
Nga Frank Shkreli/
Ka nga ata që thonë se shqiptarët nuk kanë shembuj historikë për t’u ndjekur, se na mungojnë figurat frymëzuese dhe modelet e bashkimit kombëtar. Unë nuk pajtohem me këtë mendim. Përkundrazi, besoj se shqiptarët kanë më shumë shembuj nga sa jemi të gatshëm t’i njohim, t’i vlerësojmë dhe t’i ndjekim.
Mjafton të kthejmë sytë nga Kongresi i Manastirit (14- 22 nëntor, 1908). Atje, në një nga momentet më vendimtare të Rilindjes Kombëtare, u mblodhën burra dhe gra të shquara shqiptare, me bindje, prejardhje dhe përkatësi të ndryshme fetare, por me një ideal të përbashkët: interesin e Kombit shqiptar. Shikoni pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit! Shikoni Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, Mit’hat Frashërin, Parashqevi Qiriazin dhe shumë personalitete të tjera shqiptare që i dhanë historisë sonë një shembull të jashtëzakonshëm përgjegjësie kombëtare. Ata nuk u mblodhën për të numëruar dallimet ndërmjet tyre. Nuk shkuan në Manastir për të mbrojtur interesat personale, politike, krahinore ose fetare apo për të fituar lavdi politike për veten.Ata u mblodhën atje për një çështje që i tejkalonte të gjithë: gjuhën shqipe, identitetin kombëtar dhe të ardhmen e kombit. Dhe ia dolën! Në një kohë kur shqiptarët jetonin nën sundimin osman, kur rrethanat politike dhe historike ishin jashtëzakonisht të vështira, ata gjetën forcën të bashkoheshin rreth një ideali kombëtar.
Po sot? Çfarë kemi mësuar nga ky shembull? Është e vështirë të mos bësh krahasimin me realitetin e sotëm politik shqiptar. Ndërsa rilindësit tanë kapërcyen dallimet për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, shumë prej politikanëve të sotëm vazhdojnë të mbeten peng të grindjeve politike, mosmarrëveshjeve, interesave partiake dhe përplasjeve personale. Askush nuk kërkon që politikanët të mendojnë njësoj. Demokracia jeton nga mendimet e ndryshme. Por demokracia nuk duhet të jetë justifikim për armiqësi politike, as dallimet partiake nuk duhet të bëhen pengesë për interesat madhore të Kombit. Prandaj, atyre që thonë se shqiptarët nuk kanë shembuj historikë për t’u ndjekur, do t’u përgjigjesha: Shikoni Manastirin! Shikoni ata që morën pjesë në Kongresin e Alfabetit! Shikoni si arritën shqiptarët, përtej dallimeve fetare, krahinore dhe politike, të bashkoheshin për një ideal kombëtar!
Prandaj, shqiptarët nuk vuajnë nga mungesa e shembujve historikë. Vuajnë nga mungesa e vullnetit për t’i ndjekur rilindsit e Kongresit të Manastirit dhe ndoshta më shumë se kaq, vuajnë nga mungesa e vullnetit për t’i vlerësuar ato figura kombëtare ashtu siç meritojnë. Historia nuk u ka lënë shqiptarëve vetëm kujtime për të festuar në përvjetorë. Kujtimi i Manastirit, klasës së sotme politike i ka lënë edhe detyrime morale e politike për të përmbushur. Rilindësit e Kombit shqiptar kanë lënë alfabetin si simbol të bashkimit kombëtar. Brezat e sotëm kanë detyrimin e madh ta ruajnë atë bashkim si vlerë kombëtare.
Shqiptarët kanë shembuj për t’u ndjekur. Mjafton të kthejnë sytë nga historia e tyre dhe të kenë guximin të mësojnë prej saj! Shqiptarët nuk kanë mungesë shembujsh historikë; kanë mungesë vullneti për t’i ndjekur shembujt që historia ua ka lënë trashëgim. Kongresi i Manastirit (14- 22 nëntor, 1908) është një kujtesë historike, por edhe një provë e ndërgjegjes kombëtare. Rilindësit u bashkuan për të krijuar alfabetin e Kombit. Politikanët e sotëm duhet të bashkohen për të mbrojtur interesat e tij.