
Sokol Paja/
Një ndër personalitetet e rëndësishme të Federatës Vatra, gazetës Dielli, mërgatës shqiptare dhe letrave shqipe në diasporën e Amerikës përgjatë 30 viteve 1992-2022, është pa dyshim Anton Çefa. Poeti, mësuesi, studiuesi, kritiku letrar, eseisti, gjuhëtari e gazetari Çefa ishte Editor i gazetës Dielli nga tetori 1994 deri në dhjetor 2006. Cilësor në gazetari, kontributor i palodhur, vizionar në ide, i ndershëm në qëndrime e pikëpamje, i pathyeshëm në bindje, i saktë në përcaktime, gjenial në interpretime dhe largpamës në parashikime, Anton Çefa i dha gazetës Dielli një frymë të fortë patriotike e kritiko-letrare.
Në historinë e Vatrës e Diellit, Anton Çefa bën pjesë në plejadën e kontributorëve të palodhur, patriotë e punëtorë, fjalë pak, i mençur, i saktë, antikomunist, i urtë, besnik, i ditur, dinjitoz, i dinjitetshëm e shumë i apasionuar. Si editor i Diellit, radhitet ndër më kontributorët në histori duke lënë trashëgimi 19 vepra të botuara e dy në dorëshkrimin. Anton Çefa riktheu shkëlqimin e Diellit të Arshi Pipës duke i dhënë cilësi, formë e përmbajtje të re pasi mblodhi rreth vetes bashkëpunëtorë e studiues të zëshëm, krijues letrar e kërkues shkencor me dinjitet brenda dhe jashtë Amerikës, që i dhanë Diellit identitet të fortë mediatik e patriotik. Diti të ruajë mjeshtërisht ekuilibrat, integritetin dhe dinjitetin në kohët e vështira të Vatrës. Luftoi për cilësi dhe anatemoi bajraktarizmin e mediokritetin. Fisniku Anton Çefa lindi më 1935 në Shkodër dhe aktualisht jeton në Ridgewood, New Jersey.
Për Anton Çefën si editor e studiues, psikologjia kombëtare shqiptare ishte një pasuri e thellë shpirtërore, e trashëguar ndër shekuj dhe e mishëruar në idealin e lirisë, qëndresën, trimërinë, burrërinë, nderin, besën, mikpritjen, drejtësinë dhe respektin për njeriun. Anton Çefa në krijimet e tij e shihte kulturën shqiptare si një sistem të gjallë vlerash, ku gjuha, folklori, proverbat, Kanuni, traditat dhe personalitetet historike dëshmojnë karakterin dhe vazhdimësinë e kombit dhe identitetit shqiptar.
Krijimet e Anton Çefës si sprova letrare, historike e psikologjike kushtuar psikologjisë etnike, gjuhës, kritikës letrare dhe portreteve të personaliteteve tona kombëtare kanë një origjinalitet dhe seriozitet shkencor shumë të arrirë. Anton Çefa përgjatë veprimtarisë së tij publicistike u shqua për aftësi analizuese, interpretuese, krijuese e kritike të një niveli shumë të lartë.
Ndër veprat kryesore studimore e letrare të Anton Çefës përmendim: “Noli e Konica”, “Faik Konica: Për shpiritën e Vatrës jam responsible unë”, “Dritarja e një britme”, “Heshtja ka tingull guri”, “Fjalë në vargoj të muzgët”, “Flatrime me krahë të premë”, “Bardhësi me zbritje bore”, “Fjala shqipe si zjarri i shejtë”, “Tinguj e ngjyra Shqipërie”, “Atdheu”, “Në hullitë e fjalës artistike”, “Prej fjalës te fjala”, “Një sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë”, “Krijimtari e nivelit të lartë shkencor e artistik”, “Gjurmëve të vlerave të fjalës artistike”, “Libri i portreteve”, “Fjala shqipe si zjarri i shejtë” etj.
Anton Çefa vendosi në qendër të shkrimeve e studimeve të tij historinë, gjuhësinë, çështjen kombëtare shqiptare, luftën për liri, pavarësi dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike, krijoi në mënyrë në posaçme për Skenderbeun, Pjetër Bogdanin, At Gjergj Fishtën, Nënë Terezën, Eqrem Çabejn e figurat ikonike të Vatrës Nolin e Konicën. Përmes veprës letrare të Anton Çefës njihet dimensioni letrar e kulturor i ikonave kombëtare të Vatrës e Diellit që dominuan kulturalisht shekullin e kaluar.
Vepra e Anton Çefës është një shërbim thelbësor në fushën e kulturës, historisë dhe studimeve albanologjike duke u kthyer në një pikë reference për studiuesit e mërgatës së Amerikës dhe trojeve shqiptare. Për 12 vite Anton Çefa e shndërroi “Diellin” në një media të kujtesës, identitetit, kulturës, dashurisë për atdheun dhe krenari të të gjithë shqiptarëve të Amerikës. Vatra e Dielli do i jenë përjetë mirënjohës trashëgimisë së vyer e kontributit të çmuar kombëtar, patriotik e publicistik të Anton Çefës.