
Sot në 160-vjetorin e lindjes.
Nga Albert Vataj
Ndre Mjeda ishte një prej figurave më të spikatura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njëri prej atyre burrave të kohëve të stuhishme të përcaktimit të fatit dhe të vendit të merituar të Shqipërisë si identitet kombëtar, përballë hordhive dhe orekseve të pangopura të atyre që deshën ta pengonin diellin e shqiptarizmës të ndriçonte në agimin e kohës.
Roli dhe kontributi i Mjedës shënojnë një moment të rëndësishëm në atë plejadë fatosash të idealit të lartë kombëtar. Ai u përkushtua me të njëjtin zell dhe devocion si në shërbesën fetare, ku më shumë se gjithçka tjetër u mëshoi arsimimit dhe zellit për t’u ndriçuar prej dritës qiellore, ashtu edhe në veprimtarinë politike, gjuhësore, në shqipshkrim dhe në mëtimin e krijimit poetik, të ëmbël si mjalti. Dha një kontribut fort të çmuar në Kongresin e Manastirit. Gjithashtu, ishte nismëtar i formimit të Komisisë Letrare dhe themelues i shoqërisë kulturore “Agimi”. Punoi me përkushtim të madh e pasion për gjuhën shqipe, shkroi poezitë e përmbledhura në “Juvenilja”, ndër të cilat shkëlqejnë poemthat “Andrra e jetës”, “Vaji i bylbylit”, “Liria”, “Lissus”, “Scodra” etj. Dom Ndre Mjeda cilësohet si “mjeshtër i fjalës poetike” dhe “poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe”.
Prolog i shpirtshëm për Mjedën
Ma i bylbylshmi za qi ka lëmue kandjen e këndimit e të kumtimit shqip asht ai i Ndre Mjedës. Mëlimi dhe tamëltimi i vargut të tij përngjasojnë me ligjërimin e një ndjenje të shpirtshme, të cilën ai ia fali poezisë, ndijimit dhe përjetimit. Kangën e zashme të amshimit dhe të kandjes kurrkush nuk mujti me e ligjërue me atë amë hyjnore ma mirë se Dom Ndre Mjeda, ndonëse qenë shumë pena e mendje që e lëvruen atë tokë të begatë të këndimit. Kurrkush, atëherë e deri më sot, nuk ka mujtë me e thurë me kaq amëlsi e finesë, në një shqipe të kullueme, zanin e shpirtit dhe kushtrimin e ngulitur thellë në të gjallët e një prej figurave ma të kandshme të letërsisë shqipe, njërit prej personaliteteve ma të vendosuna të politikës, shërbestarit të devotshëm të fjalës së shenjtë dhe atdhetarit të përkushtuem.
Tash rrëmojmë në mbamendjen e kandjes së shqipes, në gjininë e ligjërimit të hyjnive, poezisë, e prej andej mund të nxjerrim shumë emna, shumë skalitës të asaj gegnishtjeje të kullueme, të asaj finesse kumtuese. Por, para së gjithash, na yshtet dëshira me vu në këtë piedestal Ndre Mjedën. Buzëhollin e lirikës shqipe, zanin e patëdytë të kumbimit.
Jeta dhe përpjekjet
I lindun në Shkodër, më 20 nandor 1866, ai gjasoi me qenë e me mbetë një majë në krenin e shqipes dhe të shqiptarëve. Kushtet e vështira ekonomike nuk arritën ta zhysnin në terr shkëlqimin e këtij ylli, të cilin e pikasën jezuitët, që panë tek ai tharmin e një shërbestari të devotshëm. Spanja, Italia dhe Polonia qenë hapësirat ku u shtri gjeografia e studimeve dhe e formimit teologjik të Mjedës. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci, prej nga u dëbua nga urdhri jezuit për mosbindje, duke u kthyer më pas në vendlindje. Që në agun e vrulleve të tij rinore, u lidh me lëvizjen patriotike. Më 1901, së bashku me të vëllanë, themeloi shoqninë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash shkollorë mbi bazën e këtij alfabeti. Ai hartoi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, ku shprehej kundërshtimi ndaj pushtetit osman. Poeti ngriti zërin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do t’i kushtonte lirinë. Më 1902, Ndre Mjeda u arrestua, por i shpëtoi burgimit me një syrgjynosje në Anadoll. Këtë kapërcyell të jetës së tij e himnizoi me poemthin “I tretuni”.
