
PROF. ASSOC. DR. TEKI KURTI
UNIVERSITETI I TIRANËS/
Në fondet arkivore të Arkivit Qendror të shtetit shqiptar ndodhen mijëra dokumente që hedhin dritë dhe dëshmojnë që Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (KMKK) gjatë viteve 1918-1920 ishte një ndër organizatat politike më të rëndësishme në Shqipëri për detyrat që shtronte në programin e saj.
Në mijëra faqe arkivore, dëshmi, spikat emri i drejtuesit atdhetar e mendjendritur, Hoxha Kadriut po edhe i Hasan Prishtinës, Sali Nivicës, Bajram Currit, Hysni Currit, Bedri Pejanit, Aqif Pashë Elbasanit, Elez Isufit etj. etj.
Po në arkiv, krahas mijëra dokumenteve në gjuhën shqipe, frënge e turke gjendet edhe fondi i zëdhënëses së ideve, programeve dhe thirrjeve që Komiteti shtronte para opinionit publik, organi më përparimtar i atyre viteve, gazeta “Populli” që u botua në Shkodër nën drejtimin e Sali Nivicës.
Ky fond arkivor është i mbushur me dokumenta, me protesta, memorandume, promemorje, statistika që lidhen me përpjekjet diplomatike të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në fond gjenden thirrje pa fund drejtuar “popullit shqiptar të Kosovës” për organizim në çdo aspekt, për të dokumentuar me fakte politikën shoviniste antishqiptare të gjenocidit e shfarosjes në masë si dhe të shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve prej qarqeve të Beogradit.
Në fokus del qartë qëndrimi i prerë për njohjen e Shqipërisë pa protektorate të huaja si dhe bashkimi me të i të gjitha qyteteve e krahinave që në shumicë ishin popullsi shqiptare por që ishin aneksuar e pushtuar nga Serbia e Mali i Zi që më 1912. Mbi këtë aspiratë kryesore jam munduar dhe unë të paraqes punimin tim të mbështetur vetëm në fondet arkivore të shtetit shqiptar.
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në Shqipëri, më 1 maj 1918. Ky Komitet u krijua ende pa përfunduar Lufta e Parë Botërore, në kushtet kur shteti i pakonsoliduar shqiptar ishte pushtuar nga ushtritë e Fuqive të Mëdha dhe ato të monarkive shoviniste fqinje, të cilat likuiduan në fakt shtetin e pavarur shqiptar. në këto çaste tepër kritike për kombin shqiptar, krahas forcave të tjera atdhetare, doli hapur me një program ambicioz që synonte parasëgjithash bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, Komiteti MKK.
Kjo pikë e platformës politike është fiksuar në pikën e parë të programit themeltar të Komitetit MKK, ku thuhet “Me u përpjekë para pushteteve të mëdha të Antantës, me kërkue bashkimin e krahinavet të Kosovës (Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, Kaçanik, Frejzoviq, Gilan, Prishtinë, Vulcitrin, Mitrovicë, Jeni Pazar, Rozhajë, Pejë, Plavë, Gusi, Xhakovë, Prizren) në Shqipëri të Lirë e veturdhënuese”.
Për arritjen e këtij synimi madhor, në radhët e Komitetit bënin pjesë përfaqësues të inteligjencies me integritet atdhetar e demokratik, si Kadri Prishtina (i njohur me emrin Hoxha Kadriu), Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Sali Nivica, Bajram Curri etj.
Komiteti për të arritur synimet e tij mbarëkombëtare e shtriu organizimin e tij nga Shkodra në Durrës, Tiranë, Dibër, Prizren, Ferizaj, Prishtinë, Shkup, Pejë, Vuçitern, Gjilan, Rahovec etj.
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, që të fuqizonte veprimtarinë e tij atdhetare në shërbim të çështjes kombëtare, me anë të një thirrje që mban datën 22 dhjetor 1918, i drejtohet gjithë popullit shqiptar të Kosovës, ku e ve theksin se “po afron dita që ka me caktue fatin e vendlindjes s’onë, të dashtunës e të mjerës Kosovë”.
