
Një tragjedi që preku zemrat e të gjithëve!
Shkumbin Tetaj
Me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjën e jetës së Florin Hoxhes, Florida Hoxhes , Eris Canit dhe Ian Kirkpatrick, në Athinë. Ka lajme që nuk mund të shpjegohen me fjalë, ngase përballë një humbje kaq të madhe, çdo fjafë apo fjali duket e vogël. Katër jetë (dhe e pesta në pritje) u ndërprenë shumë herët, duke lënë pas familje të shkatërruara shpirtërisht, miq dhe shokë të tronditur, dhe një hapësirë boshe në bregoret e krahërorit që nuk mund të mbushën kurrë.
Flori, Eris, Florida dhe Ian nuk janë thjesht emra në një lajm të hidhur. Ata ishin njerëz me ëndrra, me shpresë, me dashuri për familjet e tyre dhe me plane për të ardhmen. Sot, kujtimi i tyre mbetët i gjallë në zemrat e të gjithëve që i njohën, i deshën dhe ndanë momente të çmuara me ta. Në këto çaste të errëta, dhimbja e familjeve të tyre, bëhet dhimbja e çdo njeriu që beson të jeta dhe vlera humane dhe shpirtërore. Nuk ka ngushëllim që mund ta largojë këtë peshë të rëndë pikëllimi, por duhet të ketë mbështeje emocionale, lutje dhe përkrahje duke u qëndruar pranë atyrë që sot kanë nevojë më shumë se kurrë.
Me Florin u njohëm rreth 15 vite me parë kur unë ndaja zyrën me babain e tij, Mediun, në Arthur ave. Edhepse, kishim dallim në moshë, ai me pjekurinë e tij djaloshare të lente përshtypje të veçantë. Pas perfundimit të studimeve të larta në (Emory University), Flori u bë pjesë e zyrës sonë dhe për disa vite kemi punuar së bashku. Ai me njohuritë e tij të përgjithëshme ishte pothuajse katalizatori kryesor i të gjitha proceseve dhe njekohësisht ndihmonte edhe shumë shokë dhe afaristë të tjerë. Ai nuk ishte thjesht një shok, por një njeri i mirë, i sinqertë dhe me zemër të madhe. Prania e tij sillte cdo herë ngrohtësi, buzëqeshje dhe respekt. Do të na mungojnë fjalët e tij, humori i tij dhe cdo moment tjetër që sot duket kaq i çmuar.Ndonjëherë, nuk e kuptojmë sa shumë vlerë kanë njerëzit pranë nesh derisa ata largohën, por ti do mbetësh i gjallë në kujtimet tona.
Eris (e fejuara e Florit), një vajzë e mirë që reflektonte një nivel të lartë edukativ dhe njerëzor. Shtatzënë dhe priste lindjën e frytit të dashurisë së tyre. Ida (Florida), motra e Florit, e sjellshme dhe plot sharm, u martua me Ian dhe dasma e 30 Gushtit ishte një ndër ditët më të gëzuara të jetës së tyre, dhe ashtu të gëzuar dhe plot lumturi pas kurorëzimit të tyre në altarin a dashurisë, për më pak se një muaj, vdekja tinëzare i futi në shtegun e vetmisë e ua ndali gurrat e jetës.
Flori, Eris, Ida dhe Ian ikën pa e thënë lamtumirën e fundit, ikën duke na lënë të zhytur thellë në detin e pikëllimit. Por, prapa lanë respketin dhe shëmbullin e mirë të njerëzve me zemër të madhe e dashuri pakufi.
Prehuni ne paqen e përjetshme engjuj!