
Një shekull përpjekjesh për mbijetesë, midis kujtesës selektive dhe përdorimit politik të historisë.
Afrim Krasniqi
Çdo 28 Nëntor Shqipëria kujton shpalljen e Pavarësisë dhe etërit themelues të shtetit. Në Vlorë ngrihet flamuri, drejtuesit më të lartë vendosin kurora me lule, mbajnë fjalime solemne dhe përsërisin mesazhet e njohura për sakrificat, idealet dhe trashëgiminë e vitit 1912, ndërsa politika, për një ditë, përpiqet të krijojë përshtypjen e një uniteti kombëtar që rrallë e demonstron gjatë pjesës tjetër të vitit. Një ditë më pas gjithçka i kthehet normalitetit, konflikteve, akuzave dhe rivaliteteve për pushtet. Data 29 Nëntor vijon t’i ndajë palët politike, çlirimi nuk ka ende konsensus dhe secila palë kujton “çlirimin” e vet. Ceremonia përfundon dhe bashkë me të, shpesh, edhe kujtesa institucionale për themeluesit e shtetit.
Më shumë se një shekull pas shpalljes së Pavarësisë, parë në tërësinë e memories shtetërore, Shqipëria ende nuk ka ndërtuar një raport të drejtë, të qëndrueshëm dhe të çliruar nga politika me personalitetet që krijuan shtetin shqiptar. Kemi shumë flamuj, monumente, dekorata dhe fjalime, por pak reflektim mbi trashëgiminë e tyre institucionale; kemi rehabilituar shumë figura të dënuara për motive politike nga regjimi komunist, por nuk kemi arritur të ndryshojmë plotësisht mënyrën se si e gjykojmë historinë dhe ua përcjellim atë brezave pasues. Sa i njohim realisht etërit themelues, përse disa nderohen vazhdimisht dhe të tjerë kujtohen vetëm në përvjetorë dhe përse, pas më shumë se tri dekadash pluralizëm, Shqipëria ende nuk ka një politikë kombëtare dhe institucionale të kujtesës historike?
Përgjigjja lidhet me një problem më të gjerë të kulturës sonë politike: prirjen për të kërkuar te tjetri armikun, sidomos kur identifikohet me një linjë politike të ndryshme, dhe jo vlerat e kontributet e tij. Kemi trashëguar një mënyrë të menduari që i ndan personazhet historike në heronj dhe tradhtarë, fitimtarë dhe humbës, patriotë dhe armiq, duke lënë pak hapësirë për rrethanat dhe kompleksitetin e veprimtarisë së tyre. Historia, në vend që të shërbejë për të kuptuar të kaluarën, përdoret shpesh për të konfirmuar bindjet dhe paragjykimet e së tashmes.
Më shumë se një shekull histori e shtetit shqiptar është, në thelb, edhe një histori e gjatë përpjekjesh për mbijetesë: e shtetit të sapokrijuar përballë kërcënimeve territoriale dhe rivaliteteve ndërkombëtare, e institucioneve përballë krizave politike, e elitave përballë ndryshimeve të regjimeve dhe e shoqërisë përballë luftërave, diktaturës, izolimit dhe varfërisë.
Nga viti 1912 deri në konsolidimin relativ të shtetit gjatë viteve ’20 dhe ’30, nga pushtimi i vitit 1939 te Lufta e Dytë Botërore, nga diktatura komuniste te krizat e tranzicionit demokratik, mbijetesa ka qenë shpesh objektivi më realist i aktorëve politikë dhe i shoqërisë. Në këtë histori ka pasur heroizëm dhe arritje të rëndësishme, por edhe kompromise, akte pragmatike, marrëveshje të imponuara dhe zgjedhje të vështira, të cilat nuk mund të gjykohen të veçuara nga rrethanat e kohës. Jo çdo kompromis ishte tradhti dhe jo çdo marrëveshje ishte dorëzim. Kjo nuk do të thotë të relativizojmë përgjegjësitë, të justifikojmë bashkëpunimin me pushtuesit apo të mohojmë krimet, por të pranojmë se historia është më komplekse sesa ndarja midis së mirës dhe së keqes.
