
Mark K. Shkreli përmbyll një kapitull të gjatë në drejtimin e revistës.
Nga Frank Shkreli/
Mark K. Shkreli dorëhiqet nga drejtimi i revistës “Jeta Katolike Shqiptare” – 86 vjet jetë dhe një jetë e tërë në shërbim të fesë, Atdheut dhe fjalës së shkruar. albchurch.org/2025 — një prej botimeve me rëndësi në jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të komunitetit katolik shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Ky nuk është thjesht përfundimi i një detyre redaksionale. Është mbyllja e një kapitulli të rëndësishëm të një jete të lidhur ngushtë me kishën, komunitetin shqiptar, kulturën kombëtare dhe fjalën e lirë. “Jeta Katolike Shqiptare” (1966) ka qenë për dekada një zë i rëndësishëm i komunitetit katolik shqiptar në Amerikë, por jo vetëm. Arkivi i botimit dëshmon një histori që shtrihet në shumë dekada, që nga vitet e para të komunitetit katolik shqiptar në Amerikë ( në fillim të1960-ave) e deri në ditët tona. Për Mark K. Shkrelin, drejtimi i kësaj reviste nuk ka qenë thjesht një angazhim profesional. Ka qenë një mision. Një mision i lidhur me atë traditë të hershme të shqiptarëve të Amerikës, ku Feja dhe Atdheu nuk kanë qenë dy rrugë të ndara, por dy shtylla të së njëjtës vetëdije kombëtare. Kjo traditë është veçanërisht e dukshme në historinë e Kishës dhe Qendrës Katolike Shqiptare në New York, të inauguruar në vitin 1970 nën udhëheqjen e Monsinjor Dr Zef Oroshit, njërit prej figurave themelore të organizimit të veprimtarive të komunitetit në Shtetet e Bashkuara, përfshir botimin e revistës Jeta Katolike Shqiptare. Frank Shkreli: 60-vjet nga themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork | Gazeta Telegraf — Ajo qendër u konceptua jo vetëm si një vatër e besimit katolik, por edhe si një vend ku do të ruheshin gjuha, kultura, traditat dhe identiteti shqiptar në dheun e huaj.
Në këtë vazhdë duhet parë edhe puna e gjatë e Mark K. Shkrelit në krye të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”. Ai ka qenë ndër ata njerëz që kanë besuar se një revistë nuk është vetëm letër dhe bojë. Por ajo është, njëkohsisht, edhe kujtesë. Është dëshmi, gjithashtu. Është një urë midis brezave, patjetër. Përmes faqeve të saj janë përcjellë ngjarje të komunitetit, kujtime, histori, figura të Kishës e të Atdheut, mendime dhe reflektime mbi jetën shqiptare në Amerikë e më gjerë.
Në moshën 86-vjeçare, Mark K. Shkreli mund të tërhiqet nga përgjegjësia e përditshme e redaktimit të revistës, por trashëgimia e tij mbetet në faqet e revistës dhe në kujtesën e atyre që kanë punuar, shkruar dhe bashkëpunuar me të gjatë viteve dhe dekadave. Mark K. Shkreli i përket një brezi shqiptarësh të Amerikës për të cilët ruajtja e identitetit nuk ishte një slogan, por një përgjegjësi. Për ta, gjuha shqipe, kisha, kultura dhe kujtesa kombëtare ishin pjesë të pandashme e një porosie që duhej t’u dorëzohej brezave të ardhshëm. Prandaj, sot, kur ai largohet nga detyra e kryeredaktorit, mirënjohja shkon përtej një titulli apo një pozicioni. Shkon për vitet e punës, përkushtimit dhe shërbimit. Shkon për një njeri që i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij fjalës së shkruar dhe komunitetit shqiptaro-amerikan.
Dhe ndoshta ky është momenti më i përshtatshëm për t’i thënë: Faleminderit, Mark Koliqi Shkreli! Faleminderit për shërbimin ndaj revistës “Jeta Katolike Shqiptare”. Faleminderit për përkushtimin ndaj Kishës. Faleminderit për dashurinë ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare. Dhe mbi të gjitha, faleminderit për bindjen se Feja dhe Atdheu, kur shërbehen me sinqeritet, mund të jenë një forcë e madhe për të mirën e njeriut dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithsi. Është momenti kur një njeri mund të shikojë pas dhe të thotë: “Detyrën time e kreva.” Well done, Mark! Por një jetë e tillë nuk mbyllet me një dorëheqje. Puna mbetet. Shkrimet mbeten. Faqet e revistës mbeten. Kujtimet mbeten. Dhe mbi të gjitha, mbetet shembulli. Shembulli i një njeriu që i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij një kauze që nuk premtonte as pasuri, as famë, por vetëm kënaqësinë e shërbimit. Por duhet shtuar se Mark K. Shkreli nuk ishte vetëm në këtë mision. Burri i mirë me shokë shumë, thonë. Janë të shumtë ata që meritojnë të përmendën me këtë rast, por për mungesë hapësire duhet të kufizohem në mbështetjen kritike që kanë dhënë gjatë viteve dhe dekadave udhëheqsit e Qendrës Katolike Shqiptaro-aAmerikane në Nju Jork.
