

Visar Zhiti/
– The Black Box of My Life –
Poezia në anglisht e poetit Xhevdet Bajraj
Na erdhi libri i dhembshur,
“Kutia e zezë e jetës sime”,
i poetit tonë Xhevdet Bajraj.
Sapo doli në SHBA.
RIKTHIMI
i zërit të tij poetik, them se është një akt metaforik dhe tronditës, poeti vetë ka lënë regjistrimin e jetës së tij deri në fund, por dhe përtej tij, kujtesë e dhimbjes së ekzistencës. Libri është dhe metaforë e lidhjeve të zërit të poezisë shqipe me kontinentin amerikan, me gjuhët angleze dhe spanjolle, por dhe e bashkëpunimit më të ngushtë, e vlerësimit dhe miqësisë njerëzore me poezi.
Shtëpia botuese “Egret” në SHBS, e themeluar nga mikja e madhe Nina Kamberos, ndërkohë kryeredaktore e “Laertes”, ka marë përsipër botimin në disa volume të poetit Xhevdet Bajraj, tashmë me njohje ndērkombëtare.
Përmbledhja postume, “Kutia e zezë e jetës sime”, me një parathenie nga bashkëshortja e poetit, Dr. Vjollca Bajraj, është përkthyer në anglisht
nga poetja dhe shkrimtarja shqiptaro amerikane, Ani Gjika.
LEXOJMË:
Xhevdet Bajraj
(1960–2022)
Poet, dramaturg, përkthyes dhe profesor, një nga zërat e veçantë të letrave shqipe bashkëkohore, qē përvojën e luftës, të mërgimit, kujtesën e vuajtjes i shndërroi në art, në krijimtari e hapësirë.
Studioi letërsi në Universitetin e Prishtinës. Që në librat e tij të parë u dallua për një poezi të ngarkuar me shqetësimin njerëzor, me ndjeshmëri ndaj padrejtësisë, dhunës dhe cenueshmërisë së jetës.
Mërgimi në Meksikë:
Në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë, Xhevdet Bajraj dhe familja e tij ikën nga vendlindja, në dëbimin e madh. Pas një qëndrimi në Shqipëri, përmes Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve, në kuadër të programit për strehimin e autorëve të përndjekur, ai gjeti strehë në Meksikë, që iu bë atdheu i dytë. 
Jeta e mërgimit nuk e shkëputi nga Kosova e tij. Përkundrazi, ajo u bë burimi i pashtershëm i poezisë së tij, shkruajti në shqipen amë dhe në spanjisht – urë, që e lidhi me brigjet e dy botëve.
Botoi rreth 30 vëllime poetike. Poezia e tij, përveç spanjishtes, u përkthye në anglisht, gjermanisht, danisht, serbisht, sllovenisht, hungarisht, turqisht, polonisht, etj, dhe edhe tani vepra e tij vazhdon të botohet postume e të përkthehet.
Në poezinë e tij kam parë të bashkëjetojnë tragjedia dhe ironia, historia dhe përditshmëria, vdekja dhe dëshira për jetë, duke i dhënë dhimbjes një gjuhë universale. Është nderuar me shumë çmime.
Xhevdet Bajraj mbetet një poet shqiptar me përmasë botërore, besoj, dëshmi e dramës së kapërcimeve.
NË KOPERTINËN E PASME
Botuesja Nina Kamberos ka vënë disa vlerësime per poezinë e Xhevdet Bajrajt, poetit tonë:
1.
Shoh se si ai ka gdhendur fjalën, sikur të ishte dru, i thadruar ashpër, por duke ndjekur damarët e tij, dhe se si dhemb – dhemb sikur të jetë çarë mishi i gjallë – dhe sa dinjitoz është ai në dhimbjen e vet.
Visar Zhiti – Gazeta «Dielli»
2.
Poezia e Xhevdetit nuk kërkon stoli, por të vërtetën. E përditshmja dhe e tmerrshmja bashkëjetojnë me një natyrshmëri që, në mënyrë paradoksale, të shkatërron.
Carmen Ros – Universiteti
Autonom Kombëtar i Meksikës
3.
Është poezi e jashtëzakonshme, me një thjeshtësi të dukshme që ndriçon, që zbulon. Flet për mërgimin, për dhimbjen dhe njëkohësisht zotëron një butësi të pashtershme.
Manuel Becerra –
“Xhevdet Bajraj: Nga Kosova në
Meksikë, Qyteti dhe demonët
e tij”
4.
Vargjet e kësaj vepre na paralajmërojnë për vijën e hollë që ndan të mirën nga e keqja dhe se sa e lehtë është të mbijetosh e sa e vështirë të mbetesh njeri. Bajraj zgjodhi këtë të fundit.
Agron Shala – Pasthënia
e përkthimit spanjisht
të “Angelus Novus”
5.
Fjalët e Xhevdetit janë ende të gjalla. Ato vazhdojnë të na mahnitin.
Teresa Dey – Universiteti
Autonom Kombëtar
i Meksikës
Na bashkoi poezia!