
Ndue Ukaj/
Në parathënien e gjatë që At Zef Pllumi i shkruan “Lahutës së Malcis” së Gjergj Fishtës, që në fillim të tekstit e analizon atmosferën shqiptare në fillimin e shekullit njëzet, që përkon me ngjarjet që sollën pavarësinë. Pllumi bën këtë pyetje:
“Si gjindjej Shqipnia në atë kohë?”
Dhe përgjigja e tij është e kjo:
“Në kulmin e mjerimit. Jo vetëm që nuk kishte zhvillim ekonomik e kultural, por në shumicën e popullsisë nuk dukeshin kurrkund as ndjenjat e natryrshme njerëzore të lirisë, barazisë e ato kombëtare.
Gjumi letargjik i injorancës ma të mbrapambetun e nënshtrimit shekullor ndaj robinsë e kishin marrakotë krejtësisht kët popull. Tempujt e bukurisë kombëtare e europjane ishin rrafshue për tokë ashtu si dhe kishin dalë nga kujtesa luftat heroike e legjendare që dikur ishin zhvillue për mbrojtjen e lirisë e të nderit kombëtar e të kulturës së lashtë. Pushtuesit e huej kishin synue që me anën e ndërrimit të bindjeve e të ndërgjegjes ta shndronte kët popull jo vetëm në rob të thjeshtë, por ma tepër në nji shërbetuer Besnik e përkrahës të zellshëm në shtypjen e lirisë së popujve tjerë.”
Pra, jemi në vigjilje të pavarësisë kombëtare e atmosfera shoqërore e kulturore e shqiptarëve, në kuptimin e gjithmbarshëm, ishte e mjerë. E megjithatë, diku, kishte mbetur një energji të pashuar atdhetare, që, falë edhe rrethanave të favorshme gjeopolitike, gjeti shtegun për të dalë në dritë. Ishte formua lëvizja e madhe mendore e iluministe, me emrin e Rilindja Kombëtare, flakët e së cilës u ndezën në vende të huaja, kudo ku jetonin shqiptarët, dhe me kohë, edhe në tokat kombëtare. Kjo energji, si një diell i madh, që vjen në një stinë jete e dëboi errësirën dhe ndriti mbi qiellin shqiptar, më 28 nëntor 1912, ditën kur zgjedha otomane ra dhe shqiptarët u pavarësuan. Për të realizuar këtë synim, u bënë bashkë shqiptarët të shumë ideve, feve e krahinave. Prandaj, data 28 nëntor, nuk është vetëm një ditë e rëndomtë e historisë, me ç’rast ne kujtojmë shpalljen e pavarësisë kombëtare nga Ismail Qemali e një çetë patriotësh. Ky akt sublim, bartë një domethënie lirie, me të gjitha të mirat që sjell ajo në jetën njerëzore. Kësisoj, ky akt duhet kuptuar si një moment beatifikimi, një ditë e shenjtë në kuptimin më të lartë të fjalës, ditë reflektimi, ku shqiptarët, shohin vetveten, për rrjedhojë e kuptojnë më mirë historinë e tyre kombëtare, rrëfehen përpara historisë e kërkojnë frymëzim për nxitjet e reja.
Kështu që, Dita e Flamurit, nuk duhet kuptuar vetëm si një akt deklarimi, në një kohë të largët, kur plaku i Vlorës, u shfaq në ballkonin e Shtëpisë së Pavarësisë, as si një ngritje e rëndomtë flamuri, që përfundon në arkiva e shërben për historian për t’i trajtuar çështjet e historisë. Po, ky akt sublim, është njëlloj beatifikimi i një periudhe vajtjesh, sakrificash e mundimesh shekullore. Është njohja me qëndresën shekullore.