Në një realitet ku botimet në gjuhën shqipe, historikisht, janë përballur me sfida të vazhdueshme financiare, organizative dhe kulturore, mbështetja e një institucioni kishtar nuk është thjesht ndihmë simbolike. Ajo është garanci për mbijetesë dhe vazhdimësi. Në këtë kuptim, qëndrimi i Dom Pjetër Popajt udhëheqsi aktual i Kishës dhe i Qendrës Katolike shqiptare në Nju Jork, ka qenë i qartë dhe i palëkundur. Ruajtja e shtypit katolik shqiptar është pjesë e vetë misionit baritor të Kishës.
Ai e ka kuptuar me qartësi se “Jeta Katolike Shqiptare” nuk është një botim i zakonshëm fetar. Ajo është një institucion i kujtesës kolektive, ku besimi nuk ndahet nga gjuha, ku kultura nuk shkëputet nga identiteti dhe ku historia e komunitetit shqiptar në Amerikë dokumentohet me përgjegjësi dhe dinjitet. Në këtë mbështetje të vazhdueshme ndaj revistës dhe ndaj punës së Mark K. Shkrelit, ka dëshmuar një vizion të qartë institucional: se Kisha nuk është vetëm vend adhurimi, por edhe qendër e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor shqiptar në diasporë. Ky vizion nuk është i shkëputur nga tradita që e paraprin. Përkundrazi, ai qëndron në vazhdën e një linje historike që nis me Mons. Zef Oroshin, themeluesin shpirtëror të organizimit modern të jetës katolike shqiptare në New York, i cili e konceptoi Kishën si një vatër të dyfishtë: të fesë dhe të kombit. Në këtë vazhdimësi historike, një vend të veçantë zë edhe Dom Rrok Mirdita, paraardhësi i Dom Pjetër Popajt në shërbimin baritor të komunitetit katolik shqiptaro-amerikan në New York, i cili më vonë u thirr në një mision edhe më të lartë fetar e kombëtar, I emëruar nga Papa si Arkipeshkëv i Tiranë-Durrësit, pas shembjes sl komunizmit zyrtar. Dom Rrok Mirdita mbetet një figurë me peshë të veçantë në historinë e Kishës Katolike Shqiptare, por jo vetëm. Ai nuk ishte vetëm një udhëheqës shpirtëror, por edhe një zë i qartë – ashtu si para-ardhsit e tij, Dr Zef Oroshi dhe Prof. Dr At Andre Nargaj, një kontribues i fesë dhe kombit — për ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në diasporë. Angazhimi i tij në vitet e hershme të konsolidimit të jetës kishtare dhe komunitare në Amerikë ka lënë një trashëgimi të qëndrueshme, që vazhdon të ndihet edhe sot. Në këtë kuadër të gjerë të trashëgimisë shpirtërore, kombëtare dhe institucionale, mbështetja e Dom Pjetër Popajt dhe kujtimi i Dom Rrok Mirditës nuk janë thjesht elemente biografike. Ato janë shtylla të një tradite që ka mbajtur gjallë një komunitet të tërë përmes besimit, gjuhës dhe kulturës.
Prandaj, në momentin kur Mark K. Shkreli mbyll një kapitull të gjatë në drejtimin e “Jeta Katolike Shqiptare”, mirënjohja nuk mund të kufizohet vetëm tek individi që e udhëhoqi revistën. Ajo shtrihet natyrshëm edhe tek ata që e mbështetën, e mbrojtën dhe e kuptuan si pjesë të një misioni më të madh, një traditë që nuk mbahet gjallë nga një njeri i vetëm. Ajo mbahet nga një bashkësi njerëzish dhe institucionesh që besojnë në vlerën e saj. Një ndër ata të grupit fillestar është edhe Tonin Mirakaj, ndër njerëzit e parë të “Jeta Katolike Shqiptare”, që nga pikëpamja historike, së bashku me Mark. K. Shkrelin zë një vend të veçantë, ndër bashkëpunëtorët e parë dhe themeluesit e kësaj reviste. Edhe mri i Tonin Mirakajt lidhet me atë brez shqiptarësh të Amerikës që e kuptuan heret se një komunitet nuk mund të ruaj identitetin e vet vetëm përmes institucioneve fetare, por ka nevojë edhe për fjalën e shkruar, dokumentimin e historisë dhe komunikimin e vazhdueshëm me brezat. Është e rëndësishme që, kur flasim sot për vazhdimësinë e “Jeta Katolike Shqiptare”, gjatë viteve e dekadave, të mos harrojmë njerëzit që vunë gurët e parë të kësaj vepre.
Edhe unë jam krenar që kam pasur nderin dhe privilegjin të kem qenë bashkëpunëtor dhe anëtar i grupit redaktues të revistës “Jeta Katolike Shqiptare” për peirudhën 1971-1974. Për mua, kjo nuk ishte thjesht një përvojë publicistike, por një pjesë e rëndësishme e jetës dhe e veprimtarisë sime në shërbim të komunitetit shqiptar në mërgim. Të kem qenë pjesë e atij grupi të hershëm redaktues është një kujtim për të cilin ndihem veçanërisht Krenar, sot e kësaj dite. Ishte një kohë kur çdo faqe e shkruar në shqip kishte një mision dhe çdo përpjekje për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare merrte një kuptim të veçantë.
Urimet e mia më të sinqerta Mark K. Koliqit për këtë rrugëtim të gjatë e të çmuar në shërbim të revistës “Jeta Katolike Shqiptare” dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithsi. Në moshën 86-vjeçare — pas kaq shumë vitesh përkushtimi – një shërbim që mbetet një trashëgimi e vyer që do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje.
Frank Shkreli