

Nga Keze Kozeta Zylo/
Festivali i Shkollave Shqipe “Alba Life” që u shfaq në Auditoriumin e Christopher Columbus High School në Bronx, rrjetit më të madh të shkollave shqipe në Diasporë solli dritë nga drita e Gjuhës Shqipe, solli dhe më pranë Atdheun në New York në kryeqytetin e botës.
130 certifikata të ndara për nxënësit e Alba Life, ndërkohë në këtë festival mungonte Shkolla Shqipe në Albany, e cila e festoi madhërisht javën e kaluar, pasi largësia prej 7 orë udhëtim vajtje-ardhje e bënte të vështirë pjesëmarrjen.
Në mëngjesin e dielltë të 6 qershorit, në Bronx, qielli dukej sikur ishte ulur më pranë tokës për të dëgjuar zërat e fëmijëve shqiptarë. Ishte një e shtunë ku fjalët nuk shqiptoheshin thjesht; ato këndoheshin, vallëzonin dhe merrnin jetë në buzët e brezit që po rritet larg vendlindjes, por pranë rrënjëve të saj.
Në hyrje i mirëpriste pjesëmarrësit plot dashuri, respekt mësuese Gresila Basha e cila kishte ardhur me bashkëshortin e saj të dashur Enes. Biri i saj Eden, në shtator do të regjistrohet pranë Alba Life.
Festivali përmbyllës i Shkollave Shqipe Alba Life nuk ishte vetëm një aktivitet i fundvitit shkollor. Ishte një festë e kujtesës, e identitetit dhe e dashurisë për gjuhën që na bashkon. Në sallë rrihnin së bashku qindra zemra: zemrat e fëmijëve që mësojnë shkronjat e para shqip, zemrat e prindërve që ruajnë me fanatizëm trashëgiminë e tyre dhe zemrat e mësuesve që ndezin çdo javë dritën e dijes në gjuhën e nënës.
Kur fëmijët interpretonin këngët shqip, dukej sikur fjalët fluturonin përtej oqeanit dhe preknin malet, fushat e brigjet shqiptare. Kur këndonin, tingujt e tyre më ngjanin me lumin Vjosa ku jam lindur e rritur, dukej si një lumë që rridhte qetësisht nga një brez tek tjetri, pa humbur asnjë pikë nga burimi i tij.
Programi u moderua nga sopranoja e famshme Deshira Ahmeti Kerliu e cila me krenari të ligjshme prezantoi me profesionalizëm dhe kulturë këtë program të pasur dhe të kuruar në çdo detaj. Midis të tjerash ajo tha se gjithë kjo punë marramendëse është në bashkëpunim të ngushtë me mësues, prindër, nxënës drejtuar nga themeluesit Qemal Zylo dhe gjithë familjes së tij të nderuar.
Inxh. Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” tha se mbyllja e viteve shkollore me Festivale dhe dhënien e certifikatave është kthyer në një traditë të mrekullueshme në Diasporë. Kjo ditë festive është më shumë se një faleminderit për mësuesit e Familjes së Madhe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online për punën e tyre të palodhur.
Bordi i Alba Life falënderon cilindo kokë më kokë për punën e tyre në këto 19 VITE duke përfunduar me mësueset e vitit akademik mësimor 2025-2026.
Në fund ndau certifikatat e mirënjohjes ku me propozim të z. Zylo, Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut në Albany në emrin e tij personal shpërbleu dhe vlerësoi punën e gjithë mësueseve stafit për vitin akademik 2025-2026. Jam krenar vazhdoi ai që Alba Life njihet me dy rezoluta ligjore nga Parlamenti dhe Senati i shtetit të Nju Jorkut në Albany.
Ata ishin: Fatlinda Bajçinca Gashi, Helena Ujkaj, Elona Shkreta, Deshira Ahmeti, Valbona Peraj, Migena Serjani, Rozeta Hyseni, Entela Muda, Nazelie Djaloshi, Gresila Basha, Genta Çakaj, Erinda Isufaj, Ida Mazzota, Anisa Ndoci, Amir Suka, Inxh. Odise Salillari, Valon Gerbeshi, Klodjana Serraj. Z. Zylo falënderoi gjithashtu asistentet si Aida Hajri, Lusiana Bardhi dhe Breana Bardhollari për përkushtimin e tyre në këtë Mision Kombëtar.
Nderoi me pjesëmarrjen e saj Ambasadore Dr. Suela Janina Përfaqësuesja e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në OKB. Dr. Janina me elekuencë dhe kulturë falënderoi me plot përzemërsi themeluesit z. Zylo, gjithë mësueset, stafin, prindërit dhe nxënësit e Alba Life për këtë punë madhështore që po bëhet në ruajtjen e Gjuhës Shqipe në Diasporë. Fjala e saj ishte frymëzuese dhe u mirëprit me duartrokitje nga pjesëmarrësit.
Zonja Drenusha Dreshaj bashkëpronare e platformës më të madhe mediatike shqiptare “TVALB”, nderoi gjithashtu me ardhjen e saj. Në këtë paketë ne kemi kanalin tonë 27 ku transmetojmë emisione të TV “Alba Life”, New York.
Është emocion i papërshkrueshëm kur merr përqafime të ngrohta nga prindërit, gjyshërit, nxënësit si dhe shumë mësues që vlerësojnë këtë Institucion prestigjioz dhe bashkëpunues për Kombin. Mësuese Marsela Gega kishte ardhur me birin e saj Noah nga Kanadaja për të festuar së bashku këtë ditë të bukur, ku gjejmë rastin për ta falënderuar me mbështetjen e saj me fliers dhe punë profesionale.
Befasi e bukur ishte ardhja e çifteve Pira dhe Likollari nga Staten Island të cilët me plot dashuri duartrokisnin nxënësit në skenë.
Dhimo Guma një sipërmarrës i suksesshëm pasi na falënderoi për këtë punë madhështore tha se bisedova dhe me Marselën bashkëshorten se së shpejti ne do të sjellim nipërit dhe mbesat tona që të mësojnë shqip pranë kësaj shkolle. Ky është një vlerësim për gjithë stafin, pasi besimin e prindërve për fëmijët e tyre pranë Alba Life e kam shumë të shenjtë, që më bën të kujdesem dhe t’i ruaj si drita e syrit në çdo drejtim për sa kohë janë në mjediset e shkollave publike ku ne ushtrojmë për 19 vjet mësimin shqip.
Pastaj erdhi çasti i ndarjes së certifikatave. Një çast i mbushur me domethënie. Në duart e vogla të fëmijëve ato shkëlqenin si medalje të zemrës. Çdo certifikatë tregonte historinë e një viti përkushtimi, të orëve të mësimit, të fjalëve të shkruara me kujdes dhe të ëndrrave të thurura në gjuhën shqipe.
Në ato duartrokitje nuk po festohej vetëm një vit shkollor. Po festohej fitorja e gjuhës mbi harresën, e traditës mbi largësinë dhe e dashurisë mbi kohën. Po festohej fakti që shqipja vazhdon të mbijetojë e të lulëzojë, kudo ku ka zemra shqiptare.
Gjithë kori i shkollave “Alba Life” e mbylli festivalin me këngën Xhamadani Vija-Vija shoqëruar nga artistja e shquar Valbona Peraj dhe një mike tjetër artiste Edlira Biba.
Sipas traditës dita e fundvitit akademik u mbyll me prerjen e tortës dhuruar nga Mehrije Shala ish mësuese dhe prind i devotshëm njëkohësisht pranë kësaj shkolle. Kënaqësi të shikoja gjyshen e Elionës tek filmonte mbesën e saj kur këndonte aq bukur “Oj Kosovë sa shumë të dua”, shtoj se pas Festivalit nisej për Kosovë e mbushur plot emocion. Ajo kishte kishte ardhur për disa muaj për vizitë tek biri në New York.
Programi i pasur sa kombëtar aq dhe artistik
Himni Shqiptar dhe Amerikan
Himnin i Shkollës Shqipe nga kori i nxënësve të Shkollave “Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë”
Kënga e Alfabetit Shqip me tekst të Parashqevi Qiriazit nga Kori i shkollave
Alfabeti Shqip këngë me interpretime nga klasa e mësuese Migena Lelaj e Shkollës Shqipe në Bronx.
Grupi i më të vegjëlve me vallen “Sa i dua lulet” – nën interpretimin e klasës së më të vegjëlve të mësuese Rozeta Hyseni në Brooklyn.
Qengji i vogël interpreton Jolie Selim e shoqëruar nga Amelia Djaloshi, Herla Rrasa dhe kori i Shkollës Shqipe në Queens me mësuese Nazlie Djaloshi.
Fidanishtja e Shkollave Shqipe në Staten Island me “Valle Arbëreshe” interpreton klasa e më të vegjëlve në Staten Island me mësuese Elona Shkreta dhe asistente Aida Hajri.
Vallja Çame “Tumankuqja” interpretuar nga nxënësit e mësuese Helena Lubonja Ujkaj, në Bronx.
“Vallja e Katjushes” interpretuar nga nxënësit e klasës së më të rriturve nga mësuese Entela Muda në Staten Island.
Nxënësja brilante e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx Eliona Shala do të interpretojë këngën: “Oj Kosovë sa fort të dua”!
Vaj dhe mall për Çamërinë valle e interpretuar nga nxënësit e Klasës së më të rriturve të Mësuese Fatlinda Gashi të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn.
Vallja e Tropojës interpretojnë nxënësit e klasës së Helena Lubonja Ujkaj dhe Anisa Ndoci në Bronx.
Valbona Peraj do të këndojë “Xhamadani vija vija” shoqëron kori i shkollave shqipe “Alba Life”.
Pas përfundimit të Festivalit nxënësit u argëtuan nga studenti ekselent: DJ Oresti Salillari.
Dhe ndërsa programi mbyllej ngadalë, askush nuk largohej vetëm me një certifikatë apo me një fotografi kujtimi. Të gjithë merrnin me vete një copëz drite, një ndjenjë krenarie dhe besimin se gjuha jonë e bukur do të vazhdojë të jetojë në zërat e këtyre fëmijëve.
Urime të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve të Shkollave Shqipe Alba Life për një tjetër vit të suksesshëm në shërbim të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Festa u filmua dhe fotografua nga gazetarët e përkushtuar dhe të palodhur si Valon Gërbeshi dhe Klodiana Serraj.