
Faik Konica dhe “Vatra” në betejën për shpëtimin e kombit nga copëtimi.
Nga Albert Vataj
17 nëntori i vitit 1912 nuk është vetëm datë në ndërmendjen tonë historike, është një thirrje e kushtrimshme për zgjim, një zëshmëri e gjakut dhe tokës, etërve dhe amaneteve. Po, është një datë që nuk shënjoi vetëm një ngjarje kulmore, por dëshmoi mobilizimin identitar të ndërgjegjes kombëtare. Në këtë ditë, në Boston, mijëra kilometra larg tokës që po përgjakjej nga luftërat ballkanike, shqiptarët e Amerikës u mblodhën për të marrë përsipër një mision që kapërcente kufijtë e mërgimit, interesat e jetës së tyre të përditshme dhe vetë largësinë gjeografike, shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe zhdukja si subjekt politik e kombëtar.
Ishte një prej çasteve më dramatike të historisë sonë. Lufta e Parë Ballkanike kishte shpërthyer më 8 tetor 1912, me sulmin e Malit të Zi kundër Perandorisë Osmane, ndërsa Serbia, Greqia dhe Bullgaria iu bashkuan konfliktit. Perandoria, nën sundimin e së cilës shqiptarët kishin jetuar për afro pesë shekuj, po përjetonte shthurjen e pakthyeshme të pushtetit të saj në Ballkan. Ushtritë e shteteve fqinje po përparonin në territoret shqiptare, duke e shndërruar fatin e Shqipërisë në një çështje që nuk mund të zgjidhej më vetëm përmes kryengritjeve, kërkesave për autonomi apo shpresës për reforma nga Stambolli.
Në këtë rrethanë, rreziku ishte i dyfishtë, nga njëra anë, shembja e rendit të vjetër osman, nga ana tjetër, ambiciet aneksioniste të shteteve ballkanike, të cilat kërkonin të përfitonin nga kjo shembje për të zgjeruar kufijtë e tyre në kurriz të trojeve shqiptare. Nëse Shqipëria nuk do të arrinte të dëshmonte ekzistencën e saj si komb me të drejtën për vetëvendosje dhe shtetësi, ekzistonte rreziku që çështja shqiptare të trajtohej si një problem i brendshëm i Perandorisë Osmane dhe jo si e drejta legjitime e një kombi për të krijuar shtetin e vet.
Ishte pikërisht ky rrezik që i dha mobilizimit të diasporës shqiptare në Amerikë një domethënie të jashtëzakonshme historike.
Vatra, organizimi i një ndërgjegjeje kombëtare përtej Atlantikut
Në këtë përpjekje, rolin më të rëndësishëm e mori Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, e themeluar në Boston më 28 prill 1912, pas bashkimit të disa shoqërive patriotike shqiptare, ndër të cilat “Besa-Besë”, “Flamuri i Krujës” dhe organizata të tjera të kolonisë shqiptare. Ajo u njoh zyrtarisht nga autoritetet e Masaçusetsit më 13 qershor të po atij viti. Pra, “Vatra” nuk u krijua në vitin 1913, siç ngatërrohet ndonjëherë në disa rrëfime, por ishte një organizëm tashmë funksional përpara shpërthimit të Luftës Ballkanike. “Dielli”, organi i saj i shtypit, ishte bërë një nga tribunat më të rëndësishme të mendimit kombëtar shqiptar. “Vatra” përfaqësonte një përpjekje të re për ta bashkuar emigracionin shqiptar rreth një platforme të përbashkët politike, kulturore dhe atdhetare.
Në themel të këtij organizimi qëndronin personalitete të shquara të Rilindjes dhe të mendimit kombëtar, si Faik Konica, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi dhe shumë veprimtarë të tjerë. Ata kuptuan se diaspora nuk mund të mbetej thjesht një bashkësi njerëzish që ruanin gjuhën dhe traditat në dhe të huaj. Ajo duhej të bëhej një forcë e organizuar, me zë publik, me burime financiare dhe me aftësi për të ndërhyrë në zhvillimet politike që përcaktonin fatin e atdheut.
Për shqiptarët e Amerikës, Shqipëria nuk ishte një kujtim i largët, as një vend i lënë pas në udhëtimin e emigrimit. Ishte një përgjegjësi që duhej mbajtur gjallë përmes fjalës, organizimit, sakrificës dhe veprimit.
17 nëntori 1912, thirrja e Faik Konicës dhe përgjigjja e shqiptarëve të Amerikës
Më 17 nëntor 1912, “Vatra” organizoi në Boston një mbledhje të madhe, ku oratori kryesor ishte Faik Konica. Fjala e tij përmblidhte dramën e çastit dhe kërkonte një përgjigje të menjëhershme kombëtare.
“Turqia u mund dhe Shqipëria është shkelur dhe në rrezik të copëtohet. Ç’duhet të bëjmë ne shqiptarët nacionalistë për të shpëtuar atdheun tonë?”
Kjo thirrje, e dokumentuar në studimet historike mbi veprimtarinë e “Vatrës”, nuk ishte vetëm një shprehje alarmi. Ajo shënonte kapërcimin e një faze të tërë të mendimit politik shqiptar. Konica e kuptonte se rënia e Perandorisë Osmane nuk mund të shihej më si një ndryshim i zakonshëm pushtetesh, por si një kthesë që kërkonte një projekt të ri politik për Shqipërinë. Shqiptarët duhej të dilnin nga pozita e një popullsie që kërkonte të drejta brenda një perandorie në shpërbërje dhe të paraqiteshin përpara botës si një komb që kërkonte shtet të pavarur.
Në atë mbledhje u shtrua nevoja e një veprimi të bashkërenduar diplomatik dhe financiar. U hartuan rezoluta, u vunë në dispozicion mundësitë financiare të Federatës dhe u organizua një fushatë e gjerë telegramesh drejtuar personaliteteve më të larta politike e institucionale të kohës.
Kabllograme iu dërguan perandorit të Austro-Hungarisë, perandorit gjerman, mbretit të Italisë, Papës, ministrive të Jashtme të Francës dhe Rusisë, si dhe presidentit amerikan Ëilliam Hoëard Taft. Mesazhi ishte i qartë: të ndërpritej çdo përpjekje për copëtimin e Shqipërisë dhe të njihej e drejta e shqiptarëve për të jetuar në një shtet të tyre.
Kjo ishte një ndërhyrje e mirëfilltë në diplomacinë ndërkombëtare, e ndërmarrë nga një komunitet emigrantësh që, megjithëse nuk zotëronte ushtri, territore apo institucione shtetërore, kishte kuptuar fuqinë e organizimit, të propagandës politike dhe të presionit të opinionit publik.
Në këtë pikë, rëndësia e “Vatrës” kapërcen vetë historinë e një shoqate patriotike. Ajo bëhet dëshmi se shteti shqiptar, përpara se të kishte kufij të përcaktuar, administratë dhe diplomaci të konsoliduar, kishte një mbështetje të organizuar edhe përtej oqeanit. “Vatra” po përpiqej të ndërtonte atë që Shqipërisë së rrezikuar i mungonte më shumë: një zë të bashkuar përballë botës.
Nga Boston në Vlorë, 28 nëntori dhe lindja e shtetit shqiptar
Vetëm njëmbëdhjetë ditë pas mbledhjes së Bostonit, më 28 nëntor 1912, në Vlorë u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Ismail Qemali, së bashku me përfaqësuesit e krahinave shqiptare, ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Por Shpallja e Pavarësisë nuk i dha fund rrezikut. Ajo ishte akti themelues i shtetit, jo garancia e mbijetesës së tij. Territoret shqiptare vazhdonin të ishin të pushtuara, Shkodra ishte e rrethuar nga trupat malazeze dhe serbe, Janina po përjetonte rrethimin grek, ndërsa fuqitë evropiane kishin nisur të diskutonin të ardhmen politike dhe territoriale të Ballkanit.
Shqipëria duhej të fitonte një betejë të dytë, jo më vetëm për ta shpallur ekzistencën e vet, por për ta bërë atë të pranueshme dhe të njohur ndërkombëtarisht. Kjo betejë do të zhvillohej në tryezat diplomatike, në kancelaritë evropiane, në shtypin ndërkombëtar dhe në përpjekjet e pandërprera të patriotëve shqiptarë për të dëshmuar se kombi shqiptar kishte të drejtën dhe aftësinë për të krijuar një shtet të vetin.
Faik Konica dhe Fan Noli, diplomacia e një kombi që kërkonte të dëgjohej
Më 8 dhjetor 1912, në një kuvend të jashtëzakonshëm të “Vatrës”, Faik Konica u zgjodh përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës në Evropë dhe Shqipëri. Ky vendim e zhvendosi veprimtarinë e tij nga drejtimi dhe organizimi i diasporës në një terren të ri: përfaqësimin e çështjes shqiptare përballë diplomacisë evropiane.
Konica nuk ishte thjesht një publicist i talentuar apo një intelektual me kulturë të gjerë. Ai zotëronte një njohje të thellë të mendimit politik evropian, të gjuhëve dhe të mekanizmave të komunikimit diplomatik. Përvoja e tij në publicistikë, veçanërisht përmes revistës “Albania” dhe më pas gazetës “Dielli”, e kishte përgatitur për një mision ku fjala duhej të shndërrohej në argument dhe argumenti në instrument të mbrojtjes kombëtare.
Fan Noli, nga ana e tij, përfaqësonte një tjetër dimension të kësaj përpjekjeje. Klerik, përkthyes, publicist dhe orator i jashtëzakonshëm, ai ishte një prej zërave më të fuqishëm të shqiptarizmit në Amerikë. Në këtë periudhë, veprimtaria e tij do të merrte një përmasë gjithnjë e më të gjerë, duke ndërthurur angazhimin kishtar, kulturor dhe politik me mbrojtjen e interesave kombëtare.
Të dy, secili me profilin dhe mënyrën e vet të veprimit, përfaqësonin një brez intelektualësh që nuk e ndante dijen nga përgjegjësia ndaj kombit. Për ta, atdhetaria nuk ishte vetëm ndjenjë, por edhe aftësi për të kuptuar rrethanat, për të ndërtuar argumente dhe për të ndërhyrë në historinë që po shkruhej.
Ndërkohë, Qeveria e Përkohshme e Vlorës po përpiqej të organizonte përfaqësimin zyrtar të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 23 dhjetor 1912, qeveria vendosi dërgimin e një delegacioni të kryesuar nga Rasih Dino, me anëtarë Mehmet Konicën, Filip Nogën dhe Sotir Kolenë. Delegacioni duhej të paraqiste kërkesat shqiptare në një kohë kur bregdeti ishte i bllokuar nga flota greke dhe mundësitë e komunikimit e të lëvizjes ishin tejet të kufizuara.
Ky delegacion zyrtar duhet dalluar nga veprimtaria e përfaqësuesve të diasporës, përfshirë Konicën, të cilët vepronin në mbrojtje të së njëjtës çështje kombëtare, por me mandate dhe role të ndryshme. Vatra” nuk zëvendësonte qeverinë shqiptare; ajo përpiqej t’i jepte asaj mbështetje politike, publicistike dhe financiare në një moment kur burimet e shtetit të sapolindur ishin jashtëzakonisht të kufizuara.
Kongresi i Triestes, një kuvend shqiptar përpara Evropës
Një tjetër ngjarje me rëndësi të veçantë në këtë përpjekje ishte Kongresi Shqiptar i Triestes, i mbajtur në fillim të marsit 1913, sipas procesverbalit të botuar për mbledhjet e datave 1–4 mars. Kongresi, i organizuar nga patriotë shqiptarë të diasporës, me Faik Konicën në krye të punimeve dhe Sotir Kolenë ndër organizatorët e tij, mblodhi përfaqësues nga vise të ndryshme shqiptare dhe nga kolonitë e mërgimit, përfshirë Amerikën, Rumaninë, Bullgarinë, Egjiptin dhe Italinë. Në të morën pjesë edhe arbëreshë dhe miq të çështjes shqiptare.
Përmasat e këtij kuvendi dëshmonin se çështja shqiptare nuk ishte një kërkesë e izoluar e një krahine apo e një grupi politik. Ajo ishte një aspiratë mbarëkombëtare, e mbështetur nga një bashkësi njerëzish që, pavarësisht dallimeve krahinore, fetare dhe politike, e njihnin veten pjesë të së njëjtës histori dhe të së njëjtës të ardhme.
Programi i Kongresit kishte një rëndësi të posaçme politike. Ai kërkonte një Shqipëri me kufij të drejtë, të aftë të jetonte si shtet i pavarur, politikisht dhe ekonomikisht; kërkonte ndalimin e luftës dhe heqjen e rrethimeve mbi qytetet shqiptare, si dhe diskutimin e formës së qeverisjes së shtetit të ri.
Në procesverbalin e Kongresit, Faik Konica theksonte domosdoshmërinë që shqiptarët të dëshmonin përpara botës së qytetëruar se populli shqiptar ishte i përgatitur për jetë politike. Kjo ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj pretendimeve që e paraqisnin Shqipërinë si një territor pa aftësi vetëqeverisjeje, si një hapësirë që duhej administruar sipas interesave të fuqive të tjera.
Fan Noli ishte ndër personalitetet e rëndësishme të këtij kuvendi. Prania e tij, ashtu si ajo e Konicës, i jepte Kongresit një peshë të veçantë intelektuale dhe politike. Argumentet historike, juridike dhe politike që u parashtruan synonin të dëshmonin se Shqipëria nuk ishte një krijim artificial i diplomacisë, por një realitet kombëtar me rrënjë të thella historike, gjuhësore dhe kulturore.
Kongresi miratoi një program dhe qëndrime që synonin t’ua përcillnin Fuqive të Mëdha kërkesat e shqiptarëve, duke kërkuar ndalimin e luftimeve, heqjen e rrethimeve dhe respektimin e të drejtave territoriale të kombit. Ai ishte, në thelb, një kuvend i vetëdijes kombëtare, i mbajtur në një qytet evropian, në një kohë kur vetë Evropa po vendoste për kufijtë e Shqipërisë.
Konferenca e Londrës, kur fati i Shqipërisë u vendos në tryezën e Fuqive të Mëdha
Ndërsa patriotët shqiptarë organizonin kongrese, shkruanin memorandume dhe kërkonin mbështetje ndërkombëtare, në Londër po zhvilloheshin punimet e Konferencës së Ambasadorëve, të cilat nisën në dhjetor 1912 dhe përfunduan në korrik 1913.
Në atë tryezë, ku përfaqësoheshin interesat e Fuqive të Mëdha, Shqipëria përballej me një sfidë të jashtëzakonshme: të fitonte njohjen si shtet i pavarur dhe, njëkohësisht, të mbronte sa më shumë nga hapësira e saj etnike e historike.
Konferenca vendosi njohjen e një Shqipërie autonome nën sovranitetin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha, vendim që më vonë u shndërrua në njohjen e Shqipërisë si principatë e pavarur. Por përcaktimi i kufijve u bë në një mënyrë që la jashtë shtetit të ri territore të gjera shqiptare, përfshirë Kosovën, Çamërinë dhe vise të tjera shqiptare. Vendimet e saj, të diktuara nga ekuilibrat e interesave ndërkombëtare, do të linin pasoja të thella dhe afatgjata në historinë e kombit.
Në këtë kontekst, veprimtaria e Konicës dhe e patriotëve të tjerë shqiptarë mori një rëndësi të veçantë. Ata kërkonin të bindnin kancelaritë evropiane se një Shqipëri e cunguar dhe e rrethuar nga pretendime territoriale të fqinjëve do të ishte një burim i vazhdueshëm paqëndrueshmërie për Ballkanin.
Megjithatë, duhet kuptuar se diplomacia shqiptare e asaj kohe nuk ishte një front krejtësisht homogjen. Brenda lëvizjes kombëtare ekzistonin pikëpamje të ndryshme për orientimin ndërkombëtar, për raportet me Austro-Hungarinë dhe Italinë, për formën e qeverisjes dhe për princin që duhej të vihej në krye të shtetit. Edhe Konica dhe Noli nuk ishin gjithmonë në një mendje për të gjitha çështjet politike. Por, përballë rrezikut të copëtimit dhe nevojës për të siguruar ekzistencën e Shqipërisë, mbrojtja e interesit kombëtar mbeti pika e tyre e përbashkët.
Një atdhe që nuk mbrohej vetëm me armë
Historia e “Vatrës” në vitet 1912–1913 është një dëshmi e fuqisë që mund të marrë një diasporë kur e shndërron përkatësinë kombëtare në organizim dhe veprim. Shqiptarët e Amerikës nuk u mjaftuan me dërgimin e mesazheve të solidaritetit, as me shprehjen e dhimbjes për fatin e vendlindjes. Ata ngritën institucione, financuan veprimtarinë patriotike, botuan gazeta, organizuan mbledhje, hartuan rezoluta dhe kërkuan ndërhyrjen e personaliteteve më të fuqishme të kohës.
Në një periudhë kur Shqipëria nuk kishte ende një diplomaci të konsoliduar, “Vatra” u bë një nga mbështetjet më të rëndësishme të përfaqësimit të çështjes shqiptare në botë. Përmes saj, zëri i një kombi të vogël, të kërcënuar nga pushtimet dhe pazaret territoriale, arriti të kapërcente Atlantikun dhe të trokiste në dyert e kancelarive ndërkombëtare.
Kjo histori nuk duhet lexuar vetëm si një kapitull lavdie për diasporën shqiptare, por edhe si një mësim mbi mënyrën se si ndërtohet përgjegjësia kombëtare. Ajo dëshmon se atdheu nuk është vetëm toka ku lindim, por edhe ajo që mbrojmë me mendje, me punë, me sakrificë dhe me vetëdijen se fati i tij është një përgjegjësi e përbashkët.
17 nëntori 1912 mbetet kështu një datë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare: dita kur shqiptarët e Amerikës, përmes “Vatrës” dhe zërit të Faik Konicës, e shndërruan shqetësimin për Shqipërinë në një veprim të organizuar politik e diplomatik. Përpara se flamuri të ngrihej në Vlorë, ata kishin ngritur një tjetër flamur, atë të ndërgjegjes kombëtare, në një vend të largët, por në një çast kur atdheu kishte më shumë se kurrë nevojë për bijtë e vet.
Sepse Shqipëria e vitit 1912 nuk kishte nevojë vetëm për ata që luftonin në trojet e saj, por edhe për ata që dinin ta mbronin të drejtën e saj përpara botës. Dhe shqiptarët e Amerikës dëshmuan se largësia nuk e dobëson domosdoshmërisht lidhjen me atdheun; ndonjëherë, ajo e bën edhe më të kthjellët vetëdijen për të.