
Akademik Emeritus Gjovalin Shkurtaj/
Në këtë përmbledhje janë përfshirë pjesë të zgjedhura nga kërkimet dhe studimet e mia rreth onomastikës shqiptare, fushë sëcilës, krahas dialektologjisë dhe sociolinguistikës, gjatë viteve të punës, si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe si pedagog në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, po edhe mbas daljes në pension, u kam kushtuar hulumtime, artikuj, kumtesa, si dhe librat e mi: “Onomastikë dhe etnoligustikë” (SHBLU, Tiranë, 2001 (288 f.), “Onomastikë dhe etnoligustikë” (botimi i dytë, i rivështruar dhe i pasuruar), Botime Universitare “ALBAS”, Tiranë, 2017 (291 f.) dhe “Enigma e emrave” (Përzgjedhja e emrit, shkurtimet ledhatuese dhe nofkat. Fjalorë shkurtimesh dhe emrash të pëlqyeshëm), Botime “Naimi” 2017 (f.301).Prej tyre, si dhe nga hulumtime të tjera në lëmin e etnolingustikës, po përzgjedhim (e po i përfshijmë në një vëllim më vete) pjesët më të rëndësishme, të cilat, ndërkaq, edhe kërkohen si mbështetje e studimeve të reja në lëmin e emrave tëvendeve e emrave vetjakë të shqipes, po dhe si literaturë kryesore në lëndën e onomastikës, që është pjesë programeve mësimore të fakulteteve filologjike në universitetet shqiptare. Natyrisht edhe për arsye të një botimi përfundimtar e duke bërë ,me këtë rast, edhe disa plotësime, shtesa endonjë “krasitje” të ndonjë rimarrjeje a përsëritjeje.
Falënderoj akademikun e nderuar, prof. dr. Shaban Sinanin, për gatishmërinë që tregoi për ta redaktuar këtë libër, si dhe për fjalët e vlerësimet e tij të shprehura në parathënien e botimit të parë tëlibrit “Enigma e emrave”, për të cilat i shpreh miradije e respekt.
Falënderimi im shkon dhe për ish-studentët e mi të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, të cilët, në rrjedhë të viteve, nëpërmjet detyrave të kursit në lëndën e sociolinguistikës, të kryera me ideimin e nën drejtimin tim, si dhe me anketime të ndryshme, më kanë sjellë shembuj ose saktësime interesante për emra të veçantë e sidomos për nofkat e zhargonit rinor e studentor.
Falënderoj të gjithë miqtë e të njohurit e shumtë, bashkëvendës, kolegë, njerëz të rrethit tim shoqëror e familjar, të cilët, gjatë viteve që punoja për grumbullimin e lëndës, si dhe sa herë më është dashur (edhe gjatë gatitjes së librit për shtyp), janë treguar të gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve e anketimeve të mia lidhur me zbunimet e emrave të vet ose të njerëzve të tjerë, të njohur prej tyre.
***
Prej kohësh në studimet albanologjike të dhënat e onomastikës dhe hulumtimet e shqyrtimet e hapëta rreth emrave të vendeve (toponimeve) dhe emrave të njerëzve (antroponimeve), bashkë me emrat familjarë (patronimet), kanë përbërë një mëtim të lakmueshëm për studiuesit më në zë. Madje, nuk mund të mos themi se, në hapat e parë të kërkimeve rreth shpjegimeve historike për gjuhën shqipe dhe në fazat e hershme të zhvillimit të saj, kanë qenë pikërisht emrat e vendeve dhe përgjithësisht onomastika e përmendur nëpër mbishkrime, pastaj edhe në shkrime të ndryshme, që kanë pasur rolin e dëshmuesve të pranisë së shqipes e të shqiptarëve në trojet e tyre të sotme. Mjafton të përmendim se shumë nga shpjegimet serioze rreth historisë së gjuhës shqipe e, madje, edhe për historinë e popullit shqiptar si vijues i ilirëve, të kulturës e të traditave shqiptare si trashëguese e vijuese të pandërmjetshme të kulturës, gjuhës e të historisë ilire, nga lashtësia deri në mesjetë e në ditët tona, janë shestuar, zhdavaritur e mbështetur sa me gërmimet arkeologjike, aq edhe me të dhënat e onomastikës iliro-shqiptare.
