
Prof.as.dr. ERIS RUSI
Përgjegjës i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë
Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë
Universiteti “Fan S. Noli” Korçë/
Koha dhe hapësira në kontekstin e letrares
Gerard Genette, në një ese të shkurtër me titull “Hapësira dhe koha” i njeh veprës letrare një “natyrë teleskopike”, falë të cilës vazhdimësia kohore e leximit linear, destabilizohet nga rrjeta e rikthimeve dhe marrëdhënieve transversale që krijohen mes episodeve të ndryshme; ai pohon gjithashtu ekzistencën e një “hapësire primare” të letërsisë, të lidhur me natyrën gjuhësore të tekstit .
Një libër,është në fakt, para së gjithash një “objekt”, një tërësi shenjash që renditen në faqe në bazë të një radhitjeve atemporale dhe materiale. Sipas Genette, gjuha shpreh jo vetëm marrëdhënie hapësinore, falë një numri të ngjeshur metaforash, por pranon në brendësi të saj edhe një hapësire semantike të mirëorganizuar.
Nën këtë dritë, produkti letrar i Sotir Papahristos ofron një letërsi të mirëkoordinuar në përkthimin e emrave të rëndësishëm të letërsisë antike greke, që jo vetëm e shtyjnë lexuesin t‟i shmanget leximit linear, por e nxitin të pranojë si të mirëqenë mbivendosjen e të shkuarës me të tashmen. Kështu mundësohet leximi i pandërprerë i vijimësisë kulturore mes shekujve dhe tekstet e përkthyera nga S. Papahristoja mund të lexohen nën tjetër interpretim, sepse hedhin baza të qenësishme për përafrimin e veprave madhore të cilat nisin të bëhen pjesë e botëkuptimit letrar të Shqipërisë në faza të ndryshme kohore.
Procesi i përkthimit në vetvete, mundëson ngritjen e hipotezave të ndryshme mbi rolin dhe rëndësinë e përkthyesit në përcaktimin e kuptimit dhe vlerave ideomatike të teksteve të sjella nga një gjuhë tjetër. -Të qëndrosh nga të dyja anët e pasqyrës,-kështu e përshkruante Tomas Elioti eksperiencën e leximit të teksteve të hershëm në kohë dhe në hapësirë, si ata në gjuhën sanskrite të vjetër. Kjo metaforë e bukur, është mbështetje për të pozicionuar Sotir Papahriston si intelektual, përkthyes, krijues, publicist dhe intelektual në fushën e kulturës dhe letërsisë sonë.
Në fakt në imagjinatën tonë kolektive pasqyra është një metaforë e fuqishme që tregon tjetrin, të ndryshmin, atë që është përballë nesh dhe nuk është tamam si ne. Përmes përkthimit realizohet mundësia që të rindërtohet identiteti përkatës, përmes përballjes, sjellës pranë dhe krijimit të lidhjeve që ecin mbi mekanizmat gjuhësorë dhe letrarë, evokojnë dimensione të largëta, që pastaj bëhen të njohura dhe për kulturën pritëse. Në këtë dritë, figura e Sotir Papahristos merr një rëndësi të ndjeshme, nëse i referohemi lidhjes që ai mundëson midis antikitetit dhe bashkëkohësisë, duke iu referuar kulturës helene në emrat e rëndësishëm të saj.
Në kontekstin e “letërsisë së krahasuar”, diskutohet shpesh për ngjashmëritë mes kulturave të vendeve të ndryshme evropiane, duke sjellë si argument në favor edhe faktin që kultura evropiane është ushqyer në mënyrë të padiskutueshme nga dy burime kryesore kulture: ajo helene dhe ajo romake. Ndaj rëndësia e jehonës së ardhur nga kjo lashtësi përmes veprës së Sotir Papahristos, jo vetëm që ka shërbyer si kontribut në njohjen dhe përvetësimin e elementeve letrarë, filozofikë dhe kulturorë të botës antike greke, por ka afruar edhe vendin tonë me kulturat fqinje dhe të vendeve të tjera evropiane që janë formësuar nga modeli helen dhe ai latin.