Vetë themeluesit e shtetit janë dëshmia më e qartë e kësaj përvoje. Në vitin 1912, personalitete me bindje, prejardhje, përkatësi fetare dhe orientime politike të ndryshme arritën të bashkoheshin rreth një vendimi historik, megjithëse nuk kishin të njëjtin vizion për organizimin politik të Shqipërisë dhe as marrëdhënie pa konflikte midis tyre. Pavarësia identifikohet me të drejtë me Ismail Qemalin, por ajo nuk ishte vepër e një individi të vetëm. Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, Lef Nosi, Mit’hat Frashëri, Mehmet Dërralla, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, Vehbi Dibra dhe shumë personalitete të tjera përfaqësonin një traditë politike dhe kombëtare që meriton njohje shumë më të gjerë. Kuvendi i Vlorës ishte një akt bashkimi në një shoqëri të ndarë, një vendimmarrje që kërkonte kurajë dhe realizëm politik, në kushtet kur ekzistenca e shtetit ishte e pasigurt dhe interesi kombëtar duhej të qëndronte mbi dallimet politike.
Ironia historike është se një pjesë e atyre që themeluan shtetin shqiptar u bënë më vonë viktima të vetë shtetit. Disa u vranë në konfliktet politike të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, disa përfunduan në emigracion, kurse të tjerë u burgosën, u ekzekutuan ose u persekutuan gjatë regjimit komunist. Lef Nosi u ekzekutua më 1946, Qazim Kokoshi vdiq pas burgosjes, Shefqet Daiu dhe Zihni Kanina vdiqën në burg, ndërsa Mit’hat Frashëri përfundoi jetën në emigracion. Për një pjesë të tyre, dënimi vijoi edhe pas vdekjes, në tekstet shkollore, enciklopeditë, muzetë dhe historinë zyrtare, ku kontributi në Pavarësi u retushua ose u fshi. Kriteri vendimtar i vlerësimit nuk ishte kontributi në themelimin e shtetit, por pozicioni politik i individëve apo familjarëve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe raporti me pushtetin e ri. Veprimtaria e vitit 1912 gjykohej sipas qëndrimeve të viteve 1941–1944 dhe më vonë, ndërsa breza të tërë shqiptarësh u edukuan me një histori të cunguar, ku legjitimiteti i regjimit kishte më shumë rëndësi sesa historia e themelimit të shtetit.
Por historia e Luftës së Dytë Botërore nuk mund të reduktohet në ndarjen e mëvonshme midis fitimtarëve dhe humbësve. Më 16 shtator 1942, në Konferencën e Pezës, komunistët dhe përfaqësues të disa rrymave nacionaliste u ulën në një tryezë, duke pranuar nevojën e bashkëpunimit kundër pushtuesit; në gusht 1943, përfaqësuesit e Ballit Kombëtar dhe të Lëvizjes Nacionalçlirimtare arritën Marrëveshjen e Mukjes, një përpjekje tjetër për bashkërendimin e forcave politike dhe ushtarake, e cila më pas u hodh poshtë nga drejtimi politik i PKSH-së. Këto ngjarje dëshmojnë se ndarjet politike nuk ishin të paracaktuara dhe se marrëdhëniet midis forcave shqiptare ishin më komplekse sesa interpretimi që imponoi regjimi pas vitit 1944. Individë që në një moment ishin konsideruar bashkëpunëtorë në përpjekjet për çlirimin e vendit, më vonë u shpallën armiq. Të kishe punuar për mbretin shihej si akt tradhtie, të kishe shërbyer në administratën e periudhës së Luftës së Dytë Botërore po ashtu, dhe kjo nga një forcë politike që vetë kishte bërë marrëveshje dhe kompromise me shtete e qeveri të tjera, përfshirë Jugosllavinë. Kjo nuk i përjashton përgjegjësitë individuale të atyre që bashkëpunuan me pushtuesit, por evidenton nevojën për standarde të njëjta gjykimi.
Në historinë evropiane ka shembuj të shumtë të vendimeve të diskutueshme dhe përgjegjësive politike që vazhdojnë të debatohen. Kryeministri britanik Neville Chamberlain nënshkroi Marrëveshjen e Mynihut me Hitlerin më 1938, një vendim që vijon të konsiderohet ndër gabimet më të mëdha të politikës britanike të periudhës, por ai nuk është fshirë nga historia institucionale e Britanisë dhe vijon të studiohet me përgjegjësitë, gabimet dhe kontributet e tij. Edhe gjykimet ndërkombëtare të pasluftës ofrojnë një dallim të rëndësishëm. Në Tribunalin Ndërkombëtar të Nurembergut nuk pati të akuzuar shqiptarë, ndërsa disa prej atyre që u shpallën kriminelë lufte në mungesë nga autoritetet shqiptare patën më pas jetë dhe karrierë profesionale në SHBA, në universitete italiane dhe deri në BBC. Kjo nuk përjashton përgjegjësi individuale për krime, por pretendimet kërkojnë hetim, prova dhe gjykim.
Në Shqipërinë e pasvitit 1944, përkundrazi, dënimi politik u shtri mbi familjet, fëmijët dhe pasardhësit e personave të shpallur armiq, madje edhe mbi ata që ende nuk kishin lindur. Edhe sot, në debatin publik, jo rrallë vijojmë t’i gjykojmë nipërit dhe mbesat për zgjedhjet e gjyshërve të tyre, një praktikë që nuk ka lidhje me drejtësinë historike dhe aq më pak me kulturën demokratike.
Një tjetër padrejtësi e kujtesës sonë lidhet me trajtimin e elitave shtetformuese të periudhës përpara vitit 1939. Shqipëria nuk nisi të ndërtonte institucione pas Luftës së Dytë Botërore; përpara saj kishte krijuar administratë, diplomaci, legjislacion, institucione arsimore, struktura të sigurisë dhe sisteme financiare. Elitat e kësaj periudhe mund dhe duhet të kritikohen për autoritarizmin, konfliktet dhe dështimet e tyre, por kontributi në ndërtimin e shtetit nuk mund të mohohet për shkak të fatit politik që patën më vonë. Edhe Princ Vidi, i cili drejtoi për një periudhë të shkurtër shtetin shqiptar më 1914, mbetet një figurë relativisht e margjinalizuar në kujtesën institucionale, megjithëse përfaqësonte një etapë të rëndësishme të përpjekjeve për organizimin dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri. Mandati i tij ishte i kufizuar dhe projekti politik përfundoi pa sukses, por një histori që njeh vetëm udhëheqësit e suksesshëm dhe injoron përvojat e dështuara nuk mund të shpjegojë procesin e shtetformimit.
Pas vitit 1990 u rehabilituan personalitete, u botuan dokumente, u rikthyen emra në tekstet shkollore, u ngritën monumente dhe u dhanë dekorata, por ky proces i domosdoshëm u shoqërua edhe me një paradoks: ndryshuam sistemin politik, por jo gjithmonë mënyrën e përdorimit të historisë. Vlerësimi i etërve themelues dhe elitave shtetformuese vijoi të ndikohej nga preferencat politike, përkatësitë krahinore, lidhjet familjare dhe interesat e ditës, duke krijuar një hierarki të re selektive. Në periudhën komuniste politika përcaktonte se cilët personalitete duhet të mbeteshin në histori; pas vitit 1990, politika vijoi shpesh të përcaktonte se cilët duhet të ngriheshin në piedestal.
Një shembull domethënës janë dekoratat shtetërore. Në 100-vjetorin e Pavarësisë, më 2012, shteti shqiptar nderoi për herë të parë në mënyrë kolektive të gjithë firmëtarët e Pavarësisë me titullin “Nderi i Kombit”, një akt i drejtë, megjithëse i vonuar, por që evidentoi njëkohësisht mungesën e një sistemi të qartë vlerësimi. Disa prej etërve themelues kishin tituj më të ulët në hierarkinë e dekorimeve sesa personalitete të periudhave të mëvonshme, përfshirë politikanë të tranzicionit, ndërsa figura pa rol të drejtpërdrejtë në aktin e Pavarësisë morën vlerësime të larta dhe vëmendje të madhe ceremoniale. A mund të vlerësohen me të njëjtën logjikë një personalitet që kontribuoi në krijimin e shtetit dhe një drejtues politik që ushtroi përkohësisht një funksion të lartë? Secili ka meritat e veta, por duhen standarde që dallojnë themelimin e shtetit nga ushtrimi i pushtetit në një periudhë të caktuar.
E njëjta problematikë shfaqet në politikën e monumenteve dhe memorialeve, ku investimet shtetërore lidhen shpesh me përvjetorët, preferencat historike të qeverive apo nevojën për protagonizëm institucional, ndërsa më pak vëmendje i kushtohet funksionimit dhe ruajtjes së trashëgimisë. Rasti i At Gjergj Fishtës është domethënës. Shtëpia e tij u restaurua dhe u përurua, por për një kohë të gjatë mbeti e mbyllur për vizitorët, ndërsa edhe kompleksi memorial në vendlindjen e tij, pas investimit dhe përurimit zyrtar, u raportua i mbyllur për publikun. Çfarë vlere ka një muze i restauruar, nëse qytetarët, nxënësit dhe turistët nuk mund ta vizitojnë? A është qëllimi ruajtja e kujtesës apo prerja e shiritit të përurimit?
Problemi bëhet edhe më i dukshëm kur kujtojmë se jo të gjithë personalitetet historike kanë pasardhës, familje me mundësi ekonomike ose grupe interesi që kujdesen për rehabilitimin e tyre. Disa kanë trashëgimtarë që botojnë dokumente, financojnë monografi, organizojnë aktivitete dhe kërkojnë nderime institucionale, ndërsa të tjerë, që nuk e kanë këtë mundësi, mbeten në harresë. Por a duhet që vendi i një personaliteti në historinë kombëtare të varet nga ekzistenca, mundësitë financiare apo ndikimi publik i pasardhësve të tij? Një shtet serioz nuk mund t’ua delegojë familjeve përgjegjësinë për ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe as të lejojë që hierarkia e figurave historike të përcaktohet nga aftësia e pasardhësve për të siguruar mbështetje politike apo mediatike. Historia nuk është një garë lobimi për dekorata, monumente dhe emërtime rrugësh.
Edhe tekstet shkollore meritojnë reflektim. Sa mësojnë realisht nxënësit për etërit themelues, delegatët e Kuvendit të Vlorës, institucionet e para dhe elitat që ndërtuan shtetin përpara vitit 1939? Në memorien publike vijojnë të kenë një vend të rëndësishëm komandantët dhe komisarët e Luftës Nacionalçlirimtare, përfshirë edhe figura të njësive të përfshira në konfliktet me rivalët politikë shqiptarë, për të cilët janë ngritur monumente, janë emërtuar rrugë e shkolla dhe janë organizuar ceremoni të shumta. Jo rrallë, i njëjti personalitet kujtohet si hero në një krahinë dhe si përgjegjës për vrasje në një krahinë tjetër brenda së njëjtës republikë, një kontrast që u shfaq edhe këtë vit. Kontributi antifashist meriton njohjen e vet historike, por kjo nuk shpjegon përse një pjesë e etërve themelues, diplomatëve, juristëve, administratorëve dhe intelektualëve që krijuan e mbajtën në këmbë shtetin shqiptar kanë një prani shumë më të kufizuar në kujtesën publike.
Më shumë se tri dekada pas ndryshimit të sistemit, Shqipëria duhej të kishte përfunduar një inventar të plotë të etërve themelues dhe personaliteteve shtetformuese, me biografi të dokumentuara, fonde arkivore të identifikuara, botime të veprave të tyre, evidentim të vendvarrimeve dhe një sistem kombëtar të ruajtjes së vendeve të kujtesës. Akademia e Shkencave, institucionet kërkimore, arkivat, muzetë, bibliotekat, universitetet dhe bashkitë mund të kishin rol në një projekt të tillë, por mungon një politikë shtetërore që t’i bashkojë këto përpjekje dhe t’i kthejë nga nisma të shpërndara në një program afatgjatë. Ne kemi historianë profesionistë, studiues dhe kërkues shkencorë, por vendimet dhe prioritetet e kërkimit vijojnë të ndikohen nga e njëjta kulturë politike, selektive dhe paragjykuese që trashëguam nga fundi i viteve ’80.
Debati shumëvjeçar mbi datat 28 dhe 29 Nëntor është shembulli më i njohur i konkurrencës politike mbi historinë, ku rotacionet kanë ndikuar në legjislacionin, ceremonialin dhe rëndësinë që i është dhënë secilës datë. Në momente të caktuara, drejtuesit e shtetit kanë festuar të ndarë, kanë zhvilluar ceremoni paralele ose kanë shmangur komunikimin institucional me njëri-tjetrin, një praktikë që bie ndesh me mesazhin e vitit 1912, kur personalitete me dallime shumë më të mëdha politike, krahinore dhe shoqërore arritën të bashkoheshin rreth një qëllimi të përbashkët. Themeluesit arritën të bashkoheshin për të krijuar shtetin, ndërsa pasardhësit e tyre politikë shpesh nuk arrijnë të bashkohen as për ta përkujtuar. Secila palë kërkon të paraqitet si trashëgimtarja më e denjë e historisë kombëtare, megjithëse Pavarësia nuk ka trashëgimtarë partiakë, flamuri nuk ka përkatësi elektorale dhe etërit themelues nuk mund të trajtohen si pjesë e inventarit historik të një partie.
Ndoshta këtu qëndron edhe një nga dështimet tona më të mëdha pas vitit 1990. Nuk arritëm të ndryshojmë plotësisht kulturën e gjykimit historik dhe, në disa raste, thjesht ndryshuam vendet e heronjve dhe të armiqve, duke ruajtur të njëjtën logjikë përjashtuese. Një shoqëri demokratike nuk ka nevojë për një histori pa gabime dhe personalitete të pagabueshme, por për një histori ku meritat njihen, përgjegjësitë dokumentohen dhe vlerësimet nuk varen nga përkatësia politike. Etërit themelues nuk ishin të gjithë heronj në çdo moment të jetës së tyre, ashtu si gabimet e mëvonshme nuk i bëjnë automatikisht armiq të përhershëm të kombit.
Në vitin 2026, Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të rrugës drejt Bashkimit Evropian. Më shumë se një shekull pas shpalljes së Pavarësisë, vendi ka ndërtuar institucione shtetërore, është anëtarësuar në NATO dhe ka avancuar në procesin e integrimit evropian, por cilësia e institucioneve, kultura demokratike dhe raporti me shtetin mbeten sfida të rëndësishme. Etërit themelues krijuan shtetin në kushtet kur ekzistenca e tij ishte e pasigurt; sot ne e kemi shtetin, por shpesh nuk arrijmë ta trajtojmë atë si një interes që qëndron mbi pushtetin politik të radhës.
Mbi një shekull pas Pavarësisë, nuk kemi më nevojë të provojmë se kemi pasur vetëm heronj, por të kuptojmë se si mbijetuam, çfarë arritëm të ndërtonim, ku dështuam dhe përse një pjesë e problemeve tona institucionale vijojnë të përsëriten.
Vlerësimi më i lartë që mund t’u bëjmë etërve themelues nuk është një dekoratë tjetër, një monument i ri apo një fjalim më shumë, por aftësia për të njohur historinë e tyre në tërësinë e saj dhe për ta kthyer trashëgiminë e vitit 1912 në pjesë të kulturës sonë shtetërore. Etërit themelues e përmbushën misionin e tyre historik: krijuan themelet e shtetit shqiptar. Pyetja është nëse ne, pasardhësit e tyre pas disa brezash, kemi arritur të ndërtojmë shtetin që ata aspiruan. Kjo pyetje ndërlidhet me mënyrën se si qeverisim, respektojmë institucionet, gjykojmë njerëzit dhe historinë, dhe me aftësinë për ta vendosur interesin shtetëror mbi interesin politik. Dhe 28 Nëntori na ndihmon të kuptojmë nevojën e kalimit nga kultura e mbijetesës te një konsensus kombëtar mbi meritat, gabimet dhe reflektimet e së kaluarës, si dhe orientimet drejt së ardhmes.