
Elena Gjika një nga zërat më të ndritur të kulturës evropiane.
Nga Albert Vataj
Elena Gjika, emri që kapërcejnë kufijtë e një kombi, të një gjuhe dhe të një epoke, për t’u bërë pjesë e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit, e njohur në botën e letrave me pseudonimin Dora d’Istria, princesha e dinastisë shqiptare Gjika, e cila, përmes dijes, penës dhe veprimtarisë së saj intelektuale, u bë një nga gratë më të shquara të Evropës së shekullit XIX. Ajo ishte një mendje kozmopolite, një humaniste e emancipimit, një studiuese e kulturave dhe një zë ngulmëtar në mbrojtje të të drejtave të popujve, veçanërisht të çështjes kombëtare shqiptare.
Më 17 nëntor 1888, në orën 18:00, në banesën e saj, Villa Istriana, në rrugën Leonardo da Vinci, nr. 10, në Firence, mbylli sytë përgjithmonë Dora d’Istria. Ishte 60 vjeçe dhe prej vitesh vuante nga një sëmundje që ia kishte rënduar jetën.
Por, edhe përballë fundit, ajo dëshmoi të njëjten fisnikërim shpirtëror që kishte karakterizuar përgjatë gjithë ekzistencën e saj.
Në testamentin e hartuar me dorën e vet, më 9 janar 1886, kishte shprehur dëshirën që funerali të zhvillohej me një ceremoni të thjeshtë civile dhe trupi i saj të digjej në krematoriumin e Trespianos, pranë Firences, ku ruhet edhe sot urna me hirin e saj. Një tjetër dëshmi e humanizmit e kësaj gruaje të madhe ishte vullneti për t’ia lënë shtëpinë dhe kopshtet e saj institucionit për fëmijët që nuk dëgjonin dhe nuk flisnin. Në testament shkruante:
“Je donne à l’école des sourds-muets ma maison et mes jardins sis Rue Leonardo da Vinci n. 10 et Viale Militare.”
(Ja lë shkollës së shurdhmemecëve shtëpinë dhe kopshtet e mia, që ndodhen në rrugën Leonardo da Vinci, nr. 10, dhe në Viale Militare.)
Instituti Kombëtar i Shurdhmemecëve ndodhej pikërisht në atë rrugë dhe kishte nisur veprimtarinë dy vjet përpara se Dora d’Istria të hartonte testamentin. Megjithatë, bujaria e saj nuk u kufizua vetëm te ky institucion. Ajo kishte menduar edhe për të afërmit dhe njerëzit që i kishin qëndruar pranë, deri te kopshtari i përkushtuar që i kishte shërbyer me besnikëri. Disa vite më vonë, administrata e institutit vendosi ta shiste vilën dhe kopshtin përreth saj. Në vitin 1932, pas ndryshimit të disa pronarëve, ndërtesa u shemb për t’u hapur vend ndërtimeve të reja.
Ky ishte fundi fizik i një banese, por jo i trashëgimisë së gruas që e kishte kthyer jetën e saj në një testament të dijes, dinjitetit dhe përkushtimit njerëzor.
Një princeshë e admiruar në Evropë
Filologu dhe orientalisti i shquar italian Angelo De Gubernatis, duke kujtuar një nga takimet e para me Dora d’Istrian, do të shkruante për të me një admirim të veçantë. Ai e përshkruante si një personalitet, bukuria dhe shkëlqimi intelektual i së cilës nuk buronin nga një hijeshi e stisur apo nga privilegjet aristokratike, por nga një forcë e brendshme, e gjallë dhe e pashuar.
Sipas De Gubernatisit, rumunët, shqiptarët, grekët, sllavët dhe latinët e konsideronin Dora d’Istrian bashkëqytetaren e tyre shpirtërore, sepse ajo kishte bërë që zëri i saj, i ndjeshëm, elegant dhe plot kulturë, të dëgjohej në Perëndim në shërbim të popujve dhe të përparimit të tyre.
