• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

5 TETORI – DITA NDËRKOMBËTARE E MËSUESIT

October 5, 2026 by s p

Screenshot

RESPEKT PËR MËSUESIN – PËRGJEGJËSI PËR SHTETIN DHE SHOQËRINË

Sot nuk mjafton vetëm të themi “Urime 5 Tetori!”.
Sot duhet të flasim për dinjitetin, autoritetin dhe pozitën që mësuesi duhet të ketë në shoqëri.

Mësuesi nuk është thjesht një i punësuar në sistemin arsimor. Ai është një nga investimet më të rëndësishme të shtetit dhe një nga shtyllat themelore të së ardhmes së kombit.

Një shtet që kërkon qytetarë të ditur, të përgjegjshëm dhe të emancipuar, duhet së pari të kujdeset për mësuesin. Nuk mund të ndërtojmë një arsim cilësor pa mësues të vlerësuar, të motivuar, të mbrojtur dhe të respektuar.

Mësuesi meriton dinjitet në profesion.
Mësuesi meriton autoritet në klasë.
Mësuesi meriton kushte të denja pune.
Mësuesi meriton vlerësim institucional dhe shoqëror.

Arsimi nuk duhet të jetë vetëm pjesë e programeve dhe fjalimeve politike. Arsimi duhet të jetë prioritet real i politikave publike dhe investim strategjik i shtetit.

Sepse çdo investim në shkollë është investim në shoqëri; çdo investim në mësuesin është investim në brezat; ndërsa çdo neglizhencë ndaj arsimit është një borxh që shoqëria do ta paguajë në të ardhmen.

Për ne shqiptarët, mësuesi ka edhe një mision historik. Në periudha të vështira, ai ka qenë mbrojtës i gjuhës shqipe, ruajtës i kulturës, edukues i ndërgjegjes kombëtare dhe përcjellës i dijes nga një brez te tjetri.

Prandaj, respekti për mësuesin nuk mund të jetë ceremonial dhe vetëm njëditor.

Respekti për mësuesin duhet të jetë politikë shtetërore.
Mbështetja për mësuesin duhet të jetë përgjegjësi institucionale.
Dinjiteti i mësuesit duhet të jetë vlerë shoqërore.

Një shoqëri që e nënvlerëson mësuesin, nënvlerëson të ardhmen e saj.
Një shtet që investon te mësuesi, investon te qytetari i së nesërmes.

Sot, përulemi me respekt para të gjithë mësuesve, pedagogëve dhe edukatorëve që me dije, sakrificë dhe përkushtim kanë edukuar breza të tërë.

Mësuesi mbjell dije, por korr qytetërim.
Mësuesi edukon individin, por ndërton shoqërinë.
Mësuesi punon sot, por ndërton të nesërmen.

Urime 5 Tetori – Dita Ndërkombëtare e Mësuesit!

Le ta kthejmë respektin për mësuesin nga një urim në një qëndrim.
Nga një fjalë në një politikë.
Nga një ceremoni në një përgjegjësi të përhershme shoqërore dhe shtetërore.

RESPEKT PËR MËSUESIN!
RESPEKT PËR ARSIMIN!
RESPEKT PËR TË ARDHMEN!

Dr. Kujtim Kasami

Filed Under: Sofra Poetike

“Lumturi me pikatore” – Poezi nga Suela Kerxhaliu Shala

October 3, 2026 by s p

Në valixhen time

Në valixhen time

ka petka të vjetra lini,

në bojë gjaku të përvëluar,

perëndimi të afshtë dielli,

të gjelbër të çelët të harbuar,

që më kujtojnë se jam sërish fëmijë.

Ka fletë ditari holluar nga koha,

ngurtësuar nga aromë dalldie, harrimi,

ku dashuria nuk bën kompromis

dhe liria është e vetmja monedhë këmbimi.

Në valixhen time,

rrinë stivë nota pentagrami,

ku secila këngë di një histori, një emër,

që herë ngazëllon, herë klith nga marazi,

e herë hesht nga malli tretur.

