
Ilire Zajmi/
Historia njeh gra të jashtëzakonshme, luftëtare, patriote dhe vizionare, që nga amazonat e lashtësisë e deri në kohët moderne. Megjithatë, kontributi i tyre është vlerësuar rrallë dhe shpesh është lënë në hijen e historisë zyrtare. Gratë janë portretizuar më shumë si viktima të luftërave sesa si protagoniste të tyre, më shumë si dëshmitare të historisë sesa si krijuese të saj. Edhe kur kanë luftuar përkrah burrave, kanë organizuar rezistencën, kanë udhëhequr beteja dhe kanë sakrifikuar jetën për lirinë, lavdia dhe meritat, në pjesën më të madhe, u janë atribuar burrave. Burrat janë shndërruar në heronj të historisë, ndërsa emrat e shumë grave janë mbuluar nga pluhuri i harresës.
Kjo padrejtësi e kujtesës historike bëhet veçanërisht e dukshme kur rrëfejmë rrugëtimin e shqiptarëve drejt pavarësisë, çlirimit dhe dinjitetit kombëtar. Vëmendja përqendrohet zakonisht te burrat që udhëhoqën kryengritjet, shpallën pavarësinë e Shqipërisë apo i prinë luftës për çlirimin e Kosovës. Por historia jonë do të ishte e mangët, e cunguar dhe e padrejtë pa kontributin e grave, të cilat ishin pjesë e pandashme e përpjekjeve kombëtare.
Ato nuk ishin thjesht dëshmitare të ngjarjeve, as vetëm mbështetëse të familjeve dhe të luftëtarëve të lirisë. Shumë prej tyre ishin patriote, organizatore, intelektuale, aktiviste dhe luftëtare të vijës së parë. Disa mbajtën gjallë identitetin kombëtar në rrethana shtypjeje e ndalimesh, të tjera organizuan rezistencën politike dhe kulturore, ndërsa jo pak morën armët për t’u përballur drejtpërdrejt me pushtuesit.
Në këtë panteon të kujtesës kombëtare shkëlqejnë tri figura emblematike: Marigo Posio, Shote Galica dhe Xhevë Lladrovci.
Tri gra nga tri periudha të ndryshme historike, të lidhura nga një ideal i përbashkët: liria, dinjiteti dhe e drejta e një populli për të jetuar i lirë. Tri histori që dëshmojnë se gruaja shqiptare nuk ishte në periferi të historisë, por në zemër të saj. Marigo Posio është një nga emrat më domethënës të historisë së Rilindjes Kombëtare dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Patriote, veprimtare për arsimin shqip, organizatore e jetës shoqërore dhe një nga gratë që u angazhuan për emancipimin e femrës shqiptare në fillim të shekullit XX. Ajo e shndërroi dashurinë për atdheun në një simbol që u bë pjesë e përjetshme e identitetit shqiptar, flamuri kuqezi.
Emri i saj lidhet veçanërisht me qëndisjen dhe përgatitjen e flamurit që u ngrit në ditën e Pavarësisë. Edhe pse historiografia shqiptare ruan interpretime të ndryshme për flamurin origjinal dhe për hollësitë e këtij kontributi, figura e Marigos mbetet e lidhur me simbolikën e 28 Nëntorit. Shtëpia e saj në Vlorë shërbeu si vatër e veprimtarisë patriotike, ku mbështetej lëvizja kombëtare dhe qarkullonin materiale të saj.
Në një kohë kur gratë përballeshin me kufizime të thella shoqërore dhe paragjykime patriarkale, Marigo Posio dëshmoi se atdhetaria nuk njeh gjini dhe se kontributi për kombin nuk matet vetëm me armë, pushtet apo fjalime publike. Ajo nuk e shpalli pavarësinë, por ishte ndër gratë që i dhanë asaj simbol, përmbajtje dhe shpirt.
Burrat si Ismail Qemali ngritën flamurin kombëtar dhe shpallën Shqipërinë të pavarur, por gratë si Marigoja ndihmuan që ai të bëhej shenjë e përkatësisë, e krenarisë dhe e kujtesës së një kombi të tërë.