Në këtë vlerësim të dijetarit italian gjendet një nga përmasat më të rëndësishme të personalitetit të saj. Aftësia për ta kapërcyer përkatësinë e ngushtë kombëtare, pa e mohuar atë, dhe për ta shndërruar kulturën në një urë komunikimi ndërmjet popujve. Ajo besonte se përparimi nuk duhej të mbetej privilegj i disa kombeve, por një e drejtë dhe një mundësi për të gjithë.
Pikërisht kjo bindje e bën Dora d’Istrian një nga pararendëset e mendimit evropian për bashkëpunimin kulturor dhe mirëkuptimin ndërmjet kombeve.
Dinastia Gjika, rrënjët shqiptare dhe ngjitja drejt fronit princëror.
Historia e Dora d’Istrias është e pandashme nga ajo e familjes Gjika, një dinasti me prejardhje shqiptare, e cila la gjurmë të thella në historinë politike dhe kulturore të Moldavisë, Vllahisë dhe më pas të Rumanisë.
Sipas traditës historike të familjes, të parët e Gjikajve u larguan nga Zëreci i Përmetit dhe u vendosën në Kostandinopojë, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike dhe shoqërore. U morën me tregti dhe arritën të hynin në mjediset e pasura të Fanarit, ku zhvillohej një pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike dhe politike të Perandorisë Osmane.
Gjergj Gjika, i konsideruar themelues i dinastisë, e nisi veprimtarinë e tij si tregtar. Lidhjet me Mehmet Pashë Qypriliun, kryevezirin me origjinë shqiptare, dhe me princin moldav Vasil Lupu, i hapën rrugën drejt rretheve të larta të pushtetit.
Në gjysmën e dytë të shekullit XVII, me mbështetjen e qarqeve të rëndësishme politike osmane dhe miratimin e sulltanit, Gjergj Gjika u ngjit në hierarkinë sunduese të principatave danubiane. Ai u bë princ i Moldavisë në vitet 1658–1659 dhe më pas sundoi Vllahinë në periudhat 1659–1660 dhe 1673–1678.
Gjatë sundimit të tij, një nga zhvillimet më të rëndësishme ishte zhvendosja e qendrës së pushtetit të Vllahisë nga Târgoviște në Bukuresht, qyteti që do të bëhej më pas kryeqyteti i Rumanisë.
Pasardhësit e tij vazhduan të luanin një rol të rëndësishëm në jetën politike, diplomatike dhe kulturore të principatave. Për rreth dy shekuj e gjysmë, pjesëtarë të kësaj familjeje u shquan si sundimtarë, diplomatë, politikanë, njerëz të artit dhe të kulturës. Përmes martesave dhe lidhjeve aristokratike, dinastia Gjika u përfshi edhe në rrjetin e gjerë të familjeve fisnike evropiane.
Megjithëse u integrua thellësisht në shoqërinë rumune, familja ruajti në kujtesën e saj prejardhjen shqiptare, një lidhje që do të merrte një domethënie të veçantë në veprimtarinë e Elena Gjikës.
Elena Gjika, një enciklopedi e gjallë e shekullit XIX
Elena Gjika lindi në Bukuresht më 1828, në një familje aristokratike me tradita të njohura politike dhe kulturore. Ishte e bija e Mihal Gjikës dhe vinte nga një degë e familjes që kishte dhënë personalitete të rëndësishme në historinë rumune. E ëma, Catinca Gjika, ishte një grua e kulturuar, e lidhur me letërsinë dhe përkthimin.
Elena mori një edukim të jashtëzakonshëm për kohën. Arsimin e saj e vijoi në disa prej qendrave më të rëndësishme evropiane, ndërsa përvetësoi një numër të madh gjuhësh, duke u dalluar që në moshë të re për aftësitë e rralla gjuhësore dhe intelektuale. Thuhet se, në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, zotëronte nëntë gjuhë të huaja.
Gjatë një udhëtimi në oborrin e mbretit Vilhelm IV të Prusisë, ajo mahniti të pranishmit duke përkthyer në gjermanisht mbishkrime latine të një artefakti të lashtë. Njohuritë e saj për letërsinë klasike ishin po aq të jashtëzakonshme; Homerin e njihte edhe në përkthimin gjermanisht.
Kultura e saj ishte e gjerë dhe shumëdimensionale. Përveç shqipes dhe rumanishtes, përdorte frëngjishten, italishten, gjermanishten, greqishten e vjetër dhe moderne, latinishten, rusishten dhe gjuhë të tjera evropiane.