Komiteti vazhdon thirrja “ka me iu lut çdo kosovari me mbledh ndihma në të holla dhe me i dërgu në emër të dr. Hoxha Kadri Prishtinës, si kryetar i Komitetit me qendër në Shkodër”, njëkohësisht thirrja kërkonte statistika të popullsisë si dhe autorizim nga çdo krahinë që Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” t’i besohej çdo veprim që i përmbahej bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Për jetësimin e veprimtarisë së tij Komitetit i kanë ardhur në ndihmë veç të tjerash edhe me ndihma financiare nga mjaft patriotë nga Shqipëria, kështu me anë të shkresës së mban datën 9 nëntor 1919, ku kryetari i Komitetit Hoxha Kadriu falenderon nxehtësisht atdhetarin elbasanas Aqif Pashën për mbështetjen e vazhdueshme patriotike si dhe për mbështetjen financiare të tij.
Për bashkimin e trojeve shqiptare me shtetin shqiptar, Komiteti MKK krahas veprimtarisë diplomatike filloi dhe organizimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare (kaçake) e cila do të çlironte Kosovën dhe viset e tjera shqiptare nga zgjedha jugosllave. Për këtë ky Komitet hartoi më 1919, Programin e Përgjithshëm të Kryengritjes së Kosovës.
Ky program parashtronte parimet e luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri, mbështetur në parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Hartuesit e programoit ishin treguar të kujdesshëm që në luftë, luftëtarët e lirisë, barbarisë serbe të mos i përgjigjeshin me barbari, kështu luftëtarëve shqiptarë u ndalohej që “përveç luftës ndaj atyre shkjeve që ishin me armë kundra çështjes shqiptare, të mos digjej e rrënohej asnjë shtëpi apo kishë dhe të mos dhunoheshin trupat e armikut të vramun”.
Lëvizja Nacionalçlirimtare, e njohur me emrin “lëvizja kaçake” u zhvillua gjatë viteve 1918-1928 dhe si qëllim kryesor pati luftën për çlirim kombëtar të shqiptarëve të Kosovës nga robëria jugosllave.
Kështu çetat e para të armatosura udhëhiqeshin nga Azem Galica, Sadik Rama, mehmet Konjuhi, Keri i Sadri Bardhit, Vëllezërit Bajçinovci, në Strugë nga Abdullah Bojku, në Kërçovë nga Vëllezërit Kalosh e Lazan Dani – Zajazi, në Manastir nga Xheladin Limani etj.
Kryengritja kaçake filloi në tetor 1918 dhe mori përmasa në pranverën e vitit 1919. Mund të përmendim si përpjekjet më të rëndësishme luftarake, betejat e zhvilluara nën udhëheqjen e Azem e Shote Galicës në Drenicë e në Podgor nën udhëheqjen e Sadik Ramë Gjurgjevikut, më 24 prill 1919, më pas në tërë Kosovën duke u shtrirë deri në Dibër.
Kryengritja e Përgjithshme filloi në prill-maj të vitit 1919, ku u përfshinë rreth 10.000 vetë dhe vijoi deri në qershor të vitit 1919. Qëndresa e armatosur vijoi edhe në pranverën e vitit 1920, verën dhe vjeshtën e vitit 1921, gjatë vitit 1922-1926. Në vitet 1927-1928, veprimet qenë më të rralla dhe me çeta shumë më të vogla. Kështu në nëntor të vitit 1928 në Grykën e Carralevës u vra Shaqir Hazir Pirraku bashkë me 7 luftëtarë që ishte dhe një ndër çetat më të forta.
Kjo përbën dhe fundin e lëvizjes kaçake në Kosovë që u udhëhoq nga Komiteti MKK.
Për realizimin e bashkimit kombëtar të trojeve shqiptare Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” realizoi një program shumë të detajuar në të gjitha mundësitë dhe rrethanat që lejonte koha. Kështu veprimtaria e këtij Komiteti krahas përpjekjeve të vazhdueshme për organizimin e lëvizjes kaçake intensifikoi punën në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare ku nuk munguan përpjekjet për sensibilizimin e qarqeve politike por dhe të opinionit publik evropian e amerikan.