E lindur në Hoçisht të Korçës më 1878, Marigoja u rrit në një familje me tradita patriotike dhe më vonë u vendos në Vlorë, ku u bë pjesë aktive e lëvizjes kombëtare. Ajo themeloi shoqërinë patriotike të grave “Labëria”, më 1909,e cila synonte edukimin e vajzave dhe ndërgjegjësimin kombëtar.
Gjatë Luftërave Ballkanike u angazhua edhe në organizimin e ndihmës për të plagosurit.
Marigo Posio duhet trajtuar si figurë e historisë së emancipimit të gruas shqiptare, jo vetëm si qëndistare e flamurit. Veprimtaria e saj publicistike dhe organizative është një dimension veçanërisht i rëndësishëm për ta rikthyer në historinë e grave shqiptare.
Një figurë po aq emblematike e qëndresës shqiptare është Qerime Radisheva apo Shote Galica, gruaja që sfidoi njëkohësisht pushtimin e huaj dhe mentalitetin patriarkal të kohës së saj. Ajo u shndërrua në simbol të rezistencës së armatosur, të guximit dhe të vendosmërisë për të mos iu nënshtruar pushtuesit.
E lindur në Radishevë të Drenicës më 1895, Shota u martua me Azem Galicën, udhëheqësin e njohur të lëvizjes kaçake. Çifti Shote e Azem Galica ishin simbiozë e një aleance të përbashkët politike, atdhetare dhe luftarake.
Shote Galica mori pjesë aktive në qëndresën e armatosur kundër forcave serbe dhe jugosllave gjatë viteve të pasluftës së Luftës së Parë Botërore. Ajo u dallua për guximin në beteja, për aftësinë organizative dhe për vendosmërinë që tregonte në rrethanat më të vështira. Nuk ishte një figurë që qëndronte në prapavijë, duke pritur udhëzime, por një luftëtare që merrte përgjegjësi dhe vepronte në terren.
Pas rënies së Azem Galicës më 1924, Shota nuk u tërhoq nga qëndresa. Ajo vazhdoi luftën dhe mori përgjegjësi në drejtimin e luftëtarëve, duke dëshmuar se angazhimi i saj nuk kishte qenë kurrë vetëm pasojë e bashkëshortësisë me një udhëheqës të njohur. Ajo kishte idealin, bindjen dhe vullnetin e vet politik.
E detyruar nga rrethanat të largohej nga Kosova, u vendos në Fushë-Krujë, ku kaloi vitet e fundit në kushte të rënda ekonomike dhe shëndetësore. Vdiq më 1927, larg vendit për të cilin kishte luftuar dhe në kushte që nuk përputheshin aspak me madhështinë e kontributit të saj.
Fati i Shote Galicës është një dëshmi e hidhur e mënyrës se si shoqëritë i trajtojnë gratë që dalin përtej roleve të paracaktuara. Ajo luftoi kundër pushtuesit të huaj, por edhe kundër kufijve që shoqëria patriarkale u kishte vendosur grave. Dëshmoi se gruaja shqiptare mund të ishte luftëtare, udhëheqëse dhe bartëse e vendimeve historike. Shota nuk ishte thjesht gruaja e Azem Galicës. Ajo ishte Shote Galica, me emrin, veprën dhe historinë e saj.
Disa dekada më vonë, një tjetër grua shqiptare do ta dëshmonte se ideali i lirisë nuk kishte ndryshuar. Xhevë Lladrovci u bë një nga figurat më të njohura të luftës për çlirimin e Kosovës, duke e paguar me jetë angazhimin e saj për lirinë e vendit. E lindur në Drenoc të Malishevës më 1955, Xheva u rrit në një familje me tradita atdhetare. E diplomuar në sociologji, ajo u angazhua herët në veprimtarinë politike për çlirimin e Kosovës. Së bashku me bashkëshortin e saj, Fehmi Lladrovcin, kaloi vite në mërgim politik, duke u përfshirë në organizimin e diasporës dhe të strukturave të rezistencës.