Ka kitara të pamësuara

me tela harkuar prej trillit, dehjes,

pointe borë të papërlyer

që vallëzojnë rreth një zjarri që kurrë s’u ter.

Në valixhen time,

ka telajo me nuancat e prillit,

që u ngjyrosën me penelët e mendjes,

me mall të pashuar në formën e qiellit.

Në të vetmen valixhe timen,

ka histori të pafilluara,

të mbaruara dhe të pafilluara,

të filluara dhe të pambaruara,

skalitur me vraga mungese dhe nginjeje.

S. Shala

Dua, dua, dua

Dua mëngjeseve të rizgjohem si dikur,

pa zile, dhimbje, kacafytje me veten,

të vesh krahët e të bëhem gati për udhë,

atje ku më shumë se kudo e dua jetën.

Dua mes ngjyrash nanuritëse të rizhytem,

fustanesh, buzëqeshjesh, siluetash si sirenë,

atje ku për t’u ndjerë a dukur bukur,

ndoshta nuk më duhet të jem një Helenë.

Dua diellin, erën, shiun ta ndjej nëpër flokë,

s’ka rëndësi nëse jashtë ka të nxehtë afrikanë apo acare,

dua të eci këmbëzbathur e të mos ndjej vetmi,

të erety ku jeta shijon si puthja mëkatare.

Dua të vallëzoj në agim derisa çdo muskul të më djegë,

dhe dhimbjen ta shtrij në tokë, sfidoj, sundoj,

meloditë e mia të harruara mërgimtare,

vetes nga e para sërish t’ia këndoj.

Nuk e di se ku dua të shkoj më parë,

në mal, det, tokë a përrua,

di që dua të qesh përsëri si e marrë,

dua, dua, dua…oh sa shumë që dua.

S. Shala

Romës

Ka një vend në gjithësi

ku ëndrrat qëndrojnë të paprekura,

meloditë të ngrira në galopin e jetës,

heshtjet të pazbërthyera

e ngjarjet të murosura nën dritën e hënës.

Ka një vend që quhet Romë,

për mua Qyteti i Përjetësisë,

ku koha rri këmbëkryq në një muze,

dhe ku perëndia, jo rastësisht,

fali një Vilë Borghese e një Kolose.

Ka një vend që qëndisur e kam në zemër,

ku rrinë kyçur ëndrra e zgjëndra pa fund,

që rigjallërohen çdo ditë sikur të jetë e para herë,

dhe ngjiten aq lart drejt kaltërsisë,

sa nuk realizohen kurrë.

Ky vend si fluturim i ngrirë në hapësirë mbeti,

përkundur nga dallgë dalldie, lirie,

që as koha a moti i eger s’ia treti

stolinë me stërkala hareje e dashurie,

që herë duken larg e herë fare afër.

S. Shala

Lumturi me pikatore

Kam filluar ta racionoj lumturinë,

ta shtiej në filxhanë me bojë të praruar,

stolisur me ojnat e shpirtit tim,

ngrohur me zjarrin që rri i pashuar.

E çdo agim nga një gllënjkë të vogël kthej,

sikur të jetë e para herë në këtë jetë,

ndryshe ç’mundim do të qe tjetër të gjej

në botën mbushur plot ëndrra dhe dert.

Dhe kështu dhimbjen filloj zbus nga pak,

si një plloçë guri që vetë e latoj me duar,

dhe netët më duken të bardha zambak

dhe ditët sado te errëta i marr shtruar.

S. Shala

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Suela Kerxhaliu Shala

KATËR KOLOSË QË I DHANË SHQIPES BOTËN

September 30, 2026 by s p

Albert Vataj/

Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Robert Shvarc dhe Amik Kasaruho, mjeshtrit që përkthyen qytetërimin në gjuhën shqipe.

