
Diktatorët e adhurojnë Ditën e Pavarësisë
Ajo që diktatorër urrejnë janë pikërisht njerëzit të cilëve u përket kjo ditë. Një poemë e shkruar në mërgim nga një ish-kryeredaktor i kësaj gazete e shpjegon dallimin: “Veneriada”, e përgatitur për vëllimin “Autobiografia” (1988) dhe e botuar pas vdekjes së autorit.
Nga Hektor Çiftja
Më 28 nëntor 1944, një ish-mësues tridhjetegjashtëvjeçar, me emrin Enver Hoxha, hyri në Tiranë në krye të një qeverie të re dhe mbajti një fjalim. Mund të kishte ardhur një ditë më parë, ose një ditë më pas. Erdhi në Ditën e Flamurit, plot tridhjetë e dy vjet pasi Ismail Qemali kishte ngritur në Vlorë flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dhe i kishte thënë botës se Shqipëria ekzistonte. Titulli i publikuar i fjalimit e përmend rastin dy herë: u mbajt në Ditën e Pavarësisë dhe me rastin e ardhjes së qeverisë në kryeqytet. Argumenti nënkuptuar ishte i thjeshtë. Flamurin e 1912-s e kishin ç’nderuar të gjithë ata që e kishin mbajtur në dorë që atëherë, dhe slavofilët e Hoxhës tani ia kishin kthyer nderin.
Ishte akti i parë publik i një regjimi që do të zgjaste dyzet e shtatë vjet, dhe ai tregon pothuajse gjithçka që duhet ditur për mënyrën se si sillen diktatorët me festat kombëtare. Nuk i shfuqizojnë. Hyjnë brenda festave dhe bëhen zotër shtëpie.
Në këtë Ditë Flamuri, të 114-tën, dua të parashtroj një argument që mund të tingëllojë i çuditshëm në një festë. Argumenti është se diktatorët e duan Ditën e Pavarësisë. E duan më shumë se demokratët, dhe me organizim më të mirë. E duan paradën, tribunën, himnin, bronzin. Ajo që urrejnë janë njerëzit të cilëve kjo ditë u përket vërtet: burrat që e nënshkruan me dorën e tyre atë letër, të vejat dhe bijtë e tyre, dhe qytetarët e thjeshtë në emër të të cilëve u ngrit flamuri. Dua gjithashtu të paraqes, ose të riparaqes, një dëshmitar. Ishte poet, i burgosur, profesor në Minesota dhe, për një vit, kryeredaktor i gazetës që po lexoni. Quhej Arshi Pipa, dhe shkroi pikërisht për këtë temë një poemë që meriton të njihet shumë më tepër nga ç’njihet.
Një festë e prerë më dysh
Le të fillojmë nga kalendari, sepse pikërisht në kalendar vjedhja u krye më pa zhurmë.
Për një vit pas atij fjalimi në Tiranë, në shtetin e ri duket se askush nuk e diskutoi se në cilën ditë duhej kremtuar çlirimi. Pastaj, më 9 nëntor 1945, çështja doli para kryesisë së organit ligjvënës komunist. Historiania Ana Lalaj, e cila i ka shqyrtuar dokumentet, gjeti se njëri nga anëtarët, Bedri Spahiu, propozoi zgjidhjen e vetëkuptueshme: të mbahej 28 Nëntori si ditë e vetme, për pavarësinë dhe për çlirimin. Ishte dita kur qeveria kishte hyrë në kryeqytet, dhe ishte tashmë e shenjtë. Mori pesë vota nga njëzet e tre. Një anëtar tjetër propozoi 29 Nëntorin, me arsyetimin se ushtarët e fundit gjermanë e kishin lënë tokën shqiptare pas mesnate. Ky propozim fitoi. Hoxha nuk foli në debat. Nuk kishte nevojë.Pavarësia Shqipërisë po njejtësohej me delikatesë me armiqtë historikë sllavë si parathënie e një pushtimi të ri
Pse ka rëndësi një ditë? Për shkak të asaj që i bën ditës së parë. Që nga viti 1945, Shqipëria pati dy data themeltare, krah për krah. Njëra u përkiste Qemalit dhe burrave të Vlorës. Tjetra i përkiste Partisë. Nxënësit e shkollave mund ta kuptonin vetë se cila prej tyre kishte paradën më të madhe.