Ajo shkroi për historinë, filozofinë, politikën, ekonominë, artin, fenë, folklorin, letërsinë dhe problemet shoqërore. Ishte një studiuese e palodhur, por edhe një udhëtare e apasionuar, e cila i shihte kulturat jo si botë të izoluara, por si shprehje të ndryshme të përvojës njerëzore.
Në veprat e saj trajtoi jetën e popujve të Evropës Juglindore, traditat e tyre, krijimtarinë popullore dhe aspiratat për liri e emancipim. Një vëmendje të veçantë i kushtoi gruas, duke u bërë një nga zërat e hershëm të emancipimit femëror në mendimin evropian.
Vepra e saj Les Femmes en Orient (Gratë e Orientit), botuar në Paris më 1860, është ndër dëshmitë më domethënëse të këtij angazhimi. Në të, autorja shqyrton gjendjen e grave në shoqëritë lindore dhe ballkanike, duke kundërshtuar paragjykimet, kufizimet shoqërore dhe pabarazinë gjinore.
Për Dora d’Istrian, emancipimi nuk ishte një çështje e veçuar nga përparimi i përgjithshëm i shoqërisë. Ai ishte një kusht i domosdoshëm për qytetërimin.
Martesa, largimi nga oborri perandorak dhe udhëtimet
Jeta e Elena Gjikës nuk ishte vetëm një udhëtim nëpër libra, biblioteka dhe qendra të dijes. Ajo kaloi edhe sprova personale, të cilat ndikuan në formimin e karakterit të saj të pavarur.
Martesa me princin rus Aleksandër Kolcov-Masalski e çoi në mjediset e oborrit perandorak rus, gjatë sundimit të car Nikollës I. Por jeta aristokratike, me rregullat dhe kufizimet e saj, nuk mundi ta mbante të lidhur një shpirt që kërkonte lirinë e mendimit dhe të veprimit.
Ajo u largua nga ky mjedis dhe zgjodhi një jetë më të pavarur, duke u vendosur për periudha të ndryshme në Zvicër, Itali dhe vende të tjera evropiane. Udhëtimet e çuan edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pati mundësinë të takohej me personalitete të njohura të kulturës dhe mendimit.
Në vitin 1862, Athina e nderoi me titullin Qytetare Nderi, një vlerësim i jashtëzakonshëm për një grua të huaj në atë kohë. Përmes udhëtimeve dhe kontakteve me intelektualë, politikanë e artistë, ajo u bë një ndër personalitetet më të njohura femërore të Evropës së shekullit XIX.
Megjithatë, përtej famës dhe admirimit ndërkombëtar, në qendër të interesave të saj mbeti gjithnjë çështja e popujve të vegjël, e lirisë dhe e dinjitetit kombëtar.
Dora d’Istria dhe çështja kombëtare shqiptare
Për shqiptarët, Elena Gjika nuk është vetëm një princeshë e një dinastie me rrënjë përtej kufijve të atdheut. Ajo është një nga intelektualet që e bëri Shqipërinë objekt studimi, vlerësimi dhe mbrojtjeje në qarqet më të rëndësishme kulturore të Evropës.
Në një shekull kur çështja shqiptare ishte ende pak e njohur në opinionin ndërkombëtar dhe kur interesat politike të fuqive të mëdha kërcënonin ekzistencën dhe tërësinë e trojeve shqiptare, Dora d’Istria u përpoq të dëshmonte identitetin historik, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve.
Ajo mbajti lidhje të ngushta me personalitete të Rilindjes Kombëtare, ndër të cilët Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Leonardo De Martino dhe Thimi Mitko. Letërkëmbimi i saj me ta dëshmon jo vetëm interesimin për kulturën shqiptare, por edhe përpjekjen e vazhdueshme për të gjetur rrugë të përbashkëta veprimi në mbështetje të çështjes kombëtare.
Një nga veprat më të rëndësishme në këtë drejtim është La nationalité albanaise d’après les chants populaires (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar më 1866. Përmes këngëve historike dhe krijimtarisë popullore, ajo përpiqet të dëshmojë kujtesën historike, karakterin dhe vazhdimësinë e identitetit shqiptar.
