
DOM NIKË UKGJINI
GJOVALIN ÇUNI
Sa herë që janë shënuar përvjetorë të rëndësishëm të Pavarësisë dhe të përpjekjeve të shqiptarëve për krijimin e shtetit, nuk kanë munguar as kremtimet jubilare. At Anton Harapi i cilësonte këto kremtime si: “nji e drejtë e nji detyrë, por edhe nji nevojë”. Ndërsa Imzot Lazër Mjeda, kujtimin dhe nderimin e njerëzve që i kishin shërbyer fesë dhe atdheut, e shihte edhe si një mjet për të ndezur zemrat, sidomos të rinisë, me dëshirën për të ndjekur gjurmët e tyre: “me i marrë mbrapa gjurmët e fatosave, me punue si kanë punue ata; me i mbajtë e me i shumue veprat e bamirësisë, qi prej tyne kanë xanë fill”.
Shumë gjëra janë thënë dhe çështjet e trajtuara ndër kohë tashmë janë sqaruar. Megjithatë, faktet mbeten “forca magjike” e historisë. Të mbledhura nga shkrimet e klerikëve, protagonistë të kohës, të shpërndara në qindra faqe, nëpër fletore e libra, ato përbëjnë dëshmi autentike dhe dokumente me vlerë për historinë.
“Detyrë të madhe kemi t’i kërkojmë, t’i gjejmë, t’i njallim e t’i çmojme sa duhet veprat , veprat e nierzve, mbí múnd e jetë të të cilleve randoi Shqypnija me dalë në drite. …Kush nuk ai njeh vjeften e randsin perkitse së kaluemes, aj s’din t’a ç’mojë as të tashmen. Koha qi rrjedhë ka kuptimin e vet në lidhní me të kaluemen e me t’ardhmen, shkruante Atë Anton Harapi, e më tej vijonte: “…si të shtrohet sofra e vêhet pilafi, me luge ne brez del kushdo nder te parë”…
Kleri katolik, siç theksonte At Marin Sirdani, ishte ndër faktorët e parë moralë në ndërtimin e shtetit shqiptar. Përmes veprimtarisë së tij, ai përmbushi me përkushtim detyrën ndaj atdheut, duke vënë jo rrallë interesat vetjake në shërbim të nderit të kombit dhe të së mirës së përbashkët. Madje, në shumë raste, klerikët katolikë u treguan të gatshëm të flijonin interesat e tyre për këto ideale.
NË SHQIPËRI DHE NË EVROPË, PËR KONSOLIDIMIN E SHTETIT, NJOHJEN DHE MBROJTJEN E TIJ.
Shpallja e Pavarësisë e 28 nëntorit 1912, nga Ismajl Qemali dhe nënkryetari, Dom Nikollë Kaçorri, do të shoqërohej me një rritje të përfshirjes së klerit në veprimtarinë politiko-diplomatike kombëtare, në shërbim të organizimit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale të vendit. Sipas historianit Romeo Gurakuqi, komponenti katolik, si kleri ashtu edhe laikët, në përpjekjet vetëqeverisëse dhe përfaqësuese shqiptare, shërbeu si një pasaportë besueshmërie dhe dallueshmërie për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Vështirësitë e Ismail Qemalit në qeverisjen e vendit, lëkundjet në orientimin perëndimor të qeverisjes, përplasjet me Esad Pashën dhe pengesat në njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar e shtynë klerin katolik që, nga mesi i vitit 1913, të përfshihej aktivisht, së bashku me përfaqësues të krahut mysliman, ndër të cilët Abdi Bej Toptani dhe Mustafa Kruja, në përpjekjet për rithirrjen e Kuvendit Shqiptar. Sipas propozimit, krahas delegatëve të mëparshëm, në Kuvend do të merrnin pjesë edhe personalitete të tjera me rëndësi për vendin. Ndër përfaqësuesit e propozuar përfshiheshin edhe gjashtë klerikë të lartë katolikë: Imzot Jak Serreqi, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Frano Koleci, Imzot Prengë Shllaku, Abati i Mirditës, Prend Doçi, dhe Imzot Bianku.
Me mjaft rendësi në vjetet e para të shtetit ka qenë ndikimi i klerit, pranë Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në përfshirjen e qytetit të Shkodrës, brenda kufijve shqiptarë, kundër pretendimeve malazeze të përkrahura prej rusëve.
Vendosja në fron e Princ Vidit u vlerësua si një faktor bashkimi dhe konsolidimi shtetëror, por edhe si një mundësi për përparimin kulturor të vendit dhe orientimin e tij drejt Perëndimit. Më 14 mars 1914, një delegacion i përbërë nga klerikë të lartë e takoi Princin, ndërsa më vonë këtë e bëri edhe paria myslimane e qytetit, ndonëse një pjesë e saj parapëlqente një princ me prejardhje turke.
Kleri katolik i ndoqi me shqetësim të madh trazirat dhe zhvillimet e krijuara gjatë sundimit të Princ Vidit. Këtë shqetësim e shpreh qartë edhe Imzot Jak Serreqi, në një letër drejtuar një miku të tij (Simon Deda) : “Nuk më zë besë se si më copëtohet zemra, – shkruante Serreqi, – tue pa atdheun e dashtun kaq të nëpërkëmbun, edhe Mbretin qi Europa e ka emnue, kaq të kundërshtuem. Ty të bjen mirë në mend se sa me gzim të zemrës Katholikët e pritën Princin në Shqipni, edhe Rrethi i Shkodrës e Katolikët e Shkodrës, megjithëse e njihshin vedin të pushtnuem, pse Shkodra gjithmonë u vu mbas Durrësit, i cili pat nderin me u ba kryeqytet”.
Roli i Kishës Katolike Shqiptare, i klerikëve të saj, por edhe i Selisë së Shenjtë, u bë veçanërisht i ndjeshëm pas Luftës së Parë Botërore. Ky rol u shfaq në qarqet diplomatike ndërkombëtare, por edhe në çdo hapësirë ku mund të ushtrohej ndikim e të ndërmerreshin përpjekje në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe në shërbim të interesave të atdheut
Në këtë kontekst, Aurel Plasari e përshkruan me një gjuhë të fuqishme rolin e klerit dhe të trashëgimisë fetare në mbrojtje të identitetit dhe të çështjes shqiptare, duke theksuar se:
“Atëherë kur shqiptarët ishin lënë në mëshirë të fortit, atëherë kur vihej në pikëpyetje ekzistenca e tij, hidhej në lojë kleri. Nxirreshin nga arkivat dëshmitë e religjionit të lashtë të shqiptarëve, të kristianizmit adriastik para atij italikut, kujtoheshin kryqëzat që kishin kaluar nëpër brigjet e Arbërit, shtiheshin në punë mbishkrimet dhe emrat e gurëve dhe varreve, datat e arkitrarëve, gdhendjet nëpër kambana, trajtat e kryqeve me gremça dhe citate biblike, […] aleancat katolike nën Skënderbeun etj., e gjitha për të tërhequr vëmendjen e selive; vihej në përdorim edhe trashëgimia fetare e popullit tonë”.
Ky vlerësim i Plasarit nxjerr në pah një të vërtetë të rëndësishme historike: trashëgimia fetare nuk shërbeu vetëm si dëshmi e së kaluarës, por edhe si argument historik dhe kulturor në afirmimin e identitetit shqiptar dhe në mbrojtjen e çështjes kombëtare.
Si përfaqësuese zyrtare e një qeverie të dalë pas Luftës së Parë Botërore, pikërisht e Qeverisë së Durrësit (dhjetor 1918), delegacioni i pestë shqiptar, i riformuar mes përfaqësuesve që ndodheshin në Paris, mori një rëndësi të veçantë. Në përbërjen e tij bënin pjesë Imzot Luigj Bumçi, si kryetar, në vend të Turhan Pashës, Atë Gjergj Fishta, si sekretar, dhe Luigj Gurakuqi.
Sipas traditës kishtare, çdo veprimtari meshtarake duhej të niste me bekim. Edhe delegacioni shqiptar e mori bekimin më 6 mars 1919, nga Papa Benedikti XV, i cili tregonte vazhdimisht interesim për fatin e Shqipërisë. Me këtë rast, Ati i Shenjtë iu drejtua Atë Gjergj Fishtës me fjalët: “Çka do të thonë shekulli, kur të shofin nji frat të vobekt ndër rrethe kaq të naltueme? Uroj që misjoni juej të dalë me dobi e prandaj po jua nap nji bekim të posaçem”.
Delegacioni shqiptar kishte një qëndrim të qartë, i cili përmblidhej në këtë togfjalësh: “Mëvetësi e tanësië toksore e Shqipnis mbrenda kufinjvet ethnikë e respektim i të drejtave sovrane te komit shqyptar”
Në pamundësi për të zhvilluar diskutime të drejtpërdrejta, delegacioni shqiptar, për të mbrojtur tokat nga “pangopësitë e lakmive të fqinjëve tanë”, “qe pra shterngue me perdorun mjetin e shkrimit tue iu drejtue Konferences nga nji notë sado herë qi merrte vesh se ajo ishte tuj dhanë ndonji vendim kundër interesavet të Shqipniës apo ndonji shteti fqi përsëriste paramendet e veta mbi tokën tonë”, – i shkruante Imzot Bumçi, Luigj Gurakuqit më 1921.
Ndërkohë, Imzot Bumçi mbante konferenca në gjuhën frënge në Universitetin Katolik të Parisit, ndërsa Atë Gjergj Fishta punonte deri në orët e vona të natës për të përgatitur në italisht argumentet në mbrojtje të çështjes shqiptare, të përmbledhura në kumtesën prej 29 faqesh me titull “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”.
Vlera e këtyre shkrimeve të Fishtës kapërcen edhe kohën kur u hartuan. Ato janë cilësuar edhe sot e kësaj dite “posi shembull oratorie Cicerioniane me kostum arbnor”.
“Prej bjeshkve gjimuese t’Euksinit e më borë t’amshueme t’Alpeve Julje, prej bigave bumbulluese t’Akrokeraunve e në karma të thepisuan të Karpateve, ende të rimë me gjak njerit, n’ato kavaljetet e kalueme, te vjetra banonte ajo familje e madhe throko-ilyrike, ne nam e në za në histori te fiseve e të kombeve.”
Katolicizmi si faktor në mbrojtjen e çështjes kombëtare u vu në shërbim të saj edhe në dhjetor të vitit 1919, kur, sipas marrëveshjes Tittoni–Venizelos, shqiptarët morën vesh se krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës parashikohej t’i kalonin Greqisë.
Në këto rrethana, delegacioni shqiptar iu drejtua Imzot Luigj Bumçit, duke i kërkuar të nisej për në Romë dhe të ndërmjetësonte pranë Papa Benediktit XV. Kështu, një kapitull i ri hapej në historinë kombëtare: një prelati të lartë katolik i kërkohej të merrte përsipër mbrojtjen e dy krahinave shqiptare, të cilat ishin “…të pa banueme edhe prej katolikesh”.
Kjo ngjarje ka rëndësi të veçantë, jo vetëm në rrafshin kombëtar, por edhe në atë fetar. A mund të shihet ajo si një nga shprehjet e hershme të bashkëpunimit ndërfetar në shërbim të një çështjeje të përbashkët kombëtare, madje edhe si një përpjekje me frymë ekumenike?
Nga fundi i dhjetorit të vitit 1919, Imzot Luigj Bumçi pranoi kërkesën e delegacionit shqiptar dhe, së bashku me Mehdi Frashërin, intelektual i shquar dhe përfaqësues i komunitetit mysliman, u nisën drejt Romës për të kërkuar ndërmjetësimin e Papa Benediktit XV në mbrojtje të krahinave të Korçës dhe Gjirokastrës.
Ata mbërritën në Romë më 28 dhjetor 1919. Imzot Bumçi ia paraqet kërkesën Papës në vetën e parë, në emër të të gjithë anëtarëve të Dërgatës shqiptare:
“Tash, pra, Shejti Atë, të gjithë misat e Dërgatës shqiptare përkulen përpara Shejtnisë Suej e të gjithë për nji gojë Ju luten, me fuqinë Tuej morale e me influencën e madhe qi keni në botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme, si e ku dini, për të shpëtue krahinat shqiptare të Korçës e Gjinokastrës, të cilat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos.”
“Mbasi mbarova fjalët e mia, shkruen Bumçi, Papa Shenjt, mbasi ndejti nji grimë herë pa za, u suell e më tha: ‘Po shka të baj për Ju? Me Italinë s’kam shka me ba, e din gjithë bota si jena. Me Francën marrëdhaniet janë këputë, shka të baj?’
Mora guximin e iu përgjegja: ‘A më jepni leje me folë, Shejtni?’
‘Fol, fol – më tha – shka të kesh me thanë, thueje!’
‘Unë kishe me thanë, Shejtni, se bota s’ka mbetë vetëm n’Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’Amerikës.’
Buzëqeshi dhe menjëherë m’u përgjigj: ‘Ke të drejtë. E pra, nesër do të piqem me Ambasadorin e Anglisë, mbasnesër me atë të Shteteve të Bashkueme, e po të jap fjalën se me të dy kam me folë e me ua porositë dy provincat qi qenkan në rrezik, dhe kam me ba shka të mundem me Ju ndihmue. Zoti ka me ba mirë, se prej Konferencës së Parisit mos pritni punë të mira, pse Zotin e kanë qitë jashtë e aty ku s’asht Zoti, drejtësia s’mundet me qenë.’
Unë atëherë, qi kishe ba gati nji memorandum për me ia lanë, tue e nxjerrë prej xhepit e tue e mbajtë në dorë, i thashë: ‘Shejtnia e Juej, ka punët e botës mbarë, e prandaj kam lejen me Ju lanë këtë memorandum, qi mos ta harroni çashtjen tonë?’
“Po, po, lene këtu, se nuk kam me e harrue.”
U çova e i rashë në dy gjunjë. Iu fala nderës sa mujta e, si mora bekimin, atëherë dola krejt i kënaqun. Po atë natë, delegatët shqiptarë, të entuziazmuem, thërrisnin: ‘Rroftë Papa! Korça dhe Gjirokastra shpëtuen!’
Kjo është rrjedha e vërtetë. Kjo është faqja e re e historisë sonë, një faqe që duhet rivlerësuar.
Me të drejtë Gjon Sinishta shkruante: “Në rast se ekziston sot një territor i pavarur, i njohur nga bota me emrin Shqipëri, një meritë e madhe për ketë punë i takon Kishës Katolike Shqiptare”
E të dhemb shpirti kur njihesh me përfundimin e këtij prelati katolik, Imzot Luigj Bumçi. Gjatë regjimit të Zogut, më 22 dhjetor 1921, Kryeministri Pandeli Evangjeli, nëpërmjet një intrige, arriti që, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit, ta përjashtonte nga Këshilli i Naltë. Ndërsa, në vitin 1945, i rraskapitur nga seancat e hetuesisë dhe kërcënimet, ipeshkvi plak ndërroi jetë më 1 mars 1945.
Popujt, shkruan Emil Cioran, «e bëjnë rrugën e tyre mes gabimesh sublime dhe e përfundojnë mes të vërtetash të thata». Kjo është arsyeja që e bën të domosdoshëm kërkimin e së vërtetës, për të cilën duhet këmbëngulur. Historia nuk duhet të poshtërohet, të deformohet apo të zbukurohet. Nëse ndodh kështu, «ajo nuk do të rrijë pa u hakmarrë me leksionet e tmerrshme të së ardhmes».
Foto: memorie.al