
Rijetë Simitçiu Turhanoğlu/
Në historinë e kombit shqiptar, rruga drejt pavarësisë politike më 28 Nëntor 1912 u parapri dhe u shoqërua nga një përpjekje e gjatë kulturore për ngritjen e gjuhës shqipe në nivelin e një mjeti të plotë komunikimi letrar, publicistik dhe intelektual. Në këtë proces, Faik Konica dhe Fan Stilian Noli përfaqësojnë dy kontribute të rëndësishme që e pasuruan shqipen e shkruar përmes kritikës, prozës, përkthimit letrar dhe veprimtarisë në shtypin e kohës.
Faik Konica: Estetika e prozës, kritika dhe kultura e shkrimit
Në kapërcyellin e shekujve XIX-XX, Faik Konica luajti një rol kyç në ngritjen e standardeve të shkrimit shqip dhe në zhvillimin e kritikës letrare e kulturore. Me themelimin e revistës “Albania” në Bruksel më 1897 (që doli më pas edhe në Londër më 1909, shpesh me pseudonimin Thrank Spirobeg), u ngrit një platformë ku çështjet e gjuhës, të letërsisë dhe të historisë kombëtare trajtoheshin me frymë kritike e në dialog me mendimin europian. Siç vëren albanologu Robert Elsie, ajo u shndërrua në një “enciklopedi të vogël” të jetës kulturore të kohës, duke e vendosur çështjen dhe letërsinë shqiptare në vëmendjen e lexuesit europian.
Një nga tiparet më të dallueshme të qasjes së Konicës është ndjeshmëria ndaj saktësisë leksikore, qartësisë sintaksore dhe përgjegjësisë së autorit ndaj lexuesit. Qëndrimi i tij ndaj gjuhës nuk lidhej me një mbyllje të ngushtë ndaj ndikimeve të jashtme; përkundrazi, Konica e vlerësonte shqipen në lidhje me funksionin e saj kulturor dhe me nevojën që ajo të shprehte qartë koncepte moderne, analiza shoqërore dhe nuanca stilistike.
Madje, qysh në artikullin “Për themelimin e një gjuhës letrarishte shqip” në numrin e parë të “Albania”-s (1897) dhe në “Albania e vogël” (1899-1903), ai trajtoi nevojën e afrimit e të njësimit shkallë-shkallë të dialekteve toskë e gegë. Kritika e tij drejtohet kryesisht ndaj shkrimit të pakujdesshëm, klisheve, imitimit mekanik të modeleve të huaja dhe mungesës së disiplinës stilistike.
Ky angazhim shihet qartë në prozën dhe publicistikën e tij, si te “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” (botuar në “Dielli” më 1924) apo te seria e shkrimeve “Shqipëria si m’u duk” (botuar në “Dielli” më 1929), si dhe në shkrimet e tij kritike të botuara. Në këto tekste ironia, satira dhe vëzhgimi i mprehtë shoqëror shoqërohen me një fjali të kontrolluar dhe me fjalë të zgjedhura me kujdes, duke treguar se proza shqipe mund të mbajë analizë kritike dhe humor të hollë pa rënë në patetikë apo retorikë të zbrazët. Për këtë qasje, studiuesi Sabri Hamiti vë në dukje se me “Doktor Gjilpërën…” Konica sjell në prozën shqipe figurën e njeriut të formuar me dije moderne që ruan ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Ndonëse polemikat e tij të mprehta dhe pozicionet politike të mëvonshme shkaktuan debate e kundërshti, përmes veprimtarisë së tij kritike e publicistike Konica i dha shqipes një kulturë debati dhe vlerësimi letrar që më parë mungonte apo ishte e fragmentuar.
Fan Stilian Noli: Përkthimi letrar, liturgjia dhe fjala publike
Fan Stilian Noli e vuri shqipen në një provë tjetër. Ndryshe nga Faik Konica, i cili u përqendrua te përpunimi estetik i prozës dhe kritika letrare, ai e çoi gjuhën drejt përkthimit të letërsisë botërore, ligjërimit publik dhe jetës liturgjike. Përmes këtyre veprimtarive u zgjeruan mundësitë shprehëse të shqipes, e cila dëshmoi aftësinë për të përcjellë mendime të ndërlikuara letrare, filozofike, politike dhe shpirtërore. Kjo ndjeshmëri ndaj gjuhës lidhej edhe me formimin e tij të hershëm. Ruajtja e shqipes në familje, krahas gjallërisë dhe ngjyrave të rrëfimit autobiografik që vë në dukje edhe Ilir Ikonomi, ushqeu te Noli një ndjeshmëri të mprehtë për fjalën dhe ritmin. Kjo e ndihmoi të shkruante një shqipe të gjallë dhe të afërt për të gjithë.
Në përkthimet e Shekspirit “Otello” dhe “Makbethi”, si dhe në “Rubairat” e Omar Khajamit, përkthimi shndërrohet në një akt krijues. Noli synon të sjellë në shqip jo vetëm kuptimin e tekstit, por edhe ritmin, muzikalitetin, ndjenjën dhe nuancat stilistike të origjinalit. Për këtë, ai ndërthur të folurën e gjallë, shprehjet idiomatike, format e rralla dhe mjetet e ligjërimit poetik. Kështu, ai i jep shqipes zhdërvjelltësi, peshë shprehëse dhe mundësi për t’u kultivuar në nivelet më të larta të letërsisë.
Një dimension tjetër me rëndësi të veçantë është veprimtaria e tij liturgjike dhe publicistike. Kremtimi i shërbesës së parë liturgjike ortodokse në gjuhën shqipe në Boston, në mars të vitit 1908, u ndoq nga përkthimi dhe botimi i teksteve kishtare, si “Libër e shërbesave të shënta të kishës ortodokse” (botuar më 1909). Ky hap e vendosi gjuhën amtare aty ku më parë mbizotëronin gjuhë të tjera. Përkthimi i ligjërimit liturgjik kërkonte njohje teologjike dhe ndjeshmëri gjuhësore e terminologjike në përzgjedhjen e fjalëve të duhura për koncepte abstrakte. Në këtë mënyrë, shqipja fitoi një hapësirë të re përdorimi dhe dëshmoi potencialin e saj kulturor e shoqëror.
Në publicistikën dhe fjalimet e tij, Noli ndërtoi një ligjërim të drejtpërdrejtë, polemik dhe bindës. Ky stil i shërbeu debatit politik, komunikimit publik dhe mobilizimit kombëtar. Për studiuesin Nasho Jorgaqi, figura e Nolit dallohet për etjen e pandërprerë për dije e përkthim dhe për aftësinë e tij për ta kthyer shqipen në mjet të gjallë të kulturës e të përfaqësimit kombëtar. Qoftë në shqipërime të vështira letrare, qoftë në fjalimet para bashkëkombësve dhe opinionit të huaj, ai e trajtoi gjuhën si një pasuri që rritet me punë të përditshme dhe përgjegjësi ndaj kombit. Kështu bashkohen përkthyesi, kleriku dhe oratori në një figurë të vetme intelektuale. Për të, gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi por edhe mjet edukimi, përfaqësimi dhe vetëdijeje kombëtare.
“Dielli” dhe shtypi kombëtar në diasporë
Në këtë tablo zë vend edhe gazeta “Dielli”, e themeluar në Boston më 1909 me nismën e shoqërisë “Besa-Besën”, nën drejtimin e parë të Fan Nolit. Përmes shkrimet dhe angazhimit të tij, gazeta ftoi një zë të qartë në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe u bë një hapësirë informimi, debati e lidhjeje kulturore me atdheun për komunitetin shqiptar në diasporë. Rëndësia e saj u bë veçanërisht e dukshme në vitet vendimtare rreth shpalljes së Pavarësisë dhe pas krijimit të Federatës “Vatra” më 1912, në veprimtarinë e së cilës Noli luajti një rol qendror.