Përkthimi dhe aktiviteti kulturor i S. Papahristos
Përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, gjuha ka qenë dhe vazhdon të jetë mjeti më i rëndësishëm i komunikimit njerëzor, me ndërmjetësinë e së cilës njerëzit shkëmbejnë mendime, ide, shprehin ndjenja, si dhe arrijnë të kuptohen me njëri-tjetrin. Përkthimi është i lashtë sa vetë njerëzimi. Ai ka një traditë të gjatë dhe është praktikuar përgjatë gjithë historisë së njerëzimit. Edmomd Tupja, studiues i njohur dhe teoricien përkthimi, në librin e tij “Këshilla një përkthyesi të ri”, shprehet se përkthimi ka një zanafillë të hershme dhe se në fillimet e tij ai është përdorur në trajtë gojore, për nevoja komunikimi dhe më pas, me lindjen e arteve në përgjithësi e të letërsisë në veçanti, ka filluar me të shkruar, edhe me përcjelljen e vlerave letraro-estetike.
Prirjen për t‟u marrë me përkthim tek S. Papahristo mund ta gjejmë edhe në aktivitetin jetësor të tij. Është me rëndësi fakti që ai studioi në Universtetin e Athinës dhe fillet e tij të para në aspektin profesional i ka si mësues i greqishtes së vjetër, latinishtes dhe historisë në Korçë.
Bilanci i punës përkthimore të tij deri në vitin 1969 është mbresëlënës dhe përfshin vepra origjinale, të përshtatura, dhe të përkthyera; pedagogjike, didaktike, metodike, letrare etj) si për shembull: Bioskautizmi(adaptim), 1923; Mbi rritjen e foshnjës (përkthim), 1924; Qeverimi i fëmijëve në shkollë (origjinale), 1929; Mësime shembullore për shkollat fillore e të mesme (origjinale),1930; Jeta e Pirros (sipas Plutarkut, përkthim), 1934; Karakteret e Theofrastit (përkthim), 1944 e shumë e shumë të tjera.
Pas vitit 1945 përkthen nga greqishtja në shqip arkivin e Institutit të Shkencave; nga historianët grekë dhe romanë ka përkthyer pjesët që flasin për Shqipërinë (përfshirë këtu me qindra faqe të daktilografuar); ka përkthyer të gjitha dramat e Sofokliut, 7 vepra; ka përkthyer të gjitha dramat e Eskilit, 7 vepra; ka përkthyer gjashtë drama nga Euripidi; ka përkthyer katër komedi nga Aristofani; “Poetika” e Aristotelit; ka hartuar Antologjinë e prozës greke (pjesët më të zgjedhua nga prozatorë më të mëdhenj të Greqisë së Vjetër); ka përkthyer veprën monumentale Historia e Luftës së Peloponezit të Tuqididit, shoqëruar me një hyrje të gjatë; ka përkthyer “Jetët Paralele” të Plutarkut.
Me botimin e dy veprave që kishte amanet përkthyesi, “Jetë paralele” të Plutarkut që u botua në 2006, si dhe me daljen tani në treg të “Luftës së Peleponezit”, të plotë, – kemi rikthimin e helenistit, atij që Çabej me të drejtë e quan “të fundit” të greqishtes së vjetër.