Më 1908, në Kongresin e Manastirit, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916–1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e zjarmit të lëvizjes demokratike (1920–1924), Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Vitet e fundit të jetës i kaloi duke shërbyer si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, ku edhe vdiq, më 1 gusht 1937.
Ndihmesa në shqipshkrim
Ndre Mjeda dha një ndihmesë të vyer edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u shtri në gramatikë, leksikologji dhe filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua nga shoqnia “Agimi”, mbi bazën e kriterit shkencor: për çdo tingull, një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha gjithashtu një ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare duhen përmendur studimet e tij “Vërejtje mbi artikuj e përemna pronor të gjuhës shqipe” (1934) dhe “Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe” (1902).
Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932), si dhe për Perikopenë e Ungjillit të shekujve XIV–XV (1933).
Mjeda dhe poezia
Me Mjedën kemi një prej mendjeve më të mëdha të kohës, një njeri që dinte pothuajse gjithçka për poezinë: jo vetëm për poezinë si një zë i shpirtit, si shpërthim krijues, por edhe për poezinë si shkencë. Megjithatë, duhet të kujtojmë se ai nuk qe rob i rregullave të ngurta të vjershërimit, pasi, siç shkruan vetë, “masa e plotëson poezinë, por nuk asht nji gja e domosdoshme e saj”. Kjo thënie merr një vlerë të veçantë kur kemi parasysh se bëhet fjalë për një poet që kishte kultin e formës. Duhet kuptuar se, megjithëse ishte mjeshtër i saj, ai nuk e kërkoi formën si qëllim në vetvete; ishte ideja ajo që ia organizonte dhe i jepte trajtë vargut. Kështu u përftuan katreni katërrokësh me rimat ABAB, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCC, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCD etj.
Botimi i veprës “Juvenilja”, më 1917, pati fatin e veprave të dorës së parë, atyre me të cilat mediokriteti i zakonshëm nuk hyn dot në marrëdhënie, sepse nuk arrin t’i rrokë e t’i përvetësojë. Gjergj Fishta ishte zëdhënës i letërsisë romantike kur, në “Hylli i Dritës” (1921), do të shprehej se kjo poezi duhej të vinte “më tepër prej zemrës se sa prej mendjes”. Mirëpo, nuk duhet harruar se, në kulmin e postulatit romantik “poezia asht shpërthim spontan i ndjenjave”, të përfaqësuar nga Wordsworth-i, John Keats-i e cilësonte poezinë si diçka “impersonale”, pa përmendur Edgar Allan Poe-n dhe Charles Baudelaire-in, të cilët sollën një shkëputje të rëndësishme nga kjo atmosferë krijuese.
Që në hovet e rinisë, Mjeda do t’i kthente sytë nga poezia. Poemthi “Vaji i bylbylit” u botua më 1881, ndërsa “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës së tij shkëlqejnë jo më pak edhe poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e mbetur e papërfunduar.
Mjeda si veprimtar politik dhe klerik
Për me qenë ma të saktë në profilizimin e plotë të figurës së Ndre Mjedës, nuk mund të mos përfshijmë në këtë dëshmi edhe veprimtarinë e tij politike dhe klerikale, siç e cekëm edhe ma nalt. Më 1921, Mjeda u zgjodh deputet i Prefekturës së Shkodrës dhe u rizgjodh në dhjetor të vitit 1923. Në famullinë e tij në Kukël kishte lënë si zëvendës Dom Ndre Zadejën.
Gjatë veprimtarisë parlamentare, në qershor të vitit 1921, Mjeda u caktua në Komisionin Parlamentar të Drejtësisë. Në korrik mbajti një fjalim të fuqishëm për çështjen e masakrave serbe në Kosovë. Hartoi gjithashtu pjesë të rregullores së brendshme të parlamentit të kohës, përkatësisht dispozita për formimin e komisionit të shqyrtimit të zgjedhjeve të deputetëve dhe funksionimin e tij. Pas vrasjes së Avni Rustemit, Mjeda, së bashku me kolegët e vet përfaqësues të Shkodrës, u kthye në Shkodër dhe, në maj të vitit 1924, nxiti fshatarët e Kuklit të përkrahnin revoltën e njësive të ushtrisë, që çoi drejt Lëvizjes së Qershorit. Ai u bë pjesë edhe e shtabit të kryengritjes.