Sot, në Ditën Botërore të Përkthimit, nderimi nuk u përket vetëm atyre që përkthejnë fjalët nga një gjuhë në tjetrën. U përket atyre që kanë ditur të përkthejnë shpirtin e një qytetërimi. Sepse përkthimi i madh nuk është kalim fjalësh. Është kalim epokash. Është ura e padukshme mbi të cilën Homeri, Dante, Shekspiri, Servantesi, Tolstoi, Kafka e dhjetëra gjigantë të mendimit dhe të letërsisë botërore kanë ardhur të flasin shqip. Dhe në këtë panteon të përkthimit shqiptar, katër emra qëndrojnë si katër shtylla të një tempulli të madh kulturor: Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Robert Shvarc dhe Amik Kasaruho. Ata nuk ishin thjesht përkthyes. Ishin arkitektë të gjuhës shqipe.

Në duart e tyre, shqipja nuk ishte një gjuhë që priste të merrte nga të tjerët. Ishte një gjuhë që dëshmonte se mund të mbante mbi vete peshën e kryeveprave të njerëzimit.

PASHKO GJEÇI

AI QË E NGJITI SHQIPEN NË QIELLIN E DANTES

Pashko Gjeçi është një nga ata emra që nuk mund të përmenden pa përmendur njëkohësisht Danten dhe shqipen. Përkthimi i Komedisë Hyjnore nuk ishte thjesht një vepër gjuhësore. Ishte një ngjitje në një nga majat më të larta të letërsisë botërore dhe një përpjekje titanike për ta sjellë atë në një gjuhë që duhej të përballonte njëherësh ritmin, rimën, simbolikën, filozofinë, teologjinë dhe universin poetik të Dantes.

Gjeçi nuk e përktheu Danten vetëm me fjalë. Ai e përktheu me frymëmarrjen e shqipes.

Në vargjet e tij, Dante nuk mbeti një monument i largët i Mesjetës italiane. Ai u bë një zë që mund të dëgjohej në gjuhën tonë. Dhe kjo është madhështia e përkthyesit të vërtetë: të mos e bëjë autorin e huaj të duket i huaj në gjuhën tënde. Gjeçi i dha shqipes një Danteshqip, pa ia vrarë Dantesin. Ky është art, mjeshtëri, sakrificë, dhe ndoshta është edhe një nga format më të heshtura të patriotizmit kulturor: t’i tregosh botës se gjuha jote është e aftë të mbajë mbi supe një kryevepër.

GJON SHLLAKU

HOMERI QË KALON DETIN DHE MBËRRIN NË SHQIP

Nëse Gjeçi e ngjiti shqipen në universin e Dantes, Gjon Shllaku e çoi atë drejt brigjeve të lashta ku lindi një pjesë e madhe e vetë qytetërimit evropian. Homeri, Iliada, Odisea. Dy kolosë të letërsisë së njerëzimit, të sjellë në një gjuhë që tashmë kishte provuar se mund të përballonte peshën e tyre. Shllaku ishte përkthyes, por në një kuptim më të thellë ishte edhe ndërmjetës i qytetërimeve. Sepse të përkthesh Homerin nuk do të thotë vetëm të kuptosh greqishten e lashtë. Do të thotë të kuptosh botën që fshihet pas saj: detin, luftën, nderin, fatin, zemërimin, dashurinë, kthimin, perënditë dhe njeriun përballë fatit. Dhe pastaj të gjesh në shqip fjalët që mund t’i japin asaj bote një jetë të re. Shllaku nuk e solli vetëm Homerin në shqip. Ai i tregoi shqipes se mund të ecte nëpër epikën homerike pa u përkulur.

Në vargjet homerike të shqipëruara prej tij, shqipja duket sikur kujton një moshë të largët të vetvetes, sikur një gjuhë e lashtë e Mesdheut takohet me një gjuhë tjetër në brigjet e kohës. Dhe aty përkthyesi bëhet më shumë se përkthyes. Bëhet udhëtar i kohëve.