Me shpërthimin e luftës, të dy u kthyen në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xheva nuk ishte thjesht gruaja që ndoqi të shoqin në rrugën e luftës. Ishte pjesë e një brezi grash që nuk pranuan të mbeteshin jashtë vendimmarrjes dhe historisë së çlirimit. Në zonën e Drenicës, ajo u angazhua në detyra të ndryshme të organizimit dhe mbështetjes së luftës, duke u bërë pjesë e strukturave të rezistencës.
Më 22 shtator 1998, në betejën e Çiçavicës, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci ranë në luftë kundër forcave serbe, duke u bërë pjesë e kujtesës së rezistencës dhe të çlirimit të Kosovës.
Historia e Xhevë Lladrovcit dëshmon se gratë në luftën e Kosovës nuk ishin vetëm në prapavijë. Ato ishin pjesë e organizimit, e rezistencës dhe e frontit të luftës. Ato morën vendime, mbajtën përgjegjësi dhe u përballën me të njëjtat rreziqe si bashkëluftëtarët e tyre.
Xheva nuk duhet kujtuar vetëm si bashkëshorte e një komandanti të njohur, por si personalitet më vete, si intelektuale, veprimtare dhe luftëtare e lirisë.
Marigo Posio, Shote Galica dhe Xhevë Lladrovci përfaqësojnë tri momente të ndryshme të historisë shqiptare, por edhe tri forma të angazhimit të grave në përpjekjet për liri: simbolin e pavarësisë, qëndresën e armatosur dhe luftën për çlirimin e Kosovës.
Megjithatë, ato nuk janë të vetmet. Historia shqiptare është e mbushur me emra grash të njohura e të panjohura, të cilat mbajtën gjallë familjet në kohë lufte, ndihmuan luftëtarët, mjekuan të plagosurit, bartën mesazhe, organizuan rezistencën dhe ruajtën gjuhën, kulturën e traditën. Shumë prej tyre e paguan angazhimin me jetën, të tjera me burgosje, përndjekje, dhunë dhe mërgim.
Por pyetja që duhet të shtrojmë sot nuk është vetëm se sa gra kanë kontribuar në historinë tonë. Pyetja është: përse kontributi i tyre vazhdon të mbetet kaq pak i njohur? Përse tekstet shkollore ende nuk ua japin vendin e merituar? Përse emrat e tyre mungojnë në shumë rrugë, sheshe dhe institucione publike? Përse monumentet e kujtesës kombëtare vazhdojnë të pasqyrojnë më shumë historinë e burrave sesa atë të grave?
Mungesa e grave në hapësirat publike të kujtesës nuk e zvogëlon madhështinë e veprës së tyre, por zbulon një mangësi të vetëdijes sonë historike dhe një padrejtësi që vazhdon të përsëritet brez pas brezi.
Nuk mjafton t’i përmendim gratë në përvjetorë, në ceremonitë përkujtimore apo në fjalimet solemne. Duhet t’i dokumentojmë historitë e tyre, t’i hulumtojmë arkivat, t’i përfshijmë në tekstet shkollore, t’i bëjmë pjesë të muzeve dhe të kujtesës publike. Duhet t’ua kthejmë vendin që u takon në historinë kombëtare.
Sepse historia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur, por është edhe mënyra se si zgjedhim ta tregojmë atë. Dhe kur gjysma e shoqërisë mbetet në margjinat e rrëfimit historik, edhe vetë historia mbetet e paplotë.
Gratë nuk kanë munguar në historinë tonë. Ka munguar gatishmëria jonë për t’i parë, për t’i dëgjuar dhe për t’ua njohur vendin që u takon.
Marigo Posio, Shote Galica, Xhevë Lladrovci dhe qindra gra të tjera nuk ishin hija e heronjve. Ato ishin vetë heroina. Dhe një komb që nuk i njeh gratë e tij luftëtare, patriote dhe intelektuale, nuk e njeh plotësisht as historinë e vet.