Onomastika ka qenë gur themeli e lëndë e parë me rëndësi parësore në të gjitha hulumtimet e shqyrtimet historiko-gjuhësore rreth iliro-shqiptarëve, së pari, për albanologët e huaj e arbëreshë, pastaj (në hullinë e tyre e me përmasa përherë e më të gjera) edhe për studiuesit shqiptarë. Në radhën e brezit të ri të gjuhëtarëve shqiptarë do të mëkëmbej sidomos “reparti mbledhës” i toponimisë dhe i antroponimisë së trevave shqiptare dhe, mbi atë lëndë, do të shestoheshin e kryheshin ndërmarrje të tjera studimore me interes e me prurje të reja. Për një kohë të gjatë e me ndihmesa të rëndësishme, onomastikës shqiptare i kanë kushtuar rreshta të shumtë dy mjeshtrat e mëdhenj të historisë së gjuhës shqipe: prof. Eqrem Çabej, në Tiranë, që u priu mbarë studimeve tona, duke bërë rishqyrtimin kritik të asaj çka ishte thënë (herë mbarë e herë pa baza) nga studiuesit e huaj, po edhe zbatoi për herë të parë ndër ne një metodë pune, ku gërshetoheshin kundrimet nga shumë anë për të mbështetur e mbërritur në etimologjitë e sakta apo, në mos tjetër, sa më të pranueshme të toponimeve shqiptare; dhe prof. Idriz Ajeti në Prishtinë, i cili, gjithashtu, vuri gurë themeli në ngrehinën e studimeve objektive kushtuar onomastikës shqiptare.
Me raste të ndryshme dhe me trajtesa të rëndësishme onomastikës i janë kushtuar kumtesa, referime e artikuj edhe nga jo pak studiues të tjerë të mirënjohur. Vlejnë të përmenden ndihmesat e M. Domit, A. Kostallarit, Kolë Lukës e Palok Dakës, pastaj edhe të shumë të tjerëve. Hullitë e mbara të mjeshtrave të albanologjisë në fushën e onomastikës shqiptare, për fat të mirë, po ndiqen nga një numër i mirë studiuesish shqiptarë këtej e përtej kufijve të RSH-së.
Në një numër studimesh, toponimia shqiptare vijon të jetë si mbështetje për autoktoninë e shqiptarëve në trojet e veta, si dhe përgjithësisht për lidhjet e ngushta të onomastikës me historinë e gjuhës shqipe ku mund të veçonim disa artikuj problemorë të S. Mansakut, si p.sh. “Autoktonia e shqiptarëve në dritën e të dhënave të toponimisë së lashtë”. Po ashtu meritojnë vëmendje të veçantë disa trajtesa të Rexhep Ismajlit, si “Disa çështje të onomastikës shqiptare të mesjetës” dhe “Mbi disa toponime në Serbi të Jugut dhe në Maqedoninë e Veriut” (GjA., 1-2, 1970) etj. Përmendim edhe “Studime për onomastikën historike” të Fran Lulit (Shkodër, 2005), “Trajtesa onomastike” të Bahtiar Kryeziut (Prishtinë, 2010); pastaj një varg librash e trajtesash kushtuar standardizimit të onomastikës, ku shquajnë botimet e Begzad Baliut, si: “Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës” (Tiranë, 2006); “Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan” (Prishtinë, 2004) dhe “Onomastikë dhe identitet” (Prishtinë, 2012).
Shqyrtime interesante dhe me rezultate të tumirueshme për onomastikën shqipe të anëve të Ulqinit e më gjerë të trevave shqiptare në Mal të Zi ka sjellë në këta dhjetëvjeçarët e fundit edhe Ruzhdi Ushaku. Kemi parasysh, sidomos, librin e tij “Ulqini në gjurmët e shekujve”, Ulqin, 1991 dhe studimin “Një rishqyrtim i prejardhjes së hidronimit Buna” (“Filologji”, 1997, nr. 4) dhe “Hulumtime etnolinguistike” (Prishtinë, 2000) e “Ulqini në përmasa kërkimi e frymëzimi” (Ulqin, 2010).