Pas Lëvizjes jetëshkurtër të Qershorit dhe rikthimit të Zogut, teksa po bëhej gati të udhëtonte me autobus drejt Tiranës për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë, u arrestua dhe u burgos në Prefekturën e qytetit të Shkodrës, nga 14 janari deri më 2 mars 1925. Pas kësaj, u tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në Kukël.
Mjeda e kaloi pothuajse gjithë jetën e tij si prift në krahinat e Shkodrës. Ndër shërbesat e tij, veçojmë atë të viteve 1906–1907 në famullinë e Kuklit.
Mjeda në devocionin e besimit
Ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shëjtit Shë Njon Berkmansit”, të cilën e përshtati nga italishtja më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur nga spanjishtja më 1892 dhe ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës”, përshtatur nga italishtja dhe botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur nga frëngjishtja më 1931; si dhe “Katekizmi i Madh”, përshtatur nga italishtja. Ai ribotoi edhe 14 ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën, me titull “Jeta e së Lumes Virgjin Mëri”, nxjerrë prej veprës “Cuneus Prophetarum”.
Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i përgjithtë i moshës së re”. Në 21 kapitujt e parë tregohet jeta dhe vepra e shenjtit, i cili u shpall nga Papa Piu XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e 22-të dhe të fundit botohet Letra Apostolike që Papa Piu XI i drejtoi Eprorit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezuitëve të asaj kohe, me rastin e kremtimeve të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit. Përmes saj, siç shprehet vetë papa, synohet t’i flitet mbarë moshës së re.
Një prej veprave të pabotuara të Mjedës, me vlera të mëdha studimore në lëmin e gjuhës shqipe dhe sidomos të terminologjisë fetare, është oficja “Vizari Shpirtënuer”, e punuar nga poeti-meshtar në bashkëpunim me fratin françeskan, Atë Benedikt Dema. Këtu nuk duhet harruar as letërkëmbimi tepër i pasur i priftit, poetit dhe gjuhëtarit.
Po Dom Ndre Mjeda qe i madh në të gjitha fushat e dijes
Për të konturuar përmasat e njëmendta të Mjedës në fushën e dijes, posaçërisht në atë të gjuhës shqipe, sjellim çfarë shkruan Prof. Ernest Koliqi:
“Po t’ishte qénë Dom Ndreu vetëm nji erudit mbledhës citatash klasike apo vetëm nji ligjerues i hollë mbi systemet e ndryshme filozofike, vepra e tij sigurisht do të kishte humbun me tê. Nji tjetër gjâ e bâni të Madh e të padekëshëm: dashunija e stërfuqishme për gjuhë shqipe. Ai njoftës i rrallë i gjuhve të vjetra, ai qi shkruente mjeshtrisht pesë gjuhë të mëdhaja europjane dhe lexonte e kuptonte njâ tri a katër tjera, dashunonte me nji dashuní të njomë e luftarake kët gjuhë të palavrueme t’onë. E dashunonte si Dijetar e si Atdhetar, e dashunonte edhe si Poet. Shkrimtarët e moçem gegë e toskë dhe italo-shqiptarë i studjonte pajadá dhe dinte këthelltas historín e çdo fjale të shqipes.
Ai i vetmi ndër ne, po të kishte dashun, mund të përpilonte nji fjaluer historik të gjuhës, sepse përveç përdorimit të saj në popull dhe ndër tekste letrare njifte mirfilli edhe burimin ethimologjik. Ndoq përherë me vërejtje studjimet e albanologve dhe mbajti letër-shkembim të vazhdueshëm me Pedersenin, Joklin, Tagliavinin. Qe në riní dishepull i Gustav Mayerit. Mjerisht shum pak prej vërejtjeve të shumta, qi ai përmblodhi në këto studjime të parreshtuna, Dom Ndreu botoi. Ai shpërndante dijen e vet në gjuhësí ndër këshille miqve, nxânësvet, kujdo qi i siellej. Auktorë fjalorësh e shkrimtarë të vjetër e të rij (ndër të cilët edhe unë) i detyrohen ndihmës së tij zêmër-bardhë për spjegime, ndriçime, qortime e shllime. Ai epte landen e vet të grumbullueme me vishtirsí, i knaqun kur dikuj i hinte në punë për naltësim të shqipes e të Shqipnís”.
