



Sokol Paja
Foto: Baton Neziri (Rugova)/
New York, 3 tetor 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi tri vepra letrare të shkrimtarit shqiptaro-amerikan Naman Osmani. Me pjesëmarrjen e patriotëve, veprimtarëve, shkrimtarëve, profesorëve e drejtuesve të shoqatave shqiptare në New York e më gjerë, promovimi i udhëhequr nga Vatra bashkoi komunitetin shqiptar dhe promovoi letërsinë e mërgatës si kontribut në letrat shqipe. Në emër të kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha përshëndeti vatrani historik Marjan Cubi i cili theksoi se promovimet i shërbejnë komunitetit dhe kulturës kombëtare.
“Udha e Mërgimtarit” është një përmbledhje poetike që përmes vargjeve sjell udhëtimin e vështirë të mërgimtarit nga atdheu drejt tokës së huaj. Në poezitë e këtij libri ndërthuren motive të atdheut, dashurisë, mallit dhe kujtesës për vendlindjen. Në librin “Me Ëndrrën e Lirisë”, shprehet dashuria e thellë për lirinë, një ëndërr e mbajtur gjallë ndër breza për vite dhe shekuj. Kjo ëndërr kombëtare u bë realitet përmes sakrificës, guximit dhe gjakut të dëshmorëve që ranë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Libri “Pena për Atdheun” është një përmbledhje poetike kushtuar Shqipërisë, Kosovës dhe figurave të lavdishme të historisë sonë kombëtare, si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Isa Boletini, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Adem Jashari etj. Përmes vargjeve, autori shpreh dashurinë dhe krenarinë për atdheun, duke nderuar heronjtë dhe dëshmorët që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Dr.Ardiana Mici në kumtesën e saj u shpreh se “Pena për atdheun”, e autorit Naman Osmani është një libër në të cilin pena nuk shërben vetëm për të shkruar vargje, por bëhet një mjet për të dëshmuar, për të kujtuar, për të dashur dhe për të ruajtur lidhjen shpirtërore me vendin, historinë, familjen dhe njerëzit. Që në titullin e librit dhe që në poezitë e para ndihet qartë boshti kryesor i kësaj vepre poetike: dashuria për atdheun dhe identitetin kombëtar. Autori e sheh Kosovën dhe Shqipërinë jo vetëm si hapësira gjeografike, por si pjesë të kujtesës, të qenies dhe identitetit të tij. Përmes një ngjarjeje personale sjell një mesazh të fortë mbi identitetin kombëtar, ku flamuri shqiptar kuq e zi i përket edhe Kosovës, madje e identifikon atë më shumë se flamuri i Kosovës, duke risjellë në kujtesë shpalljen e pavarësisë dhe pjesëmarrjen e Isa Boletinit krah Ismail Qemalit. Ai e quan “Flamur të çdo shqiptari”.
Atdheu në këtë vepër nuk është vetëm një ide abstrakte. Ai shfaqet si nënë, si kujtim, si vendlindje, si gjuhë, si flamur dhe si amanet. Një nga shtyllat më të fuqishme të librit është kujtesa historike dhe lufta për liri. Poezitë që lidhen me luftën e Kosovës, me dëshmorët dhe me figurat kombëtare e bëjnë librin edhe një lloj arkivi poetik të kujtesës, u shpreh Dr. Mici.
Aktivistja e komunitetit shqiptar Marjola Bejkollari vlerësoi krijimtarinë letrare të Naman Osmanit dhe emocionoi të gjithë të pranishmit teksa recitoi poezinë “Pena për Atdheun” si krenari, identitet dhe histori.
Shkrimtari Mhill Velaj në kumtesën e tij u shpreh se poezia e Naman Osmanit buron kryesisht nga përvoja personale dhe nga ndjeshmëria ndaj çështjeve që lidhen me atdheun, familjen, historinë, luftën, dashurinë, besimin dhe vlerat njerëzore. Në këtë kuptim, vëllimi nuk është vetëm një përmbledhje krijimesh lirike, por edhe një dëshmi e gjendjes shpirtërore të mërgimtarit, i cili, pavarësisht largësisë, vazhdon ta mbajë atdheun në kujtesë dhe në ndërgjegje.
Një nga boshtet kryesore tematike të veprës është dashuria për atdheun dhe identitetin kombëtar. Shqipëria dhe Kosova shfaqen jo vetëm si vende gjeografike, por si pjesë e identitetit dhe e kujtesës kolektive. Përmes simboleve të flamurit, heronjve, gjuhës dhe historisë, poeti e shndërron ndjenjën patriotike në një përjetim personal. Historiani Gjon Ivezaj në kumtesën e tij u shpreh se vëllimi poetik “Me ëndrrën e lirisë” përmbledh një pjesë të rëndësishme të botës poetike të autorit. Ëndrra dhe liria nuk janë këtu vetëm nocione poetike. Ato janë përvoja e një brezi dhe kujtesa e një populli që e ka njohur peshën e robërisë, sakrificës dhe luftës për të qenë i lirë. Libri nuk mbetet vetëm te kujtimi i fëmijërisë dhe te dashuria për vendlindjen. Ai hyn edhe në kujtesën e historisë së Kosovës. Në vargjet e tij gjejmë UÇK-në, dëshmorët, sakrificën e njerëzve që ranë për lirinë, dhimbjen e familjeve dhe kujtesën e një kohe të rëndë. Lufta e Kosovës e viteve 1998–1999 solli vrasje, dëbime dhe vuajtje të mëdha për popullsinë civile; ndërsa UÇK-ja dhe luftëtarët e saj janë pjesë qendrore e kujtesës publike shqiptare për atë periudhë. Në poezinë e Osmanit, kjo histori nuk vjen si një kronikë politike, por si përjetim njerëzor dhe moral, u shpreh ndër të tjera z. Ivezaj.
Në përfundim të promovimit autori Naman Osmani falënderoi patriotët që morën pjesë në aktivitetin letrar e në mënyrë të veçantë Federatën Vatra si identitet, krenari e histori të shqiptarëve në Amerikë. Në fjalën falenderuese autori Osmani ftoi të rinjtë shqiptarë në Amerikë që të bashkohen me Vatrën si institucion atdhetarie e shqiptarie në Amerikë dhe apeloi për drejtësi për çlirimtarët që u dënuan padrejtësisht në Hagë. Autori Naman Osmani në përfundim të promovimit dhuroi tri veprat letrare për Bibliotekën e Vatrës dhe 200 usd për Federatën e shtroi kokteil për të gjithë të pranishmit.