Ndihmesë me rëndësi në studimin e onomatikës shqiptare përbën edhe Simpoziumi Shkencor i mbajtur më 25-27 shkurt 1977 nga Institutit Albanologjik i Prishtinës, ku u shqyrtuan probleme me rëndësi të toponimisë së lashtë, të onomastikës mesjetare e të onomastikës së sotme. Në këtë Simpozium u mbajtën 45 kumtesa e referime shkencore nga studiues të Institutit Albanologjik të Prishtinës, nga pedagogë të Fakultetit Filozofik e të disa fakulteteve të tjera të Universitetit të Prishtinës, si edhe nga Enti i Historisë së Kosovës, nga Shkolla e Lartë Pedagogjike e Prishtinës dhe e Prizrenit, nga shumë të ftuar të tjerë nga trevat shqiptare e më gjerë. Lënda e vlefshme e këtij Simpoziumi është botuar në vëllimin “Onomastika e Kosovës” (Prishtinë, 1979, 624 faqe), të cilit edhe i jemi referuar shpesh në studimet tona të mëparshme, si edhe në faqet e këtij libri. Shtojmë se, me rëndësi të tillë është edhe përmbledhja me titull “Toponimia e Gjakovës me rrethinë” (Gjakovë, 2002), ku janë përmbledhur kumtesat e tryezës shkencore të mbajtur më 4 maj 2001, një botim serioz me redaksinë e përbërë nga akad. Besim Bokshi, prof.dr. Qazim Lleshi, prof.dr. Edi Shukriu, prof.dr. Shefki Sejdiu, prof.dr. Rexhep Doçi, prof.dr. Masar Rizvanolli dhe Mevlude Saraçi.
Përmbledhja përmban një numër të madh kumtesash me rëndësi teorike e praktike rreth onomastikës, si: “Kontribut për ndriçimin e toponimisë së një treve me rëndësi” (nga M.Rizvanolli), kushtuar emrave të vendbanimeve të Gjakovës; “Standardizimi i emrave të venbanimeve të Kosovës” (Jusuf Osmani); “Rreth disa parimeve emërtuese të toponimisë së Kosovës” (Shefki Sejdiu); “Standardizimi i onomastikës së Kosovës dhe universi i saj” (Begzad Baliu); “Rreth disa emërvendeve me burim të shqipes në disa anavende të Kosovës” (Abdullah Zymberi); “Trashëgimia arkelologjike në kontekst të ndryshimeve të toponimeve (Komuna e Gjakovës)” (Edi Shkuriu); “Të dhënat arkeologjiko-toponimike për trevën e Gjakovës” (Exhlale Dobruna-Salihu); “Çështje të onomastikës së Gjakovës” (Qazim Lleshi); “Mbi disa toponime të rrethinave të Gjakovës” (Latif Mulaku); “Rreth prejardhjes së toponimit Gjakova dhe të disa toponimeve të Komunës së Gjakovës (Rexhep Doçi); “Disa çështje të oronimisë dhe të hidronimisë” (Ruzhdi Pllana); “Tipet e fjalëformimit të emërvendeve në rrethinën e Gjakovës” (Mehmet Halimi); “Onomastika e disa vendbanimeve mesjetare të arealit të Gjakovës” (Sipas defterëve osmanë të shek.XV-XVI) (Iliaz Rexha); “Përkime onomastike të regjionit të Prokupljes dhe të atij të Gjakovës…” (Sabit Uka); “Toponimet e Gjakovës” (Abdullah Konushevci); “Disa të dhënë rreth toponimisë së Dushkajës” (Skënder Hoxha); “Toponomastika e Hasit të Gjakovës” (Hysni Halilaj-Bedri Muhadari); “Një vështrim për disa vendbanime të Hasit në veprën e Milenko Filipoviqit” (Sabri Rexhepi).