Më 1993 parlamenti e kaloi Ditën e Çlirimit më 28 Nëntor. Më 1997 një parlament tjetër e ktheu mbrapsht. Ende më 2022 krerët e dy partive kryesore vendosnin kurora në mëngjese të ndryshme. Një vend që nuk bie dot në një mendje për ditën kur u bë i lirë, jeton ende me një votim të bërë në një dhomë më 1945.
Themeluesi që mbërriti me vonesë
Regjimi nuk e la pas dore 28 Nëntorin. Bëri diçka më të zgjuar. E vuri në skenë.
Për pesëdhjetëvjetorin, më 1962, Vlora u shpall Qytet Hero. Arkivi shtetëror i filmit e ruan ende dokumentarin: delegatë që mbërrijnë, një mbledhje solemne dhe, në mëngjesin e 28-ës, vetë Enver Hoxha duke ngritur flamurin aty ku e kishte ngritur Qemali. Përmbledhja e vetë arkivit shënon se udhëheqësit vizituan më pas “familje patriotësh”. Mbajeni mend këtë shprehje. Te familjet do të kthehemi.
Po atë vit shteti porositi Monumentin e madh të Pavarësisë, që ngrihet sot në Vlorë. U deshën dhjetë vjet. Në verën e vitit 1969 Hoxha vizitoi studion e skulptorëve dhe më pas u shkroi një letër të hapur, të botuar në shtypin letrar. Historiani i artit Raino Isto e ka studiuar nga afër dhe ndreq një tjetër legjendë: Hoxha nuk u përpoq ta hiqte Ismail Qemalin nga monumenti. Ai pranoi se Qemalit i takonte vendi në qendër. Ajo që kërkoi ishte më e hollë. Akti i Qemalit, shkroi ai, ishte fryt i luftës së gjatë të popullit, dhe monumenti duhej ta tregonte këtë luftë duke ecur përpara, drejt revolucionit të vetë Partisë. Plaku mund ta mbante vendin e tij në bronz. Diçitura do të rishkruhej.
Në janar 1968, për pesëqindvjetorin e vdekjes së Skënderbeut, në sheshin kryesor u përurua shtatorja mbi kalë që e fotografon çdo vizitor i Tiranës. Ajo zëvendësoi një shtatore të Stalinit. Në këtë këmbim ka një teori të tërë të pushtetit. Kur idhulli i huaj bëhet i papërshtatshëm, sillet heroi kombëtar për të mbajtur të njëjtin piedestal.
Kjo është metoda. Themeluesi nuk mohohet. Ai birësohet, dhe pastaj shndërrohet në parathënie. Pavarësia bëhet kapitulli i parë i një libri, tema e vërtetë e të cilit është njeriu në tribunë. Ai ishte katër vjeç kur flamuri u ngrit në Vlorë, dhe kur rrëfimi merr fund, ai është arsyeja pse flamuri u ngrit.
Ç’u bë me të zotët e ditës së Flamurit
Tani, familjet.
Rreth dyzet burra e nënshkruan Shpalljen e Pavarësisë. Në fund të vitit 1944 shumica e tyre kishin vdekur. Rreth pesëmbëdhjetë ishin ende gjallë kur mori pushtetin njeriu që e donte Ditën e Flamurit. Ja çfarë shënon për ta një përmbledhje e botuar në shtypin shqiptar.