Në këtë studim, folklori nuk është thjesht një trashëgimi poetike apo një pasuri e së shkuarës. Ai shndërrohet në një dokument të kujtesës kombëtare, në një dëshmi të përvojave historike dhe të aspiratave për liri.
Një tjetër vepër me rëndësi është Les écrivains albanais de l’Italie méridionale (Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore), botuar më 1867, në të cilën ajo trajton krijimtarinë e autorëve arbëreshë dhe rolin e tyre në ruajtjen e gjuhës e të identitetit shqiptar.
Në vitet pasuese botoi edhe studime të tjera për shqiptarët e Rumanisë dhe për çështje të historisë e të kulturës shqiptare. Kështu, përmes një veprimtarie të gjerë studimore, Dora d’Istria i dha Shqipërisë një prani të rëndësishme në shtypin dhe mendimin evropian.
Dashuria e saj për atdheun e prejardhjes nuk ishte një ndjenjë e kufizuar në deklarata. Ajo shfaqej në studimet, në korrespondencën, në takimet dhe në qëndrimet e saj publike.
Në një letër drejtuar De Radës, duke kujtuar vizitën në varrin e Marko Boçarit në Mesolongji, ajo shprehte dëshirën që një ditë të shihte të valëvitej mbi varrin e Gjergj Kastriotit flamuri që ai kishte mbrojtur në beteja. Kjo dëshirë, përtej emocionit patriotik, dëshmon se sa e lidhur ishte ajo me idealin e lirisë shqiptare.
Një tjetër dëshmi e fuqishme është përgjigjja që u dërgoi, më 4 maj 1881, treqind vajzave të shkollave të Shkodrës, të cilat i kishin dhuruar një pendë argjendi në shenjë mirënjohjeje.
Në letrën e saj shkruante:
“E marr me mend pendën e bukur të shqiptareve të mia të dashura, të cilat do të kisha dëshirë t’i përqafoja një ditë. Uroj që kjo pendë, më e fortë se një skeptër, të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë, atdheut tim të nderuar.”
Ky është një nga çastet më domethënëse të lidhjes së saj me Shqipërinë. Një princeshë e lindur dhe e formuar në mjedise aristokratike evropiane, e cila kishte mundësinë të jetonte vetëm me privilegjet e emrit dhe të prejardhjes, zgjidhte ta vinte penën në shërbim të një kombi që ende luftonte për të fituar njohjen e të drejtave të veta.
Një zë kundër mohimit të identitetit shqiptar
Dora d’Istria u përball edhe me përpjekjet e ndryshme për ta përvetësuar përkatësinë e saj kombëtare. Fakti që ajo kishte lindur në Bukuresht, ishte formuar në kulturën rumune dhe kishte pasur lidhje të afërta me botën greke, nuk e zhbënte prejardhjen shqiptare të familjes Gjika.
Ajo nuk e shihte identitetin si një pengesë për komunikimin ndërmjet popujve. Përkundrazi, ishte pikërisht kjo përkatësi e shumëfishtë kulturore që e ndihmonte të kuptonte më mirë historinë dhe aspiratat e kombeve të Ballkanit.
Në shkrimet e saj, ajo i kushtoi vëmendje edhe rrezikut që përfaqësonin pretendimet ekspansioniste dhe përpjekjet për të mohuar identitetin e popujve të vegjël. Në këtë kuadër, mbrojti të drejtat historike dhe kombëtare të shqiptarëve, duke iu kundërvënë ideologjive që synonin t’i nënshtronin ata ndaj projekteve të huaja politike.
Një dokument i rëndësishëm i këtij qëndrimi është letra e saj drejtuar Jeronim De Radës nga Firence, më 7 nëntor 1876. Në të, duke iu referuar çështjes shqiptare dhe interesave të popujve të Ballkanit, ajo theksonte domosdoshmërinë që shqiptarët të punonin për ekzistencën e tyre si komb.
Në një fragment të kësaj letre, shkruante:
“Por, para së gjithash, ne duhet të punojmë për vetëqenien e shqiptarëve si komb.”
