• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALBANIAN FOOD FESTIVAL – E DIEL, 4 TETOR!

October 1, 2026 by s p

Një ditë për të festuar Shqipërinë me zemër! 🇦🇱

Shije të traditës sonë, muzikë, valle dhe shumë krenari shqiptare. 🥘🎶💃

Ejani me familjen dhe miqtë të shijojmë, festojmë dhe të ruajmë së bashku traditat tona shqiptare! ❤️🇦🇱

📅 E diel, 4 tetor, 11:00am – 6:00pm

📍 Bijtë e Shqipes

3322 Willits Rd

Philadelphia, PA 19136

Ju presim për një ditë të bukur shqiptare!

Filed Under: Mergata

Mërgata e Gjermanisë nderoi heronjtë e Kosovës Fehmi e Xhevë Lladrovci

September 30, 2026 by s p

Sofie Shoshi Sopa/

Në Universitetin e Shtutgartit ku ishin të pranishëm edhe veteranë të luftës,familje dëshmorësh, diplomatë, mësimdhënës e studentë, në një atmosferë të ngrohtë miqësore, Shoqata “Pavarësia” organizoi Turnirin Përkujtimor “Fehmi e Xhevë Lladrovci” në nderim të 28-vjetorit të rënies së tyre.

Veprimtarinë e hapi kryetari i Shoqatës, z. Beqir Sopa i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe, në fjalën e tij, kujtoi për jetën dhe veprën e heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci, një prej figurave më emblematike të historisë së re të Kosovës. Ai shprehu gjithashtu indinjatën e tij ndaj vendimit të padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së, duke shpresuar në ndryshimin e këtij vendimi dhe duke shprehur bindjen se drejtësia do të triumfojë.

Pas tij, një fjalim e mbajti ish-shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës, z. Imer Lladrovci. Ai falënderoi kryesinë e Shoqatës “Pavarësia” për nderimin e vazhdueshëm që u bëhet Fehmiut dhe Xhevës, duke organizuar tashmë për të dytin vit radhazi turnirin memorial në përvjetorin e rënies së tyre në altarin e lirisë.

Në shenjë mirënjohjeje, në emër të familjes së heronjve z. Imer Lladrovci i dhuroi kryetarit të Shoqatës librin “Përjetësia e dyfishtë” të autorit Bedri Islami.

Në këtë aktivitet u dëgjua kënga “Dy meteorët e lirisë” kushtuar dy hëronjeve, interpretuar nga Hysni Klinaku , me tekst të Ilirjane Baraliu – Lladrovcit dhe kompozim të Kushtrim Gashit e cila u promovua pikërisht në 28-vjetorin e rënies së heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi -Lladrovci

Turniri u zhvillua në volejboll, me karakter garues, ku përveç pesë ekipeve nikoqire morën pjesë edhe tri ekipe mysafire: “Ora” nga Reutlingeni, “Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare” nga Shtutgarti dhe “Dostat” nga Shtutgarti. Për mbarëvajtjen dhe zbatimin e rregullave të lojës u kujdesën profesionistët e kësaj fushe, profesorët e edukatës fizike, Selajdin Shala dhe Bali Bytyqi.

Pas përfundimit të garave, vendi i parë i takoi ekipit “Bashkimi”, vendi i dytë ekipit “Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare”, ndërsa vendi i tretë ekipit “Dostat”. Një garë spontane miqësore u zhvillua edhe në shah, ku fitues u shpall Brahim Hasani.

Për fituesit e vendit të parë u ndanë kupa, medalje ngjyrë ari , gjashtë bileta falas për koncertin e radhës, më 28 Nëntor 2026, si dhe, në emër të familjes Lladrovci, libri “Përjetësia e dyfishtë” i Bedri Islamit. Ekipi i vendit të dytë u nderua me medalje ngjyrë argjendi dhe nga një ushqim falas në koncertin e radhës, ndërsa ekipi i vendit të tretë, përveç medaljeve të bronzta për gjashtë garuesit, përfitoi edhe nga një pije falas në koncert.

