

Ramazan Çeka/
Ditët e nxehta të korrikut i lamë pas në ultësirën e Shkodrës dhe, një mëngjes herët, morëm rrugën në drejtim të Alpeve Shqiptare. Lamë pas Koplikun e zhurmshëm, Bajzën e Vukpalajt dhe morëm rrugën e Kelmendit.
Rrugët që gjarpëronin mes maleve e luginave nisën të na shoqëronin me emocionet e këtij udhëtimi, ndërsa makina ngjitej në Brigjet e Hotit dhe hynte në luginën aq madhështore të Kelmendit.
Jemi mes Alpeve Shqiptare. Ecim në një rrugë që na drejton në Veri, përmes Tamarës e Selcës, për të dalë në Qafën e Predelecit, për të arritur në atë sofër të mrekullueshme e bujare që na priste me krahë hapur, për festën e madhe që ishte organizuar.
Rruga ishte e gjatë, por ne arritëm në kohë. Dhe tani, përpara nesh shtrihej madhështia e Alpeve Shqiptare, ajo botë e egër dhe e bukur, ku natyra, historia dhe jeta e malësorit janë ndërthurur ndër shekuj.
Në zemër të Gadishullit të Ballkanit ngrihet madhështor një masiv i madh malesh, që njihen në hartë me emërtimin Alpet e Shqipërisë, të cilat zënë rrënjë buzë Liqenit të Shkodrës dhe përfundojnë në Malësinë e Gjakovës.
Këto Alpe ngrihen “me kryet deri në qiell” dhe majat e tyre të mbuluara me borë shpesh është thënë se kanë qenë frymëzim që malësorët të vinin në kokë qeleshet e bardha.
Rapsodët, poetët dhe studiuesit e përdorin shpesh këtë paralelizëm, ashtu siç përdorin edhe krahasimin midis maleve dhe malësorëve viganë, apo midis çikave dhe çetinave të rritura në shkëmb.
Është kjo biografi, ky reliev madhështor, që ka frymëzuar rapsodët e lashtë për t’u kënduar bëmave dhe trimërive të Mujit e Halilit, të përjetësuara në eposin e lashtë shqiptar përmes një vegle të stërlashtë muzikore: lahutës.
Në gjithë këtë shtrirje alpine, një vend të veçantë zë Malësia e Madhe, e emërtuar kështu që në kohë të hershme, jo vetëm sepse zinte një sipërfaqe të gjerë, por edhe sepse ishte një kështjellë që, me kryetrimat e saj, i rezistoi të gjitha rrebesheve që historia i vuri në provë.
Mijëra vjet, qindra luftëra, dhjetëra pushtues kanë hyrë dhe kanë dalë në qafat, luginat, pyjet, lumenjtë e përrenjtë e këtyre maleve, por ata kanë qëndruar, ashtu siç thotë një këngë e vjetër:
“Malet s’i luan era.”
Ndoshta ishte pikërisht kjo frymë e Malësisë, kjo lidhje e pashkëputur mes vendit, njerëzve dhe traditës, që na shtyu edhe më tej në këtë udhëtim. Pak kohë më parë, isha frymëzuar nga emisioni i mëngjesit “Mirëmëngjes Shqipëri” në Radio Televizionin Shqiptar, i cili zgjon të gjithë shqiptarët në orën 06:30, me tri orë transmetim të drejtpërdrejtë, ku ishte e ftuar Kryetarja e Shoqatës Kulturore “Jehona e Kelmendit”, zonja Dila Vaçaj.
Ajo shpalosi në mënyrë brilante jo vetëm punën e shkëlqyer që bëhet në këtë zonë, por edhe vlerat e kulturës dhe të artit të mrekullueshëm të kësaj treve.
Ndër të tjera, u fol edhe për një aktivitet mjaft të rëndësishëm, siç është “Festa e Shna Pretes”, që ka marrë një vëmendje të madhe nga malësorët e kësaj zone dhe nga të gjithë ata që sot jetojnë në SHBA.