Shumë vite pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, ishte Ibrahim Rugova, patriot i kulluar, udhëheqës fisnik e njeri i kulturës, që në tekstin “Pavarësia kombëtare”, të botuar te Bota e re, me 28 nëntor 1968, na kujton përpjekjet e mëdha shqiptare për liri. U dashtë të kalonin pesë shekuj vuajtje e trishtim, që në qiellin shqiptar, të ngritej flamuri i Skënderbeut, simbol i lirisë, identitetit kombëtar dhe i pavarësisë, prandaj, edhe sot tingëllojnë të freskëta fjalët e vizionarit, shkrimtarit dhe politikanit të madh, Ibrahim Rugova:
“U habitën të gjithë, kur pas pesë shekujsh, nga epoka e Skënderbeut në qiellin shqiptar, u ngrit simboli i gjakut-Flamuri.
Mirë që u mashtruan gjithë. Mirë që kujtuan se nuk kemi asgjë, se kuçedra e Anadollit nga gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren-fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. S’u harrua porosia e stërgjyshërve. E shporrëm më tej dhe do të shpiem gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur.”
Kjo është arsyeja pse kurrë nuk duhet harruar se ishte vizioni i kësaj date, dhe shansi i humbur, që shkaktoi një dhimbje e mall të pashuar te shqiptarët, që në mënyrë tragjike, nuk e përjetuan periudhën e pas pavarësisë kombëtare, për shkak të rrethanave që ndodhën pas 1912. Më saktësisht, ky mall, jetoi fuqishëm në Kosovë e vise tjera, duke ushqyer mendjet e zemrat e shqiptarëve e duke nxitë idealin atdhetar, deri në kohët moderne, kur u krijua shteti i dytë shqiptar, Kosova.
Pra, Dita Flamurit, në të gjitha kuptimet është ditë e shenjtë e historisë kombëtare. Në këtë kuptim, si akt sublim, na thërret, të futemi në tempullin e lirisë dhe të ndërgjegjësohemi përballë detyrave që kemi përpara atdheut dhe lirisë së tij.
Në një aspekt tjetër, kjo ngjarje, na nxit njëkohësisht të bëjmë një udhëtim nëpër histori, përtej kohëve, ku takojmë heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin dhe epokën e tij të lavdishme, atë 28 nëntor madhështor kur ai ngriti flamurin në Krujë, më 1443, të njëjtin flamur që do të përjetësojë historia, me kthesën e madhe të 28 nëntorit 1912.
Në këtë ditë, nën tingujt e melodisë së këndshme të lirisë, ne kujtojmë Ismail Qemalin, që na kujton, sa e rëndësishme është të vetëdijesohemi për sfidat që kemi ndaj të sotmes dhe përgjegjësinë ndaj së ardhmes, ndaj lirisë.
Mbi të gjitha, kjo ditë na kujton sa e rëndësishme është të jetojmë në përkim me ideale të larta.
Dhe në këtë ditë kremte, për çështje arti e kulture, kam dëshirë ta kujtoj përherë edhe Luigj Gurakuqin, sepse në historinë e politikës shqiptare, të karakterizuar nga ngatërresa e tradhti pafund, për mendimin tim, ai është prej figurave më të ndritshme – me tipare shembullore
Atëbotë kur veproi dhe krijoi Gurakuqi, “Shqipnija ishte një tokë e lanun për pesëqind vjet djerr” – shkruan Gjon Kamsi, një nga njohësit e veprës së Gurakuqit, dhe shton se “ai u ba msues, luftar e ra dëshmori i Atdheut.” Gurakuqi ishte i ndërgjegjshëm deri në pikën e fundit, thjesht, ai ishte “ndera e djelmnisë shkodrane”, shkruan At Gjergj Fishta.
Vetë Gurakuqi e dinte se “mevetësia e Shqipnisë” asht nji e tillë e andërrueme nga vjershtorët e e dëshiruem vetëm nga zemrat e djeguna të disa pak atdhetarëve, që vuenin e dirgjeshin nepër burgjet e errëta e që qanin e rënkonin nepër shkretinat e largëta të dëbuem nga Atdheu i dashun, mvetësija e Shqipnis na dukej të gjithëve si nji dëshir i pa arrijshëm, si një dhuratë tepër e çmueshme për vorfnin t’onë, si nji pemë e ambël, e shijshme, të cilën Perendija u a kishte ndaluem Shqiptarëve të mjerë”.
