
Prof. Asoc. Dr. Gelanda Shkurtaj/
Trashëgimia më e madhe e njërit prej themeluesve të shkollës etnografike shqiptare, mbetet analiza e Kanuneve, ndarjet krahinore, dhe kërkimi në terren për të zbuluar organizimin shoqëror, traditat dhe normat që kanë udhëhequr jetën e shqiptarëve ndër epoka. Etnografi ekzemplar Rrok Zojzi mendonte se historia e një populli nuk shkruhet vetëm përmes dokumenteve zyrtare, kronikave historike dhe akteve juridike. Ajo ruhet në kujtesën e njerëzve, në normat e sjelljes së trashëguara, në mënyrën se si organizohen familjet dhe komunitetet, si zgjidhen konfliktet dhe si përcillen nga njëri brez tek tjetri, normat që rregullojnë jetën shoqërore. Pikërisht në këtë dimension të rëndësishëm të historisë shqiptare merr një vlerë të jashtëzakonshme puna e tij, i cili ia kushtoi pjesën më të rëndësishme të veprimtarisë së tij shkencore, studimit të trashëgimisë kulturore e dokësore të shqiptarëve. Kontributi i Zojzit nuk kufizohet vetëm në mbledhjen e dokeve dhe traditave popullore. Puna e tij përfaqëson një përpjekje të gjerë për të kuptuar mënyrën se si është formuar dhe zhvilluar shoqëria shqiptare, duke e parë të drejtën dokësore si pjesë të pandashme të marrëdhënieve ekonomike, familjare, fisnore dhe kulturore.
Përmes kërkimeve në terren, bashkëbisedimeve me banorët dhe dokumentimit të kujtesës së brezave të moshuar, Zojzi arriti të akumulojë një pasuri informacioni të jashtëzakonshme, e cila edhe sot e kësaj dite, përbën një burim të rëndësishëm për studiuesit e historisë, antropologjisë dhe drejtësisë. Rrok Zojzi, mbart rolin e një prej themeluesve të shkollës etnografike shqiptare. Duke iu referuar veprës së këtij etnografi si dhe materialeve të botuara, apo atyre që gjenden në arkiva, vihet re gjurma e një evidentuesi të thellë të identitetit kombëtar. Vlen një vëmendje të veçantë fakti se sektori i etnografisë pranë Institutit të Shkencave në Shqipëri, bëri punën më të rëndësishme dhe konkrete për mbledhjen e materialeve etnografike në terren. Edhe pse është e vështirë të argumentosh sot, metodologjinë e tij në kërkimet etnografike, pasi ai vetë nuk ka lënë shënime për këtë, çelësi i studimit me sa preceptohet nga arkivat e punimeve të tij, është bashkëbisedimi me kolegë të fushës dhe intervistimi i drejtëpërdrejtë në terren.
Sipas antropologut Nebi Bardhoshi, Zojzi e shikonte etnografinë si disiplina e cila merret me „studimin e veçorive kulturore të popujve, me specifikën etnike dhe kombëtare, me proçesin historik të zhvillimit dhe të prespektivës së tyre“. Duke pasur në vëmendjen e tij të veçantë mbledhjen e materialit etnografik në ato vënde ku kultura ruante origjinalitetin për shkak të mos ndërhyrjeve nga jashtë, kryesisht këtë mbledhje ai e bëri në zonat që ishin më të izoluara, por gjithsesi del e provuar se në vlerësimet e tij bazuar mbi materialet etnografike, krahinat shqiptare ishin vizituar kudo. Po ashtu edhe pse interesi kryesor në intervistim të grup-moshave, shkonte kryesisht tek moshat e thyera, si besimtar i postulatit se „kur vdes një i moshuar, zhduhet një arkivë“, gjithsesi rezulton se ai kishte intervistuar gati të gjitha grup-moshat duke shkuar deri tek fëmijët. Ndjehet dimensioni i metodikës gjenealogjike në punimet e tij, duke i dhënë rëndësi prejardhjes së popullsisë, mënyrën e organizimit social të asaj bashkësie, lidhja si dhe prejardhja familjare, marrëdhënie të tjera sociale, prejardhja fisnore dhe koha e vendosjes së bashkësisë sociale duke u pasqyruar kjo gjë në kapitalin social të familjes.
Elementi tjetër i spikatur i shkollës së tij etnografike është kujtesa sociale, një element ky kaq i rëndësishëm dhe për të cilin ai vetë shprehte shqetësimin e thellë se nga pikëpamja e ruajtjes së saj, e drejta Kanunore ishte një nga ato që rrezikonte më shumë të zhdukej pa lënë gjurmë. Nisur nga ky këndvështrim, interesi i tij për vënien në vëmendje të gjithë studiuesve, por edhe të opinionit shkencor, se mbledhja e kulturës tradicionale bëhej me qëllim kryesor për ta studiuar, dhe me një qëllim dytësor për t’i dhënë mundësi brezave pasardhës ta njohin dhe ta hulumtojnë atë për të kuptuar më thellë rrugën e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Është e rëndësishme të theksohet se institucionalisht Kanuni, në njërën anë nuk mund të bashkëjetonte me asnjë formë qeverisje, dhe për më tepër me shtetin e sapo formuar pas luftës së dytë botërore. Por, në anën tjetër, vlen të thuhet se ajo që nuk u realizua nga ana e etnografëve të asaj periudhe, ishte pamundësia për të qenë të lirë në studimin e të drejtës Kanunore, në të gjithë kompleksitetin e saj.
Në studimet e Rrok Zojzit, spikat bindja se ajo, nuk është produkt i proçesit të kodifikimit nga ndonjë autoritet, siç mund të ishte Leka, apo Skënderbeu duke dhënë bindjen se e drejta Kanunore është produkt i mirëfilltë i popullit.Në librin e tij „Antropologji e Kanunit“, autori Nebi Bardhoshi, citon një nga shprehjet e autorit Rrok Zojzi, se: „Nga materialet që kemi sot, po paraqesim disa të dhana, që provojnë se kanunet nuk qenë as të Lekës, as të Skanderbegut, as t’Idris Sulit, as të Mus Ballgjinit, por qenë prodhime të vetë popullit“.
Rrok Zojzi në veprën e tij dhe duke përdorur konceptin e shtresave kulturore, thotë se e drejta Kanunore i përket një shtrese më të vjetër në raport me atë që përfaqëson koha e Lekës apo e Skënderbeut. Vetë Zojzi thotë se shtresa kohore e përkatësisë së lindjes së të drejtës Kanunore shkon „deri në një shtresë të dytë më të lashtë në raport me kohën e Lekës apo të Skënderbeut“, e megjithatë shpreh dyshimin se edhe kjo vendosje nuk i shkon përshtat në aspektin kohor, pasi elementë të tillë të përmendur në Kanun si farka, trapi, kullotat e kanë burimin në shtresat e formacioneve më primitive të shoqërisë. Në fakt ky mendim, përkon fort me atë çfarë gjigandi i letrave shqipe, At Gjergj Fishta bën në hyrje të Kanunit të “Lekë Dukagjinit”, tek “Randsia e foklores shqyptare”, pikërisht aty ku thotë se vjetërsia e këtij kodi mund të jetë sa ajo e së drejtës romake. Gjithmonë në mbështetje të opinionit të tij se e drejta Kanunore ka bazën në krijim dhe zhvillim vetëm në popull, hedh tezën e tij të anonimatit të krijuesit si tregues të shoqërisë primitive dhe si e tillë kultura primitive është kulturë e popullit.
Elementi ku ai bazon vënien e emërtimeve të Kanuneve si i Skënderbeut, apo i Lekës, është sipas tij faktori ekonomik, i cili me zhvillimin tek shoqëria solli edhe modifikim të së drejtës të shoqëruar në këtë rast me emrat e prijësave apo personave me influencë për kohën kur u përshtatën këto ndryshime. Sjell në vëmendje dhe në provë të kësaj bindjeje, faktin se Kanunet e ndryshme në Shqipëri kanë shumë ngjashmëri edhe pas ndryshimeve që kanë ardhur thjesht të përshtatura falë ndryshimeve ekonomike që kanë pasuar nga njëra trevë në tjetrën. Pra për pasojë, Zojzi këtyre personaliteteve të kohës iu njeh vetëm rëndësinë në interpretimin e mentalitetit të shoqërisë dhe jo atributin e krijimit rishtazi të këtyre Kanuneve. Hedh gjithashtu idenë se, Kanuni pa dyshim ka pasur bazën e vetë të krijimit dhe kuptimit brenda territorit të vendit, madje këtu mbështet idenë se ndofta që në fillim çdo fshat kishte një Kanun të vetin, por njeh edhe mundësinë e shkëmbimeve reciproke si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel fqinjësie midis vendeve.
Por qëndrimet e tij në lidhje me të drejtën dokësore në Shqipëri, duken disi kontradiktore në referatin e punuar dhe ligjëruar prej tij me titullin „Mbeturina të rendit fisnor në disa mikrorajone të vendit tonë“, përgjatë njërit prej aktiviteteve më me rëndësi të kohës së socializmit, në fushën e studimeve albanologjike. Dy fjalë për këtë Konferencë Kombëtare të studimeve etnografike e cila zhvilloi punimet e saj më datat 28-30 qershor të vitit 1976.
Kjo konferencë mbarë kombëtare, pati në përmbajtje të saj shumë referate të cilat u ligjëruan nga shkencëtarët më në zë të kohës në fushën e studimeve albanologjike. Lëmitë e kërkimeve ishin nga më të ndryshmet, si fusha e historisë, etnografisë, gjuhësisë, kostumografisë e të tjera, duke na dhënë një informacion të rëndësishëm në lidhje me zhvillimin e shoqërisë shqiptare në të kaluarën dhe të kohës, si parathënie të një ecurie përparimtare drejt një shoqërie që kërkon vendosjen e shtyllave mbajtëse të kulturës dhe zhvillimit kombëtar, mbi premisa të vendosura në baza shkence dhe kërkimi shkencor. Për cilindo që kërkon t’i jap tjetër nuancë qëndrimeve të Zojzit, duhet të konsiderojë lirinë e fjalës dhe të mendimit në diktaturë (!).
Në këtë konferencë, studime të spikatura dhe ngushtësisht të lidhura më të drejtën dokësore, mbajnë firmën e Rrok Zojzit i cili e prek atë në kuadër të trajtimit të „mbeturinave“ të rendit fisnor, të Kristo Frashërit i cili kishte bërë një punim në lidhje me kanunin e Skanderbegut të Dom Frano Ilia-s, të Ismet Elezit “Mbi disa tipare të së drejtës dokësore në Shqipëri”, si dhe punimin i cili lidhej drejtëpërsëdrejti me Kanunin e Lekë Dukagjinit i titulluar „Botëkuptimi dhe ideologjia në Kanunin e Lekë Dukagjinit“, i cili mban autorësinë e profesor Aleks Luarasit. Këtu duhet pranuar vështirësia në të cilën shkolla etnografike shqiptare gjendej, midis thënies së të vërtetës dhe ndikimit politik të kohës. Ideologjia e kohës e mbështetur nga kjo shkollë kishte për qëllim që të lartësonte vlerat e Kanunit kur ishte fjala për të sjellë në vëmendje të lexuesit të huaj dhe atij shqiptar, gjenezën e tij të thellë në histori, të përkatësisë kulturore dhe sociale të shqiptarëve. Por e parë nën optikën e njeriut të ri socialist, sipas ideologjisë politike të kohës, Kanuni dhe normat juridike në përmbajtje të tij, konsiderohen si elemente të së kaluarës që nuk përputhen me njeriun e kohës dhe se çdo gjë e keqe lind nga prona dhe përvetësimi i saj, kështu që çdo marrëdhënie shoqërore e ngritur mbi këtë prezumim është e destinuar të jetë në antagonizëm të fortë me normat kulturore dhe morale të shoqërisë shqiptare pas luftës së dytë botërore.
Në fakt leximi dhe interpretimi i Kanunit duhej të bëhej vetëm mbi bazën e një neutraliteti emocional në lidhje me përmbajtjen klasore apo pronësore, pasi ai nuk ka shprehur asnjë gjë tjetër apo të veçantë, më shumë seç kanë qenë marrëdhëniet e kohës kur ato kanë lindur dhe janë zhvilluar. Një ndër figurat që spikat në këtë punim të Zojzit, është edhe ajo e “tatëzotit” i cili gëzonte një pushtet absolut vendimmarrës, pronësor në kuptimin e ngushtë, dhe ekonomik në një kuptim më të gjerë. Vëllazëria bashkëjetonte me punë dhe pronë të përbashkët dhe në krye të saj qëndronte figura e “zotit të shtëpisë”. Në vijim të viteve dhe ndryshimeve kohore, situata brenda këtyre grupimeve, që do të ishin risitë e fisive që u përqëndruan shumë në zonat rurale të vendit, ishte e tillë që në përbërje të saj numri i anëtarëve të cilët bashkëjetonin nën një strehë rritej, dhe për pasojë kjo do të sillte një rritje edhe të konflikteve të cilat kishin në bazë të tyre pronën. Si vijim i kësaj situate, gjendja e familjes paraqitet me një rritje të numrit të familjave të vogla, të ndara tashmë nga familja e madhe, po ku mjetet e punës ishin të përbashkëta dhe ku përvetësimi i pasurisë ishte i ndaluar, përjashtuar krerët e vëllazërive apo tatëzotët të cilët konservonin edhe të drejtat pronësore mbi pasuritë e paluajtëshme.
Pak a shumë kjo ishte panorama e përbërjes së fisit në veri të Shqipërisë apo farës sikundër përdorej në jug të saj, dhe ku blegtorët endacakë mendohet se kishin si pasuri të tyre në fillim tufat e gjësë së gjallë me të cilat mbanin ekonomitë etyre, dhe më pas ishin kullotat si pjesë pasurie e paluajtëshme, dhe ngushtësisht të lidhura me rritjen dhe mbarëvajtjen e gjedhit. Gradualisht u kalua në nëndarjen edhe territoriale të pronësisë (kullotave) fillimisht, duke përdorur edhe shenja dalluese për të përkufizuar kufijtë. Shumë interesant paraqitet fakti se si e drejta e pronësisë garantohej mbi zotërimet që kishin pasur tatëzotët, dhe për këtë arsye përdorimi i emrit të tyre edhe në emrin e një personi, si fjala vjen Llesh Pal Mark Dodgjeta, ishte pikërisht për të informuar të tjerët për origjinën e prejardhjes dhe për të konfirmuar në sy të të tjerëve praninë e ekzistencës së mëparshme të këtyre emrave si origjinarët e titullit të pronësisë. Të pohoje këtë, thotë Zojzi, ishte njëlloj sikur të prodhoje në ditët e sotme një çertifikatë pronësie në dëshmi të pasjes së një titulli pronësie mbi një pasuri të caktuar.
Gjithashtu interesant është edhe fakti se çdo anëtar i fisit gëzonte të gjitha të drejtat reale të përfitimit dhe shfrytëzimit nga posedimi mbi pasuritë e paluajtëshme të fisit, por asnjëherë nuk mund të pretendonin titullin e pronësisë apo atë të bashkëpronësisë.
Nëse do të mund të jepnim një hartë të përbërjes së strukturës fisnore, sipas shpjegimeve të Rrok Zojzit, pak a shumë hierarkia e vendosjes nga lart poshtë do të ishte kjo:Në krye është fisi, më pas vijnë këmbët e fisit, më pas vijnë vëllazëritë, më pas barqet dhe në fund vijnë shtëpitë, duke u karakterizuar në përgjithësi nga këto elemente: a-së pari prona ishte e përbashkët; b-ndarja e saj ishte proporcionale sipas numrit të meshkujve për çdo kategori; c–në krye të fisit qëndronte aristokracia e tij. Në këtë rrugë edhe ndarjet në pari e vogjli, ishin bërë bazuar mbi ndarjen sipas hierarkisë brenda fisnore, dhe jo duke iu referuar diferencimeve ekonomike, të cilat ndërhynë me vonë dhe u përfaqësuan nga ky kategorizim i bërë më sipër. Vullneti i përbashkët shprehej në kuvend, dhe pjesmarrja në të bëhej sipas përkatësisë në të drejtën e pronësisë, dhe jo sipas përkatësisë në një grupim social. Ky ishte vendi më i rëndësishëm i vendimmarrjes, por sipas Zojzit vendi ku do të përcaktoheshin të gjitha normat të cilat do të përbënin Kanunin e ardhshëm.
Autori tekstualisht citon se: “Vendimet e ndryshme të Kuvendit formonin normat e ndryshme të kanunit. I tërë Kanuni nuk është tjetër veçse përmbledhje normash të vendosura në kuvende të ndryshme, të mbajtura gjatë shekujsh”. Ky interpretim e vendos të drejtën dokësore në një dimension të rëndësishëm historik: atë të një sistemi normash që zhvillohej gradualisht përmes marrëveshjeve, vendimeve dhe praktikave të komunitetit. E thënë akoma me gjuhën e së drejtës në Amerikë, ishte një “living law”. Interesant paraqitet edhe fakti i trajtesës së fenomeneve korruptive brenda fisit, si një fenomen i cili solli ndryshimin e madh brenda raporteve në fis. Pra aristokracia e fisit, nga një organizim i cili merrte vendime mbi bazën e urtësisë dhe eksperiencës, dhe ku në kompensim të së cilës kishte një trajtim simbolik për nga aspekti i përfitimit, siç mund të ishte servirja e kokës së berrit në tryezë, kaloi më vonë në përfitime materiale të cilat u pasqyruan në spekullime të shumta që ata bënin me postin e mbajtur, dhe në devijancën ndaj filozofisë së Kanunit.
Sipas interpretimit të Zojzit, struktura e vjetër fisnore ishte e ndërtuar mbi disa nivele organizimi, ku prona e përbashkët dhe lidhjet e gjakut luanin një rol thelbësor në përcaktimin e pozitës së individit brenda bashkësisë. Zojzi dallon tri shtresa në prejardhjen e popullsisë: anasit, fisin dhe të ardhurit. Anasit përfaqësonin shtresën më të hershme të banorëve, fisi një shtresë tjetër të vendosur më pas, ndërsa të ardhurit përbënin popullsinë që ishte vendosur në periudha më të vona. Në qendër të këtij organizimi qëndronte “pater familias” (tatëzotit) pra figura e të parit të familjes, i cili ushtronte autoritet të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore. Ndërsa bashkësia zgjerohej, marrëdhëniet e pronësisë dhe përdorimit të pasurisë bëheshin gjithnjë e më komplekse. Një aspekt veçanërisht interesant, për rregullimin e kësaj marrëdhënie komplekse, lidhet me dallimin sikurse u tha më sipër, ndërmjet të drejtës së përdorimit të pronës dhe titullit të pronësisë. Sipas Zojzit, anëtarët e fisit mund të gëzonin të drejta përfitimi dhe shfrytëzimi mbi pasuritë e përbashkëta, pa pasur domosdoshmërisht të drejtën të pretendonin pronësinë individuale mbi to.
Ndarja brenda fisit e roleve udhëheqëse u bë e bazuar mbi përkatësinë në rradhën e trashegimtarëve, kështu udhëheqja shkonte tek djemtë e parë, djelmëria shkonte në nivelin e djemve të dytë, ndërsa bajraku tek djemtë e brezit të tretë.
Në lidhje me këtë fakt, është i njohur edhe fakti tjetër historik i ngritjes nga ana e administratës turke të komisionit të maleve, ose të Xhibalit, i cili njohu autoritetin e Kanunit, si ligjin material për t’u përdorur në gjykata. Dhe në përmbyllje të diskutimit të tij, etnografi Rrok Zojzi, është i idesë se shoqëia e vjetër fisnore në Shqipëri e përfaqësuar me grupin e blegëtorëve endecakë fillon rënien që prej shekullit XVI kur u ngulit në një territor të caktuar dhe kërkoi lidhjen territoriale midis njerëzve. Fillon dekompozimin në shekujt XVII-XVIII kur përvetësoi pronën e përbashkët dhe në momentin që i hoqi bazën ekonomike bashkësisë shoqërore. Zhduket komplet në shekullin e XIX me luftën e klasave brenda grupimit shoqëror, ndërkohë që me çlirimin e Shqipërisë mendohet se humbën fuqinë e tyre dhe ngelën vetëm në memorien sociale si forca zakoni.
Autori dhe studiuesi i të drejtës dokësore shqiptare Bardhyl Prifti, nderon veçanërisht punën e etnografit Rrok Zojzi, në interesin dhe punën e tij të drejtëpërdrejtë të organizur nga Instituti i Kulturës Popullore, në vitin 1970. Nën ndikim direkt të tij u mor nisma, me anë të së cilës u synua që të hulumtohej dhe kërkohej me qëllim mbledhjen e një materiali sa më të pasur arkivor, në lidhje me të drejtën dokësore në Shqipëri. Sikurse u tha më sipër etnografi Zojzi u mor vetë me drejtimin dhe organizimin e kësaj nisme, duke përfshirë si kërkues në terren jo vetëm punonjës shkencorë të Institutit por edhe studiues dhe etnografë të caktuar nga rrethet, ku kryesisht do të bëheshin kërkimet. Gjeografia e territoreve të përfshira në këtë nismë, shkonte nga Jugu me rrethet si Kolonjë, Korçë, Pogradec, Vlorë e Lushnjë, deri në Veri me rrethet Shkodër, Mirditë e Pukë. Puna rezultonte disi më e lehtë në zonat veriore, pasi aty jo vetëm ndikimi i Kanunit ishte më i freskët në memorien e njerëzve, por edhe pse ata po kalonin në një terren që e kishin “shtruar” më parë etnografë si Gjeçovi ndër shqiptarë të Shqipërisë, e Pupovci e Krasniqi si shqiptarë nga Kosova.
Në habi të ekipit kërkimor, edhe materialet që u mblodhën në Jug të vendit, patën një shumëllojshmëri dhe pasuri mbresëlënëse, si në zonat e Pogradecit, Korçës e Myzeqesë, dhe të gjitha demostronin unicitetin e njësisë etnike nga Jugu në Veri të Shqipërisë, me të gjitha doket dhe normat që shoqërojnë Kanunin kudo nëpër vend. Në këtë kërkim dhe mbledhje materiali, punonjësit spikatën disa aspekte të së drejtës dokësore, të cilat kishin qenë shumë të pranishme, dhe me shumë influencë në rregullimin dhe zgjidhjen e marrëdhënieve sociale në disa komunitete të Myzeqësë rreth zonës së Bubullimës, dhe që fatkeqësisht kishin humbur gjurmët që nga emigracioni shqiptar në fillim të shpalljes së pavarësisë e deri në fillim të luftës së parë botërore, kur dolën ligjet e shkruara. Shkaku qëndronte, sipas burimeve kërkimore, në kalimin e atributeve rregullatore dhe udhëheqëse, nga sistemi i të drejtës dokësore tek sistemi i drejtësisë i ekzekutuar dhe përfaqësuar nga shteti. Pra ky moment ishte shoqëruar me zhdukjen e disa instituteve të së drejtës dokësore, sikurse “gjakmarrja”, “pekulia”, instituti i “trimit”. Në disa zona të thella të këtyre trevave, si fjala vjen Mokra apo Dangëllia, u takuan shumë të moshur të cilët konservonin me fanatizëm elemente të së drejtës dokësore.
Dija e tyre ishte pasuruar ose me vetë aplikimin e këtyre instituteve, ose me trasmentimin që ata vetë kishin bërë duke marrë nga më të moçmit dhe duke përcjellë tek më të rinjtë. Janë ruajtur këtu të gjitha ritet shoqëruese të ligjeve që kanë përfshirë momente kritike si lindja, martesa, vdekja, marrëdhëniet familjare etj. Përçuesit kanë qenë gratë zonja shtëpie dhe burrat zotër shtëpie, ose persona të veçantë që thirreshin për t’u marrë mendim. Ndikim të madh ka pasur edhe feja në këto zona, paçka e cilit besimi, pasi popullata ka parë tek ajo, jo vetëm njeriun e fesë, por edhe njeriun e urtë i cili ka ditur të trasmetojë ide nëpërmjet zakoneve dhe riteve popullore. Ka një vlerë të jashtëzakonshme puna e Zojzit e bërë në përcaktimin dhe ndarjen e krahinave etnografike shqiptare, duke na dhënë në këtë mënyrë një hartë treguese shumë efikase për studimet etnografike. Ajo shkon përtej ndarjes binom Gegëri dhe Toskëri, duke dhënë një varietet të dendur të krahinave të Shqipërisë. Baza e studimit është teoria sipas së cilës të gjitha krahinat në Shqipëri kanë pasur dikur të drejtat Kanunore të tyre, të cilat dalloheshin nga njëra tek tjetra.
Kështu, Malësia kishte Kanunin e Maleve, Leknia ose Dukagjini kishte Kanunin e Lekë Dukagjinit etj. Një ndarje e tillë, në gjykimin e autorit Bardhoshi, duhet të studiohet dhe të thellohet si koncept, pasi në pamje të parë duket gati perfekte ndarja krahinore me ndarjen Kanunore duke mos futur këtu atë pjesë së popullatës që ka lëvizuar nga njëra krahinë në tjetrën. Edhe pse vetë Zojzi bëhet mbështetës në kritikën e Bardhoshit, kur thotë se „kanunet shqiptare në kohën e fundit të jetës së tyre ishin të përbashkëta për krahina të mëdha, megjithatë baza territoriale e tyre ishte e lëvizshme“. Gjithsesi vlen të përmendet fakti se ndarjet krahinore vështirë se mund të kenë kufijë etnikë apo juridikë paçka emërtimit që Kanunet e ndryshme kanë marrë. Kjo, edhe sepse vetë Zojzi përmend disa krahina si Labëria apo Malësia e Madhe të cilat janë krijuar pas rënies së principatave, prijësve të të cilave iu atribuohet shpesh herë edhe emri i Kanunit të krahinës. Po ashtu nuk duhet harruar fakti se dhënia e emrit Kanunit të një krahine sipas një figure historike apo mitologjike mund të ketë ndodhur edhe pas vdekjes së tyre, thjesht duke iu dhënë një emër ndikues dhe influencues për shoqërinë, për të rritur në këtë mënyrë besueshmërinë ndaj normave, pranimit dhe zbatimit të tyre.
Pra në konkluzion të veprës së Rrok Zojzit, mund të theksohet pa ndrojtje atributi i tij i jashtëzakonshëm në studimet etnografike shqiptare mbi të drejtën dokësore; mbledhja e materialit etnografik në gati të gjitha krahinat e vendit, veçanërisht ato që nuk kishin akoma një Kanun të shkruar; përpunimi dhe dhënia e hartës etnografike krahinore duke njohur në këtë mënyrë të veçantat dhe të përbashkëtat e çdo krahine. Sigurisht nuk duhet harruar fakti, dhe vlen të përmendet merita e padiskutueshme e ruajtjes së etikës së lartë profesionale, ku kërkimi etnografik i periudhës kohore që bashkëshoqëroi jetën akademike të tij, karakterizohej nga dy ideologjitë specifike të shkollës antropologjike shqiptare diktatoriale, ajo kombëtare dhe ajo e komunizmit. Për ta mbyllur, do të përdorja shprehjen e profesoreshës së nderuar, etnografes dhe studiueses ekzemplare të dokeve shqiptare, Afërdita Onuzi, e cila njëherë ka thënë: “nëse do të mundesha Rrok Zojzit do t’i ndërtoja një lapidar!”