuhet në Statutet, në dialektin venecian: “De liberta de li forestieri a venir nella citta nostra a star”.
Juristët venecianë vrapuan te Bosa për t’i mbushur mendjen se vdekja e të birit, i cili pati marre qytetarine veneciane ne vitin 1442, përbënte një moment juridik trashgimie të tipit testament në favor të shtetit venecian. Ne fakt kjo nuk mjaftonte. Për ta joshur përfundimisht , ata i paraqitën asaj edhe faksimilet e pronës Zaharia të cilën e kishin regjistruar paraprakisht në Regjistrin Kadastral, në aktet e gjykatës dhe në arkivin e dhomës thesarit të qytetit të Shkodrës. Në zbatim të statuteve të Shkodrës ata i paraqitën gjithashtu te zbardhur vendimin e gjykatës së qytetit për një pension të majmë vjetor dhe për detyrimin e sigurimit të jetës së saj nëpërmjet aktit që e vendoste rezidencën e saj brenda mureve mbrojtëse të Shkodrës.
E gjendur para fakteve proceduriale të kryera në fshehtësi e me shpejtësi, ndoshta me hir a ndoshta me pahir, por më shumë besohet me hir, e joshur nga siguria për jetën dhe kushtet komode që premtoheshin, Bosa e nënshkroi kontratën. Në janar 1445 ajo i dorëzoi zyrtarisht Danjën, Shatin, Gjadrin e Dushmanin guvernatorit të Shkodrës Francesco Querini.
Pra kemi të bëjmë me një rast të pastër absorbimi kontraktor të cilin e mundësuan më së miri Statutet tepër elastike dhe hibride të Shkodrës. Dokumentat ishin qepur aq saktë sa Skënderbeut nuk i mbetej asnjë shteg juridik për të pretenduar Danjën sipas premtimit të Lekë Zaharisë. Dha e mori për dy vite rresht për të legalizuar premtimin e Lek Zaharisë, por dokumentet juridike të venecianëve ishin të pakundërshtueshme.
Atehere Skënderbeu vendosi të marrë me luftë atë që nuk e mori dot në rrugë ligjore. Ai e rrethoi qytetin e Danjës në fund të vitit 1447, por kjo eshte nje histori tjeter, vazhdimin e se ciles e gjeni te libri im per Gjergj Kastriotin.
Vetë Bosa nuk i gëzoi gjatë privilegjet e fituara në bazë të Statuteve të Shkodrës. Ajo vdiq në vitin 1448 gjatë një zjarri të madh që ra në Shkodër.