




Julika Prifti/
Para dy javësh, më 1 nëntor tek Hotel Rogner në Tiranë në shfaqjen e Koncertit Gala Flauti Magjik u takova rastësisht me dy shoqe të shkollës tetëvjeçare, Sofika Koten e Jetmira Sulën. Me Jetmirën ishim në aktivitete të shumta të grupit artistik të shkollës “Misto Mame” ku me mësuesen e muzikës Vasilikën jepnim shfaqje në reparte ushtarake, uzina e kooperativa të Tiranës dhe rrethinat e saj për festa e përvjetorë të ndryshëm.
Në takimin e ngrohtë pas 50 viteve me shoqet e dikurshme Jetmira më sugjeroi të shkonim me një grup të vizitonim Korçën, Dardhën, Pogradecin. As parashikimi i motit me shi të vazhdueshëm e temperatura të ulëta nuk na ndali. Korçën e Pogradecin i kisha vizituar disa herë vitet e fundin po në Dardhë nuk kisha shkelur kurrë.
Emri i Dardhës mu ngulit në mendje që kur isha vajzë e vogël, 10 vjeçe. Në një qëndrim në Korçë me babin, para se të shkonim në Rehovë, do të vizitonim Sotir Andonin, koleg e mik i tij. Unë isha e ngazëllyer që do takoja një shkrimtar mik te babait, por edhe se do të luaja me tre fëmijët e tij, dy djem e një vajzë vetëm pak vite më e madhe se unë.
Kur arritëm në shtëpinë e tij unë u habita me qetësinë që zotëronte në të. Aty nuk dukej se jetonin tre fëmijë. Çudia ime u largua shpejt pasi Sotiri na qerasi vetë sepse “gruaja dhe fëmijët kanë shkuar në Dardhë për të kaluar pushimet e verës” na tha ai.
Kaq mjaftoi që Dardha të merrte në imagjinatën time përmasat e një vendi të mrekullueshëm, ku fëmijët mund të kalonin muajt e verës pa u mërzitur se kishin lënë shtëpinë e tyre e qytetin dhe me siguri mund të hanin dardha sa të donin.
Më vonë dëgjova se Dardha preferohej edhe në dimër. Dëbora bënte të mundur rrëshqitjen me ski dhe shumë të rinj shqiptarë, që kishin studiuar në vendet e kampit socialist e kishin mësuar këtë lloj sporti e praktikonin aty me qejf. Në vitet 70 unë i kisha parë skitë vetëm në televizor e vite më vonë bëra një provë të pasuksesshme me skija. Pas më shumë se gjysmë shekulli po shkoja vizitë në Dardhë. E para gjë është shkurtësia dhe rehatia e udhëtimit për dallim nga rrugëtimi i gjate kur niseshim herët në mëngjes e arrinim në Korçë në darkë.
Rrugës për në Dardhë kaluam Boboshticën, ku i thashë vetes se do vij një herë tjetër. Pas Boboshticës filluam ngjitjen për në Dardhë mes një shiu të lehtë. Pas pak minutash u dukën shtëpitë karakteristike të këtyre anëve. Të larta, me gurë të latuar, me çati me rasa guri me rrugë të shtruara me kalldrëm gurësh të mëdhenj. Ndaluam përpara ish shkollës së Dardhës, ndërtuar 100 vjet më parë me ndihmat e emigrantëve të ShBA, e kthyer në Muzeun Foto-Historik të Dardhës. Ai i hapi dyert në vitin 2016, me nismën e Kristaq Ballit, dhe mbështetjen e shumë njerëzve të tjerë. Ndërtesa është impresionuese me shumë dritare të larta, që lejojnë ndriçim natyror. Megjithëse është njëkatëshe duhen ngjitur disa shkallë për të arritur tek dera e për tu futur brenda. Hyrja është tërheqëse, muret janë plot me postera me ngjyra e foto dhe një pjesë me shpjegime. Çdo poster apo panel ka një titull përkatës të vendosur në krye. Kështu mund ta ndjekësh lehtë historikun e fshatit. Më pëlqeu ideja e vendosjes së mbiemrave të fshatit në hyrje të sallës kryesore. Një zgjidhje e bukur për të përshirë të gjithë banoret, jo vetëm ata që kanë emër nga veprimtaria në art, sporte, shkencë, a në veprimtari fetare apo fusha të tjera.