Letërkëmbimi
Një tjetër dëshmi e rëndësishme e përkushtimit të Mjedës në të gjitha lëmet ku ai dha më të mirën e vullnetit dhe të dijes së tij gjendet edhe në letërkëmbimin që pati me personalitete të kohës. Ndër bashkëkohësit e Rilindjes, Mjeda mbajti letërkëmbim me Nikolla Naçon, të cilit i shprehte dëshirën për ta ndihmuar të lidhej me rilindas të tjerë.
Mjeda u interesua herët për veprën e albanologëve që kryen studime dhe botime mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Kështu, pati një letërkëmbim të rëndësishëm me Meyer, Pedersen, Thomsen, Thurneysen, Krymbacher, Kretschmer, Bloomfield, Brugmann, Tagliavini, Patsch, Jagiq, Nachtigal, Skok, Jokl, Reinisch, Karabacek, Mueller, Schroeder, Jarnik, Lambertz, Meillet, Viezzoli, Valentini, Cordignano, Teza, Nopça, Thalloczy dhe Weigand.
Letrat që Ndre Mjeda ia dërgoi Gustav Meyer-it
Një prej letërkëmbimeve më të rëndësishme mbetet komunikimi që Mjeda pati me Gustav Meyer-in. Për të na sjellë një panoramë më të qartë të këtij ngulmi epistolar, ndalemi te ajo që shkruan i madhi Martin Camaj.
Në faqet e revistës “Shejzat” (viti X, nr. 5–6, 1966, f. 180–189), patëm botuar dymbëdhjetë letra të Ndre Mjedës, dërguar nga Polonia albanologut Gustav Meyer në Graz. Aty poeti ynë na shfaqet në një dritë të re, sepse paraqitet për herë të parë si letërshkrues me një stil elegant në gjuhën italiane, ku flet për veten, për gjuhën shqipe dhe për vendin e tij, me dashurinë e flaktë të një rilindasi të vërtetë. Ky stil i natyrshëm na zbulon Mjedën në një prizëm më real të karakterit të tij të pjekur dhe të matur.
Adhurimi që kishte për Meyer-in si mjeshtër nuk e pengonte që, me një ton nderues, t’i shprehte edhe anët e dobëta dhe lajthitjet në të cilat kishte rënë albanologu i përmendur. Qëllimi i Mjedës ishte që Meyer-i të mbështetej në gjurmimet e veta mbi një lëndë të sigurt të shqipes. Prandaj ai e kritikonte fjalorin e Rossi-t, të cilin Meyer-i e kishte shfrytëzuar. Mjerisht, nuk i kemi letrat e Meyer-it; kush e di se ku kanë përfunduar gjatë udhëtimeve të shumta të Mjedës jashtë dhe brenda Shqipërisë.
Letra e fundit e Mjedës nga Krakovia mban datën 16 mars 1893. Kisha menduar (shih “Shejzat”, nr. 5–6, 1966, f. 181, 189) se ky letërkëmbim kishte përfunduar me këtë rast. Por, duke pasur tashmë në dispozicion të gjitha letrat që albanologët e kohës i dërguan Gustav Meyer-it, sidomos ato me rëndësi të veçantë të albanologut Holger Pedersen dhe të rilindasve shqiptarë, si Kristoforidhi, Mitko etj., të cilat pritet të botohen veçmas së shpejti si lëndë e historisë shkencore pranë “Südost-Institut” të Mynihut, gjej edhe tri letra të tjera të Mjedës: një të nisur nga Gorizia dhe dy nga Portorè, afër Fiumes.