Kompetencat kulturore dhe krahasimtare të S. Papahristos
“Sot produktet e kombeve të ndryshme përzjehen me një shpejtësi aq të madhe, sa kemi nevojë për mënyra të reja që të mësojmë dhe të kemi mundësi të reagojmë”. Kjo frazë ngjan si të jetë e shkruar në ditët e sotme dhe t‟i referohet fenomenit të globalizimit. Por në fakt është e vitit 1827 dhe vjen nga një shkrimtar që është njëherësh një klasik i madh i letërsisë evropiane dhe asaj botërore: Gëte. Ai formulon një koncept të ri që e quan “Veltliterature”, letërsi botërore dhe formula përkatëse shoqërohen me idenë që ky term duhet t‟i referohet tërësisë së kryeveprave që i imponohen publikut ndërkombëtar, ose veprat që kanë pasur më shkumë ndikim e më tepër përhapje në shkallë botërore. Çka është e rëndësishme në studimin tonë, ka të bëjë me faktin që kjo lloj letërsie madhore që vjen nga jashtë, përmes përkthimit, mundësohen zgjerimin mundësive letrare, artistike të një kulture të caktuar, e në rastin e letërsisë shqipe gjatë regjimit socialist, mund të konsiderojmë që sidomos përkthimi i teksteve dramatike, historike, të antikitetit, ka sjellë një dalje nga korniza imponuese shpeshherë e përkthimit në funksion të parimeve
politike të shtetit komunist.
Sot mund të shtojmë një tjetër interpretim në qasjen ontologjike ndaj sjelljes së botëkuptimit helen përmes përkthimit në letrat shqipe nga S. Papahristo.
Kornizat e autorëve të përkthyer prej tij, tejkalojnë normalitetin dhe kufizimet e sistemit, nuk mund të futen brenda asaj cka ishte letërsia e orientuar dhe në funksion të parimeve të realizmit socialist, e përmes tyre mundësohet dhënia e një vizioni universal të qenies dhe natyrës njerëzore, të shpirtit në pavdekësinë e tij , mes tragjizmit dhe realizmit historik në vepra që dëshmojnë sa më sipër. Venia ne qarkullim e kryeveprave te lashtesise nga dora e nje mjeshtri helenist, do te ishte nje ushqim i pazevendesushem kulturor per ata qe kishin interesa ne ate fushe. Ne vitin 1962, u botua antologjia “Proza antike greke”, qe perben ngjarje te vecante per kulturen tone, sepse deri atehere kjo fushe kishte mbetur e panjohur per lexuesin shqiptar, i cili me ate veper, mundi te formoje nje ide sado te vogel per kete gjini letrare te lashtesise greke.
Përkthimi dhe ontologjia
Në librin e tij „Të thuash gati të njëjtën gjë”, Umberto Eko ka një kapitull me titullin “Përkthimi dhe ontologjia”. Ontologjia në fakt, është një term që rrjedh nga fusha e filozofisë, ka të bëjë me studimin dhe njohjen e qenies, e si i tillë, gjen vështirësi për të hasur sinonime qe përafrojnë kuptimin e këtij termi. Fjalë për fjalë do të thotë “diskurs mbi qenien” dhe Eko në kapitullin e tij shprehet se : “Ekzistojnë modalitete universale të segmentimit të përvojës njerëzore. Ekzistojnë disa prirje, tendenca bazike të realitetit (ose qenies) që lejojnë pikërisht krahasimin midis gjuhëve dhe lejojnë të shkohet përtej formave të përmbajtjes së secilës gjuhë.
Ky interpretim, na ofron mundësi të shohim tek modelet e përkthimit të Sotir Papahristos, nevojën për të dhënë qenien njerëzore në universalitetin e saj, nën dritën e një komunikimi të pandërprerë midis së lashtës dhe të sotmes, të largëtës në hapësirë dhe pozicionit ku ndodhemi aktualisht ne. Jehona e këtij komunikimi realizohet përmes kontekstualizimit të përkthimit, por edhe nëpërmjet prezantimit të teksteve që pëlqehen dhe bëhen pjesë e sistemit kulturor të vendit tonë.
Nën këtë dritë, kontributi i Papahristos me përkthimet e sjella nga kultura helene është i jashtëzakonshëm, sepse pranëvë të djeshmen me të sotmen duke e bërë të mirëqenë faktin që komunikimi nuk është ndërprerë asnjëherë, duke vendosur në kontekste ontologjike, metafizike dhe etike, veprat e sjella në shqip që përkojnë me ballafaqimin e gjuhëve dhe kulturave që më tepër sesa dallime, mund të gjejnë ngjashmëri universale tek njëra tjetra.