ROBERT SHVARC

AI QË I DHA SHQIPES GJERMANËT E MËDHENJ

Pastaj është Robert Shvarc. Një tjetër emër që e ka bërë përkthimin shqiptar një vepër arti më vete. Nëpërmjet tij, letërsia gjermane mori një nga rrugët më të ndritshme drejt shqipes. Goethe, Schiller, Heine, Brecht e autorë të tjerë të mëdhenj gjetën një zë të ri në gjuhën tonë. Por madhështia e Shvarcit nuk qëndron vetëm në numrin e autorëve apo veprave që solli në shqip. Ajo qëndron në ndjesinë e gjuhës. Një përkthyes i madh duhet të dijë jo vetëm gjuhën prej së cilës përkthen. Duhet të dijë gjuhën ku përkthen. Duhet ta njohë muzikën e saj, ritmin e saj, nervin e saj, humorin, dhimbjen, ironinë, heshtjet. Shvarci kishte këtë dhunti.

Ai nuk e trajtoi shqipen si një stacion pritjeje për tekstin gjerman. Ai e bëri shqipen shtëpi për autorin e huaj. Dhe kur një përkthyes arrin ta bëjë këtë, ndodh mrekullia: lexuesi harron se po lexon një përkthim.

Lexon letërsi. Kjo është prova më e madhe e mjeshtërisë.

AMIK KASARUHO

PËRKTHYESI QË E BËRI LETËRSINË NJË FORMË LIRIE

Dhe pastaj vjen Amik Kasaruho, një nga figurat më të veçanta të përkthimit shqiptar. Te Kasaruho përkthimi nuk mund të ndahet lehtë nga jeta. Ai e njohu censurën, vuajtjen, burgun, internimin dhe atë Shqipëri ku fjala nuk ishte gjithmonë e lirë. Prandaj, për të, përkthimi ishte edhe një mënyrë për të ruajtur një marrëdhënie me lirinë. Ai solli në shqip autorë të mëdhenj të letërsisë italiane dhe botërore, duke i dhënë lexuesit shqiptar një horizont që shpesh ishte më i gjerë se kufijtë e kohës në të cilën jetonte.

Në këtë kuptim, përkthyesi bëhet edhe kundërpeshë e izolimit. Kur kufijtë mbyllen, libri i hap. Kur ideologjia ngushton horizontin, letërsia e zgjeron. Kur koha kërkon heshtje, një autor i madh, i ardhur nga një gjuhë tjetër, mund të vijë të flasë në gjuhën tënde. Kasaruho e dinte mirë këtë. Sepse kishte provuar vetë se çfarë do të thotë të jetosh në një kohë kur fjala mund të kishte pasoja. Dhe ndoshta pikërisht për këtë, përkthimi tek ai ka një dritë të veçantë. Ai nuk përkthente vetëm libra. Përkthente një mundësi tjetër të të qenit njeri.

KATËR EMRA, NJË GJUHË

Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Robert Shvarc, Amik Kasaruho, ishin katër emra, katër jetë, katër rrugë, katër përvoja dhe një mision i përbashkët, ta bëjnë shqipen të bisedojë me botën. Njëri solli Danten, Tjetri Homerin, një tjetër letërsinë gjermane, tjetri zërat e mëdhenj të Italisë dhe Europës. Por, në të vërtetë, ata sollën shumë më tepër se autorë. Sollën universin e tyre. Me ta, një lexues shqiptar mund të ecte në ferrin, purgatorin dhe parajsën e Dantes, të lundronte me Odisenë, të dëgjonte tragjedinë dhe filozofinë e botës gjermane, të përjetonte letërsinë italiane e evropiane.

Dhe të gjitha këto, pa pasur nevojë të largohej nga gjuha e vet. Ky është një nga shërbimet më të mëdha që mund t’i bëhet një kombi. Sepse një komb nuk pasurohet vetëm duke shkruar atë që është e tija. Pasurohet edhe duke sjellë në gjuhën e vet atë që i përket njerëzimit.

