
Nënë Tereza, ADN shpirtërore e kujtesës shqiptare, Shenjtëria që ende na flet me Gjuhën e Mëshirës.
Ndoshta shumë prej jush e kanë parë filmin “Dritë dimri” të Ingmar Bergmanit. Është një film i heshtur, i ftohtë e paksa tronditës, ku një pastor vazhdon të kryejë shërbesën e tij në një kishë gjithnjë e më të zbrazët. Teksa përballet me heshtjen e Zotit, shndërron krizën e tij shpirtërore në dramë. Dhe pikërisht këtu do ta nisja leximin , si një lloj subkoshience artistike për figurën e Nënë Terezës.
Pasi edhe ajo hyri në një botë ku besimi nuk ishte gjithmonë i dukshëm dhe vuajtja njerëzore ngrihej më e madhe se përgjigjet që mund të jepte çdo teori. Ndryshe nga pastori i Bergmanit, Nënë Tereza nuk iu përgjigj heshtjes së Zotit duke u tërhequr prej botës, por duke hyrë thellë në të duke kërkuar fytyrën e Zotit te i varfri, i sëmuri, i braktisuri, te ai që nuk kishte më as zë, as familje, as dinjitet shoqëror. Ndaj, figurën e saj e identifikojmë jo me dashurinë si ndjenjë, por me dashurinë si shërbim.
Tek i kthehem jetës së saj, më duket sikur e gjej në të njëjtën valë shpirtërore me Shën Françeskun e Asizit, i cili kuptoi se Krishti nuk kërkohet vetëm në tempuj, por në përulësi dhe në heqjen dorë nga privilegjet. Thirrja që Shën Françesku dëgjoi në San Damiano: “Rindërtoje Kishën time!”, duket se u dëgjua nga Nënë Tereza në një tjetër kohë dhe në një tjetër kontinent, teksa ajo kërkonte fytyrën e Zotit në fytyrën e njeriut të rrëzuar.
Herë më vjen e e krahasueshme me monumentin antik të Laokoontit. një trup i vendosur përballë dhimbjes, që nuk e humb përmasën njerëzore. Vetëm se Nënë Tereza nuk mbeti një monument që thjesht soditi vuajtjen; ajo u bë dora që hyri thellë brenda saj.
Nëse Nënë Terezën do ta kërkoja brenda një vepre letrare, do ta vendosja përballë doktor Rieux-së të Albert Camus-së, në veprën”Murtaja” pasi të dy u përballën me të njëjtën pyetje:-çfarë bën njeriu kur përpara i qëndron vuajtja dhe nuk ka më asnjë përgjigje që mjafton?
Rieux nuk e luftoi murtajën duke pretenduar të shpëtojë botën, por sepse përballë tij është një njeri që vuan. Nënë Tereza nuk e pa mëshirën si ide për t’u predikuar, por si përgjegjësi për t’u jetuar. Në këtë kuptim, ajo duket sikur del nga faqet e “Murtajës” dhe hyn në rrugët e Kalkutës, atje ku Camus vendos mjekun përballë absurdit, Nënë Tereza vendos dashurinë përballë braktisjes.
Ndërsa doktor Rieux veproi në emër të solidaritetit njerëzor, Nënë Tereza e shihte atë veprim si një takim me Krishtin. Por narrativa e të dyve takohet në një pikë të fortë: të mos qenurit indiferent ndaj dhimbjes së tjetrit.
Nënë Tereza nuk shkroi një roman për vuajtjen por ajo hyri vetë në të dhe, në një farë mënyre, e ndryshoi narratorin. Të tjerët e kishin parë varfërinë si objekt mëshire; ajo e ktheu në subjekt dashurie. Të tjerët e kishin përshkruar vetminë; ajo hyri në të. Të tjerët kishin shkruar për vdekjen; ajo qëndroi pranë atij që po vdiste, që t’mos e përjetonte atë si braktisje.
Dhe sot, në këtë përvjetor, ajo çka na bashkon është pyetja: Çfarë është Nënë Tereza për të gjithë ne?
Nuk do ta teproja po ta quaja ADN-në shpirtërore të kujtesës shqiptare. Jo sepse shenjtëria mund t’i përkasë një kombi të vetëm, por sepse përmes saj, një emër shqiptar u bë i njohur në një gjuhë që nuk njeh kufij gjeografikë apo politikë, në “Gjuhën e Mëshirës”.
E po ti kthehem filmit “Dritë dimri”, kisha zbrazet dhe besimi fiket. Te Nënë Tereza, në kohën e krizave më të thella shpirtërore të njeriut modern, ndodh e kundërta, ajo nuk pret që njerëzit të kthehen në kishë. Ajo del vetë në rrugë dhe e kërkon kishën te njeriu.
Nëse Bergmani na pyet se çfarë ndodh kur Zoti hesht, Nënë Tereza përgjigjet me tërë jetën e saj e cila përcjell mesazhin se njeriu duhet të flasë përmes veprave të dashurisë.
Kjo mbrëmje përkujtimore nuk është veç një mbyllje dekade, por një episod i ri i atij filmi, në të cilin Nënë Tereza vazhdon ta shkruajë, me jetën e trashëgiminë që na la, skenarin e dashurisë në botën moderne.
Nënë Tereza na la një mënyrë sublime, një palë sy shpirti për ta parë njeriun.