
Dr. Shefqet Deliallisi/
(Kongresi shkollave shqipe – Ngjarje madhore e kombit shqiptar).
Vetëm 10 muaj pas Kongresit të Manastirit, më 2-9 shtator 1909, një tjetër kongres kombëtar, i përmasave të njëjta për nga rëndësia, pjesëmarrja dhe vendimet, u mbajt në Elbasan, i njohur si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i Shkollave Shqipe”.
Ky kongres u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut, ndërsa u përgatit nga klubet “Bashkimi” e “Vllaznia” të Elbasanit.
Një e përkohshme ato ditë shkruante:
“Ky kongres është më i shënuari nga të gjitha kongreset. Me vendimet që ai mori la emrin e tij të pavdekur nëpër faqet e historisë sonë”.
Por çfarë në të vërtetë përfaqëson Kongresi Kombëtar i Elbasanit?
Për hir të së vërtetës janë të shumtë ata që ende nuk dinë sa duhet për të. Kjo nga retushimi dhe lënia në hije të kësaj ngjarje prej regjimi komunist, pasi dy drejtuesit e kongresit, kryetari Dervish bej Biçakçiu dhe nënkryetari Mit-hat bej Frashëri, ishin shpallur armiq dhe persekutuar prej tij.
Por le t’i kthehemi Kongresit të Elbasanit. Le t’i kthehemi shtatorit të vitit 1909, të cilin Mit-hat bej Frashëri, një nga organizatorët dhe drejtuesit e kongresit na e përshkruan kështu në ditarin e tij:
“…jemi më tepër se njëzet kuaj. Shokët e mij janë delegatët e Manastirit (zoti Gjergji Qiriazi dhe Zonja Sevasti Qiriazi), delegatët e Ohrit dhe Strugës (Hamdi dhe Abdulla beu) dhe delegatët e Korçës dhe të Skraparit me të cilët u bashkuam në han të Quksit: Orhan beu, Idhomen Kosturi dhe Abdulla beu; bashkë me këta dhe Osman efendi Zuraja, bashkëdelegat i Seklanikut, Baki efendi Berati shok i udhës dhe zot i fjalës….
Kur arritëm te Rrapi i Vojvodës, (në hyrjen e qytetit të Elbasanit) gjetëm një shumicë njerëz nga Elbasani që na kishin dalë përpara bashkë me Dervish benë (Dervish bej Biçakçiu). Një fjalë mirëseardhjeje prej pritësit dhe një fjalë ngjatjetimi prej nesh dhe gjithë më këmbë hyjmë në qytet drejt në klubin “Bashkimi”, ku na pret dhe një shumicë tjatër…”
Jo rastësisht, për mbajtjen e kongresit të arsimit ishte përzgjedhur Elbasani. Ishin traditat e shkëlqyera patriotike, arsimore e kulturore dhe figurat e spikatura të Rilindjes Kombëtare nga ky qytet që ndikuan në zgjedhjen e tij.
“Vërtetë më të bukur qytet se Elbasani- shkruan Mit-hat Frashëri në ditarin e tij- s’mund të gjendej për një kongres të tillë kombiar, ku do të bisedohet puna e shkollave shqipe dhe mësimit të gjuhës sonë; njerëzia e Elbasanit jo tani, por dhe në kohët despotike ishin çquar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe…”.
“Sot mblidhemi në shkollën greqisht, shkollën e kalasë. Pas konstitucionit, në këtë shkollë klubi ka vënë një mësonjës shqip. Në Elbasan ka dhe një shkollë greqisht tjatër, por dhe atje mësohet shqipja; bashkimi dhe mëmëdhetaria e elbasansve i ka lënë shterpë kundërqëndrimet e klerit grek që na duken kaq të fortë e të dëmshëm gjetkë.
Përpara shkollës, në mes të saj dhe kishës, shohim varrin e Kostandin Kristoforidhit, të atij të palodhurit djalë të këtij qyteti të cilit gjuha jonë i ka hua shumë gjëra: kthimet (përkthimet) e tij të librave të shenjtë, fjalori i tij dhe gjithë propaganda që ka bërë në këtë qytet, janë munomente që nderojnë për jetë kujtimin e këtij njeriu të vyer”.
Në Kongresin Kombëtar të Elbasanit morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe të shoqërive shqiptare nga Elbasani, Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri, Gjirokastra, Korça, Berati, Leskoviku, Përmeti, Ohri, Struga, Pogradeci, Janina, Filati etj. Nuk mundën të dërgonin delegatë Vlora dhe Shkodra, për shkak të presionit të xhonturqve, si dhe vilajeti i Kosovës, për shkak të pengesave që nxorën klerikët dhe paria konservatore, që përkrahte alfabetin arab. Përsa i përket klubit të Shkupit, ai ngarkoi si përfaqësues të vetin Mit-hat Frashërin, ndërsa atdhetarët shkodranë njoftuan se do t’i njihnin vendimet e këtij Kongresi.
Mes delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, mësues atdhetarë, si Mithat Frashëri, Dom Nikollë Kaçori, Dervish bej Biçaku, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Simon Shuteriqi, Josif Haxhi Mima, Qemal Karaosmani, Orhan Pojani, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Hamdi Ohri, Dhimitër Buda, Abdullah Rushit Ahmeti (Struga), Abdulla Koprëncka, Kristo Dako, Emin Haxhiademi, Qamil Haxhifeza, Mihal Sava, Andrea Konomi, Selman Blloshmi, Idhomenë Kosturi, Kahreman Vrioni etj. Vlen të theksohet këtu edhe roli i rëndësishëm i Lef Nosi në përgatitjen e këtij kongresi.
“Delegatët – shkruan Mit-hat Frashëri në ditarin e tij – u mblodhën dhe kënduan letrat (mandatet) që kishin sjellë secilido prej klubit nga i cili dërgohej, pastaj u zgjodh kryetari dhe nënkryetari..”.
Kongresi me votë të fshehtë zgjodhi drejtuesit, Kryetar Dervish Biçakçiun, nënkryetar Mit’hat Frashërin. Sekretarë u caktuan Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima.
Në Kongres u shqyrtuan tri çështje kryesore: hapja e një shkolle pedagogjike; krijimi i një qendre të vetme për drejtimin, organizimin dhe financimin e shkollave shqipe; bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve shqiptare.
Akti themelor i Kongresit të Elbasanit, Rezoluta me 15 nene, u nënshkrua nga gjithë delegatët.
Një nga pikat më të rëndësishme të saj ishte hapja në Elbasan e shkollës Normale, e cila do të përgatiste mësues për shkollat shqipe, që do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.
Kongresit shënoi themelimin e një sistemi kombëtar shkollor në Shqipëri dhe një hap të rëndësishëm në shndërrimin e të gjitha shkollave të huaja (turke ose në gjuhë të tjera) në shkolla shqipe.
Vendimet e këtij kongresi patën rëndësi të madhe për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe përhapjen e arsimit, gjuhës amtare e kulturës kombëtare.
Mbajtja e Kongresit të Elbasanit dhe vendimet e tij patën një jehonë të madhe brenda e jashtë vendit. Mjafton të përmendim gazetën “Journal de Geneve” të Zvicrës në të cilën shkruhej: “Në kongresin e shqiptarëve që u mbajt në Elbasan, u vendos organizimi i shkollave me themel gjuhën shqipe”.