
Sokol Paja/
Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Federatën Vatra. Hamzë Morina mësues i gjuhës e letërsisë shqipe nga Kantoni i Argaut në Zvicër dhe Agim Paçarizi mësues i historisë nga Gjeneva, kontributorë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër për afro 3 dekada, u njohën me historinë e Federatës Vatra, të gazetës Dielli dhe të shqiptaro-amerikanëve që kanë lënë gjurmë në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqtë nga Zvicra u pritën prej editorit të Diellit dhe u njohën në detaje të veçanta me historinë dhe kontributin e Federatës Vatra që nga themelimi e deri në ditët e sotme, veprimtarinë atdhetare e komunitare dhe përpjekjet që bën Vatra për komb, atdhe e komunitet.
Hamzë Morina është autor i tri botimeve studimore dhe publicistike me fokus mësimin plotësues në Zvicër, ndërsa Agim Paçarizi ka botuar mbi arsimin shqip në Gjenevë. Miqtë u shprehën se “Vatra është krenari e shqiptarizmit. Është përpjekja më serioze për shqiptarinë në Amerikë. Vatra përfaqëson frymën e bashkimit në momente historike, zërin e fuqishëm intelektual dhe lavdinë historike të shqiptarëve me Nolin e Konicën, si shembull për të gjithë patriotët shqiptarë në të gjithë botën”. Miqtë falënderuan përzemërsisht mërgatën e Amerikës për gjithçka i kanë dhënë kombit në ditët më të vështira. Në përfundim të takimit mysafirët dhuruan libra për bibliotekën e Vatrës dhe shkollat shqipe në New York.