
Arben Iliazi/
Rasih Bej Dino (1875 – 1926), i biri i Abedin Pashë Dinos, ishte ishte një personalitet i shquar dhe diplomat i madh, figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare shqiptare, jo vetëm i Çamërisë por i gjithë Shqipërisë. Ai ka qenë një nga diplomatët dhe bashkëpunëtorët e shquar të Ismail Qemalit dhe të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, ku shërbeu si një nga këshilltarët dhe diplomatët më të afërt për politikën e jashtme, duke shfrytëzuar lidhjet e tij të gjera në qarqet diplomatike evropiane. Në fund të muajt nëntor të 1912 Rasih Bej Dino, në marrëveshje me Ismail Bej Vlorën, u vendos në Paris. Ai u ngarkua nga vetë Ismail Bej Vlora që të ishte vëzhgues, në rrugë jo zyrtare, i Qeverisë së Vlorës, dhe të ndiqte nga afër zhvillimin diplomatik të çështjes shqiptare në Evropë.
Qeveria e Përkohshme, më 23 dhjetor 1912, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, caktoi delegacionin që do të përfaqësonte shtetin Shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Si kryetar i delegacionit u caktua Rasih Bej Dino nga Preveza, i cili gëzonte një emër të mirë dhe i përkiste një prej familjeve më të njohura për nga traditat kombëtare. Ai ishte i biri i Abedin Pashë Dinos, që kishte qenë ministër i jashtëm i Turqisë më 1880.
Rasih Bej Dino ishte i njohur për veprimtarinë e tij patriotike në klubin shqiptar të Filatit që më 1909, si dhe nga përpjekjet që kishte bërë për hapjen e shkollave të para shqipe në Çamëri.
Rasih Dinoja në këtë kohë ndodhej në Paris, nga ku informonte herë pas here Ismail Qemal Beun mbi deklarata që personalitetet e qeverive të Fuqive të Mëdha bënin mbi çështjen shqiptare. Më 23 dhjetor 1912 Rasih Bej Dino lajmërohet me kabllogram nga Vlora që të nisej për në Londër. Ai udhëzohej nga Ismail Qemali se duhej të njoftonte telegrafisht Sotir Kolean, që ndodhej në Brindisi, Mehmet Bej Konicën e Filip Nogën, që ndodheshin në Vjenë, të shkonin në Londër, ku do të përfaqësonin shtetin Shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, për të parashtruar pikëpamjet shqiptare.
Ismail Qemali theksonte se do t’i prezantonte telegrafisht delegatët te ministri i Jashtëm i Anglisë, Edtward Grej, që do të ishte edhe kryetar i komisionit.
Memorandumi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, i dorëzuar Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 2–3 janar 1913 nga delegacioni i kryesuar prej Rasih bej Dinos (së bashku me Mehmet Konicën dhe Filip Nogën), është akti i parë zyrtar diplomatik i shtetit të saposhpallur shqiptar.
Dokumenti, i hartuar fillimisht në gjuhën frënge dhe i lexuar para kryetarit të konferencës, ministrit të Jashtëm britanik Edtward Grey, theksonte se shqiptarët përbënin grupin etnik më të vjetër, më kompakt dhe më homogjen në Gadishullin Ballkanik, me gjuhë, tradita dhe identitet të dallueshëm që u kishte rezistuar shekujve të asimilimit. Në këtë dokument sqarohej se mungesa e zhvillimit krahasuar me kombet perëndimore nuk vinte nga mungesa e aftësive të popullit, por nga sundimi i gjatë i huaj dhe pengesat e vazhdueshme ndaj arsimit dhe kulturës kombëtare.
Delegacioni kërkoi që shteti shqiptar të njihej brenda kufijve të tij natyrorë dhe etnikë, duke përfshirë katër vilajetet shqiptare. Vija kufitare e propozuar niste nga kufiri i atëhershëm i Malit të Zi dhe përfshinte: Në veri dhe verilindje: Rrethinat e Pejës, Mitrovicës dhe Prishtinës.
Në lindje: Shkupin dhe Manastirin. Në jug: Shtrihej deri në Mecovë (afër Janinës) dhe zbriste deri në Prevezë, duke përfshirë tërë Çamërinë.
Dokumenti paralajmëronte Fuqitë e Mëdha se çdo copëtim i tokave shqiptare në favor të shteteve fqinje (Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë) do të ishte një padrejtësi e rëndë dhe do të krijonte një vatër të përhershme konfliktesh në Ballkan. Në të theksohej se Shqipëria e lirë dhe brenda kufijve të saj etnikë synonte vetëm paqen, zhvillimin e brendshëm dhe marrëdhënie të ngrohta afatgjata me fqinjët e saj.
Meqë Fuqitë e Mëdha e trajtonin çështjen shqiptare pa pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të delegatëve në seancat zyrtare, Rasih Dino shfrytëzoi lidhjet e tij të vjetra familjare dhe njohjet në diplomacinë evropiane e osmane për të zhvilluar takime prapa kuintave me ambasadorët e gjashtë Fuqive të Mëdha. Si përfaqësues i një prej familjeve më të njohura të Çamërisë, ai bëri përpjekje të veçanta diplomatike për të penguar aneksimin e jugut dhe të Çamërisë nga Greqia, duke paraqitur të dhëna mbi përbërjen etnike të popullsisë.
Më 25 janar 1913, delegacioni i kryesuar nga Rasih Dino, dorëzoi edhe një memorandum të dytë, i cili ritheksonte zbatimin e kriterit etnik si kushtin e vetëm për stabilitetin rajonal. Ndonëse vendimet e Konferencës së Londrës, më 29 korrik 1913, lanë jashtë kufijve rreth gjysmën e territoreve dhe popullsisë shqiptare (përfshirë Kosovën dhe Çamërinë), delegacioni i kryesuar nga Rasih Dino kreu aktin e parë formal të diplomacisë së shtetit të pavarur shqiptar dhe kontribuoi në sigurimin e njohjes ndërkombëtare të sovranitetit të Shqipërisë.
Edhe pas konsolidimit të shtetit shqiptar, kontributi i tij vijoi: në dhjetor të vitit 1920, qeveria e Sulejman Delvinës e caktoi kryetar të delegacionit ekonomik shqiptar në Romë për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe. Rasih Bej Dino vdiq në Adana të Turqisë në fund të vitit 1927, ose në fillim të vitit 1928, ndërsa disa burime përmendin vitet 1926 ose 1930).