PËRKTHYESI, KRIJUESI I PADUKSHËM

Shpesh lexuesi mban mend autorin, harrojnë përkthyesin, mban mend Danten, por jo gjithmonë Gjeçin. Mban mend Homerin, por jo gjithmonë Shllakun. Mban mend Goethen, Heinen apo Brechtin, por jo gjithmonë Shvarcin. Mban mend autorët që erdhën nga përtej kufirit, por harron njeriun që i kaloi ata nëpër portën e shqipes. Dhe kjo është një padrejtësi e vogël e letërsisë. Sepse përkthyesi është një krijues i padukshëm. Ai qëndron pas tekstit, por pa të teksti mund të mos mbërrinte kurrë tek ne. Ai nuk kërkon të duket. Kërkon që autori të dëgjohet. Dhe kjo është një nga format më fisnike të ego-s krijuese: të krijosh diçka të jashtëzakonshme dhe të pranosh që lavdia t’i shkojë dikujt tjetër. Përkthyesi i madh nuk vjedh zërin e autorit. Ai ia shpëton zërin.

SHQIPJA, GJUHË E NJË BIBLIOTEKE BOTËRORE

Sot, në Ditën Botërore të Përkthimit, nuk është vetëm puna e tyre që duhet kujtuar. Duhet kujtuar edhe besimi që ata patën te shqipja. Sepse për të përkthyer Danten, Homerin, Goethen, Heine-, Brechtin dhe kolosë të tjerë, duhet të besosh se gjuha jote mund ta përballojë madhështinë e tyre. Ata nuk e varfëruan shqipen duke sjellë letërsinë e huaj. E pasuruan. I zgjeruan kufijtë. I shtuan ritme, figura, struktura, mënyra të reja të të menduarit. Nëpërmjet tyre, shqipja nuk mbeti vetëm gjuhë e një populli. U bë gjuhë e një biblioteke. Dhe kjo është ndoshta trashëgimia e tyre më e madhe. Sot, kur përkthimi bëhet gjithnjë e më i shpejtë, kur teknologjia mund të përkthejë në sekonda atë që dikur kërkonte muaj e vite, puna e këtyre mjeshtërve na kujton diçka thelbësore: Përkthimi nuk është vetëm të kuptosh çfarë thotë një tekst. Është të kuptosh pse e thotë, si e thotë dhe çfarë drite duhet të ruash kur e sjell në një gjuhë tjetër. Makina mund të kalojë fjalët. Por vetëm njeriu mund të përpiqet të kalojë shpirtin. Dhe pikërisht aty qëndron madhështia e këtyre katër kolosëve. Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Robert Shvarc, Amik Kasaruho. Katër emra. Katër ura. Katër duar që nuk e lanë shqipen të qëndrojë në breg, duke parë anijet e letërsisë botërore të kalonin larg.

Ata i sollën anijet në portin tonë. Dhe në ato anije erdhën Homeri, Dante, Goethe, Heine, Brecht, autorë të mëdhenj të Europës dhe të njerëzimit. Prandaj sot, në Ditën Botërore të Përkthimit, le t’i përulemi jo vetëm përkthimit si art, por përkthyesit si mision. Sepse disa njerëz shkruajnë libra. Disa të tjerë bëjnë diçka edhe më të heshtur, i bëjnë botës një vend në gjuhën e tyre. Dhe kur një gjuhë arrin të strehojë një botë të tërë, ajo nuk është më vetëm një mjet komunikimi. Është një qytetërim që ka gjetur zërin e vet.

Filed Under: Sofra Poetike

HAGUE: THE CALVARY OF KOSOVO

September 23, 2026 by s p

All of you men faced this

war together,

with bravery and determination

unlike the rest.

Your lives went through an

unfathomable test,

and all of your sacrifices became 

a testament

to the cruelty of the enemy

at hand.

Thaci, you embodied a reslience

unlike any human shield

could withstand.

