
Dhimitër Pasko, shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist, i njohur me pseudonimin letrar Mitrush Kuteli, lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec.
Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, i shpërngulur në Mokër e pastaj në Pogradec nga qyteti i Artës, në fillim të shek. 19-të. I ati, Pandi, i biri i Pasko Kutelit, ishte rrobaqepës që kish jetuar 24 vjet në mërgim, në Rumani, duke punuar si murator e bojaxhi. U shqua për veprimtari patriotike, ku u burgos shpeshherë në periudhën osmane, si dhe gjatë pushtimit serb e atij bullgar. Pas shpalljes së Hyrrijetit hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec.
Kutelit i lanë shumë mbresa leximet në librarisë së vogël të të atit dhe që aty nisi pasioni për letërsinë. Ndërsa shfaqi talentin letrar me vjershat e tij të para, të cilat i botoi në kalendarin “Pogradeci”, priti që dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike familjes për shkollimin e tij. Në vitin 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune.
Më 1926-n, 19- vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri.
Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra, si dhe shkrime profesionale që i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Për shkak të kritikave që bënte për drejtimin e bankave në Shqipëri, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vijonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar.
Megjithatë ai ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj, ndërkohe që lexonte literaturë në frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar dhe më pas u zgjodh sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”.
U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”. Gjatë qëndrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çernëucit. Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. E ndihmuan miqtë që kish në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t’u larguar nga vargu i ushtarëve, se kishte nënën e sëmurë dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi të arrijë në Pogradec në shtator 1942. Nëna kish ndërruar jetë më 28 gusht.
Mitrush Kuteli është mjeshtri i realizimit magjik, rrënimtar i shkëlqyer, përkthyes i majave të letërsisë botërore; njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare. Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika.
Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967 në Tiranë. Për kontributin e tij të shquar, ai është shpallur “Nderi i Akademisë së Shkencave”.