Në letrën e parë, poeti i kërkon të falur dijetarit për heshtjen e gjatë dyvjeçare. Ai nuk tregon se për ç’arsye nuk kishte shkruar gjatë këtyre dy viteve. Duket se gjatë kësaj kohe Mjeda nuk kishte pasur mundësi të merrej me çështjen e shqipes. Natyrisht, nuk përmend asgjë nëse kishte hasur vështirësi në rrugën e jetës që kishte zgjedhur. Poeti shprehet i kënaqur që i dërgon Meyer-it, si dhuratë, kopjen e parë të fjalorit të Jungg-ut, dërguar nga Shkodra në fashikuj, i cili ende nuk gjendej në shitje. E siguron se fjalori është i saktë në dhënien e trajtës së vërtetë të fjalëve shqipe dhe të kuptimeve të tyre, si dhe se nuk mund të krahasohej me fjalorin e Rossi-t, të cilin poeti e konsideronte të pasigurt. Ankohet se “ata zotnitë” në Shkodër mbështeteshin gjithnjë te tradita dhe nuk donin të pranonin disa shenja të grafisë së Meyer-it. Mjeda, siç dihet edhe nga aktet e Kongresit të Manastirit, ishte kundër përdorimit të dy shkronjave për një tingull. Ai ndiqte parimin se çdo shenjë grafike duhet të përfaqësojë një tingull, ose, siç thuhet sot, një fonemë. Ishte, pra, kundër shkrimit të š-së me dy shkronja, sh, si dhe të zh-së në vend të ž-së etj.
Poeti nuk e dinte se çfarë ishte botuar mbi gjuhën shqipe në rrethet e gjuhëtarëve të huaj që nga korriku i vitit 1893. Njofton se, përveç librave të dërguar dy vjet më parë, as në Romë dhe as në Shkodër nuk kishte dalë ndonjë botim i ri. A mund ta ketë ndërprerë letërkëmbimin me Meyer-in sepse nuk kishte pasur ndonjë gjë të re për t’i komunikuar?
Në letrën e dytë, Mjeda njofton se kishte ndërruar përsëri vendbanim: nga Gorizia ishte transferuar në Portorè, në kështjellën e Frangipaneve, ku jezuitët kishin një shkollë dhe një kuvend. Në këtë kolegj, Mjeda ishte profesor i filozofisë. Duket se ishte i kënaqur dhe i mahnitur nga bukuria e këtij vendi. Bora, të cilën poeti e quan “Buro”, ndoshta si aluzion ndaj etimologjisë së Meyer-it (EW, f. 55), shkruan se është e tmerrshme kur fryn. Ai shpresonte se vitin e ardhshëm do të botonte diçka në gjuhën shqipe, “natyrisht, thotë, tash për tash gjithnji sende të divotshme”. Me sa duket, në këtë kohë Mjeda përpiqej të shkruante poezi mbi historinë e lashtë të Shqipërisë dhe popullin ilir, në trajtën e “Lissus”. Njofton se në Shkodër ipeshkvijtë shqiptarë dëshironin të themelonin një akademi studimesh shqiptare dhe se propozimi kishte rënë mbi të për ta drejtuar. Nuk e jep arsyen pse ky projekt kishte shkuar “tutto a fumo”.
Me gjasë, bëhet fjalë për një shoqni të ngjashme me atë të “Bashkimit”, në të cilën Mjeda më vonë pati një rol të rëndësishëm.
Letra e tretë, e dërguar po nga Portorè, përmban një falënderim të përzemërt për dërgesën që Meyer-i i kishte bërë të vëllimit të katërt të “Albanesische Studien”. Shkruan se e kishte lexuar veprën disa herë. Me mendësinë e një dijetari të vërtetë, nuk mjaftohet duke lavdëruar autorin, por, me një ton njerëzor, vë në dukje se në Shkodër nuk thonë “dretš” (dreç), por “dreq”. Mjeda mendon se ç-ja dhe q-ja ngatërrohen ortografikisht në Shkodër. E vërteta është se në shumë të folme të kësaj krahine ç-ja dhe q-ja janë shkrirë ose kanë rënë në një fonemë të vetme (q ose ç); prandaj, si rrjedhojë, ngatërrohen edhe në shkrim.