You held the torch and fought for

your people

with a fiercely loyal command.

The brutality and injustice of

your judgement

is something we will be baffled by,

day by day.

The fragments of our tears will never

fade away,

but we must find solace in

our hearts

and pray to God that all of you will

return to your homeland once again.

Theresa Gjonlekaj

New York

Filed Under: Sofra Poetike

Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Mitrush Kuteli

September 14, 2026 by s p

Dhimitër Pasko, shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist, i njohur me pseudonimin letrar Mitrush Kuteli, lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec.

Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, i shpërngulur në Mokër e pastaj në Pogradec nga qyteti i Artës, në fillim të shek. 19-të. I ati, Pandi, i biri i Pasko Kutelit, ishte rrobaqepës që kish jetuar 24 vjet në mërgim, në Rumani, duke punuar si murator e bojaxhi. U shqua për veprimtari patriotike, ku u burgos shpeshherë në periudhën osmane, si dhe gjatë pushtimit serb e atij bullgar. Pas shpalljes së Hyrrijetit hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec.

Kutelit i lanë shumë mbresa leximet në librarisë së vogël të të atit dhe që aty nisi pasioni për letërsinë. Ndërsa shfaqi talentin letrar me vjershat e tij të para, të cilat i botoi në kalendarin “Pogradeci”, priti që dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike familjes për shkollimin e tij. Në vitin 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune.

Më 1926-n, 19- vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri.

Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra, si dhe shkrime profesionale që i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Për shkak të kritikave që bënte për drejtimin e bankave në Shqipëri, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vijonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar.

Megjithatë ai ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj, ndërkohe që lexonte literaturë në frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar dhe më pas u zgjodh sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”.

U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”. Gjatë qëndrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çernëucit. Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. E ndihmuan miqtë që kish në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t’u larguar nga vargu i ushtarëve, se kishte nënën e sëmurë dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi të arrijë në Pogradec në shtator 1942. Nëna kish ndërruar jetë më 28 gusht.

Mitrush Kuteli është mjeshtri i realizimit magjik, rrënimtar i shkëlqyer, përkthyes i majave të letërsisë botërore; njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare. Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika.

Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967 në Tiranë. Për kontributin e tij të shquar, ai është shpallur “Nderi i Akademisë së Shkencave”.

www.akad.gov.al

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 144
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 114 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
  • FALENDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR PATRIOTEN ERJOLA XHEKO, DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • VLERËSIM HISTORIK I RAPORTIT DIPLOMATIKO-USHTARAK FRANCEZ MBI SITUATËN POLITIKE NË SHQIPËRI PAS PRANIMIT TË 14 KËRKESAVE TË HASAN PRISHTINËS
  • MARIE ALEKSANDRA IVEZAJ – KRENARIA E NJË VAJZE MALËSORE QË NGRITI SHQIPONJËN SHQIPTARE NË SKENËN E BOTËRORE
  • Nga qëndresa te qytetërimi: 28 Nëntori dhe përgjegjësia historike e shqiptarëve
  • Lef Nosi (1877–1946)
  • “Ditë e shenjtë” – Nëntorët e Pavarësisë
  • DEDË GJO’ LULI DHE FLAMURI I SKËNDERBEUT NË DEÇIQ
  • RRUGËTIMI I QYTETËRIMEVE BOTËRORE NË SHEKUJ
  • SOTIR PECI – PATRIOTI E PUBLICISTI, MESUESI E GJUHETARI, POLITIKANI E MINISTRI VIZIONAR
  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Anton Raja, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Artisti Flori Lloga dhuroi 2 mijë dollarë për Darkën e Flamurit Kombëtar
  • THANKSGIVING – NGA RRËNJËT E HISTORISË TE FESTA E MIRËNJOHJES AMERIKANE
  • NËNTORI – MUAJI I FESTAVE DHE KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Pse Ismail Qemali zgjodhi shqiponjën dykrenare heraldike?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT