
Arben Iliazi/
Nuk e absolutizoj po të them se Fan Noli (Theofan Stilian Noli) është një figurë e jashtëzakonshme e kulturës dhe letërsisë shqiptare, një shumësi personalitetesh brenda një njeriu të vetëm. Shkrimtar, diplomat, politikan, historian, muzikant dhe peshkop, si dhe shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë në vitin 1924.
Analiza për këtë personalitet ka ende nevojë të plotësohet, të gjeneralizohet, sidomos në pikëpamjet konceptuale. Për fat të keq kritika jonë ka bërë ende pak për këtë figurë kolosale. Noli jetoi relativisht gjatë, me një thjeshtësi asketike e modesti, dhe në jetën e tij përjetoi ngjarje të mëdha të shekullit të njëzetë. Në këto ngjarje ai nuk ishte soditës, as vëzhgues i një kabineti intelektual akademik.
Ai iu përkushtua kërkimeve sfiliëse në fushën e dijeve dhe të simboleve ekzistenciale të kombit shqiptar, por edhe të mundimeve të parreshtuara të jetës vetiake, kundërthënieve, shpresës dhe vullnetit të pathyeshëm për të mbijetuar. Me emrin Nolit është lidhur gjithë kultura e re shqiptare e shekullit të njëzetë. Për fat të keq, si shume artistë të mëdhenj shqiptare, ai lindi dhe vdiq larg atdheut.
Lindi më 6 janar 1882 në Ibriktepe të Thrakës, një fshat me banorë shqiptarë nga Qyteza e Kolonjës. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë. Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letësinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri. Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për ta zgjeruar kulturen e vet, dëshirë që mbeti e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t’i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe.
Për të siguruar jetesën hyri në një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në një teater. Herë-herë luante edhe ndonjë rol të vogël , por puna në teater nuk i vleu më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri), dhe me vonë dramën në shqip “Izraelitë e filistinë”. Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit. Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare edhe ai po në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë “Besa-besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra”si dhe gazetën “Dielli”. Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një punë të rëndë që të siguronte jetesën.
U diplomua në Harvard University për Arte (1912), mori diplomë në Konservatorin e Nju Anglisë (1938) dhe doktoraturë (Ph.D.) në Boston University (1945). Vdiq më 13 mars 1965 në Fort Lauderdale të Florida-s, SHBA. Zemra e tij e madhe rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare.
Fan Noli ka kontribuar kaq shumë në skalitjen e testmentit të përjetshëm të kombit. Koha ka rivlerësuar mesazhet e tij, natyrisht duke bërë ndryshime e retushime. Noli është Marthonomaku i fjalës martire shqipe, i cili e lartësoi fjalën shqipe përmes poezive të tij origjinale, përkthimeve gjeniale dhe meshimit në gjuhën shqipe.
Cikli poetik i tij është kaq i veçantë dhe origjinal, saqë mund të quhet një nga subjektet më të veçanta të poezisë ballkanike dhe evropiane. Metaforika biblike, simboli i Krishtit të shqiptarizuar, e bëjnë poezinë e Nolit sa të pajisur me ndjeshmëri të lartë, aq dhe universale nga pikëpamja intelektuale. Në poetikën noliane sqarohet koha, goditet tirania dhe diktatura, me sarkazmën e tmerrshme dhe anatemike të vargjeve. Fan Noli është një poet tribun, me një substancë poetike prej diamanti, që edhe ndriçon, edhe pret. Përmes vargjeve si ato te “Anës lumenjve” apo “Rend, or Marathonomak!”, ai krijoi një poezi me ritëm e forcë të pashoqe, duke u bërë vetë zëri i vuajtjeve dhe aspiratave të popullit shqiptar.
Në vitin 1903 botoi disa skica proze të shkurtër, që nuk janë vlerësuar siç duhet në historinë e prozës sonë moderne. Këto proza epigramike janë shkruar shumë më përpara prozave moderne që botoi Migjeni në vitet 1934-1936. Në prozat filozofike të Nolit fshihet profili i një prozatori të madh dhe të vjen keq që ai nuk u mor më vonë me tregime apo romane.
Fan Noli shkrimtar është i pashkëputur nga Fan Noli përkthyes, më i madhi në kulturën tonë, mbase i të gjitha kohërave. Përkthimet e tij përfaqësojnë jo thjesht poliglotin dhe filologun e mahnitshëm, por edhe arketipin e përsosur të intelektualit të mirëfilltë shqiptar, të sintezës së tij me kulturat e botës. Ai i dha gjuhës shqipe zërin e kryeveprave botërore të Uilliam Shekspirit, Servantesit, Omar Khajamit dhe Edgar Alan Posë, duke dëshmuar se shqipja është e aftë të shprehë edhe nuancat më të holla filozofike e artistike. Duke shqipëruar kolosë të tillë të njerëzimit si Shekspirin dhe Servantesin, Fan Noli bëri edhe shqyrtymin kritik të kryeveprave të tyre.
Fan Noli ka merita të padiskutueshme për studimin insitucional të historisë dhe të eseistikës. Ai si askush ngriti monumentin shkencor të hisorisë së Skënderbeut. Ai shkroi shkëlqyeshëm edhe librin për Bethovenin, shkroi analizat brilante për Makiavelin, Montverdin, Profein Muhamed, Toskaninin, Tolstoin, Domjenë. Shkenca eseistike, e nisur nga Barleti dhe e konstruktuar nga Konica, te Fan Noli gjeti kryemjeshtrin e saj.
Noli është dhe konstruktor i Kishës Autoqefale Shqiptare. Fetarizmi i tij ishte tejet kombëtar. Si themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ai zëvendësoi greqishten me shqipen në shërbesat fetare, një akt me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare. Përktheu librat e shenjtë, psallmet, duke eksperimentuar kështu një kryevepër filologjike, që e botoi në anglisht disa vjet para se të vdiste.
Te studimi “Jeta e Jezuit”, ku Noli e trajton tekstin e shenjtë përmes një optike poetike dhe estetike.
Në vitin 1962 botoi “The Poet of Nazareth”, një tekst biblik ku ungjijtë nuk shihen thjesht si dogma fetare, por si një strukture poetike dhe metaforike universale.
Noli ka qenë një kampion i vërtet i koncepteve demokratike, të lidhura ngushtë me emancipimin kombëtar dhe rilindjen e kombit shqiptar. Shkëlqeu me oratoritë e tij. Duke u tallur pa mëshirë me pseudodemokracinë ai krijoi imazhin e “Krishtit me kamzhik”.
Veprat e plota dhe botimet përmbledhëse të Fan S. Nolit përfshijnë krijimtarinë e tij origjinale në poezi, prozë, histori dhe publicistikë, si dhe përkthimet kryesore të tij monumentale.
Veprat kryesore origjinale:
Album (1948) – Vëllim me poezi lirike dhe satirike.
Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastrioti Skënderbeu, 1921) – Studim historik kushtuar heroit kombëtar.
Israelitë e Filistinë – Dramë me motive biblike.
Beethoven and the French Revolution (Bethoveni dhe Revolucioni Francez, 1947) – Studim biografik dhe muzikor.
Autobiografia (1960)
“Jeta ime”
“Historia e krishterimit në Shqipëri”,
“Portrete dhe skica”.
Përkthimet kryesore:
Dramat e William Shakespeare: Hamleti, Makbethi, Otello.
Don Kishoti i Miguel de Cervantes.
Rubairat e Omar Khayyam.
Fausti i Johann Ëolfgang von Goethe.
Përkthimi i Dhiatës së Re (The New Testament, 1961).