Faik Konica u përfshi në gazetë në periudha të mëvonshme, duke u bërë më pas një nga drejtuesit e saj dhe kryetar i “Vatrës” më 1921. Me rubrikën “Shtylla e Konitzës” dhe me shkrimet e tjera publicistike, ai solli në faqet e “Diellit” frymën kritike, ironinë dhe stilin e tij të mprehtë. Krahas punës së Nolit, të Konicës dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë të diasporës, gazeta ndihmoi në forcimin e shqipes si gjuhë e mendimit publik dhe e vetëdijes kombëtare përtej kufirit të atdheut.
Dy qasje plotësuese në zhvillimin e shqipes
Konica dhe Noli kishin formime, dhe temperamente të ndryshme, por veprimtaria e tyre u bashkua në një synim të përbashkët: pasurimin e shqipes së shkruar dhe zhvillimin e saj si gjuhë e kulturës moderne. Konica dha rëndësi disiplinës së stilit, saktësisë dhe kritikës letrare, ndërsa Noli i zgjeroi mundësitë shprehëse të shqipes përmes përkthimit, ligjërimit publik dhe veprimtarisë liturgjike.
Kontributi i tyre duhet parë në kuadër të një procesi të gjatë historik, në të cilin u formësua shqipja letrare dhe më pas u konsolidua norma standarde. Siç vëren Robert Elsie, stili i këtyre dy autorëve ndikoi ndjeshëm në përsosjen e prozës e shqipes, veçanërisht të asaj në toskërishte, e cila më vonë u bë bazë e shqipes standarde. Në mënyra të ndryshme, të dy e lidhën përvojën e kulturës europiane me nevojën për një shqipe të qartë, të pasur dhe të aftë për të shprehur mendimin modern.
Gjuha, atdheu që jeton në fjalë
Trashëgimia e Faik Konicës dhe Fan S. Nolit dëshmon se përpjekja për Pavarësinë e Shqipërisë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar eci krah për krah me përpjekjen për ta bërë shqipen një gjuhë të aftë për të shprehur letërsinë, mendimin kritik dhe jetën publike. Pavarësia e vitit 1912 shënoi një kthesë historike në planin politik, ndërsa zhvillimi dhe fuqizimi i gjuhës dhe i kulturës mbetën detyra të vazhdueshme.
Në prag të festimit të Ditës së Pavarësisë, rikthimi te këto figura dhe te veprat e tyre – nga “Albania” dhe “Doktor Gjilpëra…” te përkthimet e Nolit dhe faqet e “Diellit” – na kujton se gjuha ruhet dhe zhvillohet përmes përdorimit të kujdesshëm, studimit dhe shkrimit me përgjegjësi. Atdheu nuk është vetëm hapësira gjeografike, por edhe kujtesa dhe kultura që jetojnë në gjuhë – sepse vetë gjuha është atdheu që jeton në fjalë.
Burimet kryesore:
Elsie, R. (1997). Histori e letërsisë shqiptare. Dukagjini.
Hamiti, S. (1994). Faik Konica: jam unë. Shtëpia Botuese Onufri.
Ikonomi, I. (2023). Fan Noli: Apostulli. (vëll. I). UET Press.
Jorgaqi, N. (2005). Jeta e Fan S. Nolit (vëll. I). Omega GVG.
Khajam, O. (1859). Rubairat. (përkthyer nga F. S. Noli). (https://archive.org/…/rubairateomarkha…/page/n1/mode/2up)
Konica, F (2019). Shqipëria si m’u duk. Botime Nazarko.
Konica, F (2022). Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit. (https://fliphtml5.com/…/xnqv/Dr._Gjilpera_-_Faik_Konica/1/)
Noli, F. S. (1960). Fiftieth anniversary book of the Albanian Orthodox Church in America. Albanian Orthodox Church in America.
Noli, F. S. (1987). Vepra 2. Publicistika (1905-1925). ASHRPSSH.
Noli, F. S. (1987). Vepra 3. Publicistika (1925-1949). ASHRPSSH.
Noli, F. S. (1996). Vepra 6. Oratoria, autobiografia, letërkëmbimi, intervista, të ndryshme. ASHRSH.
Shakespeare, W. (2024). Otello. (përkthyer nga F. S. Noli). Onufri.