Por, ajo që e bëri këtë aktivitet edhe më të veçantë ishte atmosfera pas garave. Të gjitha ekipet, pa dallim, u bashkuan në këngë, valle e argëtim për disa orë, duke dëshmuar se gara mund të ketë fitues, por miqësia dhe bashkimi janë fitorja e vërtetë.

Kështu, përmes sportit, kujtesës dhe bashkimit, pjesëmarrësit përcollën mesazhin e kësaj veprimtarie, të përmbledhur në moton: SPORT NDERIM BASHKIM.

Filed Under: Mergata

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo

September 25, 2026 by s p

Mbrëmja e 21 shtatorit në Teatrin “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo (Pordenone) ishte një ngjarje e veçantë kulturore, e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit shqiptar dhe të publikut italian. Nën patronatin e Këshilltarit Komunal të Deleguar për Politikat e Emigracionit, z. Ervin Ramaliu, salla ishte e mbushur plot me spektatorë të ardhur jo vetëm nga Azzano Decimo dhe Pordenone, por edhe nga Treviso, Trieste, Vicenza dhe qytete të tjera të Italisë veriore.

Në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” u ngjit Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës, me një trupë prej 33 artistësh, të cilët sollën para publikut këngët, vallet, kostumet tradicionale dhe pasurinë kulturore të trevave shqiptare.

Programin e hapi koreografi Enkel Zhuti, ideator, organizator dhe drejtues i këtij projekti artistik, i cili falënderoi të pranishmit dhe veçanërisht autoritetet vendore për mbështetjen e tyre.

Fjalë përshëndetëse mbajtën kryetari i Bashkisë së Azzano Decimo, Massimo Piccini, kryetari i Këshillit Komunal, Paul Vatamanu, dhe Këshilltari Komunal i Deleguar për Politikat e Emigracionit, Ervin Ramaliu.

Programi artistik u drejtua nga moderatorja Suela Demiri, e cila, me përvojën dhe profesionalizmin e saj, përcolli atmosferën e veçantë të mbrëmjes. Në përshëndetjen e saj, ajo theksoi se artistët nuk kishin ardhur thjesht për të dhënë një koncert, por për t’i sjellë publikut Shqipërinë e këngëve dhe valleve, të traditës, ritmeve, ngjyrave dhe energjisë së shqiptarëve.

Dhe pikërisht kjo u përjetua gjatë gjithë mbrëmjes.

Këngët, vallet dhe muzika tradicionale shqiptare, të interpretuara drejtpërdrejt dhe të shoqëruara nga tingujt e instrumenteve tradicionale të orkestrës profesionale nga Tirana, krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme. Artistët, këngëtarët dhe valltarët, të veshur me kostume tradicionale të krahinave të ndryshme shqiptare, sollën në skenë një mozaik të pasur të trashëgimisë sonë kulturore.

Nga jugu në veri, traditat u shfaqën në larminë e tyre të ngjyrave, ritmeve dhe formave, duke dëshmuar pasurinë e kulturës popullore shqiptare dhe lidhjen e saj të fortë me identitetin kombëtar.

Për shqiptarët e diasporës, kjo mbrëmje kishte edhe një domethënie të veçantë emocionale. Ata që ndër vite kanë ndërtuar jetën e tyre në Itali, duke marrë me vete gjuhën, kujtesën, kulturën dhe traditat e vendlindjes, patën mundësinë të përjetonin një pjesë të Shqipërisë në vendin ku jetojnë.

Ajo që ishte lënë në atdhe u rikthye, përmes artit, në Azzano Decimo. Dashuria për vendin e origjinës u bashkua natyrshëm me dashurinë për tokën ku shqiptarët jetojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Entuziazmi i publikut, duartrokitjet dhe ovacionet që shoqëruan artistët gjatë gjithë mbrëmjes dëshmuan pritjen e jashtëzakonshme që iu bë këtij aktiviteti.