Në këtë aktivitet do të gjeni trashëgimtarë të denjë të banorëve alpinë shqiptarë, që mbajnë gjallë trashëgiminë e kësaj treve me këngë, me pasuri etnokulturore dhe, pse jo, edhe me studime bashkëkohore të djemve dhe vajzave që janë nderi dhe krenaria e kësaj krahine.
Artistët e spikatur popullorë të kësaj Malësie, me shpirtin e tyre krijues, po mbajnë gjallë dhe po trashëgojnë folklorin ndër breza. Këngët, vallet, veshjet dhe bujaria e kullave të Malësisë, të transformuara në bujtina mikpritëse, e bëjnë akoma më magjik aktivitetin e “Festës së Shna Pretes”, nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e veçantë të zonjës Dila Vaçaj.
Në Predelec, u rikthye një traditë e bukur që kishte munguar prej shumë vitesh: një kthim në origjinë i Logut të Bjeshkës.
Në festën “Logu i Shna Pretes”, në peizazhin mahnitës natyror dhe në ambientet e jashtme të kishës, u mblodhën besimtarë, banorë e mysafirë për të festuar së bashku këtë ditë të veçantë.
Aty u shpalos bukuria e nuseve, veshjet e traditës, Vallja e Logut, këngët majekrahu dhe lojërat popullore, ndërsa grupe folklorike nga Plava, Gucia dhe troje të tjera etnike shqiptare e kthyen logun në një spektakël të bukur të demonstrimit të artit folklorik burimor.
Falë përkushtimit të At Vitor Demajt dhe Shoqatës Kulturore Artistike “Jehona e Kelmendit”, me Presidente zonjën Dila Vaçaj, si edhe mbështetjes financiare të kelmendasve në Amerikë, u rikthye atmosfera e dikurshme me këngë, valle dhe tingujt autentikë të artistëve kelmendas, duke i dhënë festës një jehonë të veçantë.
Mesha e celebruar nga Famullitari i Kelmendit, Pater Vitor Demaj, ishte e veçantë në një ditë të veçantë.
Si asnjëherë më parë, vajzat e bukura nga krahina ishin në meshë me xhubletën e Malcisë.
Kisha e Shna Pretes dukej më e bukur se kurrë. Ishte një rikthim në traditën e hershme, një pamje që dukej sikur lidhte të shkuarën me të sotmen.
Një rol të rëndësishëm në krijimin e atmosferës së kësaj feste pati edhe Studio Volaj, e cila u kujdes me profesionalizëm dhe me vëmendje në çdo detaj për anën e fonisë. Tingulli i pastër dhe i përshtatur me hapësirën bëri që këngët, vallet dhe instrumentet tradicionale të përcilleshin me gjithë bukurinë dhe forcën e tyre, duke e bërë edhe më të veçantë jehonën e kësaj dite në Predelec.
Festa e Shna Pretes në Qafën e Predelecit riktheu traditat e hershme të Kelmendit, duke bashkuar, pas Meshës së Shenjtë, banorët, diasporën dhe vizitorët në një festë me këngë, valle, veshje tradicionale dhe lojëra popullore.
Kjo ditë tregoi edhe një herë se traditat, besimi dhe kultura jonë mbeten të gjalla kur ka atdhetarë të përkushtuar, që punojnë me zemër dhe kontribuojnë për t’i ruajtur e përcjellë ato brez pas brezi.
Mirënjohje për të gjithë organizatorët, artistët, sponsorët dhe pjesëmarrësit që e bënë këtë festë një ngjarje të paharruar.
Realisht, ky ishte logu i bukurisë dhe i traditës në Kelmend.
“Logu i Shna Pretes.”
Suksese, e në festa e gëzime u mbledhshi gjithmonë, Bjeshkët e Malësisë!