
Gëzim Mekuli/
Këshillë miqësore për të rinjtë e moshës 15 – 30 vjeçare: Mos e shih veten me sytë e të tjerëve, qoftë të francezëve, serbëve, italianëve, rusëve, amerikanëve, apo të kujtdo në botë. Mos lejoni kalbjen e trurit nga mediat, që nuk dihet kush i financon, e as nga librat e shkruara nga gjysmakë e të porositura nga lobet e ndryshme kundërshqiptare.
Një komb që kërkon vlerësim nga jashtë, pa qenë i sigurt në vetvete, rrezikon të humbasë thelbin e tij. Ne duhet të jemi ata që jemi, me dinjitet dhe vetëdije të plotë për identitetin tonë shqiptar. Populli shqiptar ka mbijetuar ndër shekuj jo rastësisht, por sepse ka ruajtur tri shtylla themelore: gjuhën shqipe, ndjenjën kombëtare dhe simbolin e përbashkët; flamurin. Këto nuk janë thjesht elemente kulturore e as peshqeshe të Brukselit, por janë dëshmi e vazhdimësisë sonë historike dhe e qëndresës përballë përpjekjeve për copëtim e asimilim.
Kosova si shtet është realitet i fituar me sakrificë, gjak dhe përkushtim të jashtëzakonshëm të shqiptarëve; jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës, por me sakrificën dhe gjakun e shqiptarëve nga të gjitha trevat ku ka shqiptarë, apo jo?
Prandaj, Kosova si shtet është e pamundur të kuptohet apo të ekzistojë jashtë kontekstit të identitetit shqiptar. Shqiptarët janë shumica dërrmuese (94%) dhe bartësit kryesorë të shtetformimit, të institucioneve dhe të vetë jetës politike e shoqërore në Kosovë. Kjo nuk është thjesht një çështje emocionale apo dëshire, por një fakt demografik, historik dhe gjeopolitik.
Megjithatë, duhet treguar kujdes në mënyrën si përfaqësohemi simbolikisht. Flamuri i Kosovës përfaqëson shtetin, ndërsa flamuri kombëtar shqiptar përfaqëson identitetin tonë historik dhe etnik. Ndarja e këtyre dy simboleve nuk duhet të krijojë konfuzion apo dobësim të vetëdijes sonë kombëtare. Përkundrazi, ato duhet të bashkëjetojnë si dëshmi e një realiteti të dyfishtë: shtetësisë së Kosovës dhe përkatësisë shqiptare.
Në aspektin gjeopolitik, ruajtja e këtij ekuilibri është thelbësore. Një Kosovë e shkëputur nga identiteti shqiptar rrezikon të dobësohet në planin afatgjatë, ndërsa një vetëdije e fortë kombëtare e shqiptarëve në Kosovë e bën shtetin më të qëndrueshëm dhe më të qartë në orientimin e tij strategjik.
Prandaj, forca e Kosovës qëndron pikërisht te shqiptarët e saj; te gjuha, kultura, historia dhe ndërgjegjja kombëtare. Këto janë garancia më e madhe që ky shtet do të qëndrojë i fortë, i qëndrueshëm dhe i pathyeshëm.
Rroftë Kosova dhe rroftë kombi shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të saj.