Në realizimin e kësaj mbrëmjeje një rol të rëndësishëm pati Enkel Zhuti, drejtuesi, ideatori dhe organizatori i aktivitetit, i cili prej kohësh kishte punuar për realizimin e kësaj nisme.

Për Zhutin, sjellja e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në Itali ishte një projekt i menduar prej kohësh.

Turneu në Itali përfshiu qytetet: Brescia, Torino, Azzano Decimo dhe Rovereto, duke krijuar mundësi që komunitetet shqiptare në qytete të ndryshme të takoheshin me një nga institucionet më të rëndësishme të artit tradicional shqiptar.

Në suksesin e aktivitetit kontribuoi edhe mbështetja e familjes së organizatorit, veçanërisht bashkëshortes së tij, Gerta, dhe vajzës Alisa, të cilat, sipas dëshmisë së tij, qëndruan pranë tij gjatë gjithë periudhës së përgatitjeve.

Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe bashkëpunëtorëve dhe miqve që kontribuuan në realizimin e kësaj nisme.

Vlerësim i veçantë shkon për drejtuesit artistikë dhe administrativë të Ansamblit: Drejtorin Artistik Sokol Marsi, koreografin Genc Kastrati dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Operës dhe Baletit, Aulon Naçi, si dhe për të gjithë këngëtarët, valltarët dhe muzikantët që u ngjitën në skenën e Azzano Decimos.

Trupa artistike solli një repertor të pasur të këngëve dhe valleve popullore shqiptare, duke përcjellë përmes interpretimit profesional jo vetëm bukurinë artistike, por edhe historinë, traditën dhe identitetin kulturor të trevave shqiptare.

Për komunitetin shqiptar në Itali, takimi me Ansamblin Kombëtar ishte një moment i veçantë, ndërsa për shumë prej të pranishmëve u shndërrua në një përvojë të paharrueshme.

Në këtë ngjarje morën pjesë shqiptarë të ardhur nga disa provinca dhe qytete të Italisë veriore. Prania e mediave shqiptare dhe italiane i dha aktivitetit edhe një dimension të rëndësishëm informues.

Mes të pranishmëve dhe përfaqësuesve të mediave ishte edhe gazetarja Mirella Piccini, si dhe publicisti dhe shkrimtari Florim Zeqa, i cili e përshkroi këtë mbrëmje si një ngjarje të veçantë për komunitetin shqiptar.

Në këtë atmosferë, arti u bë përsëri një pikë takimi mes njerëzve, ndërsa skena e teatrit u shndërrua për disa orë në një hapësirë vëllazërie.

Përgatiti: Angela Kosta

Të dhënat u dërguan nga Ervin Ramaliu.

Filed Under: Mergata

Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro

September 24, 2026 by s p

Prof.dr. Pal NIKOLLI/

Në historinë e hershme të gjuhësisë krahasuese evropiane, tekstet e shkurtra të përkthyera në shumë gjuhë kanë një rëndësi të veçantë. Ndër to, „Lutja e Zotit“ (Oratio Dominica) u përdor shpesh si një tekst krahasues për të evidentuar dallimet dhe afritë ndërmjet gjuhëve të popujve të ndryshëm. Një prej autorëve që i kushtoi vëmendje të veçantë këtij materiali ishte gjuhëtari dhe filologu spanjoll Lorenzo Hervás y Panduro (1735–1809), një nga figurat e rëndësishme të traditës së hershme të gjuhësisë krahasuese.

Në një nga botimet e lidhura me veprën e tij poliglote, në faqen 119, paraqitet një tekst me titullin „ORATIO DOMINICA IDIOMATE GRAECO-CALABRENSI“. Në fund të faqes gjendet shënimi „Ex Laurentio Hervas“, që tregon burimin e tekstit te Hervási.

Titulli i përgjithshëm i veprës është Oratio Dominica in diversas omnium fere gentium linguas versa…, pra një përmbledhje e përkthimeve të „Lutjes së Zotit“ në një numër shumë të madh gjuhësh. Në këtë traditë të dokumentimit gjuhësor, teksti i arbëreshëve të Italisë ka interes të veçantë për historinë e shqipes.

Teksti i paraqitur në faqen 119 është:

“Tatta-in cue jè nue kielue, clot beccuar embri iti; büe tue rignueme due parraisue. Clot buerue sido ti kue stu due kielue si due prue de. Venna buccuenue ga ditta. E duellenue si nè duellennemue nuemickitue tonna. E bue tue mosue vemmi nue dozue tue palicudue; e tue mosue chemmi kueki. E clot astu.“

Në shqipen e sotme, kuptimi i tekstit mund të jepet afërsisht si:

“Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell ashtu edhe mbi dhe. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë. Dhe mos na lër të biem në tundim, por na shpëto nga i keqi. Ashtu qoftë.“

Duhet vënë re se transkriptimi i saktë i kuptimit të disa formave të vjetra arbëreshe kërkon kujdes filologjik. Prandaj, format e tekstit origjinal nuk duhen barazuar mekanikisht me format e shqipes standarde të sotme. Pikërisht ndryshimet fonetike, morfologjike dhe leksikore ndërmjet tekstit arbëresh dhe shqipes së sotme e bëjnë këtë dëshmi të vlefshme për studimin historik të gjuhës.

Një veçori që tërheq menjëherë vëmendjen është vetë klasifikimi „Graeco-Calabrensi“. Ky emërtim nuk duhet kuptuar automatikisht si dëshmi se teksti është në gjuhën greke. Në kontekstin historik të komuniteteve arbëreshe të Italisë së Jugut, termat që lidhen me „greken“ ose me ritin grek mund të lidhen me përkatësinë kishtare të ritit bizantin, ndërsa gjuha e përdorur nga komuniteti mund të ishte shqipja arbëreshe.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për historinë e arbëreshëve. Kolonitë shqiptare të Italisë së Jugut dhe të Sicilisë ruajtën për shekuj gjuhën, traditat dhe një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre kulturor. Për këtë arsye, tekstet e hershme arbëreshe përbëjnë dëshmi të çmuara për historinë e shqipes dhe për evolucionin e saj në diasporë.

Në veprat e mëdha të Hervás-it, ndër të cilat përmendet veçanërisht Catálogo de las lenguas de las naciones conocidas, shqipja zë një vend në përpjekjen e tij për të klasifikuar dhe krahasuar gjuhët e botës. Ai përdori materiale të ndryshme gjuhësore, përfshirë tekste fetare, fjalorë dhe dëshmi të tjera, në përpjekje për të përcaktuar marrëdhëniet ndërmjet gjuhëve.

Në këtë kuadër, shqipja paraqitet si një gjuhë e veçantë e hapësirës ballkanike dhe jo thjesht si një variant i greqishtes apo i ndonjë gjuhe tjetër fqinje. Kjo veçanti gjuhësore është një nga elementet që e bëjnë dokumentimin e hershëm të shqipes veçanërisht të rëndësishëm për historinë e gjuhësisë evropiane.

Megjithatë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm ndërmjet asaj që dëshmon vetë dokumenti dhe interpretimeve moderne mbi prejardhjen e shqipes. Teksti i „Lutjes së Zotit“ është dëshmi e drejtpërdrejtë për ekzistencën dhe përdorimin e një forme arbëreshe të shqipes në komunitetet shqiptare të Italisë. Ndërsa pohimet më të gjera për lidhjen e shqipes me ilirishten dhe për vazhdimësinë e drejtpërdrejtë iliro-shqiptare janë çështje komplekse të historisë së gjuhësisë dhe kërkojnë të mbështeten në një korpus më të gjerë dëshmish historike, gjuhësore dhe arkeologjike.

Rëndësia e dokumentit të Hervás-it qëndron, pra, në disa drejtime njëherësh. Ai dëshmon se shqipja ishte përfshirë në përpjekjet evropiane të shekujve XVIII–XIX për të mbledhur dhe krahasuar gjuhët e botës; ruan një dëshmi të hershme të shqipes arbëreshe; tregon se klasifikimet kishtare dhe gjuhësore nuk përputheshin domosdoshmërisht; dhe, mbi të gjitha, dëshmon vazhdimësinë e përdorimit të shqipes jashtë trojeve ballkanike.