Ky formulim përmbledh një nga bindjet më të rëndësishme të saj, solidariteti ndërmjet popujve nuk duhet të nënkuptojë sakrifikimin e identitetit të njërit në dobi të tjetrit. Çdo komb ka të drejtën e vet të ekzistencës, të lirisë dhe të zhvillimit.
Në këtë kuptim, Dora d’Istria nuk ishte vetëm një mbështetëse e çështjes shqiptare, por edhe një mendimtare që e vendoste atë brenda një vizioni më të gjerë evropian të barazisë dhe të drejtësisë ndërkombëtare.
Miqësia me Jeronim De Radën dhe ndikimi në botën intelektuale
Ndër lidhjet më të rëndësishme të jetës së saj ishte miqësia dhe letërkëmbimi me poetin e madh arbëresh Jeronim De Rada. Korrespondenca e tyre, e zhvilluar për më shumë se dy dekada, përbën një dëshmi të çmuar të marrëdhënieve intelektuale dhe patriotike ndërmjet personaliteteve të Rilindjes Kombëtare.
Sipas të dhënave të botuara nga studiuesi Ahmet Kondo, Dora d’Istria i dërgoi De Radës 105 letra me karakter atdhetar, të shkruara gjatë viteve 1865–1887, nga qytete të ndryshme të Evropës, ndër të cilat Zvicra, Livorno, Venediku, Torino dhe Firence.
Në këto letra trajtohen çështje të identitetit kombëtar, të historisë shqiptare, të marrëdhënieve ndërmjet popujve të Ballkanit dhe të nevojës për organizimin e lëvizjes kombëtare. Ato dëshmojnë se Dora d’Istria nuk ishte një vëzhguese e largët e zhvillimeve shqiptare, por një pjesëmarrëse aktive në debatin intelektual dhe patriotik të kohës.
Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e saj, rilindësit dhe arbëreshët i kushtuan përmbledhjen poetike A Dora d’Istria – Gli Albanesi (Dora d’Istrias – Shqiptarët), botuar më 1870, ku u përfshinë krijime patriotike të autorëve shqiptarë dhe arbëreshë.
Edhe poetë e intelektualë të tjerë të kohës e vlerësuan lart figurën e saj. Poetesha vjeneze Jozefina Knorr, duke shkruar për mikeshën e saj, theksonte se Elena rridhte nga një trung i kulluar shqiptar dhe se ishte përkushtuar tërësisht çështjeve të këtij populli.
Në këtë rreth të gjerë miqësish dhe bashkëpunimesh, Dora d’Istria u bë një nga përfaqësueset më të rëndësishme të çështjes shqiptare në botën intelektuale evropiane.
Një mendje e lirë, një vepër shumëdimensionale
Veprimtaria letrare dhe studimore e Dora d’Istrias nuk kufizohet vetëm në çështjen shqiptare. Ajo ishte një nga gratë më të përgatitura intelektualisht të kohës dhe një autore me interesime të jashtëzakonshme.
Ndër veprat e saj më të njohura përmenden:
La vie monastique dans l’Église orientale (Jeta monastike në Kishën Lindore), botuar më 1855, ku trajton jetën fetare dhe institucionet monastike.
La Suisse allemande (Zvicra Gjermane), botuar më 1856, një vepër në disa vëllime, ku përshkruan vendin, njerëzit dhe kulturën zvicerane.
Les Femmes en Orient (Gratë e Orientit), botuar më 1860, ku trajton gjendjen dhe emancipimin e gruas.
La nationalité albanaise d’après les chants populaires (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar më 1866.
Les écrivains albanais de l’Italie méridionale (Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore), botuar më 1867.
Gli Albanesi in Rumenia (Shqiptarët në Rumani), botuar më 1873.
Ajo shkroi gjithashtu për letërsinë, poezinë, historinë, politikën, fenë dhe çështjet shoqërore, duke bashkëpunuar me revista e gazeta të njohura evropiane, ndër të cilat Revue des Deux Mondes në Francë, Libre Recherche në Belgjikë dhe Diritto, Antologia Nuova e Rivista Europea në Itali.
Interesimi i saj për artet shtrihej edhe në pikturë. Ajo ishte një krijuese me prirje të shumëfishta, e cila nuk e ndante dijen nga përvoja estetike dhe as kulturën nga përgjegjësia shoqërore.
Shkrimet e saj për popujt e Evropës Juglindore mbështeteshin në një metodë krahasuese, ku këngët, traditat dhe krijimtaria anonime shërbenin për të kuptuar karakterin historik dhe kulturor të secilit komb. Ajo u përpoq t’i trajtonte këta popuj me të njëjtin respekt, pa i vendosur në hierarki dhe pa i matur me ambiciet politike të fuqive të kohës.
Për këtë arsye, vepra e saj pati jehonë të gjerë në qarqet intelektuale evropiane dhe rumune. Studiues të ndryshëm e kanë vlerësuar si një nga figurat më përfaqësuese të kulturës së shekullit XIX.
Trashëgimia dhe kujtesa e një princeshe shqiptare
Për Elena Gjikën kanë shkruar studiues dhe biografë shqiptarë, rumunë dhe evropianë. Ndër botimet që i janë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së saj përmenden studimet e Vehbi Balës, Kristia Maksutoviçit, Koli Xoxit dhe Ahmet Kondos.
Një vend të veçantë zë monografia e historianit Ahmet Kondo, Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare, botuar nga shtëpia botuese “Flesh”, në Tiranë, më 2002. Kjo vepër, e mbështetur në dokumente dhe në një korrespondencë të gjerë, e trajton figurën e saj në raport me lëvizjen shqiptare për çlirim kombëtar dhe me marrëdhëniet intelektuale që ajo ndërtoi me Jeronim De Radën.
Libri sjell në vëmendje jo vetëm mendimin politik dhe patriotik të Dora d’Istrias, por edhe përpjekjet e saj për ta bërë të njohur Shqipërinë në opinionin ndërkombëtar, në një kohë kur identiteti dhe të drejtat e shqiptarëve ishin objekt debatesh dhe rivalitetesh politike.
Edhe në Rumani, emri i saj ka mbetur pjesë e trashëgimisë kulturore. Veprat e saj janë botuar, përkthyer dhe studiuar, ndërsa personalitete të shquara të kritikës dhe historisë letrare rumune i kanë kushtuar vëmendje të veçantë.
Dora d’Istria ishte një figurë që i përkiste njëkohësisht disa botëve, por nuk e humbi kurrë lidhjen me rrënjët e veta. Ajo e deshi kulturën rumune, njohu dhe vlerësoi trashëgiminë e popujve të tjerë të Ballkanit, por për Shqipërinë ruajti një përkushtim të veçantë, të shprehur në vepra, letra dhe qëndrime publike.
Epilog
Dora d’Istria ishte më shumë se një princeshë e një dinastie të njohur, më shumë se një shkrimtare dhe më shumë se një studiuese me reputacion evropian. Ajo ishte një grua që e kuptoi se madhështia e prejardhjes nuk qëndron te titujt aristokratikë, por te përgjegjësia që njeriu merr përsipër ndaj historisë, kulturës dhe bashkësisë njerëzore.
Në një Evropë të përfshirë nga rivalitetet kombëtare, nga ambiciet perandorake dhe nga pabarazitë shoqërore, ajo zgjodhi dijen si mjet emancipimi dhe penën si instrument mbrojtjeje të lirisë. Për shqiptarët, mbetet një nga ato figura që dëshmojnë se atdheu nuk është vetëm vendi ku lindim, por edhe përgjegjësia që mbajmë ndaj tij, kudo që jeta na çon.
Elena Gjika, Dora d’Istria, princesha me rrënjë shqiptare dhe mendje evropiane, la pas një trashëgimi që nuk i përket vetëm historisë së një familjeje apo të një kombi. Ajo i përket historisë së grave që guxuan të mendojnë përtej kufijve të kohës së tyre dhe të mbrojnë, përmes dijes e qytetarisë, të drejtën e popujve për të qenë të lirë.
Dhe pikërisht këtu qëndron pavdekësia e saj, në faktin se, ndërsa titujt dhe kurorat i përkasin një kohe, mendimi i lirë dhe përkushtimi ndaj njerëzimit vazhdojnë të jetojnë përtej saj.