
Altin Gjeta/
Ka njëlloj tabuje – të vetëkuptushme – në botën shqiptare kur diskutohet roli i perëndimit në Kosovë. Sipas narrativës dominuese, perëndimi u angazhua ushtarakisht, çliroi Kosovë, prandaj kritika në këtë drejtim nuk është e mirëpritur.
Kontributi i perëndimit, veçanërisht i Shteteve të Bashkura dhe Britanisë së Madhe ka qenë vendimtar në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Por, të thuash se Kosova qëndron sot e pavarur vetëm sepse ndërhyri perëndimi, e redukton rolin e shqiptarëve në spektator. Kosova u çlirua dhe u pavarësua së pari për shkak të përpjekjeve njëshekullore të shqiptarëve. Ata sakrifikuan, luftuan dhe derdhën gjak për liri nën një shtet ku nuk u pyetën kurrë për fatin e tyre politik. Asnjë proces i tillë nuk ndodhi në 1913, as në 1945 dhe sigurisht kurrë më vonë.
Shqiptarët u aneksuan nga Serbia dhe Jugosllavia kundër vullnetit të tyre.
Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, Këshilli Rajonal ku nga 140 antarë, vetëm 37 ishin shqiptarë vendosi qëndrimin nën Serbi. Historia mandej dihet: shqiptarët u trajtuan si popull i dorës së dytë. Në vitet 1960-70 edhe pse zyrtarisht Serbët dhe Malazezët përbënin 27% të popullsisë (me shumë gjasa shifër e fryrë sepse censusi organizohej nga Serbia), përsëri okuponin ma shumë se 50% të pozitave drejtuese në Kosovë. Këtu nuk po flas për dhunën që ushtrohej ndaj shqiptarëve për ta lëshuar Kosovën.
Megjithatë, shqiptarët rezistuan: organizuan protesta të fuqishme në vitet 1960, 1981, ndërtuan shtetin paralel dhe diplomacinë ndërkombëtare nën udhëheqjen e Rugovës dhe luftuan me armë kur çdo mjet tjetër dështoi. Pa këto përpjekje, perëndimi nuk do të kishte ndërhyrë në Kosovë. Përpos kundër gjithë gjasave ndërhyri dhe u angazhua në një projekt ambicioz shtetndërtimi.
Por, pas luftës diçka ndryshoi. Mbështetja për pavarësinë dhe shtetin e Kosovës u ofrua me një çmim të lartë; akomodimin e interesave të Serbisë. Pushteti në Kosovë praktikisht u nda me Serbët. Siç edhe një diplomat evropian thotë fill pas shpalljes së pavarësisë ‘shqiptarët morën diçka për të cilën nuk ishin krejt entuziast, ndërsa evropianët dhanë pikërisht atë çka donin, jo një zgjidhje përfundimtare dhe jo një Kosovë shqiptare.’
Të kompleksuar se Serbia duhej të kompensohej për humbjen Kosovës, perëndimi mesa duket nuk u mjaftua me ndarjen e pushtetit me Serbët në Kosovë.
Duket se shkoi një hap ma larg: me prokurorinë dhe gjykatën speciale kërkon të ndajë edhe krimet e luftës në Kosovë. Sepse me shumë gjasë javën që vjen, udhëheqja politike e UÇK do të dënohet për eksese në luftë dhe fill pas luftës, duke vendosur kështu në sytë e opinionit ndërkombëtar shenjën e barazisë mes kriminelit – Serbisë së Millosheviqit – dhe viktimës – Kosovës.
Udhëheqësit e UÇK ka gjasa të dënohen dhe Kosova të damkoset në një proces i cili filloi me shtëpinë e verdhë dhe po përfundon me akuza krejt të tjera. EULEX hetoi për më shumë se katër vite akuzat e Dick Marty, dhe arriti në përfundimin se nuk ka prova për trafik organesh, por me një lëvizje skandaloze ndryshoi objektin e hetimit. Mesa duket prokurorët ishin nisur me paramendim për të gjetur patjetër diçka.
Në bazë të raportit të EULEX-it, Kosovës iu imponuan Dhomat e Specilizuara monoetnike. Pra, për 13 mijë të vrarë në Kosovë, ku UÇK ishte forcë mbrojtëse do të gjykoheshin vetëm shqiptarët të akuzuar për disa dhjetra krime. E gjitha kjo histori ndodh në sfondin e dialogut me Serbinë ku BE dhe SHBA kërkojnë tërheqjen e Beogradit në orbitën Evropiane.
Sot, pas shumë vitesh është e qartë se kjo strategji ka dështuar. Dialogu nuk ka normalizuar asgjë; as Serbinë me Kosovën, as Serbinë me perëndimin dhe as Serbinë me të shkuarën e vet. Funerali i Radko Mlladiq në Beograd dëshmon se Serbia mbetet peng i shovinizmit të sëmurë. Dhe krimet që nuk dënohen, përsëriten.
Ironike, por ndërsa në Kosovë nuk janë gjetur akoma mbi 1000 trupa, dhe zbulohen varre masive, perëndimi u angazhua në një sipërmarrje politike me pasoja katastrofike. Treni i gjykatës speciale është nisur për të mbërritur në Beograd, dhe tash askush nuk e ndalon dot.
Kosova dhe udhëheqja e UÇK po paguan një çmim të rëndë për ëndrrallat e perendimit me Serbinë e Vuqiçit. Kjo është si të qëllosh krijesën tënde për të kënaqur epshet e komshiut sadist. Sepse në një konflik ku mbi 95% e viktimave janë shqiptarë në trojet e tyre, nuk mund të ketë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor.
Prandaj, shqiptarët dhe serbët nuk mund të ndajnë edhe krimet në Kosovë. Dhe tragjike është se epilogun katastrofik të Hagës nuk e kanë lexuar as në Prishtinë as në Tiranë. Të gjithë janë shëndeverë në lojrat e vogla politike.