Kështu, një tekst i shkurtër si „Lutja e Zotit“ bëhet shumë më tepër se një formulë fetare. Ai shndërrohet në një dokument historik të gjuhës, në një gjurmë të lëvizjeve dhe vendosjes së komuniteteve shqiptare dhe në një pjesë të historisë së përpjekjeve evropiane për të kuptuar shumëllojshmërinë gjuhësore të kontinentit.

Në këtë kuptim, faqja 119 e botimit të lidhur me Hervás-in meriton të lexohet jo vetëm si një faqe e një vepre poliglote, por si një dëshmi e shkruar e pranisë së shqipes në hartën gjuhësore të Evropës. Përmes një teksti të vetëm, të ruajtur në një formë të hershme arbëreshe, shqipja hyn në një nga përpjekjet e para evropiane për të dokumentuar sistematikisht larminë e gjuhëve të njerëzimit.

Filed Under: Mergata

KUR NJË SHOQËRI NUK PËRBALLET ME TË KALUARËN KOMUNISTE E KALUARA RIKTHEHET

September 21, 2026 by s p

Frank Shkreli/

Nga poezia për Enver Hoxhën në një bibliotekë publike në Lushnje tek përgjegjësia e shtetit dhe e klasës politike.

Pamjet dhe lajmi se në një bibliotekë publike në Lushnjë janë recituar vargje në nderim të Enver Hoxhës nuk janë thjesht një episod që mund të kalojë pa u vënë re. Se një institucion publik i kulturës nuk duhet të bëhet skenë për nostalgjinë dhe glorifikimin e diktaturës. Frank SHKRELI / Reabilitohet Enver Hoxha | Gazeta Telegraf. Pamje si ajo në Lushnjë duhet të na bëjnë të mendojmë më thellë për mënyrën se si Shqipëria e ka trajtuar të kaluarën e saj komuniste gjatë 35 viteve të tranzicionit. Frank Shkreli: 35 -vjet tranzicion, Shqipëria ende nuk është përballur me të kaluarën komuniste | Gazeta Telegraf. Pyetja e vërtetë nuk është vetëm si mund të recitohen sot vargje për diktatorin në një institucion publik. Pyetja më e rëndësishme duhet të jetë si arritëm deri këtu? Se një shoqëri nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke e lënë të kaluarën të paqartë, të patrajtuar ose të interpretuar sipas interesave politike të ditës. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një regjim që për afër gjysmë shekulli mohoi lirinë politike, pluralizmin, lirinë e fjalës dhe të drejta të tjera themelore të njeriut, madje mohoi dhe shpalli armik edhe Zotin. Frank Shkreli: Shkurti i zi i vitit 1967, kur Shqipëria komuniste i shpalli luftë Zotit | Gazeta Telegraf

Përballja me komunizmin nuk do të thotë të ndalosh dikë të shkruaj një poezi. Jo, nuk do të thotë të ndalosh një qytetar të ketë mendimin e vet. Demokracia duhet të jetë më e fortë se nostalgjia. Por demokracia kërkon që shteti të mos e ngatërrojë lirinë e individit me rehabilitimin institucional të një diktature. Një bibliotekë publike është hapësirë e të gjithë qytetarëve – nostalgjikë të regjimit dhe të përndjekurve të atij regjimi diktatorial. Bibëioteka mund dhe duhet të organizojë një debat për Enver Hoxhën, mund të paraqesë dokumente të periudhës komuniste, mund të ftojë studiues me pikëpamje të ndryshme. Por detyrimi i saj është që historia të trajtohet me seriozitet dhe me kontekst. Sepse historia e komunizmit nuk është vetëm ajo që kujtojnë nostalgjikët, siç bëri ajo zonja në bibliotekën publike të Lushnjes. Historia komuniste është edhe ajo që kanë përjetuar viktimat e shumta të komunizmit barbar.