Sidomos në prag të Konferencës së Paqes, Komiteti i dërgoi asaj memorandume të njëpasnjëshme, ku kërkohej që brenda të drejtës ndërkombëtare të respektohej pavarësia e shtetit shqiptar dhe të viheshin në vend padrejtësitë që i ishin bërë në Konferencën e Londrës, duke e konsideruar të domosdoshme demaskimin e gjenocidit serb në Kosovë, Komiteti iu drejtua Konferencës së Paqes në Paris për të dënuar e ndaluar masakrat serbe në Kosovë.
Në një letër të datës 26 janar 1919 drejtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uillson, ndër të tjera Komiteti, i shkruan “Barbaria sllave, që po përfiton nga situata e sotme, kanë marrë një veprimtari për ta shfarosur racën shqiptare në Kosovë. Prandaj po ju sillemi juve, si ligjvuesi i të drejtave të kombeve dhe mbrojtësi i njerëzimit, i lirisë, që për t’i dhënë fund krimeve të serbëve, ju lutemi me lot ndër sy e me entusiazmë të madhe që derisa të vendoset paqa, Kosova të merret në një sundim internacional”.
Komiteti ka ndjekur me shqetësim dhe kërkesat që qeveria jugosllave i bënte Konferencës së Paqes për “aneksimin e krahinavet të Shkodrës deri në ujë të Matit”. Komiteti po ashtu me shqetësim ndjek gjithë ngjarjet dhe situatën në të gjitha trojet shqiptare si në veri ashtu dhe në jug.
Kështu, për lajmin e dorëzimit të Korçës, ushtrisë greke nga ana e fuqisë okupuese franceze, Komiteti i drejtohet menjëherë delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Paris.
Ballafaqimi i Komitetit me këtë realitet të ri e të hidhur, pra mundësinë e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë së vitit 1913, nxori në vend të parë angazhimin se “Pa Shqipni nuk ka Kosovë”. Kështu, zgjidhja e çështjes kombëtare shikohej si perspektivë jo e afërt por si doçka që do të ndodhte kur të vinte në harmoni gjendja e përgjithshme globale.
Duke vlerësuar punën dhe kontributin e veçantë që kishte dhënë kjo organizatë patriotike në çështjen mbarëshqiptare deri në organizimin e Kongresit të Lushnjës si dhe kontributin e udhëheqësit të kësaj organizate, intelektualit e atdhetarit të vendosur Hoxha Kadri Prishtinës, Kongresi vendosi që në kabinetin e qeverisë prej 6 anëtarësh, postin e ministrit të Drejtësisë ta mbante Kryetari i Komitetit MKK, Hoxha Kadri Prishtina, duke dhënë një kontribut të vyer në fushën e vënies së bazave të shtetit ligjor në Shqipëri.
Në historiografinë shqiptare po ndriçohet kontributi i këtij personaliteti të madh të trojeve shqiptare, sidomos në rolin për krijimin dhe drejtimin e organizatës patriotike Komiteti MKK në drejtimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare (kaçake) në Kosovë në vitet 1918-1925, për njohjen dhe sensibilizimin e kancelarive evropiane e amerikane ndaj çështjes shqiptare, për kontributin e drejtpërdrejtë, të dhënë në ndërtimin e shtetit shqiptar të sapokrijuar, për drejtimin dhe veprimtarinë e Komitetit MKK me synime të qarta mbarëshqiptare, i cili edhe pse nuk u realizua asokohe, nbajti gjallë vetëdijen mbarëkombëtare të shqiptarëve, në të gjitha trojet shqiptare dhe për të gjetur rrugën e realizimit të bashkimit të trojeve shqiptare në kontekstin e zhvillimeve të sotme, rajonale e globale, ku partneri i shumëkërkuar i Hoxha Kadri Prishtinës, SHBA, sot është miku real i çështjes shqiptare.
Koha po punon për shqiptarët e në këtë kohë ndrit dhe emri i patriotit të madh të shqiptarisë, Hoxha Kadri Prishtina.