
Tish Daija ishte një nga figurat më të shquara të muzikës shqiptare, i njohur për kontributin e tij të vyer si kompozitor. Ai u nda nga jeta më 3 tetor 2003, në moshën 78-vjeçare. Lindi më 30 janar 1926 në Shkodër, si një nga figurat kyçe të muzikës klasike dhe skenike shqiptare.
Që në fëmijëri, Daija u përfshi në jetën muzikore të qytetit, duke u formuar në Korin Françeskan dhe më pas si instrumentist në bandën “Antoniane”. Talentit të hershëm i hapi rrugë angazhimi aktiv në muzikë, ndërsa fizarmonika u bë instrumenti me të cilin realizoi krijimet e para artistike.
Pas përfundimit të shkollës së mesme në Shkodër, ai ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në Konservatorin “Petar Iliç Çajkovski” në Moskë (1951-1956).
Ai ishte autori i baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, në krijimtarinë e tij spikasin vepra të rëndësishme si opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”.
Që prej vitit 1999 ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe që prej vitit 2000 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ai mban titullin Artist i Popullit.
Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës dhe në vitin 1962 u emërua udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve Popullore. Tish Daija, së bashku me Çesk Zadenë dhe Tonin Harapin, krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, duke dhënë një kontribut të çmuar si pedagog.
Daija ka kompozuar në të gjitha gjinitë muzikore. Në këtë ditë përkujtimore për Tish Daijën, le t’i rikujtojmë trashëgiminë e tij të pasur muzikore, tingujt që na frymëzojnë dhe dashurinë e pakushtëzuar për artin.