Është historia e njerëzve që u burgosën vetëm për bindjet e tyre politike anti-komuniste. E familjeve të internuara. E atyre që humbën jetën. E intelektualëve të dënuar. E pronarëve të shpronësuar. E klerikëve të persekutuar. Një shtet që i shpalli luftë Zotit dhe ende nuk i ka kërkuar falje njeriut. Frank Shkreli: Shkurti 1967, krimi që ende nuk quhet krim | Gazeta Telegraf. E qindra mijëra shqiptarëve që jetuan nën frikën e shtetit. Këto histori nuk mund të fshihen nga kujtesa kombëtare vetëm sepse kanë kaluar dekada dhe se ashtu i teket, qoftë edhe një poete.

Sa herë e kam thenë e shkruar se, pikërisht, këtu qëndron përgjegjësia e politikës shqiptare. Frank Shkreli: Nuk mund të hesht për krimet e komunizmit! | Gazeta Telegraf –Pas rënies së komunizmit, Shqipëria pati mundësinë të ndërtonte një proces të gjerë dhe të qëndrueshëm të përballjes me të kaluarën e saj komuniste. Por ky proces ka mbetur i paplotë dhe shpesh është trajtuar në mënyrë të fragmentuar e të politizuar, nga udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverive shqiptare, e deri te “poetja” e Lushnjes. Përgjegjësia nuk mund t’i ngarkohet vetëm një partie apo një qeverie. Përgjatë 35 viteve kanë qeverisur forca të ndryshme politike dhe të gjitha kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të kujtesës, siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës lindore. Jam shprehur shpesh se përgjegjësia është më e gjerë. Frank Shkreli: Shqipëria të dënojë zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta Telegraf.

Është përgjegjësi e klasës politike të tranzicionit. Është përgjegjësi e institucioneve të arsimit dhe kulturës. Është përgjegjësi e historianëve, intelektualëve dhe mediave. Dhe, mbi të gjitha, është përgjegjësi e shtetit që brezat e rinj të mos e mësojnë komunizmin nga legjendat, nostalgjia apo propaganda, por nga dokumentet, dëshmitë dhe faktet. Sepse aty ku mungon historia e vërtetë, lind miti. Dhe aty ku mungon kujtesa, nostalgjia mund të gjejë terren. Kjo është arsyeja pse ngjarje të tilla si ajo në Lushnjë nuk duhen parë si çështje të vogla kulturore. Ato janë një sinjal se përballja e shoqërisë shqiptare me të kaluarën komuniste ende nuk ka përfunduar. Përballja me të kaluarën komuniste, nuk është hakmarrje, është kujtesë. Frank Shkreli: Lavdi grave të qendresës anti-komuniste shqiptare. Ka ardhur koha që Shqipëria dhe politika të bëjnë një dallim të qartë.

Përballja me krimet e komunizmit nuk është hakmarrje ndaj atyre që kanë menduar ndryshe. Nuk është luftë kundër një brezi. Nuk është përpjekje për të fshirë historinë. Përkundrazi. Është përpjekje për ta vendosur historinë në vendin e saj. Një shoqëri demokratike nuk ka pse të ketë frikë nga e vërteta. Ajo duhet të jetë në gjendje të shohë edhe faqet më të errëta të historisë së saj pa i zbukuruar dhe pa i fshehur. Nëse Shqipëria dëshiron të ecë përpara, duhet t’u japë hapësirë edhe zërave të viktimave të diktaturës. Duhet të ruajë dokumentet, të kujtojë viktimat, të edukojë brezat dhe të krijojë institucione ku historia mund të studiohet pa ndërhyrje politike. Sepse një komb që nuk njeh vuajtjet e veta rrezikon t’i relativizojë ato. Dhe kur krimet relativizohen, rruga drejt nostalgjisë bëhet më e shkurtër.

Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen | Gazeta Telegraf

Shumë mire që rasti i Lushnjes të tërheq vëmendje e publikut, por kjo çeshtje nuk duhet të mbetet në Lushnje. Pyetja duhet t’i drejtohet çdo bashkie, çdo biblioteke, çdo muzeu, çdo shkolle dhe çdo institucioni public, Akademia e Shkencave e universitetet: Çfarë mesazhi u përcjellet brezave për diktaturën komuniste?

A po u mësojmë se liria dhe demokracia janë vlera që duhet të mbrohen? A po u tregojmë se çfarë ndodh kur një parti, një ideologji dhe një udhëheqës vendosen mbi individin dhe mbi të drejtat e tij? A po u tregojmë historinë e atyre që vuajtën? A po i ruajmë dëshmitë e tyre? Apo po lejojmë që boshllëkun ta mbushë nostalgjia? Këto janë pyetje që nuk mund të shmangen më. Pas 35 vitesh, Shqipëria nuk ka nevojë për një luftë të re politike mbi komunizmin. Ka nevojë për një konsensus demokratik mbi faktin se krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nuk mund dhe as nuk duhet të relativizohen nga nostalgjia politike, sidomos kur ky relativizim praktikohet nga nivelet më të larta politike, akademike dhe institucionale të Shqipërisë. Shqipëria ka ende plagë të pambyllura me të kaluarën e saj komuniste. Ish i burgosuri i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Profesori i ndjerë Sami Repishti do u thonte se me relativizimin e krimeve të komunizmit po lëndoni gjithnjë “plagët tona të hapuna” SAMI REPISHTI – JU LUTEMI, MOS LËNDONI PLAGËT TONA TË HAPUNA! – Dielli | The Sun

Të rinjtë shqiptarë duhet të kenë mundësi ta studiojnë komunizmin pa propagandë, por edhe pa harresë, siç po ndodhë edhe në Shtetet e Bashkuara. Dhe kjo nuk mund të jetë detyrë vetëm e familjeve të ish-të përndjekurve. Është detyrë dhe përgjegjësi e shtetit. Shikoni botën rreth jush. Frank Shkreli: Kur historia e komunizmit hyn në klasat amerikane | Gazeta Telegraf. Është detyrë e gjithë shoqërisë. Është detyrë e kujtesës kombëtare. Sepse e ardhmja nuk ndërtohet duke harruar të kaluarën. Ndërtohet duke e njohur atë. Dhe nëse sot diktatori mund të rikthehet në vargje si “yll” e “dritë”, brenda një institucioni publik, ndoshta kjo duhet të na bëjë të kuptojmë se problemi nuk është vetëm nostalgjia e disa individëve. Problemi është se 35 vjet nuk kanë mjaftuar për ta bërë kujtesën e diktaturës një pjesë të qëndrueshme të ndërgjegjes demokratike të Shqipërisë. Kjo është një përgjegjësi që politika dhe institucionet shqiptare nuk mund ta shtyjnë më, pafundësisht. Sepse një vend që nuk përballet me të kaluarën e vet e ka më të vështirë të ndërtojë një të ardhme të sigurt demokratike. Për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, ky fakt po shihet çdo ditë në rrugët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, po shihet, sidomos, në largimin masiv të rinisë shqiptare nga vendlindja. Shqipëria dhe Kombi shqiptar kanë nevojë për një pajtim kombëtar. Frank Shkreli*: Pajtimi kombëtar, mbi të gjitha! | Gazeta Telegraf

E kaluara komuniste nuk zhduket duke e heshtur ose duke e injoruar atë. Se, do s’do ajo rikthehet — ndonjëherë edhe në vargje, madje edhe në një bibliotekë publike si ajo e Lushnjes, ditët e fundit. Kujtesa historike pra, nuk është pronë private, por është e të gjithëve. Dhe diktatura nuk bëhet më e butë as më pak diktaturë, vetëm se për ‘të shkruhen vargje.

Një bibliotekë publike duhet të jetë shtëpi e librit. Jo strehim i nostalgjisë për diktaturën kriminale komuniste pothuaj gjysëm shekullore.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT