




Prof. Dr. Luan Përzhita/
Dy mijë vjet histori në të njëjtin truall: nga qyteti antik i Aulonës te 28 Nëntori i vitit 1912.
Vlora është qyteti ku takohen lashtësia dhe Pavarësia. Nëntoka ruan gjurmët e qytetit antik të Aulonës, mbi të cilin qëndron monumenti i 28 Nëntorit 1912 vendosur në një truall historik ku bashkohen dy epoka.
Gjurmët e Aulonës antike (Vlora e sotme), u zbuluan gjatë viteve 1986-1989. Ekzistenca e qytetit njihet nga zbulimi i murit rrethues, që filloi të ndërtohet në fund të shekullit III mbas Krishtit. Gjatë shekujve V-VI, Aulona së bashku me Bylisin, Butrintin, Durrachium, etj, ishin qytetet kryesore në Illyricum. Një faze tjetër po ashtu shumë e rëndësishme e qytetit lidhet me disa ndryshime që kanë ndodhur në shekujt XI-XII dhe XIII-XIV, gjatë kohës së sundimit Bullgar, Anzhuin dhe më pas të feudalëve Arbëresh.
Fig.1. Pamje nga Sheshi i Flamurit
28 Nëntori 1912, një datë që i dha Vlorës përmasë kombëtare, por kjo ngjarje madhore ndodhi në një qytet që mbarte prej shekujsh një trashëgimi të pasur historike, gjë që i jep Vlorës një dimension të dyfishtë: si qendër e qytetërimit të lashtë dhe si vendlindje politike e shtetit shqiptar modern, në të cilen ndërthuren dëshmitë arkeologjike me historinë moderne. Një vlerë të veçantë paraqet hapësira e sotme e Sheshit të Flamurit dhe rrethinat e tij, e lidhur ngushtë me kujtesën e Pavarësisë, dhe me dëshmi të qytetit të lashtë. Nën sipërfaqen e qytetit modern gjenden dëshmi të jetës urbane të periudhave të hershme, ndërsa mbi të është formuar një nga hapësirat më të rëndësishme të kujtesës kombëtare shqiptare. Kështu, në të njëjtin truall, takohen dy dimensione të historisë: ai i qytetërimit antik dhe ai i krijimit të shtetit shqiptar modern.
Fig.2. Pamje e mureve antike te Aulonës dhe Sheshit të Flamurit
Arkeologjia ka një rol të pazëvendësueshëm në njohjen e historisë së qyteteve. Ajo sjell dëshmi që shpesh mungojnë në burimet e shkruara dhe ndihmon në rindërtimin e zhvillimeve urbane, ekonomike e kulturore.
Në rastin e Vlorës, kërkimet arkeologjike marrin një rëndësi të veçantë, sepse zhvillohen në një qytet ku monumentet e historisë moderne bashkëjetojnë me gjurmët e lashtësisë. Zbulimet arkeologjike në hapësirën historike të qytetit nuk duhen parë vetëm si dëshmi të një periudhe të largët. Ato janë pjesë e trashëgimisë së përbashkët që i jep thellësi historike identitetit të Vlorës.
Vlora, e njohur në burimet antike me emrin Aulona, ishte pjesë e rrjetit të qendrave bregdetare që lidheshin me botën antike. Dëshmitë arkeologjike të zbuluara në qytet tregojnë se Vlora moderne është zhvilluar mbi një truall me histori shumë më të hershme. Gjurmët e ndërtimeve, fortifikimeve dhe materialet e kulturës materiale dëshmojnë vazhdimësinë e përdorimit të kësaj hapësire në periudha të ndryshme historike.
Gërmimet arkeologjike (1986-1988 si dhe vazhdimi i tyre në vitet 2010-2011), ishin frutdhënëse, pasi për herë të parë u zbuluan gjurmët e murit rrethues të qytetit të periudhës së vonë antike dhe mesjetare, si dhe një stratigrafi e cila përmbledh në vetvete fazat e zhvillimit kohor të kësaj qendre.
Fig.3. Muri rrethues i qytetit të Aulonës, shek. III-IV mbas. Kr.
Në këtë kuadër, përveç arkitekturës, Aulona është mjaft e pasur me material, si qeramikë, objekte qelqi, vegla pune, stoli etj. Studimi i këtij qyteti do të plotësonte tablonë e qendrave bregdetare të Shqipërisë, dhe rrjedhimisht të Mesdheut, pasi siç dihet Aulona ishte një port me rëndësi në rrugën Egnatia. Zbulimi i murit rrethues të qytetit antik me një gjatësi 63,80 m dhe trashësi 3,30-3,37 m, ruajtur në lartësinë 1,40-1,55m, ndërtuar me teknikën opus mixtum, datuar në shekujt III-IV mbas Kr.,shënon fillesat e krijimit të qytetit të Aulonës i cili strukturohet në formën e një castrumi fushor dhe si stacion i rëndësishëm i rrugës Egnatia. Kjo sqarohet në anën lindore të murit rrethues, ku gërmimet e kryera nxorën në dritë një kullë në trajtë katrore, me përmasa të brendshme 4,20×4,20 m të vendosur në anën e jashtme të murit. Muri i kullës është 2,30-2,40 m i trashë dhe paraqitet i dyfishtë: muri i jashtëm, më i hershëm (faza I) 1,25-1,30 m i trashë dhe muri i brendshëm, më i vonshëm (faza II) 1-1,10 m i trashë, që i bashkëngjitet faqes së brendshme të murit të kullës.
Fig.4. Kulla katrore pjesë e fortifikimit të qytetit antik
Punime të tjera u kryen në pjesën e brendshme të murit rrethues për të zbuluar të dhëna të arkitekturës që u përkasin mjediseve të banimit. Gërmimet arkeologjike treguan se qyteti i Aulonës vazhdoj të funksiononte dhe gjatë shekujve XIV-XV ku u zbuluan linja muresh si dhe disa kontraforta të cilat bien vertikalisht mbi murin rrethues. Nga gërmimet është zbuluar një material i bollshëm qeramik. Ai përfaqësohej nga një sasi e madhe fragmentesh enësh të përdorimit të përditshëm, të thjeshta apo me zmalt, si vorba, kana, oinohe, kupa, pjata, kapakë, kandila, disa copa dinosash, faqja e jashtme e të cilëve mban motive me pikturim, të datuar nga shek. IV deri në shek. XIV-XV.
Fig.5. Pamje nga rrethimi i shekullit XII-XV të qytetit të Aulonës
Ruajtja, studimi dhe prezantimi i tyre për publikun duhet të jenë pjesë e një vizioni të integruar për trashëgiminë kulturore të qytetit. Vlora ka mundësinë të tregojë historinë e saj jo vetëm përmes monumenteve të Pavarësisë, por edhe përmes dëshmive të Aulonës antike, duke krijuar një lidhje të natyrshme ndërmjet arkeologjisë dhe kujtesës kombëtare. Prandaj, kur flasim për Vlorën e Pavarësisë, nuk duhet të harrojmë Aulonën antike. Dhe kur studiojmë Aulonën, duhet të kemi parasysh se mbi të njëjtën hapësirë historike, shumë shekuj më vonë, do të shkruhej një nga faqet më të rëndësishme të historisë kombëtare.