Lef Nosi nga Elbasani, nënshkrues, studiues dhe mbledhës dokumentesh, u arrestua në gusht 1945, u gjykua në një kinema të Tiranës përpara një salle që e mbulonte me të thirrura e fyerje, dhe u pushkatua në shkurt 1946 bashkë me françeskanin At Anton Harapi dhe ish-kryeministrin Maliq Bushati. Bedri Pejani u arrestua në Shkodër dhe iu dorëzua përtej kufirit autoriteteve jugosllave në Pejë, të cilat e dënuan me vdekje; vdiq më 1946. Shefqet Daiu u dënua me tridhjetë vjet nga një gjykatë në Elbasan dhe vdiq në burg brenda vitit. Qazim Kokoshi nga Vlora, qyteti i flamurit, vdiq në burgun e Vlorës më 1947; sipas dëshmisë së familjes, dy të afërm të tij u pushkatuan dhe pesë të tjerë bënë, të marra së bashku, më shumë se gjashtëdhjetë vjet në burgjet e regjimit. Ferit Vokopola u burgos. Zihni Abaz Kanina u burgos.
Katër nënshkrues vdiqën në mërgim. Njëri prej tyre i përket këtij qyteti. Mid’hat Frashëri, i biri i Abdylit, nip i Naimit dhe i Samiut, ministër në qeverinë e parë të Qemalit, vdiq në një hotel të Nju-Jorkut në tetor 1949 dhe u varros në Westchester County. Në atdhe, biblioteka e tij private prej rreth njëzet mijë vëllimesh, më e madhja në vend, u konfiskua, dhe emri i tij u hoq nga rrëfimet zyrtare për Shpalljen e Pavarësisë që ai vetë e kishte nënshkruar. Eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në nëntor 2018, me gjashtëdhjetë e nëntë vjet vonesë.
Ndershmëria kërkon një fjali, të cilën përndryshe do ta thonë në vendin tim mbrojtësit e regjimit. Por është testi i kohës dhe analiza historike e cila gjykon njeriun. Ajo shpjegon konfiskimin e një biblioteke, fshirjen e një nënshkrimi nga një dokument themeltar dhe dërgimin e nipave në Burrel. Këto ndëshkime nuk kishin të bënin aspak me vitin 1943, por krejtësisht me vitin 1912. Një shtet që e mbante veten për trashëgimtar të vërtetë të pavarësisë nuk mund të duronte trashëgimtarë rivalë.
Dhe nënshkruesit ishin vetëm të zotët më të dukshëm. Vlerësimi i zakonshëm është se nën regjim u ekzekutuan për arsye politike rreth gjashtë mijë shqiptarë, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën ose u dërguan në fshatra internimi. Shifrat e sakta ndryshojnë nga burimi në burim dhe ende po përcaktohen. Rendi i madhësisë nuk vihet në dyshim. Secili prej atyre njerëzve ishte, sipas logjikës së 28 Nëntorit, një i zot i kësaj dite.
Prandaj, kur kronika filmike e vitit 1962 thotë se udhëheqësit vizituan “familje patriotësh” në Vlorë, do të donim të dinim cilat familje, dhe cilat mbetën jashtë itinerarit.
Një dëshmitar nga Shkodra
Arshi Pipa lindi në Shkodër më 1920 dhe u shkollua në Firence, ku mori doktoratën në filozofi. U kthye në atdhe, dha mësim, drejtoi një revistë letrare dhe më 1946 u arrestua. Kaloi dhjetë vjet në burgjet dhe kampet e punës të shtetit të ri. Atje shkroi vjersha në letër cigaresh dhe i nxori jashtë në kujtesë. Më 1957 u arratis përtej kufirit dhe nga fundi i dhjetëvjeçarit ndodhej në Shtetet e Bashkuara, ku do të kalonte pjesën tjetër të jetës. Nga viti 1966 deri më 1989 ishte profesor i italishtes në Universitetin e Minesotës. Shkroi për Danten, për Montalen, për vargun popullor shqiptar dhe, me një rreptësi që i solli pak miq, për politikën dhe letërsinë e vendit që e kishte burgosur.
Lexuesit e Diellit kanë një të drejtë të veçantë mbi të. Në pranverën e vitit 1991 Vatra e zgjodhi Pipën kryetar, dhe për një vit pas kësaj ai e drejtoi këtë gazetë. Pesë vjet më parë, më 28 nëntor 1986, kishte mbajtur një fjalim për Ditën e Flamurit me titullin e prerë “Për shpëtimin e Vatrës”, të cilin Dielli e botoi në shkurtin pasues. Nuk ishte njeri i lehtë. Ishte njeri i ndershëm, gjë që është më e rrallë.
Diku brenda tre vjetëve pas vdekjes së Hoxhës, në prill 1985, Pipa shkroi një poemë të titulluar “Veneriada”. Ka gjashtëdhjetë vargje. Mund të jetë akti më i përqendruar i gjykimit në letërsinë moderne shqipe, dhe trajton pikërisht pyetjen që po shtroj: i kujt është kombi, i burrit që pretendon se e ka bërë, apo i nënës që e ka lindur?
Një bisedë në Ferr
Poema është një dramë e vogël. Ka tre folës dhe asnjë rrëfimtar. Një shënim i shkurtër në prozë e vendos skenën. Falë lutjeve të Nënë Terezës, Shqipërisë, të përfytyruar si një grua që po u afrohet të gjashtëdhjetave, i është lejuar të vizitojë Ferrin e Dantes. Teksa kapërcen rrethin më të poshtëm, e njeh Enver Hoxha, i cili është i zënë duke u hahur për ideologji me Stalinin.
Dy hollësi në këtë didaskali të vogël e meritojnë vëmendjen. E para është adresa. Dantja e ruajti fundin e Ferrit vetëm për një lloj mëkatarësh: tradhtarët, dhe mes tyre ata që tradhëtuan atdheun. Pipa, që e nxirrte bukën duke dhënë mësim për Danten, nuk e zgjodhi grupimin rastësisht. E dyta është Nënë Tereza. Kur u shkrua poema, shqiptares më të famshme ndër të gjallët i ishte mohuar prej dy dhjetëvjeçarësh hyrja në Shqipëri. E ëma dhe e motra i kishin vdekur në Tiranë pa e parë më. Nuk do ta lejonin të hynte deri në gusht 1989. Në poemë, e vetmja mënyrë që një shenjtore shqiptare ta ndihmojë vendin e saj është lutja, nga jashtë. Mërgimtarët e kuptonin shumë mirë këtë gjendje.
Hoxha flet i pari, dhe ajo që thotë është zemra e argumentit tim. Nuk i vjen turp. Ndihet i ngrënë në hak. Tri herë, i thotë Shqipërisë, e ka shitur, dhe përveç kësaj ia ka shlyer edhe borxhet. Mos ishte shumë të kërkonte në këmbim një mauzole? Tri shitjet janë një kronologji që çdo shqiptar i atij brezi mund ta thoshte përmendsh: Jugosllavia deri më 1948, Bashkimi Sovjetik deri më 1961, Kina deri më 1978. Satiriku nuk e akuzon diktatorin se e ka shitur vendin. Diktatori e thotë vetë, si mburrje, dhe dërgon faturën.
Disa vargje më poshtë vjen fjalia që duhet lexuar me zë në çdo tubim të Ditës së Flamurit ku dikë e tundon nostalgjia. Duke u mbrojtur, Hoxha pyet se cili mund të jetë krimi i tij. Mos vallë që ia kaloi Skënderbeut? Dhe pastaj, në versionin anglisht: “I, Albania, made you” – unë, Shqipëri, të bëra.
Ja ku është, në katër fjalë. Flamuri u ngrit më 1912 nga burra me emër, në një qytet me emër. Vendi kishte një gjuhë, një letërsi, një diasporë me një gazetë në Boston. Dhe njeriu në tribunë, që mbërriti tridhjetë e dy vjet më vonë, në përvjetor, thotë: unë të bëra.
Për t’iu përmbajtur së vërtetës historike, nuk kam gjetur asnjë dokument ku regjimi të ketë thënë fjalë për fjalë se udhëheqësi i tij ia kishte kaluar Skënderbeut, por dëshimtarët e kohës e kujtojnë si Modus Operandi të fjalimeve dhe grandiozitetit bosh të tij. Kjo është një ngjeshje e Pipës, jo citim. Por satira vepron duke thënë me zë atë që ceremonia vetëm e nënkupton, dhe kushdo që e ka parë kronikën filmike të vitit 1962 e di se çfarë nënkuptonte ceremonia.
Përbuzja e mjeshtrit
Stalini, në poemë, është dëshmitari armiqësor. Nuk ka asnjë interes ta mbrojë Shqipërinë; e quan grua të fëlliqur dhe i kujton se dikur një dridhje e mustaqes së tij trondiste dy kontinente. Ajo i përgjigjet me një varg e gjysmë: dikur, ndoshta, por sot kontinenti po lëpin plagët e lëna nga Katini dhe Gulagu. Me kaq autoriteti i tij merr fund, dhe ai mbetet i lirë të bëjë të vetmen gjë për të cilën vlen: të thotë të vërtetën për nxënësin e vet.
E bën me një mirësjellje të kthyer së prapthi. Shqiptarët e urojnë folësin e mirë duke i uruar gojën: “Të lumtë goja!” Stalini uron një tjetër pjesë të anatomisë së Hoxhës dhe shpall se ajo e shpjegon krejt karrierën e tij, sepse një njeri me një fat të tillë nuk ka nevojë as për dije, as për tru. Pastaj i kujton se çfarë e shpëtoi vërtet: “Forty-eight” – dyzet e teta. Prishja mes Titos dhe Moskës, të cilën Hoxha e paraqiste gjithmonë si qëndresën e tij heroike për pavarësinë kombëtare, në gojën e mjeshtrit bëhet një rastësi fatlume që i ra për hise një hiçi.
Kjo është gjysma e dytë e mësimit. Diktatori që pretendon se e ka bërë kombin ishte bërë vetë prej dikujt, dhe prej një të huaji. Emri më mizor që i vë poema është një fjalë e vetme shqipe, me një prapashtesë të vogël përbuzjeje në fund, të cilën anglishtja e jep si “Petty Stalin of Albania” – Stalini i vockël i Shqipërisë. Një kopje, dhe e vogël. Patrioti më zëlartë i vendit del të jetë njeriu më pak i pavarur në të.
Nëna përgjigjet
Dhe pastaj flet Shqipëria, dhe nuk pushon derisa poema mbaron.
Ajo e nis me akuzën që prek çdo familje shqiptare në të dy anët e kufirit: ai e bëri Kosovën plaçkë tregu dhe e martoi me Jugosllavinë. Pastaj kalon te të vdekurit. Në origjinal vargu përbëhet nga katër folje, pa asgjë mes tyre, dhe është vargu më i mirë i poemës: Vrave, preve, vare, ndoqe. Vargu pasues i emërton viktimat, dhe pikërisht kjo hollësi e dallon këtë regjim nga një tirani e zakonshme: miq, armiq, shokë, burra e gra pa dallim. Në atë varg nuk ka asnjë kategori njerëzish që të ketë qenë e sigurt.
Pastaj i kthehet kërkesës së tij. Ai do një vend në panteon, përkrah klasikëve të marksizmit. Ajo e quan, në anglisht, “Communism’s carpetbagger”, një fjalë amerikane e zgjedhur për lexuesit amerikanë: oportunisti që mbërrin në një tokë të mundur me torbën bosh dhe ikën me torbën plot. Dhe ia jep monumentin. Do të jetë në të njëjtën ndërtesë me atë të mjeshtrit të tij, thotë ajo, por në një dhomë më të vogël, në atë me vrimën në dysheme. Stalinit i takon vrima. Hoxhës, kapaku.
Kam lexuar mjaft denoncime politike në poezi në tri gjuhë dhe nuk njoh figurë më të saktë për marrëdhënien mes një tirani të madh dhe imituesit të tij provincial.
Katër vargjet e fundit nuk janë më satirë. Shqipëria pushon së argumentuari dhe bën atë që nënat shqiptare kanë bërë qëmoti, kur një fëmijë e ka kapërcyer çdo cak faljeje. E mallkon. Haram i qoftë qumështi që piu nga gjiri i saj. Në shqip kjo thuhet në mënyrën dëshirore, trajtën e lashtë gramatikore të ruajtur për urimet dhe mallkimet, dhe asnjë përkthim nuk ia mban dot peshën. Por kuptimi kapërcen çdo kufi. Shqipëria nuk është krijesë e diktatorit. Ai është fëmija i saj, dhe fëmijë i keq, dhe ajo ia merr mbrapsht qumështin.
Kjo është përgjigjja e Pipës ndaj atij “unë të bëra”. Pavarësia nuk është diçka që një sundimtar ia fal një populli. Është diçka që populli e ka, ashtu si nëna ka qumështin, dhe ajo mund ta mohojë.
Ka edhe një ironi tjetër, dhe këtë e dha vetë historia. Në tetor 1988 regjimi përuroi në mes të Tiranës një piramidë vigane të veshur me mermer, si muze për Hoxhën. Në poemë Shqipëria thotë se nuk i ngriti mauzole, që të mos kishte më vonë çfarë të shembej, siç i kishte ndodhur mjeshtrit të tij, të cilin e nxorën nga mauzoleu i Leninit më 1961. Brenda katër vjetëve nga përurimi i piramidës, trupi i diktatorit u hoq nga Varrezat e Dëshmorëve dhe u shpu në një varr të zakonshëm në skaj të qytetit, ndërsa emri që kishte vëne iu dha më vonë një udhëheqësi studentor të lëvizjes që e rrëzoi regjimin. Poeti ishte në Minesota. Thjesht kishte lexuar mjaft histori për ta ditur se si mbarojnë këto rrëfime.
Dy gjuhë, një verdikt
Ja pjesa e rrëfimit që na përket në mënyrë të veçantë neve, shqiptarëve të Amerikës.
Pipa e shkroi poemën në shqip, në gegnishten e Shkodrës së tij të lindjes, dialektin që politika gjuhësore e regjimit e kishte shtyrë në skaj. Pastaj bëri diçka që nuk e bëri me asnjë poemë tjetër. Përgatiti një version anglisht së bashku me një amerikan, Jeffrey Fruen, pothuajse me siguri një studiues i ri i poezisë elizabetiane, i cili sapo e kishte marrë doktoratën në të njëjtin universitet. Dhe e tha këtë, në një shënim prej një fjalie, me skrupullin e një njeriu që nuk do ta nënshkruante një punë që nuk ishte krejtësisht e tija.
Pse gjithë ky mundim? Sepse shkruante për dy dhoma mendimi njëherësh. Njëra ishte Shqipëria që nuk mund ta lexonte ende, ku poemës i duhej të priste hapjen e kufirit. Tjetra ishte vendi që e kishte marrë në gji, ku pothuajse askush nuk kishte dëgjuar për Enver Hoxhën. Për këtë dhomë të dytë fyerjet u veshën rishtas me rroba perëndimore. Një fjalë rrugësh e Shkodrës për një djalosh të bukur bëhet “Romeo”. Një xhambaz kuajsh i kohës së Turqisë bëhet “carpetbagger”. Çorba ideologjike e Hoxhës bëhet “bouillabaisse”. Poema u natyralizua, ashtu si autori i saj.
I njëjti libër përmban një poemë tjetër, të shkruar anglisht në po ato vite, me titullin “Fourth of July”. E përmend sepse e plotëson tablonë. Ja një njeri që i shihte fishekzjarrët e vendit që e kishte birësuar me dashurinë e emigrantit dhe ironinë e filozofit, dhe që në të njëjtën stinë shkroi aktakuzën kundër atit të rremë të vendit ku kishte lindur. Ai i kuptonte të dyja ditët e pavarësisë. E dinte dallimin mes një feste që e mbajnë vetë qytetarët dhe një feste që ua mbajnë të tjerët.
Çdo lexues i kësaj gazete jeton në ato dy dhoma. Fëmijët tanë lexojnë anglisht më lehtë se shqip. Prindërit tanë mallkojnë gegnisht ose toskërisht. Poema e Pipës u ndërtua pikërisht për këtë shtëpi, dhe na pret që nga viti 1988.
Jo vetëm e jona
Do të ishte ngushëlluese të mendonim se kjo është një veçori shqiptare. Është rregull.
Kur Bashkimi Sovjetik e gëlltiti Estoninë më 1940, arrestoi ose vrau nëntë nga njëmbëdhjetë burrat që kishin shërbyer si kryetarë shteti të republikës; presidenti i parë vdiq në një spital psikiatrik sovjetik më 1956. Në Rumani, komunistët e zhvendosën festën kombëtare në përvjetorin e ardhjes së tyre në pushtet, dhe burrat e shtetit që kishin bërë bashkimin e vitit 1918, me Iuliu Maniun në krye, vdiqën në burgjet e regjimit. Në Korenë e Veriut, çlirimi i 15 gushtit 1945, që ishte vepër e ushtrive aleate, u rishkrua derisa u bë bëmë vetjake e një njeriu të vetëm, nipi i të cilit sot pret paradën.
Modeli nuk ndryshon. Data ruhet, sepse data ka fuqi. Themeluesit hiqen, sepse themeluesit janë dëshmitarë. Dhe popullit i thuhet, vit pas viti, me banda frymore, se vendin ia ka borxh njeriut në ballkon.
Si ta mbajmë këtë ditë
Vatra u themelua në Boston në prill 1912, shtatë muaj para se flamuri të ngrihej në Vlorë. Dielli është edhe tre vjet më i vjetër. Kjo bashkësi punonte për pavarësinë e Shqipërisë para se të kishte një Shqipëri të pavarur, dhe e ruajti flamurin gjatë dhjetëvjeçarëve kur sundimtarët e atdheut e trajtonin si rekuizitë skene. Kjo është një trashëgimi, dhe ajo mbart një detyrë që thuhet thjesht.
Më 28 Nëntor, ngrijeni flamurin. Këndojeni himnin. Çojini fëmijët në paradën e bulevardit dhe lërini të vishen kuq e zi.
Pastaj, kur të jeni në shtëpi, thoni disa emra. Thoni Ismail Qemali, natyrisht. Por thoni edhe Lef Nosi, edhe Qazim Kokoshi, edhe Mid’hat Frashëri, i cili më në fund prehet në dheun e vet. Thoni emrin e kujtdo në familjen tuaj që nuk u kthye nga Spaçi, nga Burreli a nga këneta e Maliqit. Dhe në ka në shtëpi një njeri që lexon, gjeni gjashtëdhjetë vargje të një burri kokëfortë nga Shkodra, që dikur e drejtoi këtë gazetë, dhe lexojini me zë, në cilëndo gjuhë.
Diktatori e donte paradën. Tani është në dhomën e vogël, me kapakun në dorë. Dita i përket nënës, dhe ajo është ende këtu.
Hektor Çiftja jep mësim në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe ka botuar studime për Autobiografinë e Arshi Pipës. Versioni anglisht, “Veneriad”, dhe ai shqip, “Veneriada”, gjenden në atë vëllim (Tiranë, 2000; ribotuar më 2010).