Ky patriot i madh, udhëheqës fisnik, dhe njeri i kulturës së lartë, duke kujtuar këtë të kremte, na këshillon që krahas gëzimit dhe dëfrimit, prej kësaj ngjarje edhe të mësojmë:
“E Kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë pra për ne të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vëme të gjithë dorën në zëmër e të pyesim vetën t’onë ndë a kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën qe kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pà turp e t’i njohim fajet t’ona, te harrojmë hidhnimet e anmiqësitë qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njani tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të miren e Atdheut, për lulzimin e komit, për nderimin e flamurit t’anë.”
Pas 114 viteve, në këtë festë flamuri, duhet të bashkohemi rreth zjarrit patriotik, që t’i ngrohim zemrat, jo për ta urryer ndokënd, por për të dashtë vetveten, me të gjitha karakteristikat që kemi. Dhe pse jo, për t’i përpunuar sjelljet e këqija e për t’i ruajt me dashuri shembujt e mirë, që 28 nëntorit i viteve të ardhshëm të jenë më të begatshëm për kombin tonë, duke na gjetur më të unifikuar, më të integruar e më me pak ndasi. Dhe t’iu kujtojmë breznive që vijnë se nuk është turp ta duash vendin tënd, historinë dhe kulturën tënde. Përkundrazi, është vlerë, virtyte dhe shenjë e lartë qytetërimi.
Pse duhet të besojmë në integrimin e shqiptarëve?
Natyrisht, kjo pyetje nuk ka një përgjigje të thjeshtë, por, nisur prej një parimi të përgjithshëm, shekulli i kaluar dhe ky në të cilin jetojmë, në Europë, njihen si shekuj të integrimeve, ku, kufijtë e ndarjeve janë kthyer në pika të bashkëpunimit. Mbi këtë parim, që zotëron kudo në zonën euro-atlantike, si vlerë e kohës, për rrjedhojë edhe dobipërurëse, duke kuptuar përparësitë që sjell integrimi për popujt, në kuptimin e gjithmbarshëm. Mbi këto parime, shqiptarët duhet të kërkojnë të integrohen ndërmjet vete. Sepse, integrimet janë vlerë europiane, veçse duhet të dimë t’i promovojmë e t’i afirmojmë, pa parulla e prapavija.
Në realitet e reja që janë krijuar, mosintegirmi i shqiptarëve, adresë të vetme ka Tiranën e Prishtinën, më saktësisht, politikanët mendjekëqij e pa vizion, që, në vend prirjeve unifikuese, më shumë shfaqin dallimet e hasmëritë. Dhe me së shumti, dinë të shfaqin zanatin e tyre të keq: të ankohen.
Ata ankohen në shumëçka e nganjëherë në gjithçka, por, një e vërtetë e pakundërshtueshme i përgënjeshtron ata: askush s’i ndalon që të bëjnë tekste të përbashkëta në fushën e arsimit, të hartojnë politika të përbashkëta në fushën e shëndetësisë, të energjisë, të diplomacisë dhe të ekonomisë. Parasëgjithash, ata askush s’i pengon t’i harmonizojnë objektivat dhe synimet kulturore, përveç shpirtngushtësisë, inferioritetit dhe arrogancës, herë të Tiranës e herë të Prishtinës.
Prandaj, në këto kohë të trazuara globale, shqiptarët duhet të priren kah idetë pozitive, e kështu, të marrin frymëzim nga patriotët e kulluar e ngjarjet madhore. Të çojnë përpara vizionin e Rilindjes, për një rilindje kombëtare, ta përpunojnë shpirtin kombëtar me idealet e Ditës së Flamurit, dhe kjo ditë festë, siç këshillonte Gurakuqi, të jetë edhe “një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes s’onë.
See less
