
Rafaela Prifti/
Gripi nuk njeh kufij, Shqipëria dhe rajoni duhet të bashkëpunojnë përtej tyre – një nga mesazhet kryesore të Konferencës Ndërkombëtare për Parandalimin e Gripit në Uashington D.C. Sezoni i gripit 2026-2027 fillon në shtator, por informimi dhe masat mbrojtëse nisin shumë më herët.
E përqendruar mbi laptopin ku kishte prezantimin e saj, Dr. Silva Bino po priste fillimin e sesionit të së dielës pasdite në Qendrën e Konventave në Uashington DC. Si epidemiologe e njohur në Shqipëri dhe koordinatore rajonale e Rrjetit Shëndetësor të Evropës Juglindore (SEEHN), ajo ishte folëse në konferencën katër-ditore “Options for the Control of Influenza XIII” organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare për Viruset e Sistemit Respirator (The Internacional Society for Respiratory Viruses, IRSV) nga 30 gushti deri më 2 shtator, 2026. Në prezantimin e së dielës, ajo u përqendrua tek bashkërendimi dhe protokollet e përbashkëta operacionale përgjatë kufijve të Evropës juglindore që vendet fqinje të kenë qasje të përbashkët në të dhëna të besueshme për parandalimin e viruseve gripale. Ky bashkëpunim është veçanërisht i rëndësishëm në përhapjen e gjerë që ka gripi (influenza), i cili prek mesatarisht 1 miliardë njerëz në mbarë botën, me rrezikshmëri më të lartë për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Duke iu referuar sezonit 2026-2027, Dr. Bino vlerëson se Shqipëria dhe vendet e rajonit duhet të përqendrohen te përgatitja në kohë e sistemeve shëndetësore, mbikëqyrja epidemiologjike dhe rritja e mbulimit me vaksinën e gripit. Mesazhi është i qartë: gripi nuk njeh kufij, bashkëpunimi për parandalimin e tij duhet të shtrihet përtej tyre.
Autoriteti i saj në fushën e shëndetit publik dhe mjekësisë është konsoliduar ndër vite përmes një karrierë të pasur në kërkime shkencore, bashkëpunime ndërkombëtare dhe angazhime në role drejtuese. Krahas formimit të saj si mjeke dhe Doktore e Shkencave, ajo gëzon një profil të spikatur profesional në fushat e shëndetit publik dhe mjekësisë. Aktualisht, Dr. Silva Bino është Shefe e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) në Tiranë, si edhe Profesore e Asociuar për Sëmundjet Infektive në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës.
Konferenca katër-ditore në Uashington D.C. pasqyronte disa nga tiparet e jetës paspandemike në Amerikë dhe në botë, një realitet i formësuar nga betejat e ashpra midis informimit, keqinformimit dhe dizinformimit në sferën e shëndetit publik dhe mjekësisë. Dhjetë vjet më parë, kur u mbajt edicioni i nëntë i konferencës në Çikago, “fliste vetëm shkenca” dhe nuk bëhej fjalë për dizinformim dhe misinformim të publikut, kujton Dr. Silva Bino.
Konferenca “Options for the Control of Influenza XIII” është takimi më i madh global i fokusuar në parandalimin, kontrollin dhe trajtimin e gripit. Në kuadër të saj u mbajtën edhe disa sesione kushtuar viruseve të tjera respiratore. Ishte konceptuar si një platformë e përbashkët për ekspertët globalë në virologji, kujdes klinik, kërkime shkencore dhe shëndet publik, për të qasje të njëjtë ndaj të dhënave shkencore, përmirësimin e bashkëpunimit dhe masat mbrojtëse ndaj gripit. Në konferencë kishte rreth 1,300 të regjistruar nga 558 vende, prej të cilëve gjysma vinin për herë të parë, ndërsa të tjerë ishin veteranë që kanë qenë të pranishëm në 11 sesione radhazi.
Pavarësisht disa vështirësive me administratën amerikane, organizatorët ishin të kënaqur. Për ta, kjo ishte prova se ideja e artikuluar dy vite më parë në Australi për një strukturë të zgjeruar me pjesëmarrjen e rrjeteve kërkimore dhe farmaceutike, ato të kujdesit mjekësor, shoqatat jo fitimprurëse, tashmë ishte bërë realitet. Synimi kryesor është përmirësimi i informimit dhe përhapja e zbulime të reja, krahas njohjes së sfidave aktuale dhe një koordinimi më efektiv midis vendeve partnere dhe autoriteteve përkatëse.
Në aspektin akademik dhe kërkimor, Dr. Silva Bino e ka përqendruar punën e saj kryesisht në epidemiologji dhe në studimin e viruseve të transmetuara nga vektorët. Gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, Silva Bino shërbeu në Komitetin Teknik të Ekspertëve në Shqipëri, drejtoi udhëzimet e shëndetit publik, menaxhoi strategjinë e karantinës, trajtoi çështjet e efikasitetit të vaksinave dhe bashkërendoi punën me Organizatën Botërore të Shëndetit (WHO). Në pushimin midis sesioneve të Konferencës në Uashington D.C., ajo ndjek online mbledhjen e WHO, dhe duke buzëqeshur thotë: “Kjo është një tjetër punë që bëj!” Dr. Bino bëri gati për printim posterin që do ta paraqes në prezantimin interaktiv të martën pasdite, përpara se të kthehet tek detyrat e tjera që e presin në Shqipëri.