Përmbledhja ka edhe një numër diksutimesh e ndihmesash të tjera me interes nga kjo fushë. Nga lënda e botuar në vëllime më vete meritojnë të përmenden kryekreje librat e H.Krahe-s “Die altern balcanillyrischen geographischen Namen”, Heidelberg, 1925; i E. Armao-s “Localita’, chiese, fiumi, monti e toponimi vari di un’ antica carta dell’ Albania Settentrionale”, Roma, 1933 dhe “Acta et Diplomata Veneta…” botuar nga Zef Valentini, të cilave nuk mund të mos u referohet cilido që ia hyn punës në lëmin e onomastikës shqiptare. Për pasurinë e madhe e të larmishme përmendim edhe “Fjalori onomastik i Epirit” (Tiranë, 1995) i Fatos M. Rrapajt, ku përmblidhen toponimet dhe patronimet e Çamërisë dhe të trevave të tjera të Shqipërisë Jugore, një punë me të vërtetë madhore e me vlerë; “Fjalor biblik dhe i termave kishtarë” (Shkodër, 2004) i Fran Lulit. Me interes e prurje të pasura është edhe përmbledhja “Velça-Toponimia dhe antroponimia” (Tiranë, 2003) nga Lilo D. Nuraj. Lëndë të vlefshme onomastike kanë pasur edhe gati të gjitha monografitë e skicat dialektologjike të botuara në revistat dhe në përmbledhjet shkencore të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë (“Buletini i Shkencave”, “Studime Filologjike”, “Dialektologjia Shqiptare”(I-VI) dhe në botimet e Institutit Albanologjik të Prishtinës (“Gjurmime Albanologjike”, “Studime Gjuhësore-Dialektologji”) etj.; mjaft lëndë onomastike dhe shkrime për këtë fushë ka botuar në Kosovë edhe revista “Përparimi”.
Mund të përmendim, në mënyrë të veçantë, ndihmesat e një numri studiuesish të dhënë pas hulumtimeve në lëmin e onomastikës së Kosovës e më gjerë, si S. Gashi, M. Pirraku, M. Halimi, H. Kajtazi, L. Mulaku, A. Zymberi, Q. Murati etj., të cilët, krahas (e në shërbim të) punës kërkimore shkencore në drejtimet përkatëse, për vite me radhë, nuk iu reshtën hetimit e mbledhjes në terren të toponimeve e të antroponimeve shqiptare. Pa përmendur lëndën e mbledhur e të pabotuar, por të depozituar në arkivat e sektorëve shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, që urojmë të botohet një ditë, studiuesve të lartpërmendur u detyrohen prurje të rëndësishme onomastike nga një numër i madh katundesh e krahinash të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi etj., ku kanë bërë ekspedita kërkimore.
Shohim me kënaqësi se, edhe në vitet e fundit, onomastika ka pasur vendin e duhur në hetimet dhe trajtesat shkencore, si në qarqet shkencore e universitare të Shqipërisë, ashtu edhe në Kosovë e më gjerë, në qendrat shkencore e universitare të hapësirave shqiptare ballkanike. Me vlerë të veçantë për t’u përmendur janë, ndër të tjera, një numër studimesh rreth onomastikës shqipe të trevave të Kosovës e të Maqedonisë, si shqyrtimet onomastike nga M. Halimi, botuar në revistat shkencore dhe, pjesërisht, të përfshira edhe në librin e tij “Vështrime gjuhësore”, 1993 të Qemal Muratit, prej të cilave veçojmë librin e tij “Dëshmi onomastike për autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Maqedoni”, 1993.
Kanë qenë të mirëseardhura, këto vitet e fundit, një numër i mirë studimesh monografike, kryesisht disertacione për gradën e doktorit të shkencave filologjike, me anën e të cilave pothuajse është plotësuar një areale e hapët, ndoshta edhe gati shteruese, e hetimeve dhe e përshkrimeve dialektologjike dhe onomastike të trevave shqiptare në Kosovë e në Maqedoni. Po përmend, me këtë rast, se kam lexuar dhe vlerësuar me kënaqësi monografinë “Onomastika e Hashanisë” të Baftjar Kryeziut nga Gjilani. Me mjaft interes kam ndjekur edhe disa studime e teza doktorate të kohëve të fundit nga studiues shqiptarë të trevave të Maqedonisë, nga të cilat janë për t’ u përmendur kërkimet e Haki Ymerit “Patronimet dhe mikrotoponimet e regjionit te Lipkovës” 1985 dhe “Mikrotoponimet e regjionit të Markova Rekës”, si edhe një studim doktorate të Xhemaludin Idrizit “Mikrotoponmia e Karshiakës së Shkupit” (2003). Një studim të gjerë ka kryer e botuar edhe Izmit Durmishi në temën e tij të masterit me titull “Vëzhgime gjuhësore mbi toponiminë dhe antroponiminë e Pollogut të Epërm të Gostivarit” (Gostivar, 2008).
Po ashtu, nga botimet e këtyre viteve të fundit te ne, mund të veçojmë librat e Jusuf Shpuzës “Vëzhgim për emrat familjarë të shqiptarëve” (Shkodër, 1998) dhe “Përsiatje onomastike” (Shkodër, 2008). Po ashtu edhe librin “E folmja dhe toponimia e Qeparoit” (Tiranë, 2001) nga Natasha Sotiri.
Me vlerë njohëse dhe kodifikuese për drejtshkrimin e emrave të vendeve kanë qenë, në këto vitet e fundit, edhe “Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë” (Tiranë, 2002), hartuar nga Emil Lafe e Nikoleta Cikuli; “Fjalor onomastik i Malësisë së Bujanovcit” (Prishtinë, 2006) nga Bahtiar Kryeziu; “Mikrotoponimet në vendbanimet shqiptare të rrethit të Prilepit, Krushevës dhe Velesit” (Shkup, 2010) nga Mustafa Ibrahimi dhe “Fjalor i patronimeve të shqiptarëve” (Tiranë, 2011) nga Çlirim Bidollari.
Shumë vjet më parë, në kohën kur punoja në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, jam marrë për një periudhë bukur të gjatë me problemet teorike dhe metodike të studimit të onomastikës shqiptare. Ishte koha kur mbledhja e toponimeve në trevat shqiptare shtrohej si detyrë e ngutshme shkencore, po edhe kombëtare, detyrë të cilën, krahas gjuhëtarëve specialistë, duhej ta kryenin edhe arsimtarë e dashamirë të shqipes nga rrethet që mund të mos i kishin përgatitjen e dijet e nevojshme për një punë të tillë, porse kishin dëshirën e mirë e gatishmërinë për të kryer një punë vullnetare në të mirë të kulturës kombëtare e të shkencës sonë. Për t’u ardhur në ndihmë mbledhësve, po edhe për t’i orientuar sadopak kërkimet në fushën e onomastikës, aso here qenë bërë edhe jo pak veprimtari e seminare teoriko-praktike në Tiranë e në disa zona më kryesore, si edhe një “fushatë shkencore” në shtyp e në radiotelevizionin shqiptar.
Dua të kujtoj se, bashkë me të ndjerin prof. Mahir Domi, që drejtonte Sektorin tonë të gramatikës e të dialektologjisë, kemi shkruar disa artikuj dhe një “Pyetësor për mbledhjen e toponimisë shqiptare”. Në një sesion shkencor të organizuar në Kabash të Pukës pata mbajtur edhe një kumtesë ku shtroja pikërisht disa probleme teorike dhe metodike të studimit të onomastikës shqiptare. Ndërkaq, “mikrobi” i shqyrtimeve dhe i hulumtimeve në fushën e onomastikës, ndonëse pa qenë i dhënë mirëfilli pas asaj dege, nuk do të më hiqej asnjëherë. Kam shkruar më se një herë për dyzimet e emrave të njerëzve, që kanë si shkak zbunimin dhe faktorë të tjerë shoqërorë, duke kaluar, me kohë, në trajtimin e tyre si një pjesë e rëndësishme e sociolinguistikës shqiptare, kam bërë shqyrtime semantike dhe strukturore rreth toponimisë shqiptare si dhe, pa u ndjerë, kam vijuar gjithnjë të ndjek, të shënoj e të hulumtoj rreth onomastikës sonë. Më vjen mirë se, ndërkaq, gjithandej këta dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit, ka pasur një shtim të dukshëm jo vetëm të lëndës së mbledhur e të botuar, po edhe të studimeve e, sidomos, të doktoratave të mbrojtura me tema nga fusha e onomastikës.
Shpresoj që onomastika shqiptare të jetë edhe më tej në vëmendjen e studiuesve shqiptarë dhe të dhënat e dëshmitë e rëndësishme të saj të përdoren me fryt për t’i shpënë më tej piketat e shpjegimeve, shqyrtimeve dhe argumentimeve rreth historisë së gjuhës shqipe. Këtij mëtimi madhor të shkencave albanologjike synon t’u bashkohet, natyrisht në mënyrë modeste, edhe kjo parashtresë që po ua vëmë në dorë lexuesve të nderuar.