Aty u “takova” përsëri me njerëz që i njihja nga studimet apo leximet gjatë shkollimit tim apo që i kisha takuar vite me parë me babin apo në aktivitete të ndryshme si familjen Keko, Laço, Rozi Çeku Theohari, prof Glozheni. Nga historia njihja Sotir Peci. Aty lexova per familjen Zengo, Zdruli, Sotir Papailia (piktorë ikonografë dardharë) etj. Në këtë muze të vogël fshati mësova se fotografi i parë shqiptar, Jani Zengo (1832 -1913) ishte dardhar, i cili fiksoi në fotografitë e tij jetën e kulturën e fshatit. Puna e tij u pasua nga ajo e Thimi Racit e tani trashëgimia e vjetër mbetet e gjalle edhe për brezat që do të vinë.
Përpara stendës me foto dhe shkrim për Pero Kaçaurin, pashë vlerësimet për të si fotografi i pare me origjine shqiptare në Boston, ku hapi edhe studion e tij. Në posterin “Kultura Sporti Shkenca” dukej astronauti amerikan me origjinë shqiptar William Gregory. Momenti i paharruar do të mbetet qëndrimi para stendës “BESIMI FETAR” . Në anën e majtë ishte fotografia e Fan Nolit si peshkop dhe në anën e djathte ajo e Janullatosit. Mu kujtua Profesor Skënder Luarasi pas vizitës ne Muzeun e Luftës Nacional Çlirimtare në Tiranë, ku në një vend të dukshëm qëndronin fotografia e Ismail Qemalit dhe ajo e Haxhi Qamilit. “Këtu e paskan vënë në piedestal si atë që e ngriti flamurin shqiptar si atë që e hoqi,” ironizoi ai me zë të lartë. Noli e ngriti kishën shqiptare autoqefale duke e bërë të ditur dhe demaskuar tezën se shqiptarët ortodokse janë grekë, e përqafuar nga Janullatosi. Sot emri i Nolit nuk ndihet aspak në kishën në Shqipëri dhe përvjetorët e tij kalojnë si pa u vënë re. Ndërsa po lexoja shkrimin mbi besimin fetar dëgjova një thirrje habie nga një vajze e re:
“Ua Fan Noli ka qene prift? “
-Jo vetëm prift, por peshkop, – i shpjegova unë.
Pastaj shtova një kuriozitet se në vitin 1958 kur xhaxhai im Peter Prifti e intervistoi hirësinë e tij Nolin në Boston, peshkopi u shpreh se arritjen më të madhe ai quante përkthimet e himneve bizantine, të përfshira në vëllimin Kremtore, të cilin ai e konsiderate nga përkthimet më të vështira dhe tërheqëse të tij.
Më pëlqeu pamasë klasa e shkollës së dikurshme me “bangot” e vjetra, tavolinën e mësuesit, dollapin e mjete të kohës. Edhe zbukurimet në muret e saj si harta e postere të tjera krijonin atmosferën e dikurshme. Me vend ishin edhe tabelat në emrat e mësuesve të 100 viteve më parë e atyre të viteve të socializmit. Vizita në Kishën e Shën Gjergjit krijon një ndjesi të veçantë. Nga gurët në portat veriore e jugore, shkruar në greqisht ka si datë fillimi të ndërtimeve vitin 1838. Ajo është ndërtuar me arkitekturën e stilit të bazilikës me tri nefe, që e bën më të veçantë nga shumë kisha të tjera. Në të gjenden ikona të rëndësishme si ajo e Krishtit e pikturuar nga Kostandin Zografi më 1825, ikona e Shën Gjergjit nga Gjergj Zografi më 1808, ikona e Shën Mitrit nga Thedor P. Ilia më 1887, si dhe ajo e Shën Mërisë e realizuar nga Anastas Ballmaçi në vitin 1882. Disa ikona datojnë përpara ndërtimit të kishës gjë që flet për suksesin e hershëm e në vazhdim të ikonografëve dardharë. Kisha e Shën Gjergjit u shpall monument kulture ne vitin 1970 dhe është ruajtur mirë deri në ditët e sotme.
Në këtë udhëtim nuk përfshiheshin dy kishat e tjera të Dardhës, atë të Shën Thanasit e të Shën Pjetrit. Do t’i vizitoj herën tjetër kur të vij në Dardhë. Drekën e hëngrëm në Hotel Dardha, një ndërtese disa katëshe e bukur si jashtë e brenda. Oxhaku i madh e i ndezur, pamjet e bukura të majave të maleve me pemë të gjelbërta e ca me kurore të verdhë nga ardhja e vjeshtës, dritaret e larta, të jepnin një ndjenjë rehatimi e qetësie. Dardha më bëri për vete dhe vizitën e ardhshme do vij vetë që ta shëtis e ta njoh më shumë pa kufizime kohe apo mosinteresim i anëtarëve të grupit. Mirupafshim, Dardhē!