Mjeda vë me të drejtë në dukje se prania e o-së në vend të u-së është një karakteristikë e të folmeve lindore gege: në Prizren thuhet “odhë” në vend të “udhë”, si dhe “dokem” në vend të “dukem”. Trajta të tilla dialektore e kanë shtyrë edhe Jokl-in të bëjë përcaktime të gabuara mbi shtresat e fjalëve latine në shqipe (Balkan-Archiv, IV, 196), të cilat Çabej më pas i kundërshton me të drejtë, duke sjellë si argument faktin se kemi të bëjmë me variante dialektore (krh. “Zur Charakteristik der lateinischen Lehnwörter im Albanischen”, në “Revue de Linguistique”, VII–1, 1962, f. 164). Mjeda i propozonte Meyer-it që, në rast se do të dëshironte të botonte një botim të dytë të fjalorit etimologjik, ishte i gatshëm t’i dërgonte edhe të dhëna të tjera mbi të folmet e Shkodrës, sepse trajtat e kësaj ane nuk ishin pasqyruar drejt përmes ortografisë së Propagandës, atëherë në përdorim.
Poeti i kërkon Meyer-it lajme edhe rreth lëvizjes kulturore të arbëreshëve të Kalabrisë, me në krye De Radën. I kishte rënë në vesh se atje ishte themeluar një shoqni për zhvillimin e studimeve rreth gjuhës shqipe. Albanologu Meyer i ndoqi hap pas hapi të gjitha lëvizjet shqiptare të rilindasve tanë. Madje, u bë vetë trumbetues i këtyre përpjekjeve, duke shkruar edhe në gazeta mbi gjallërinë e intelektualëve shqiptarë. Poeti ynë dëshironte që dijetari austriak të vinte dorë dhe të përfundonte një gramatikë krahasuese të shqipes. Këtë ia kërkonte me këmbëngulje në shumë letra, sepse një vepër të tillë e shihte të domosdoshme “për lumninë e Shqipnisë”. Duke i treguar botës rëndësinë e shqipes në gjuhësinë krahasuese indoevropiane, Mjeda e dinte se i shërbente çlirimit të popullit shqiptar dhe krijimit të një shteti më vete. Ky ishte pikësynimi i rilindasve dhe për këtë qëllim punonin e shkruanin Mjeda, Mitko e të tjerë.
Memorie dhe mirënjohje
E ku ma mirë se në Kukël, ku shërbeu Mjeda, mund të përkujtohet, nderohet dhe të bëhet një dritare nga ku hyn drita e një njeriu të përkushtuar në të gjitha çështjet e jetës, përfshirë edhe atë të shërbesës fetare? Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” në Kukël, që prej vitit 2012, mban statusin Monument Kulture i Kategorisë I.
Kompleksi përbëhet nga kisha dhe qela, shtëpia ku Ndre Mjeda ka banuar për rreth 30 vjet. Ai është ideuar dhe projektuar nga vetë Mjeda, sipas stilit neoklasik. Qela është ndërtuar në vitin 1906, ndërsa kisha në vitin 1913. Në vitin 1962, banesa u kthye në shtëpi-muze, si degë e Muzeut të Shkodrës, ku u ekspozuan objekte personale të Mjedës, materiale fotografike, shkrime studimore, botime librash etj. Në vitin 1991, shtëpia-muze “Ndre Mjeda” u mbyll dhe të gjitha materialet e ekspozuara u dërguan në Muzeun Historik të Shkodrës. Në vitin 1993, në kishën e Kuklit shërbyen misionaret e Nënë Terezës, të cilat ndërtuan një shtesë ngjitur me qelën, në pjesën e pasme të saj, si dhe në hapësirën ndërmjet kishës dhe qelës, duke i lidhur këto dy objekte.
Pjesë e këtij përjetësimi të jetës dhe veprës së Ndre Mjedës është edhe shtatorja e tij, vepër e skulptorit Sadik Spahija, e cila u përurua në nëntor të vitit 2017. Në këtë rast, personalitete, njerëz të letrave, politikanë dhe banorë të zonës morën pjesë në edicionin e 13-të të takimeve kulturore “Ditët e Mjedës”.
Referenca për konsultim:
• Vatican News – Dom Ndre Mjeda në përvjetorin e vdekjes
• Robert Elsie, Historia e Letërsisë Shqiptare, Dukagjini, 1997.
• Dom Ndre Mjedja, revista “Çika”, vëll. 2, nr. 28–29, f. 202, Shkodër, 5 shtator 1937.
• Letrat që Ndre Mjeda ia dërgoi Gustav Meyer-it
• Ndre Mjeda – Wikiwand
• Muzeu “Ndre Mjeda” në Kukël – ATSH
See less
No photo description available.. May be an image of text. No photo description available.. No photo description available.. May be an image of text




